Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike tashmë është kryer, ndërsa sot fillojnë garat, të cilat do të zgjasin deri më 21 gusht. Në “Rio 2016” do të marrin pjesë mbi 200 shtete me mbi 10 mijë garues. Do të ketë 306 gara në 42 disiplina sportive, që do të mbahen në 37 objekte sportive. Kosova do të marrë pjesë për herë të parë në një olimpiadë, ndërsa do të debutojë në ditën e parë të garave me Urata Ramën.
Shenjëtarja do të garojë në kualifikime, në disiplinën 10 metra pushkë ajrore, prej orës 13:30, sipas kohës në Kosovë. Një orë më vonë do t’i vijë radha reprezentuesit tjetër kosovar, Qëndrim Gurit, i cili do të garojë në finale të garës së rrugës në çiklizëm.
Të dy këta garues të lartpërmendur në Olimpiadë kanë shkuar me ftesa, kurse të dielën do të garojë shpresa më e madhe e Kosovës për medalje, xhudistja Majlinda Kelmendi. Po të dielën, në Olimpiadë do të paraqitet edhe notarja Rita Zeqiri, e cila do të garojë në rrethin e parë në disiplinën 100 metra shpinë.
Komentet