Kompania ‘MEDIHOSPES Cooperativa Sociale’ është përfshirë në disa hetime të antimafias dhe drejtësisë italiane për infiltrime mafioze, abuzim e keqpërdorim fondesh publike, e keqmenaxhim të qendrave të emigrantëve e kushte jo humane të strehimit të tyre.
“Pula që bën vezë floriri” e ka cilësuar e përditshmja italiane ‘La Repubblica’, lajmin e djeshëm të shpalljes së ‘MEDIHOSPES Cooperativa Sociale’ si kompania fituese për menaxhimin e qendrave të emigrantëve në Shqipëri.
Pronari i saj, Camillo Aceto, prej vitit 2003 është vënë nën hetim nga drejtësia italiane me akuza për infiltrime mafioze në dosjet “Mafia Capitale”, “Cara e Mineo”, për mashtrim e abuzim me fonde publike, etj.
Në hetimet e dosjes “Mafia Capitale”, përgjimet mes mafiozëve zbardhin bisedat e tyre ku shpreheshin se “me emigrantët bën më shumë para se me drogën”.
‘MEDIHOSPES Cooperativa Sociale’ rezultonte të jetë ende sot në partneritet me grupin “La Cascina”, e cila ishte në qendër të hetimeve të antimafias në operacionin “Mafia Capitale” më 2015 dhe u vu nën menaxhimin e jashtëzakonshëm të shtetit e dy administratorëve të nominuar nga qeveria për shkak të akuzave për bashkëpunim mafioz e për të shpëtuar vendet e punës së punonjësve të saj pas arrestimit të katër drejtuesve të kësaj kompanie.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua dhe Massimo Camminati i bandës ‘Magliana’ në Romë.
Hetimet e “Mafia Capitale” zbardhën një sistem korruptiv sipërmarrës, politik e institucional mes Bashkisë së Romës dhe kompanive publike për menaxhimin e strehimit e kampeve të emigrantëve.
Grupi “La Cascina” ka lidhje të forta dhe me botën katolike dhe vazhdon të jetë në partneritet me ‘MEDIHOSPES Cooperativa Sociale’.