Mediat e Beogradit e kanë pritur me entuziazëm votimin kundër nga PS dhe Edi Rama, të rezolutës që dënon gjenocidin serb ndaj 8 mijë meshkujve në Srebrenicë të Bosnje Hercegovinës.
“Shumica qeverisëse në Kuvendin e Shqipërisë hodhi poshtë sot rezolutën për njohjen e gjenocidit në Srebrenicë, e iniciuar nga ish-kryeministri Sali Berisha. Kundër rezolutës votuan 51 deputetë dhe pro ishin 15 vota”, raporton media shtetërore serbe, Tanjug.
Edhe ‘Vijesti’, ‘Vesti’, ‘Kurir’, ‘B92’ i kanë kthyer në festë kartonët e kuq të deputetëve të Edi Ramës në Kuvendin e Shqipërisë.
Rezoluta u propozua nga Partia Demokratike dhe lideri historik i saj, Sali Berisha.
“Nuk ka pasur kurrë një Shqipëri antishqiptare si në kohën e Edi Ramës. Keni harruar gjakun e 8000 burrave dhe fëmijëve boshnjakë dhe jetën e më shumë se 100 000 shqiptarëve në Kosovë. Çfarë mund të prisni nga skllavi i Aleksandër Vuçiç? Si mund të votoni kështu ju shqiptarët”, tha ish-kryeministri Sali Berisha, pas rrëzimit të rezolutës.
Deputeti Tritan Shehu tha se ishte një ditë e hidhur dhe e shëmtuar për Kuvendin e Shqipërisë.
“Ne jemi i vetmi parlament që nuk kemi një dokument formal që dënon gjenocidin. Është një ditë që lë gjurmë të rënda në botën demokratike. Disa ditë më parë, këta zotërinj votuan kundër rezolutës që dënon gjenocidin rus në Ukrainë. Sot ata votuan të mos pranojnë rezolutën që dënon gjenocidin serb. Në Bosnje nesër nuk do të pranojnë të dënojnë gjenocidin serb në Kosovë. Pse? Këto janë detyrimet tona. Këto janë qëllimet, prandaj jemi veçuar sot në Kuvendin e Shqipërisë”, tha deputeti i PD, Tritan Shehu. syri.net
Komentet