Me 23 gusht bëhen 85 vjet nga nënshkrimi i të ashtuquajturit Pakti “Molotov-Ribbentrop”. Me këtë pakt Gjermania e Hitlerit dhe Bashkimi Sovjetik i Stalinit u bënë aleatë për 22 muaj.
Pakti parashikonte në një protokoll të fshehtë ndarjen e Polonisë dhe vuloste fatin e shteteve Balltike, të cilat binin nën Bashkimin Sovjetik. Finlanda, Bessarabia dhe Bukovina e Veriut u shpallën gjithashtu zona sovjetike të interesit. Po aq befasuese si për të gjithë botën, ishte edhe për njerëzit në Bashkimin Sovjetik dhe në “Rajhun e Tretë” fakti se me 28. shtator u nënshkrua edhe “marrëveshja e miqësisë dhe e kufijve shtetërorë”. Faktikisht Stalini dhe Hitleri ishin përgatitur për këtë pakt që në vitin 1938. Veçanërisht me ngut e kishte Hitleri: Sulmin kundër Polonisë ai donte ta fillonte, para se të nisnin shirat e vjeshtës.
Vetëm një javë pas nënshkrimit të paktit “Molotow-Ribbentrop” me 23 gusht 1939 filloi Lufta e Dytë Botërore me sulmin ndaj Polonisë. Dhe dy javë më vonë edhe trupat sovjetike pushtuan territore të Polonisë. Fushata e suksesshme përfundoi me një “vëllazërim” të njësive të Wehrmachtit dhe të Ushtrisë së Kuqe në një paradë të përbashkët në Brest. Në atë kohë komandanti i brigadës Semjon Krivoshein dhe gjenerali Heinz Guderian qëndronin krah për krah njëti-tjetrit. Dy vite më vonë njësitë tankiste të Guderianit qëndronin para Moskës. “Muaji i mjaltit” kishte qenë i përkohshëm.
Sulmi ndaj Polonisë në vitin 1939
Synimet e Stalinit
Qëllimet e Hitlerit me nënshkrimin e paktit ishin të qarta, për këtë janë të një mendimi historianët gjermanë dhe rusë. Për synimet e Stalinit vazhdohet të diskutohet. “Në verën e vitit 1939 Stalini kishte ushtrinë më të madhe të këmbësorisë në botë. Ai kishte mundur t’ia bënte të qartë Hitlerit, që sapo Gjermania të pushtonte Poloninë, miliona ushtarë sovjetikë një ditë më vonë do të ndodheshin në kufirin e Polonisë. Atëherë nuk do të kishte pasur luftë. Por Stalini nuk donte ta pengonte Hitlerin”, thotë në një intervistë me DW publicisti i njohur rus Mark Solonin.
Stalini donte të vepronte në radhë të parë me strategji, mendon historiani gjerman Jërg Ganzenmüller. “Stalini e dinte se Hitleri heret apo vonë do të sulmonte Bashkimin Sovjetik. Ai e njihte konceptin e Hitlerit. Llogaria e tij ishte: Nëse Gjermania është e përfshirë në një luftë me fuqitë perëndimore, atëherë Hitleri nuk do të guxojë, të bëjë luftë në dy fronte. Në këtë kohë ai mund të vazhdonte me armatosjen e BS. Stalini kishte gjithmonë frikë se fuqitë kapitaliste do të bashkoheshin dhe do të sulmonin së bashku Bashkimin Sovjetik, Prandaj qëllimi i tij ishte që të niste një luftë në mes këtyre fuqive. Kjo luftë ishte për Stalinin garancia e sigurisë, dhe jo pakti në vetvete.”
Nënshkrimi i paktit
Kthesë në Moskë
Pas nënshkrimit të paktit nga dy ministrat e jashtëm Joachim von Ribbentrop dhe Vjaçslav Molotov në Moskë, Stalini ngriti gotën për shëndetin e “Fyrerit”. Molotovi vlerësoi në një takim të Sovjetit Suprem “qëllimet paqësore” të Hitlerit. Ai e quajti luftën e aleatëve perëndimorë kundër Hitlerit “të pakuptimtë dhe kriminale”. Më vonë Molotovi u prit ngrohtësisht në Berlin nga Hitleri, Goering-u dhe Hess-i.
Menjëherë pas paktit Maxim Litvinov u shkarkua nga posti i Komisarit të Popullit të Punëve të Jashtme të BRSS. Ai ishte çifut dhe përkrahës i një aleance me demokracitë perëndimore. Ai nuk i përshtatej më strategjisë së re të Moskës kundër Hitlerit.
Në 22 muajt e përbashkët u zhdukën nga shtypi sovjetik të gjitha sulmet kundër nazistëve. Nga kinematë u hoqën filmat e njohur anti-fashiste, ndër ta edhe “familja Oppenheim” sipas romanit të Lion Feuchtwanger. Edhe nga repertori i teatrit u zhdukën të gjitha pjesët me përmbajtje antifashiste.
Edhe policia e fshehtë dhe ekonomia përfitojnë
Të dy regjimet përfitonin nga pakti, jo vetëm politikisht, por edhe ekonomikisht. Nga fundi i gushtit 1939 deri me 22 qershor 1941 Moska furnizon Gjermaninë naziste me produkte të naftës, drithëra, por edhe nikel, mangan dhe krom, fosfate, dru dhe materiale të tjera. Nga ana tjetër “Rajhu i Tretë” furnizon BRSS, me avionë luftarakë, eksplozivë dhe bomba shpërthyese, radiostacione, impiante industriale dhe madje edhe me kryqëzorin “Lützow”. Përveç kësaj Bashkimi Sovjetik mori një kredi prej 200 milionë markash të Rajhut gjerman.
Gjëja më e rëndësishme në bashkëpunimin gjermano-sovjetik të viteve 1939-1941 nuk ishte aq shumë bashkëpunimi në mes dy ushtrive, por ishin furnizimet ekonomike, që kryheshin në një masë të madhe”, thotë historiani nga Jena, Ganzenmüller. “Ka madje raporte, që dëshmojnë se edhe më 22 qershor 1941, ditën kur Wehrmachti sulmoi Bashkimin Sovjetik, ushtarëve u erdhën trena me furnizime sovjetike. Sovjetikët e respektonin marrëveshjen deri në fund.”
Pakti: Nga e majta: Friedrich Gaus, Joachim von Ribbentrop, Stalini dhe ministri i Jashtëm, Molotov
Një tjetër “partneritet” ekzistonte edhe mes NKVD – policisë sekrete sovjetike – dhe Gestapos gjermane. Sipas një marrëveshjeje të fshehtë, e cila ishte miratuar nga udhëheqja sovjetike, mund të dorëzoheshin ish-shtetasit gjermanë dhe austriakë, që ndodheshin në territorin e Bashkimit Sovjetik dhe luftonin kundër Hitlerit, pra antifashistët. Disa dhjetëra prej tyre – duke përfshirë komunisten e njohur gjermane Margarete Buber-Neumann iu dorëzuan Gestapos. Shumica e tyre u vranë.
Llogaria e gabuar e Stalinit
“Stalini humbi,” thotë Mark Solonin. “Ai i vlerësoi gabimisht raportet e forcave. Ai mendonte, tani do të vijë një kasaphanë që do të zgjasë, si me Verdunin në Luftën e Parë Botërore. Por që në maj apo në qershor 1940 Franca ishte praktikisht e shkatërruar. Hitleri kontrollonte pjesën më të madhe të Evropës kontinentale. Plani i Stalinit, për të ardhur më vonë si arbitër në Evropën e shkatërruar dhe të përgjakur, dështoi.”
“Stalini besonte me të vërtetë deri në fund, deri më 22 qershor 1941, se Gjermania nuk do ta bënte këtë luftë në dy fronte”, thotë Ganzenmüller.” Që kjo strategji nuk funksionoi, ishte një befasim dhe zhgënjim për Stalinin. Pas fillimit të luftës, tri javë më duket, ai nuk doli më në publik. Ai ishte si i paralizuar. Plani i tij ishte shkatërruar si një shtëpi prej letre.”
Pakti Molotov-Ribbentrop mbush 75 vjet
Më 23 gusht 1939, Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania Naziste nënshkruar një marrëveshje në Moskë, duke i hapur rrugë këisoji puishtimit nazisr në Poloni dhe fillimit të Luftës së Dytë Botërore. I njohur si Pakti Molotov Ribbentrop, në bazë të emrave të ministrave të jashtëm sovjetik Vyacheslav Molotov dhe gjerman Joachim von Ribbentrop, ky traktat i dha dorën e lirë Adolf Hitlerit për të sulmuar Poloninë, duke mos pasur frikë nga ndërhyrja e Bashkimit Sovjetik. Në të njejtën kohë, Hiteli dhe Josef Stalin, kishin formuar një protokoll të fshehtë, duke e ndarë Evropën lindore dhe atë qendrore në “sfera të ndikimit”.
1
Ministri i jashtëm gjerman, Joachim von Ribbentrop (majtas), lideri sovjetik Josef Stalin dhe ministri i jashtëm sovjetik, Vyacheslav Molotov (djathtas), takohen në Kremlin më 23 gusht 1939 për të nënshkruar paktin.
2
Molotov nënshkruan marrëveshjen. Për Bashkimin Sovjetik, pakti ofroi kohë për ta rindërtuar ushtrinë e vet, para se të fillonte ajo që cilësohej si luftë e pashmangshme.
3
Von Ribbentrop përshëndetet me Stalinin pas nënshkrimit të marrëveshjes.
4
Faqja e fundit në gjuhën gjermane e protokollit të fshehtë, qe e ndau Evropën qendrore dhe atë lindore në “sfera ndikimi”.
5
Dokumenti i njejtë në rusisht
6
Kjo hartë u publikua nga “Izvestiya” më 18 shtator 1939. Në të shihet vija e demarkacionit sipas paktit Molotov-Ribbentrop.
7
Trupat gjermane dhe sovjetike takohen te vija e demarkacionit, afër atij që njihej si “Kufiri i Paqes”, në shtator të vitit 1939.
8
Komisari sovjetik Borovensky takohet me oficerët gjermanë për të diskutuar ndarjen e Polonisë ndërmjet dy armatave në qytetin e pushtuar Brest Litovsk (qyteti sot njihet vetëm si Brest).
9
Ushtarët gjermanë dhe sovjetikë në Brest, 22 shtator 1939.
10
Një perspektivë britanike mbi paktin e nënshkruar në një karikaturë të publikuar nga Daid Low, në gazetën “Evening Standard”, më 20 shtator 1939.
11
Part of the Molotov-Ribbentrop Pact published in the Soviet newspaper “Pravda” on September 28, 1939
12
Stalini dhe von Ribbentrop në faqen e parë të gazetës “Newsweek”, 9 tetor 1939.
13
Adolf Hitler takohet me von Ribbentrop në Berlin, më 4 nëntor 1939. Lufta në Poloni tashmë kishte nisur.
14
Molotov (majtas) në Berlin më 14 nëntor 1940. Pakti i nënshkruar mbeti në fuqi deri kur Gjermania pushtoi Bashkimin Sovjetik më 22 qershor 1941.