Nga artistë të ndryshëm, anekënd trojeve shqiptare të ndara, është kërkuar vazhdimisht, që shtëpia e Homerit të gjakut tonë, në vendlindjen e tij, në Fishtë të Zadrimës–Lezhë, të mund të bëhet (natyrisht me projekte thelbësore kombëtare) muzeal-peligrinazh, pasi çdo komb i botës po të kishte një personalitet të tillë në kulturën e vet do e bënte këtë gjë “tepër të vogël” për madhështinë e tij…
Ndërsa presim e shpresojmë, duke medituar për “të përbashkten” e vlerave tona mbarëkombëtare në art m’u kujtua një këngë që e këndon Fatmira Breçani:
“Dilni o shqiptar, se nusja po vjen,
Se Kuvendin prap e kem’ në Prizren…”
Në meditim e sipër, natyrshëm, asociacionet e mia të ndikuara nga letërsia, piktura, filmi, teatri, baleti, opera, etj., ma grrithnin trurin se si mund të organizojmë kombëtarisht veprimtari të mëdha, kudo nëpër troje që të paktën shpirtërisht të jemi të bashkuar…!
Krahas kënaqësisë që ndjeva për këtë ëndërrim vetjak të cilin nuk besoj ta kem vetëm unë, në trurin tim fektoi një fakt që me shumë dashuri më “bëri” xheloz… Unioni Artistik i Kombit Shqiptar… Po, po fektoi në moment dhe papritur më ndaloi gjykimin në një meditim të ri…
Ky UNION i krijuar dhe i udhëhequr nga një djalë Gashi nga Malësia e Gjakovës, palcë e Kombit tonë, ka bërë këto vite me veprimtaritë e veta më shumë se ministritë përkatëse… dhe kudo, kudo në trojet e moçme shqiptare!
U “bëra” xheloz, sepse sa e sa artistë, këngtarë,valltarë, kompozitorë, poetë, aktorë, instrumentistë, janë ndjerë të lumturuar nën këtë emër me krijimet dhe interpretimet e tyre nëpër qytete e krahina arbërore…
U “bëra” xheloz, sepse sa e sa artistë janë dekoruar për vlerat e tyre deri dhe “Mjeshtër i Madh” duke ngazëllyer veten e miqtë, duke shtuar vlera të reja, dashuri të reja, ëndrra të reja, me artin e tyre në të gjitha trevat ku bukës i thonë bukë e ujit ujë !
U “bëra” xheloz, sepse në ecurinë e gjykimit tim Unionin Artistik të Kombit Shqiptar e quaja si një KUVEND (tip Lezhë a Prizreni) që “shetitë” vlerat kombëtare në damarët e Kombit që ata të mos reshtin në rifreskimin e ëndrrës dhe dashurisë së moçme NJË KOMB, NJË GJUHË, NJË SHTET, NJË FLAMUR…
Ky, një asociacion personal, miq të dashur, të cilin nuk ndenja dot pa ua servirur edhe ju…!
E di që Azgan Haklaj do të më kritikojë, pasi ai beson ashtu si unë, si ju, që në histori detyrat i kemi të njëjta të gjithë, por më mirë që e shpreha ndjesinë time për atë dhe KUVENDET artistike të këtij UNIONI, ministri “më vehte”!
Azem BALIAJ
Lezhë
Komentet