Kur ke patur fatin të takosh tenistin me famë botërore, Roger Federer, ndjehesh i lumtur. Ashtu modest dhe fisnik si gjithmonë, ai pranon të bisedojë me ty, të të jape autograf dhe mbi të gjitha të përgëzon dhe me një ndjenjë habie kënaqet që edhe në Shqipëri luhet tenis dhe zhvillohen kampionate. Nëse do tja lejojë koha, dhe puna e ardhshme me fondacionin e tij, do të dëshironte të vinte në brigjet e Adriatikut. Dikur në rininë time kam luajtur edhe unë tenis, fillimisht në Pallatin e Pionierëve dhe pastaj tek fushat e Sali Nallbanit që e kisha trajner dhe më vonë me ekipin e Universitetit dhe Dinamos. Arrita të jem i dyti në kampionatin kombëtar, bile do të shkonim edhe në kampionatin botëror ato vite, por për mungesë fondesh nuk shkuam.
Le të kthehemi tek tema jonë kryesore. Roger Federer ATP 3, arriti të marrë ditët e fundit, për të dhjetën herë titullin në Halle, Gjermani, në të 13-tën finale aty, duke i ofruar vehtes titullin e 102 ATP të karrierës së tij. Dhe kjo fitore, 16 vite pas titullit të parë në fushat e Halles. Ai qëndron vetem shtatë njësi nga rekordi absolut i Xhimi Konor. “ Asnjëherë nuk kam fituar dhjetë tituj në të njëjtin turne në jetën time. Kjo do të mbetet përjetësisht në kujtesën time se këtu në Halle e realizova këtë”, deklaroi ish numri një i botës gjatë ceremonisë së dhënies të trofeve. Në setin e parë me David Goffin, ATP 33 lejoi t’i kalojë fati i parë në lojën e pestë, kur Goffin arriti 0-40 në servisin e Federer. Por qytetari i Bazelit i fshiu të tre topat e breikut dhe e fitoi lojën. Setin e parë e fitoi 7-2. « Kishte shumë intensitet në setin e parë” u shpreh ai. “ Pata oportunitete, por kundër Roger ato duhen gjetur. Ai është gjithmonë më i miri », u shpreh Goffin.
Pastaj gjithçka u bë më e komplikuar për qytetarin e Liezh të Belgjikës, kur ai e la servisin, duke shkaktuar një gabim të dyfishtë në lojën e parë të setit të dytë. Bile ai e hodhi edhe raketën në tokë dhe nuk ishte më në gjendje t’i bënte ballë ritmit të imponuar nga kundërshtari. Zvicerani pastaj fitoi katër lojra njëra pas tjetrës për të përfunduar ndeshjen 7-6 dhe 6-1 në 1 orë e 23 minuta. Në këtë mënyrë ai i ofroi vehtes rekordin e fitoreve në Halle të Gjermanisë. Kjo i jep atij besimin në kërkim të titullit të 21 në Grand Chelem, në barin e gjelbër të Wimbledonit londonian.
Si e sheh Federer të ardhmen ? Në radhë të parë, shprehet ai, do të përfitoj nga ky titull. Do të marr disa ditë pushim. Do flas me ekipin tim për të ditur nëse do të kemi një, dy apo tre ditë pushim, apo një ditë tjetër gjatë javës. Meqënëse do të jem numri dy i serisë në Wimbledon (1 deri 14korrik), kjo do të thotë se unë do luaj ndeshjen e parë të martën. Kjo do më japë mundësinë që të çlodhem edhe një ditë më tepër. Fizikisht ndihem mirë. Për aq kohë sa Rafa dhe Novak, do të jemi të pranishëm, nuk do të jetë e lehtë për një lojtar të ri të shfaqet dukshëm dhe të dominojë”. I ndërgjegjëshëm për situatën, Federer pranon se të tre nuk u lënë shumë hapësirë brezit të ri të shfaqet dukshëm, kur ndërkohë përparimet e Tsitsipas apo Auger-Aliassime konfirmojnë se potenciali është i pranishëm.
Roger Federer ka lindur në Bazel në 1981. Ai është lojtar profesionist që nga viti 1998 dhe mban rekordin e 310 javëve që ka mbajtur vendin e parë në klasifikimin botëror të tenisit ATP Turi Botëror. Ai ka qënë tenisti më i mirë në vendin e parë pesë herë, në 2004, 2005, 2006, 2007 dhe 2009. Ai ka fituar medaljen e artë në ndeshjet e dyfishta meshkuj me Stanislas Wawrinka në Lojrat Olimpike të Pekinit 2008, pastaj nën kampion olimpik i vetëm në Londër në 2012. Më 2014 ai fiton kupën Davis me ekipin zviceran, duke mundur në finale ekipin e Francës. Deri tani Roger Federer ka fituar 102 tituj, nga të cilat 26 në turnetë e mëdha dhe 28 të Master 1000.
Gjenevë, më 24 qershor 2019
Komentet