Memorie.al / I ati ishte nga ata trima që, kur e morën për ta pushkatuar, thirri: “Amanet Shqipërinë”. Ajo thirrje do të inkurajonte për vite me radhë shokët e burgut që mbetën gjallë, siç tregon i biri, Jonuz Kulla. Ndërkohë, familja do të vazhdonte persekutimin e rëndë. Në krye të kësaj përndjekjeje do të vihej vetë Nevzat Haznedari, i cili 23 vite pasi shërbeu si prokuror në gjyqin ku u dënua me pushkatim Ajdin Kulla, urdhëroi internimin e të birit dhe të shoqes në kampin e Dumresë. Për më shumë rreth kësaj historie tragjike të kësaj familje, na njeh intervista me zotin Jonuz Kulla.
Zoti Jonuz, cila ishte familja juaj dhe si nisi persekutimi ndaj jush?
Unë kam lindur në vitin 1943 në fshatin Zëmblak të Korçës. Jam pinjoll i një familje të madhe, patriarkale, të cilët rrinin së bashku, ishin në harmoni, luftonin dhe punonin me djersën e ballit dhe arritën që të rrinin bashkë deri në 43 veta. Ndërtuan një shtëpi të madhe dhe jeta dukej tamam si një familje e qetë shqiptare. Me ardhjen e fashizmit, si familje me tradita patriotike, sepse gjyshi im, Jonuzi ka qenë një patriot i njohur në zonën e Korçës, u hodhën përkrah Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Vëllai i gjyshit, Ganiu, në Konferencën e Pezës, u emërua kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit dhe vetëm kur, Partia Komuniste, po flasim, jo Lëvizja Nacionalçlirimtare, nën influencën e jugosllavëve, prishi Mukjen e famshme, që ishte një bashkim i shqiptarëve për së dyti, gati si Lidhja e Prizrenit, atëherë filloi vëllavrasja, me vrasjen e 6 djemve në Ziçisht të Devollit, d.m.th sinjal i luftës civile, xha Ganiu me lutjen e qarkorit të ‘Ballit’ të Korçës, Fazlli Frashëri, Jorgji Dilo etj., iu lut që të bashkonte djemtë dhe të krijonte çetat e ‘Ballit Kombëtar’ dhe në shenjë të nderimit të atyre gjashtë djemve, kësaj çete, që më vonë, shumë shpejt u bë batalion, iu vu emri batalioni “Gjashtë dëshmorët”.
Cili ishte qëllimi i kësaj çete?
Të mbronin jetën e shqiptarëve që ishin rrezikuar nga murtaja komuniste, jo nga lëvizja Nacionalçlirimtare. Edhe mendonin, meqë ishte buzë kufirit, siç tregonte historia që mund të vinin grekët dhe të bënin reprezalje, krijuan këto çeta. Disa herë tentuan dhe bashkëpunuan me udhëheqësit e çetave partizane si; Riza Kordheli, Agush Gjergjevica e, shumë të tjerë. Kanë pasur edhe bisedime, por pastaj ishte e pamundur. Me këtë rast, u angazhua dhe babai im, i cili pat mbaruar shkollën amerikane të Fultz-it. Vitin e fundit e bëri në ‘Normalen’ e Elbasanit. Shërbeu 10 vjet si arsimtar në Moglicë, Pustec, Pojan dhe vetëm kur u krijua kjo lëvizje, u bashkua me ‘Ballin Kombëtar’, bënte propagandë për të sqaruar ç’është lëvizja Nacionalçlirimtare dhe çfarë qëllim kanë komunistët. Në ’44-ën tentuan disa herë, edhe në fund të ’44-ës, që të bashkëpunonin ose ta ndalonin. E ndaluan veprimtarinë, e panë që ishte e kotë. Pati njerëz të mirë, si familja Vinçani, që ta ndërprisnin luftën, por tradhtia ishte brenda, kështu që u largua deri në Shkodër dhe vetëm kur parulla e gënjeshtërt “kush nuk ka kryer krime, të kthehet, se jemi vëllezër”, u kthye, u arrestua.
Ata që u dorëzuan, u dënuan?
Babai dhe xhaxhai i tij, u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua në korrik të ‘45-ës në Bilisht. Që këtu filloi katastrofa e kësaj familjeje të madhe, të shëndoshë. Arrestuan të vëllanë e vogël të babait, xhaxha Xhevitin. Ishte rreth 19-20 vjeç. E akuzuan për gjëra të kota, sikur donte të arratisej në Greqi, sikur bënte sabotim në ushtri, sepse ishte partizan, me brigadë dhe e dënuan me vdekje. Falë një miku të familjes, që ishte gjyqtar, në heshtje e kaloi këtë dënim me vdekje në 101 vjet dhe mbasi bëri një kalvar të madh në Burrel, ky ishte burgu i parë, u kthye në shtëpi. Një shembull i paharrueshëm dhe i papërsëritshëm është rasti i së fejuarës së tij, të bijës së Dervishit të Bilishtit, zonjës Fehmie, e cila e priti 11 vjet fejuar dhe vetëm kur doli nga burgu i Burrelit, u martuan dhe lindën dy fëmijë. Ne mbetëm në fshat. Jeta ishte e vështirë. Në ’47-ën, arrestuan të gjithë meshkujt e familjes pa përjashtim, me të vetmin qëllim se keni ndihmuar gjeneral Prenk Pervizi, për t’u arratisur dhe dënimet e tyre do ishin shumë e shumë të rënda, të mos kishin ndodhur ato manovrimet që bënte kuçedra Enver Hoxha, që “fajet i ka Koçi Xoxe, që i ka bërë këto reprezalje” dhe ia ulte dënimin: kush 12, kush 7, kush 5 dhe shpëtuan nga vdekja. Ne mbetëm në fshat vetëm gratë dhe fëmijët më të vegjël.
Ç’ndodhi më pas me familjen tuaj?
Djemtë më të rritur, duke ndjerë rrezikun, siç u ndodhi prindërve të tyre dhe e kishin lajm nga fshati, nga njerëz të besueshëm të fshatit që do t’ju arrestojnë, do t’ju bëjnë, morën arratinë dhe ikën, shumica, në Greqi. Ne mbetëm pa përkrahje, pa toka, pa bagëti se na i konfiskuan të gjitha dhe më katastrofikja, që nuk do ta harroj kurrë, bibliotekën e tim eti, që ishte mësues, fotografitë, dorëshkrimet e tij, deri te kostumet kombëtare, kur na sekuestruan shtëpinë, i morën, i vunë në oborr dhe i dogjën. Këto ishin shenjat e para se çfarë do të vinte më pas. Na strehuan në fshat nëpër miqtë e familjes sonë, në nga një dhomë, një dhomë e gjysmë dhe pasi ikën edhe këta djemtë, atëherë dërguan Sigurimin e Shtetit natën, me makina të mbuluara me mushama, në mesnatë. Na futën fëmijë, pleq, plaka se këta kishin mbetur, tamam si Gestapo kur thonin, që kishim parë nëpër filma dhe na dërguan në “Hanin Me 2 Porta”. Aty na kanë mbajtur dy javë në burg, në kondita të jashtëzakonshme, deri në 46-47 veta në një dhomë, si sardele domethënë. Shumë njerëz u sëmurën, shumë pleq u sëmurën dhe pas dy javësh shoshitje, vendosën që njerëzit që ishin pak të rritur dhe që mendohej se mund të arratiseshin, i morën dhe i çuan në kampet e internimit. Ne që s’kishim mundësi, fëmijë të vegjël, nënën dhe gjyshen dhe një djalin e xhaxhait tim, që e ndanë nga e ëma, nga i vëllai, nga e motra…ishte rreth 11 vjeç, e lanë bashkë me ne. U kthyem në fshat, pa asnjë përkrahje, pa shtëpi, pa tokë, pa bagëti. Mendo se çfarë jetese kemi bërë.
Si e përballuat jetesën?
Rendnim arave në kohën e korrjeve edhe mblidhnim kallëza gruri, i fusnim nëpër thasë që nga mëngjesi deri në mbrëmje vonë. Aty i rrihnim me shkopinj druri, nxirrnim kokrrat e grurit, i ngarkonin nëna tona, në vend të kafshëve, në kurriz, i çonin në mullinjtë e Zvezdës a Golloberës që ishin goxha larg dhe me këto na mbanin. Ose me pak patate të ziera. Ose, kryevepra është, një xhaxhaica ime që ishte shumë praktike, ajo na ziente barishte që gjendeshin nëpër ara, por që nuk ishin të dëmshme, mos të them që ishin të ushqyeshme dhe na mbajti gjallë me vjet domethënë. Kjo ishte jeta jonë. Sa mbrojtje, është për të qeshur, por kishim një kushërirën tonë të largët, ajo ishte fatkeqësisht e sëmurë nga ana mendore, por për ne ajo u bë mburoja numër një. Ajo nuk lejonte që ne fëmijëve të na prekte asnjë, ose të na shante, ose të na ofendonte se i mbyste me gurë. Nuk them se në fshat, nuk kishte njerëz të mirë, kishte njerëz të frikësuar, siç e futi frikën komunizmi. Na ndihmonin. Dikush sillte një copë bukë në xhep dhe e linte në qoshe. Dikush sillte një shishe dhallë dhe e linte në plehun jashtë shtëpisë ku rrinim ne, na e bënte me shenjë. Dikush sillte kallëza gruri, hidhte në hendek dhe thoshte me shenjë që pritini dhe merrini. Kështu kaloi kjo jeta jonë, e vështirë.
Po punë ju jepnin?
Nëna filloi të hynte në punë, nëpër bonifikime që bëheshin kanalizime, që të merrte një triskë. Pastaj e pushuan dhe që andej. Kur u lirua nga internimi, xhaxhaica me djalin e xhaxhait, Neshetin dhe motrën e tyre, Mukades, ky djali Nesheti iku në moshën 14 vjeç e gjysmë u largua nga shtëpia për të gjetur një rrugëzgjidhje edhe hyri në punë ca kohë në Tiranë, ca kohë në fermën e Cërrikut…dhe me anë të tij, na jepte ca triska që merrnim ushqime në grumbullim, siç ishte. Fati ynë i madh është që u larguam për në Elbasan edhe…si u strehuam në Elbasan? Një xhaxhaica ime kishte një kushëririn e saj, oficer, i cili punonte në Krastë, po reparti ushtarak i kishte dhënë një dhomë, te familja Zenel Hoxha. Ai ishte djalë i mrekullueshëm, na lejoi neve këtë dhomë edhe vetë vajti fjeti në repart. E ka mbiemrin Zaimi, ka dy-tre djem të nderuar që janë edhe sot në Elbasan.
Në çfarë viti ka ndodhur kjo?
Kjo ka ndodhur në vitin 1952. Atje u strehuam për pak kohë, nënat tona: xhaxhaica Fatimeja; nëna ime, Fidarija; vajza e xhaxhait, Mukadesi, një yll vajzë, rreth 20 vjeç, punonin në ndërtim, në bërjen e pritave gurore në Zaranik, në Shkumbin, nëpër përrenjtë, në ndërtim, në bonifikim, në punët më të rënda, së bashku me gratë e tjera të nderuara të Elbasanit, si zonjën Gurmani, si zonjën Kazazi, Haxhiademi, Stringa, Baholli, se mos harroj dhe ndonjë, Harja, se nuk më kujtohen të gjitha. Të gjitha zonja të nderuara. Për t’i poshtëruar, i dërgonin në punët më të rënda dhe për t’i fyer. Po ato ishin të detyruara të punonin, të mbanin gjallë fëmijët e tyre. Një pjesë e tyre kanë ndërruar jetë, rahmet pastë, a është ndonjë, a s’është më, por në mendjet dhe zemrat tona do mbeten gratë më të nderuara të qytetit të Elbasanit. Vazhduam pak kohë këtu dhe arritëm 11 vetë, banonim në një dhomë sepse xhaxhai i madh, Beluli u kthye nga burgu, pas pak kohësh u kthye dhe Xheviti nga Burreli. Edhe është ironike dhe për të qeshur, por njerëzit duhet t’i dinë: ishim një dhomë, 11 vetë, s’kishim ku martoheshim, e fejuara e priti 11 vjet. Atëherë, dikush, një shpirtmirë na dha një çadër ushtarake dhe në një korridor që ishte aty, i hapur, pa xham, pa gjë, direkt në oborr dilte, ndamë një qoshe kështu, aty vumë një krevat dhe aty ka jetuar i martuari për një vit rresht. Kjo ishte jeta jonë…!
Si vijoj jeta juaj?
Unë vazhdova 7-vjeçaren në “Kostandin Kristoforidhi”. Isha një nxënës i mirë. Ish-shokët e babait tim, se babai mbaroi, siç thashë, shkollën e Fultz-it dhe vitin e katërt erdhi në Elbasan, në Normalen, po Elbasani kishte shumë shokë të tij, që kishin mbaruar në të njëjtën kohë si z.Bejtja, Tahsim Daiu etj.etj. dhe pa rënë në sy, i thoshin nënës: “djalin mos e lër pa shkollë se është shumë i mirë”. Pastaj, duke shkuar në Tiranë, u regjistrova si i jashtëm në Politeknikumin “7 nëntori”. Ishin dhe vitet e qeta, ’56-’60-të. Në këtë periudhë, që të mos keqinterpretohet, edhe nga shumë bashkëvuajtës, thonë: “Si ka mbaruar shkollën”?!, nga viti ‘54, ’52 e deri në ‘60-ën kishte një farë të drejte për të vazhduar shkollën. Shumë elbasanas mbaruan Pedagogjiken, vazhduan arsimtarë. Dikush vazhdoi dhe shkollën e lartë, natën, sigurisht me ndonjë ndërhyrje, por pa atë çekanin e madh komunist. Dhe unë u regjistrova në Politeknikum. Mbarova me nota shumë të mira dhe u ktheva në Elbasan nga vitet ’60-të. Atëherë filloi kalvari i madh sepse në ato formularë që plotësonim mbas shkollës, duhet të shkruaje çfarë biografie ke.
I shkruat ato që kërkonte formulari?
Megjithëse isha i ri dhe i papjekur, dikush më tha, shkruaj se po ta brimuan më vonë do gjesh belanë e unë shkruajta se kam njerëz të arratisur, babanë e pushkatuar. Kjo shërbeu që të më linin një vit e gjysmë pa punë, megjithëse isha teknik i mesëm, vendi kishte nevojë të jashtëzakonshme dhe vetëm pas një viti e gjysmë, po ndonjë njeri i panjohur, por shpirtmirë, dha udhëzim që unë të punoj në Kooperativën e Artizantit të Elbasanit ku ishin kovaçët, llamarinistat dhe këta…! Dhe aty hapa një repart të vogël, ku bëja avolzhimet e motorit që ishte një gjë e rrallë, të motorëve, që ishte një gjë e rrallë për atë kohë. Punët u stabilizuan mirë. Fillova të kem një të ardhur të mirë dhe thamë se shpëtuam nga e keqe e madhe, nga kalvari që kishim kaluar, por jo, nuk ishte e thënë! Në Elbasan, për fatin tonë të keq, erdhi kryekrimineli, po e përsëris kryekrimineli i Shqipërisë, Nevzat Haznedari. Ky njeri kishte qenë në të njëjtën kohë me babanë tim, nuk e di në klasë, a në një klasë paralele, o më mbrapa, por nxënësi më i keq në Normalen e Elbasanit. Një njeri, që kur erdhi fashizmi, veshi këmishën e fashizmit dhe mbas kësaj, partizan edhe komunist i orëve të para. Ky mori pjesë si prokuror i tim eti, duke vjellë vrer e duke sharë e duke bërë, por e vërteta një ditë nuk mungon të dalë. Unë kam në dorë dosjen gjyqësore të babait tim, ku del komplet e vërteta, se ç’njerëz kanë qenë dhe përse u pushkatuan.
Për çfarë e akuzonin babanë tuaj?
Babanë tim, kryesisht e akuzojnë se ke qenë i ndërgjegjshëm për politikën e Shqipërisë etnike dhe ke bërë që në zonën e Devollit të ketë shumë, shumë njerëz që vinin në anën e Ballit. Dhe kjo është e vërtetë sepse ai shpjegonte çfarë ishte kolera komuniste. Për këto arsye, me një gjyq qesharak, siç bëhej atëherë e dënuan me vdekje dhe në moshën 34 vjeç i morën jetën në luadhet e Bilishtit, bashkë me të birin e Sheh Qerimit dhe Zyhdi Tapinë. Kujtimet e shokëve të tij, njerëzve që kanë bashkë vuajtur, për aq kohë sa ishin, si Skënder Stefanllari, Avni Xhomaqi, Ylber Darova, e shumë shumë të tjera janë nga më të pashlyeshmet. Ata më ngulitën më mendje, përveç çfarë më kishte shpjeguar nëna, por ata e njihnin nga afër, në kondita më të vështira, thoshin që ke pasur një baba trim, të zgjuar, patriot. Skënder Stefanllari, thoshte që ai e dinte që do dënohej me vdekje dhe vazhdonte të na bënte kursin anglisht brenda burgut të Korçës. Dhe ne e pyesnim: “Zoti mësues, pse na e bën këtë”?! “E mo bir, s’ka gjë, le të vdesim ne, por ju duhet të mbeteni njerëz të ditur, që mos t’ju heqin prej hunde komunistët dhe të dini se ç’është Shqipëria dhe si ta mbroni atë.” E paharrueshme do mbetet nata e fundit, kur i nisën për t’i pushkatuar. Ylber Darova kujton: Ku e gjetëm forcën ne që i rezistuam burgjeve komuniste? Se bënë burgje të mëdhaja, nga 20 vjet, nga 20 e ca vjet, si të rinjtë e ‘Ballit Kombëtar’, sidomos për Ylber Darovën. Edhe thotë: Kur sillnim ndër mend Ajdinin, kur e morën për të pushkatuar, të lidhur këmbë e duar dhe e hodhën në një makinë mbrapa dhe ai gjeti forcën, u kthye nga ne, nuk la asnjë amanet tjetër, por “Vëllezër,- tha,- mos u trishtoni për ne, do t’ju lë një amanet të madh, tha, amanet Shqipërinë!” Dhe kjo na mbajti me forcë, kur thoshim që ata ikën drejt vdekjes, ne e kemi një shpresë që mund të dalim një ditë dhe i duruam torturat, fyerjet e gjithë kohëve që ishim në burg. Po kështu Avni Xhomaqi, po kështu z. Stefanllari e shumë e shumë të tjerë. Kur krimineli Nevzat Haznedari erdhi në qarkun e Elbasanit, punë e parë bëri spastrimin e familjeve korçare dhe kolonjare, kryesisht. U bënë rreth 50-60 familje. Shumë pak nga Elbasani se aty ka pasur një traditë, sido që luftën e zhvillonte, por jo të këtyre përmasave si në Korçë e në vende të tjera. Na shpuri në Dumre, një kamp internimi. Ishte hapur një fermë e re.
Në çfarë viti keni shkuar në Dumre?
Ka qenë në qershor të vitit 1968. Isha jashtëzakonisht i mërzitur. Nëna më shikon dhe thotë: “Ç’ke o bir?” “Po hë moj nënë,- i them,- pak vuajtjet që pothuajse na mbaruan ato të mëdhatë, shpresuam se një ditë do jetojmë si njerëz, sa filluam të marrim rrugën e njerzillëkut…”?! Kisha ëndrrat më të bukura. Isha në moshën më të re, kisha filluar të njoh ndonjë vajzë, të ëndërroja për familje, të bëja diçka dhe në këtë kohë, të vijë një xhelat, të të ngarkojë me dhunë, me polici, të të dërgojë në Dumre, është një trishtim për një të ri, por nëna ime kishte një forcë të madhe, kishte një kurajo të jashtëzakonshme, rahmet pastë ka një vit që ndërroi jetë, u bë gati 100 vjeç dhe fati i saj që e pa lumturinë në pleqëri, mjafton dhe kaq dhe më tha: “Dëgjo bir, dëgjoje nënën me kujdes, jemi të lumtur që po na lënë gjallë. Le të na çojnë në fund të botës, se këta qenër të vrasin”, tha, “jo të të heqin, por të vrasin. Këto mendo të keqen nëna dhe të gjitha…”!
Çfarë bëtë pas kësaj?
Edhe prapë shembull tjetër. Shkuam atë natë, na çuan në disa baranga midis Kajanit dhe një sektori që ishte krijuar, i thoshin Fierzë. Ishte një si përrua atje. Ishin ca baranga pa dritare, në dhe të dyshemesë, i shkarkuam ato pesë plaçka se aq kishim. I thashë nënës: t’i hapim. “Jo o bir, jo. Hapim nga një dyshek të flemë, të qetësohemi sot, po nesër dita e gjatë, do mendohemi”. Tani i sjell ndër mend, them: “Ku e gjenin këtë forcë e këtë kurajo”? I kishte kalitur jeta. I kishte bërë të jashtëzakonshme. Ajo plakë e nderuar mbylli të ritë e vet vetëm me 5 vjet martesë, e na rriti dy jetimë. Shiti gjithë atë pak pajë që e kishte shpërndarë te njerëzit, se tjetrën ia morën edhe të fundit gjë për të shitur, nuk mbeti tjetër veçse qeni i shtëpisë. Kishim një qen besnik, Kuqo, i thoshim. E shiti tri herë qenin dhe të tri herët qeni besnik u kthye në familje. I thoshin ata njerëzit, që i dërgonte lajm nëna, që ka ardhur qeni, ata i thoshin: Në qoftë se nuk rri, ti ta gëzosh atë shinik me misër”, o ç’i kishin dhënë, “nuk mund të na i kthesh, se kjo është e drejtë e vetë kafshës, domethënë”. Deri këtu arritëm.
Sa kohë ndenjët në Dumre?
E kaluam kalvarin e Dumresë, për një kohë relativisht të gjatë, rreth 23 vjet e ca, është një çerek shekulli të jetës më të bukur, i ëndrrave më të bukura, por edhe këtu filluan të duken shenjat e një lufte të ashpër. Nuk them se nuk na donin njerëzit, njerëzit e thjeshtë na donin se ne kishim çikë më shumë dituri nga ata. Dikush kish qenë mësues, dikush kishte qenë rrobaqepës, dikush kishte qenë usta ndërtimi dhe i ndihmonin njerëzit, u shpjegonin, u bënin…! Unë për fat kisha mbaruar atë shkollën teknike. Më vinte n’dorësh të rregulloja ndonjë radio, televizor. Kurrë nuk u kam marrë lekë, nuk jam nisur nga qëllimi që të pasurohesha, po t’i ndihmoja dhe ata nuk e kanë harruar kurrë. Më janë ndodhur pranë, me ndonjë ndihmë, me ndonjë ushqimore, me ndonjë gjë…edhe fati i madh që fillova punë ishte sekretari i Ibrahim Biçakut, Beqir Delvina, një burrë i jashtëzakonshëm, që na ndodhi pranë sa ishte gjallë. Dhe shumë njerëz të tjerë e njohin dhe nuk kam nevojë të flas më gjatë për këtë njeri të mrekullueshëm. Punoja, por njeriu më i përbuzur në atë repart, pa triska fronti, pa të drejtë për të marrë pjesë në mbledhje, duke u fyer, duke u ofenduar. T’i kujtosh sot ose t’i dëgjojnë fëmijët tanë, do duken të pabesueshme.
Ju provokonin, për t’ju dënuar?
Janë bërë mbledhje apostafat, të provokuara që; “pse të ketë biçikletë ky armik, që ju na e paraqisni kaq të rrezikshëm”?, “pse të veshë pantofla, nga ato që lahet në liqen”? e shumë e shumë budallallëqe të tjera dhe ishte ky burrë i lartë, që atyre u jepte tjetër përgjigje dhe mua më tha: “O bir, të ka zënë e keqja, mundohu t’i përshtatesh vendit. Biçikletën përdore natën, që mos ta shohin, ato pantofla mos t’i shohin t’i veshësh. Nuk janë asgjë, as për mua, por për këtyre, iu duken gogol. Rreziku i operativëve të Sigurimit që silleshin si merimanga. Rreziku më i madh ishte i kriminelit, Nevzat Haznedari. Kur isha 23-24 vjeç, kur na larguan, me atë guximin e të riut, me budallallëkun e të riut po të them, i vajta që t’i thosha në zyrë që; “Ti më vrave babanë. Ç’ke me nënën, plakën, me mua, fëmijën”?!
Kishte njerëz që ju ndihmonin?
Kishte njerëz të mençur. Kam takuar të ndjerin, Xhevat Agolli. Kur ia shpjegova këtë, qeshi, më hodhi dorën në qafë: “Ke bërë budallallëkun më të madh”,-më tha, “se këtë budallallëk, e kam bërë unë, prandaj po të them. Dhe unë pasi dola nga burgu, hyra, më priti dhe i thashë: burgun e mbarova, tani pse m’i torturon fëmijët, m’i çon në Dumre? Çfarë ka tjetër? Dhe ai e tregoi veten deri në fund se kush ishte. U ngrit në këmbë, mori karrigen që ishte ulur në tavolinë dhe ma vërtiti karrigen mbi krye, më goditi në kokë, desh më vrau, duke më ofenduar me fjalët më të ndyra: “Maskara, do të arrestojmë! Do të pushkatojmë”! Ja, këtë gabim desh bëre ti. Se në fakt, mua nuk më priti atëherë. Por kuçedra nuk u nda. Ai donte me çdo kusht të na thyente, të na bënte vegla, të na i humbte dinjitetin. Disa herë dërgonte operativin e Sigurimit, e quanin Gani Garunja. “Me porosi të gjeneralit”, “Me porosi të gjeneralit”. Kur e pa që nuk po i dilte gjë në shesh, vinte në mes të natës, në 12.00, i vinte dy revolet mbi tavolinë, duke përdorur fjalorin më të poshtër, më agresiv: “mor, qen bir qeni, mor njeriu i ndyrë, çfarë kuton se je? Se mos je ndonjë trim, a ndonjë gjë? Ne të marrim, të çojmë në kufi aty, të fusim një plumb by… dhe themi që ka dash të arratiset, të zhdukim mor qelbësirë, ti s’do të bashkëpunosh me ne, ti s’do të bësh kështu, e…”!
I ktheje përgjigje?
Jo, i duroja fjalët. Ikja i menduar, i trishtuar. Bisedoja me një ose dy njerëz të besuar që ishin të pjekur se…me të ndjerin, dajiun tim, Hamdi Xhihanin, me xhaxhanë, Belulin. Ia shpjegoja. “Or bir, i kemi kaluar vetë këto, -thoshin,- me atë është shumë, shumë, shumë e rrezikshme”. E mbas shumë, e shumë peripecive e shoh që nuk kisha rrugëdalje. Iu thashë që nuk nënshkruaj asgjë, që të bashkëpunoja me Operativin, nuk bëj asgjë prej gjëje, bëni çfarë të doni. E pastaj, e ndërruan taktikën. Më thanë: do të dërgojmë jashtë shtetit. Jam menduar ditë të tëra. Keq më vinte për nënën ta lija vetëm, hall të pranoja, nuk dija çfarë të bëja. Në këtë kohë, i nderuari Sali Doko, njerëz me eksperiencë të madhe, nuk i thashë drejtpërsëdrejti, i thashë: “Xha Sali, s’po na lënë rehat”. Kaq. “Ah mor bir, tha, këto janë gjërat e zakonshme, por unë do të them një gjë: një gjë që të rrezikon më shumë ty, është që je beqar. Ti duhet të martohesh sa më shpejt, tha. Kështu heq një farë dyshimi të tyre që ti nuk do të arratisesh”.
Si vepruat pas kësaj këshille?
Edhe vetë ashtu, realisht, u martova, mora një nuse nga një familje e nderuar, Habili nga Kavaja. Sot e kësaj dite, gëzojmë jetë të lumtur dhe harmoni. Kemi tre fëmijë si pëllumba. Ndoshta për një farë kohe, kjo më shpëtoi, por ata nuk u ndanë. Unë i premtova që do shkoj jashtë shtetit, por Zoti më ndihmoi, nuk them që jam trim, nuk them se i bëra ballë, se unë e kalova kalvarin po…disa vite. Operativi vdiq në një stadium. Mbas ndonjë viti, Nevzat Haznedari, ndoshta ashtu siç e meritonte, u gjet i helmuar në një rrugë, siç e shpjegojnë njerëzit, sepse ky gjeneral trim, ky që kishte bërë tërë ato tortura, tërë ato kalvare, ra në mes të rrugës dhe vdiq dhe që tregoi se qe helmuar, se nuk i bënë asnjë ceremoni këtij gjenerali “të madh”, ai kishte “gjithë ato merita”. Kjo ndodhi më vonë me shumë e shumë të tjerë. Kjo gjë ma hoqi këtë barrë të rëndë. Ndihesha i tronditur dhe ashtu…dhe fakti e tregoi në fund, pas internimit, kur ata nuk kishin bërë llogaritë pa hesap, na kishin futur në listat e vdekjes, që ne duhet të qëroheshim, meqë nuk ishim të përshtatshëm për këtë pushtet, në vitet ’90-të, e të tjera.
Si mendoni, a duhet të hapen dosjet?
Jam i mendimit, që dosjet të hapen, të hapen po me një komision nga të përndjekurit, nga njerëzit e mirë të të përndjekurve politikë, sepse po spekulohet jashtëzakonisht shumë. Kërkon të ndyjnë njerëz, t’i ofendojnë, t’i shkatërrojnë, tamam si turku që “përça e sundo”. Në vend që të shikohet kush janë shkaktarët e vërtetë të këtyre gjërave, kush janë ata që e krijuan këtë, gjithmonë gishtin e vënë te të përndjekurit. Edhe ne e shikojmë tani, thuajse përditë, me të përndjekurit bëhet lojë politike. Sa herë u nevojitemi, sa herë që u bëhemi…! Është diçka e pabesueshme. Kam edhe një fragment tjetër.
Çfarë fragmenti?
Ilir Balliu, kryetari i Partisë Demokratike të rrethit të Elbasanit, nga një familje e nderuar, unë e dija djalë zotëri e kështu, më thërret një ditë në zyrë, si shoqërore dhe më thotë hapur: “Jonuz, thotë, ti je me Partinë e Legalitetit, por je nëpunës i qeverisë se sotshme, thotë, dhe po të mos bëhesh anëtar i Partisë Demokratike, do të heqim nga puna”. E shikova drejtpërsëdrejti në sy dhe i bëra pyetjen: “E ke nga vetja jote apo të kanë porositur?” Me ç’mora vesh, e kishte të vështirë, e kishin porositur. I indinjuar, i zemëruar, i thashë: “Ilir Balliu, prisja gjë tjetër nga ty, por më zhgënjeve”. Dhe ika. Në fakt vazhdova punën dhe një vit, dy. Pastaj, në ’97-ën, shkova në Amerikë të takoj vajzën time që e kisha në shkollë. Plasën trazirat në ’97-ën dhe që nga ajo kohë kam mbetur në Amerikë. Memorie.al