Fitorja e Kombëtares së Serbisë ishte kryefjala e mediave serbe pas përfundimit të ndeshjes në “Elbasan Arena” me rezultatin 0:2.
Mediat serbe e komentuan si një shenjë hakmarrjeje të skuadrës së tyre fitoren ndaj kuqezinjve, paçka se ekipi serb i ka humbur mundësitë për t’u kualifikuar në “Euro 2016”.
Një nga gazetat më të mëdha në Serbi, “Kurir”, shkruan se Shqipëria me lojën e treguar e “meritonte fitoren”, por rezultati në fund të takimit ishte një shenjë hakmarrjeje ndaj dronit, që u fut rreth një vit më parë në Beograd. Ndërsa në një tjetër titull të “Kurir” shkruhet: “Serbia hedh Shqipërinë nokaut me golat e Ljajiç dhe Kolarov”.
Ndërsa “Blic” thotë se “shqiponjat” nuk ishin në lartësinë e duhur në një ndeshje me rrezikshmëri të lartë.
“Shqiponjat serbe festojnë në mes të Shqipërisë”, shkruan në titull “Blic”. Në artikull thuhet se, Serbia fitoi me rezultatin 0:2 në një fushë shumë të rrezikshme.
Gjithashtu krahasohet edhe situata para një viti, ku ndeshja u ndërpre në Beograd, ndërsa me organizimin që bëri Federata Shqiptare në ndeshjen e kthimit përgëzohet Shqipëria.
Ndërkohë, edhe mediat e tjera serbe e kanë përcjellë lajmin e fitores së përfaqësueses së Serbisë. “Tanjug” e hap shkrimin me titullin: “Serbia rrëzon Shqipërinë në minutat shtesë”.
Gjithashtu edhe për televizionin serb “B92” dy golat e Kolarov dhe Ljajiç në minutat shtesë ishin një përgjigje e duhur për dronin e futur në stadium.
Ndërsa, “Alo.rs” shkruan: “Shqiponjat serbe dominuan në ‘Elbasan Arena’. Urime shqiponjë! Pas një pjese të parë monotone pa shanse shënimi, përveç golit të anuluar të Ljajiç, në 45 minutat e dyta bëmë një lojë dinamike, sidomos në minutat e fundit”. shekulli




Komentet