Viti i nëntëdhjetë vjetorit të lindjes, do të duhej të shpallej nga Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë „Viti i Prof.Dr.Sami Repishtit“. Kështu ndodh në vendet e civilizuara. Por Akademia e Shkencave e Republikës të Shqipërisë vijon të mbetet një atavizëm i Akademisë të kohës së diktaturës. Luftën kundër Korifejve të Kombit, ky institucion e ka zëvendësuar me luftën përmes injorimit të Figurave, një akt ky makabër dhe po aq kriminal sa burgosjet dhe vrasjet e intelektuelëve.
Ky vit do të duhej të shpallej nga qeveria e Shqipërisë dhe nga institucionet e saj „Viti i Prof.Dr. Sami Repishtit“, nëse kjo qeveri do të iluminohej sikur pretendon nga idealet e Rilindjes tonë Kombëtare, sepse Prof.Dr. Sami Repishti, sikur thotë me të drejtë Peter R.Prifti, „është pasardhësi i denjë i Rilindasve tanë, sepse ka zbatuar me besnikeri idealet e tyre te larta“.
Nëse “Dekorata e Flamurit Kombëtar”, u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për merita të jashtëzakonshme për lartësimin e shtetit dhe të kombit shqiptar, atëherë kjo Dekoratë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë i duhet dhënë Prof.Dr.Sami Repishtit.
Presidenti i Republikës ka nderuar me këtë medalje në vitin 2015 Emirin e Katarit dhe Presidentin e Turqisë por as që e ka vënë ujin në zjarr për Kolosin e Iluminizmit të Mendimit Shqiptar në krizën më thellë identitare që po përjetojmë si komb këtë treçerek shekulli.
Prej aliazhit diktaturë, pushtim, tranzicion e abuzim pushteti, ne si komb rrezikojmë kalbjen – për të cilën disa ditë më parë foli edhe Papa Françesku, dhe vetëm Mendimtarë të formatit Iluminist si Prof.Dr. Sami Repishti mund ta na shpëtojnë nga degradimi, shuarja apo zhbërja. Sepse të heqësh dorë prej vlerave identitare dhe parimeve të Humanizmit Perëndimor, do të thotë të pushosh së ekzistuari.
Prof.Dr. Sami Repishti lindi më 5 korrik 1925. Me jetën dhe veprën e tij, Ai u bë Shëmbëlltyra e Luftëtarit që nuk bën asnjë kompromis me të keqen. Edhe sot kur posa i ka mbushur 90 vjeç, Ai i paepur lufton me dije e dituri, me gjithë forcat e mendjes, shpirtit dhe arsyes njerëzore duke i bërë apel mendjeve të shëndosha të ndriçohen prej dritës që vjen prej idealeve të lirisë e vlerave të demokracisë.
Kredoja e lirisë e bëri Prof.Dr.Sami Repishtin që t’i mbijetojë apokalipsit të burgjeve dhe torturave të diktaturës. Kredoja e lirisë e bëri Prof.Dr.Sami Repishtin që t‘i shpëtonte vdekjes prej plumbave të rojeve kufitare të shtetit komunist, ndërsa do t’i shihte për herë të fundit sytë e nënës, sy që do ta ndjekin kudo në rrugëtimin që ngjan i pamundshëm e Ai nuk ndalet si Misionar për të treguar të vërtetën dhe për t’i orientuar shqiptarët, të cilët enden e enden sikur të jenë në mesin e oqeanit e të pabusull nga çoroditja politike.
Prof.Dr. Sami Repishti nuk bëri kompromis me diktaturën. Ishte viti 1946 dhe ai vetëm 21 vjeç kur regjimi komunist e dënoi me 15 vite burg duke e shpallur si armik. Sa krenari të jesh armik i diktaturës! Ai i pa dhe i provoi krimet e diktaturës. Ishte vetë viktimë e saj. Prej atëhere atij iu hapën plagë të shpirtit që edhe sot e kësaj dite nuk janë mbyllur, sepse viktimat lypin drejtësinë e munguar. Në burg, diktatura ia vrau shokët, Qemal Draçinin, që u vetëhelmua me DDT për t’i shpëtuar torturave çnjerëzore. Në burg i vranë burrat më të mirë të kombit, duke e kthyer Shqipërinë një një Gulag të gjithin. Në burg ai i premtoi At Çiprian Nikajt se do t’i tregonte të gjitha çka i kishin parë sytë e ballit dhe të shpirtit. Sami Repishti nuk do të rrojë veç për me tregue, por do të rrojë për me e luftue diktaturën! Përmes Mendjes së Tij të Ndritur.
Në Shqipëri, pas 75 vjet diktaturë e tranzicion, ne kemi Akademi Shkencash, pa Akademikë. Në Shqipëri ne kemi Universitete, pa Luminarë. Sepse po të ishin, asnjëri nuk do ta lindte vendin në obskurantizmin e Mesjetës që vjen prej shpërdorimit të pushtetit politik, që po e lë popullin në terrin e injorancës dhe varfërisë.Bash si diktatura.
Nga burgu i diktaturës Prof.Dr.Sami Repishti doli në vitin 1956, kur ishte 31 vjeçar. Diktatura ia përpiu dhjetë vite të jetës dhe kur doli prej hekurave të burgut e priti me barbarinë e mjeteve të saj perfide të depersonalizmit, duke e dërguar të punonte si punëtor krahu. Kësisoj, si viktimë, Ai nuk do të mund ta çonte në vend amanetin e Qemalit dhe të At Çiprian Nikajt me shokë, e prandaj merr vendimin verdikt të jetës së tij, të largohet nga Nana, vëllau e familja, akti më sublim i këtij njeriu të madh, e të kalojë kufirin e t’i mbijetonte një kalvari tjetër, atë të refugjatit në kampet e ish-Jugosllavisë, ku nuk e priste asgjë e mirë. Atëherë vendos të arratiset e kalon në Itali, ku fiton të drejtën e azilantit politik, e prej andej në vitin 1962 mbërrin në SHBA.
Posa ndjen se ka fituar lirinë e di se vetëm duke iu kushtuar dijeve, do të mund të bëhet përçues i Idealeve të Lirisë për popullin e tij të prangosun. Në Shkodër kishte kryer Liceun e At Gjergj Fishtës, në Universitetin e Firences kishte studjuar për Histori Moderne. Ai e di se popullit të tij të vramë e të vujtun i dilte në krah veç si Njeri i Elitës. Andaj i palodhun Prof.Dr.Repishti iu përvesh punës dhe studimeve, për të sfiduar kohën e vrarë prej diktaturës, dhe triumfoi si Njeri i Letrave, i Kulturës, i Shkencës, si Mbrojtës i të Drejtave të Njeriut, si Humanist, si Zë i besuar dhe i fuqishëm pranë Kongresit Amerikan, Departamentit të Shtetit, Shtëpisë të Bardhë si Njëri prej Përfaqësuesave më Elitar në historinë e diasporës shqiptaro-amerikane që qendron me dinjitet në krahun e djathtë të Faik Konicës.
Prof.Dr.Sami Repishti me kontributin e tij si shkrimtar, shkencëtar, dijetar dhe humanist i ka shoqëruar që të gjitha ndryshimet thelbësore që kanë ndodhur kur kapërthyet shekulli me milenarin, sa i përket çështjes shqiptare, kombit shqiptar dhe integrimeve shqiptare në institucionet Euro-Atlantike.
Librat e tij me dëshmi nga burgu « Pika Loti » dhe « Nën hijen e Rozafës » janë Literaturë e pastër Nobelistike, sepse tregojnë tragjedinë njerëzore shkaktuar nga diktatura në mënyrën më autentike të mundëshme, kur shkrimtarët e Shqipërisë vazhdojnë të heshtin, duke fshirë kështu nga memoria kombëtare faqen më tragjike të jetës të kombit. Kush i lexon këto libra, i qan shpirti me kuja. Kush i lexon këto libra bëhet njeri.
Ky zhanër i letërsisë duhet të hyjë urgjentisht në shkollat shqiptare, nëse duam të mbijetojmë si komb. Sepse vetëm duke u njohur e vërteta, do të arrihet dekomunistizimi dhe do të marrë fund trushplarja e popullit.
Për të ndriçuar mendjen e popullit, duke dhënë shembullin në vetën e pare, Profesor Dr.Sami Repishti, rrnon duke i shpallur luftë konformizmit pseudointelektual. Esseistika politologjike e sociologjike e Profesor Dr.Sami Repishtit është brilante, të hap sytë e mendjes, të çliron nga hallkat e presionit të censures dhe autocensurës dhe është liberatore e të shpëton prej kakofonisë të korit të bretkosave të Tiranës, që të zhytura në baltën e lluksit personal, bëjnë kompromis me vetë qoftëlargun.
Prof.Dr. Sami Repishti është Ndërgjegja e kombit shqiptar, është Ndërgjegjia Kombëtare që mban qendrim kritik ndaj të gjitha vonesave të pajustifikuara këtë tranzicion shkaktuar nga abuzimi me pushtetin duke na treguar se shteti demokratik, ndërtohet vetëm mbi themele të mbrojtura nga vlerat dhe parimet universale të demokracisë e mbrojtjes të të drejtave të njeriut, nga shqiptarët më të mirë që janë dashuruar dhe ia kanë kushtuar jetën Lirisë! Ashtu si Prof.Dr.Sami Repishti!
Komentet