Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me dhjetë vjet burgim, Zoran Vukotiqin, për krime lufte kundër popullatës civile, përkatësisht dhunim seksual ndaj gruaje shqiptare në komunën e Vushtrrisë.
Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë në Kosovë, nga gjykatat vendore.
Ky vendim u mirëprit jashtëzakonisht shumë, ndonëse u vë në pikëpyetje dënimi vetëm prej 10 viteve.
Njohësi i çështjeve kushtetuese dhe profesori, Muhamet Kelmendi në një prononcim për gazetën “Bota sot” deklaroi se dënimi prej 10 viteve me burgim është shumë i ulët, madje e cilësoi si qesharak.
Sipas tij, këto janë vepra që dënohen me vdekje apo burgim të përjetshëm.
Njohësi i çështjeve kushtetuese dhe profesori, Muhamet Kelmendi
“Dënimet për përdhunime seksuale janë pothuajse shumë të rënda, një nga më të rënda, kudo në botë. Sidomos dhunimet e bëra në luftë dhe nën ndikimin e presionit psikik dhe të dhunës së ashpër e me intensitet të theksuar kriminal janë dënime që shkojnë me vdekje apo me burg të përjetshëm.
Dënimi me 10 vite burg për dhunën seksuale në luftën e Kosovës është dënim shumë i ultë dhe mund të thuhet qesharak, që nuk ka fare lidhje me veprën e rëndë penale dhe kushtet e kryera”, deklaroi Kelmendi.
Juristi radhiti disa fakte mbi të cilat duhet të vendosen dënimet. Ai përmendi disa elemente dhe karakteristika të përdhunimeve, ndër to dhuna seksuale fashiste dhe raciste me qëllim të denigrimit dhe të shkatërrimit të kombit shqiptar edhe në moral.
“Kur thuhet kjo mendohet:
1. Dhuna seksuale u krye gjatë një dhune të ashpër kriminale me Kosovë ndaj popullit shqiptar me qëllim që u përcaktua dhe u planifikua nga shteti.
2. Ajo karakterizohet me një intensitet të shfrenuar që lufta e egër pushtuese e kriminale i njeh.
3. Dhuna seksuale është kryer në vazhdimësi kohore dhe me dhimbje të rënda dhe me kriminalitet të ashpër fizik e psikik.
4. E njëjta u krye si rezultat i hakmarrjes ndaj popullit shqiptar që dhunohej dhe masakrohej me të madhe dhe
5. Ka elemente të dhunës seksuale fashiste dhe raciste me qëllim të denigrimit dhe të shkatërrimit të kombit shqiptar edhe në moral”, vlerësoi profesori.
Në vazhdim, Kelmendi theksoi se në këtë rast kemi të bëjmë me një vepër që hyn në kategorinë e dhunë gjenocidale. Ai shpjegoi edhe dallimin e dhunës seksuale të kryer në shoqëritë demokratike.
“Elementet e tilla flasin se këtu kemi të bëjmë me një vepër penale që hynë në vazhdën e dhunës gjenocidiale e cila karakterizohet me zhdukje, me përdhunime dhe me shfarosje në masa të shqiptarëve.
Është tjetër, krejtësisht tjetër, dhuna seksuale e kryer në shoqëritë demokratike, aty ku shumë faktor ndikojnë në dhunën e tillë. Mbi të gjitha ku nuk ka fare pushtim, urrejtje raciste, denigrim dhe zhdukje të kombit”, nënvizoi ai.
Tutje, profesori potencoi se përdhunimet dallojnë nga niveli i dhunës, ku përdhunimet në luftën e Kosovës nuk mund të kualifikohen si përdhunime seksuale individuale në paqe.
“Mirëpo, edhe në shtete, kur kryhen përdhunimet, varet niveli i dhunës në përdhunim. A është përdhunim me dhimbje fizike e të dëmtimit të gjymtyrëve, me rrahje e gjakderdhje? Varet nga shumë faktor.
Ndërsa, përdhunimet në luftën e Kosovës të bëra nga pushtuesit kriminal serbë janë të rënda dhe kurrsesi nuk mund të kualifikohen si përdhunime seksuale individuale në paqe”, shpjegoi Kelmendi.
Krejt në fund, profesori kërkojë që të bëhen ankesa për këtë dënim, pasi lloji i këtyre përdhunimeve nuk mund të kalohet me dënime të tilla qesharake të gjyqtarëve mediokër të Kosovës.
“Ato janë kryer me gjakderdhje, me rrahje e me dëmtime të gjymtyrëve, me prerje të trupit e me kafshime të ashpra, shpeshherë kanë përfunduar me vrasje pas përdhunimit dhe me prerje koke etj.
I takon prokurorisë që të ankohet kundër këtij verdikti gjyqësor. Nuk bënë të kalojnë këto përdhunime me dënime të tilla qesharake të gjyqtarëve mediokër të gjyqeve të Kosovës”, përmbylli Muhamet Kelmendi, përcjell “Bota sot”.