Nëse kishte ende ndonjë dyshim mbi ndjenjat e Donald Trump-it kundrejt Bashkimit Evropian, kryetari I Shtëpisë së Bardhë u përkujdes pardje të sqaronte gjëndjen. Gjatë një interviste, të dhënë në mënyrë kuptimplote eurofobit Nigel Farage, Trump-i sulmoi edhe dishepullin e tij Boris Johnson duke e qortuar se synon në një marrëveshje me Brukselin për të arritur Brexit. Dhe kritikës i shtohet një përfrikësim i dukshëm, sepse n’ata kushte SHBA “nuk do të mund” të përfundonin atë marrëveshje të madhe tregëtare në të cilën Londra shpreson mbasi të jetë shkëputur nga Evropa. Deri këtu Trump-i nuk kishte mbërritur kurrë. Dhe nuk mjafton sepse presidenti merret e edhe me ne, duke pohuar se “Italia do t’ishte shumë më mirë pa Evropën”, njëlloj si të “tjera Vende” të pa përmendura.
Kur këto janë mendimet e aleatit tënd kryesor, kur armiqësia kundrejt Evropës nuk ve gishtin kundër mangësive të saj të shumta por merr një kuptim strategjik për inat të vullneteve të ligjëshme të kombeve të vëna në shënjestër, nuk mjafton të konstatojmë edhe njëherë se ideologjia e Trump-it është kundërshtare e çdo forme të multilateralizmit dhe e dëshëruar t’i besojë gjithshka krejtësisht vetëm marrëdhënieve dypalëshe, trysnive tregtare dhe shtrëngesave teknologjike. Bëhet plotësisht normale, për Vendet evropiane të shohin përqark, të kërkojnë alternativa qoftë edhe sektoriale ndaj një fuqie mike që të trajton keq me ritme të rregullta. Por ka një problem të rëndë: “përqarku” i ynë gjeopolitik quhet Rusi.
Ka disa muaj tashmë, që nga G7 e Biarritz-it verën e shkuar, që në Evropë bashkëjetojnë një vetëdijesim i qartë dhe një ngasje e fuqishme. I pari ka të bëjë me vartësinë e Evropës nga SHBA për çështjen e sigurisë, e, pavarësisht veçimit të ri të Trump-it, për atë kulturë të fuqisë së madhe që i lejon opinionit publik amerikan të pranojë ushtrimin e forcës dhe pasojat e saj. Evropa paguan vonesat e saj përsiatësore dhe egizmat e saj financiare në fushën ushtarake, por është prurëse, me përjashtimin e pjesëshëm të Britanisë së Madhe e të Francës, e një kulture të denjë të atij që ka pritur në truallin e tij dy luftëra botërore.
Ngasja, e hedhur në qarkullim dhe e mbështetur nga Emmanuel Macron, por edhe nga kryesia e rradhës finlandeze, që për traditë kombëtare e njeh mirë Rusinë, e miratuar me zë të ulët nga Gjermania e të tjerë, qëndron në pranimin e faktit se Evropa nuk mundet më t’i besojë vetëm mbrojtjes amerikane. Që do të duhet kohë për t’i dhënë BE (ndoshta) një sovranitet të besueshëm në fushën e sigurisë, dhe që gjëja m’e mirë për t’u bërë shpejt është të kërkojë një bashkëbisedim më të ngushtë me Rusinë. Pa hequr dorë nga sanksionet në fuqi dhe me kusht që Kremlini të bëjë me të vërtetë pjesën e tij në paqëtimin e Ukrainës. Atëherë e vetëm atëherë mund të bëhet e mundur të thirret Rusia në një përcaktim të ri të sigurisë evropiane. Vizioni i Macronit ka meritën të jetë i guximshëm, por është i gabuar. Sepse presidenti francez, siç bën shpesh, ka shkuar përpara duke parapëlqyer protagonizmin vetiak kundrejt këshillimeve me ortakët. Sepse ka ndodhur një përthellim i çarjes evropiane ndërmjet Perëndimit e Lindjes mbi temën Rusi, me Poloninë, Vendet Balltike dhe Rumaninë, që duket se jetojnë (e gabojnë dhe ato) në frikën e vazhdueshme të një sulmi ushtarak të Putinit të pabesë. Mbi të gjitha ka gabuar Macroni sepse një hapje gjeopolitike e fuqishme kundrejt Rusisë, si kundërveprim i shpalljeve të Trump-it, sot do të përfaqësonte një ikje përpara të paracaktuar të mbetej e brishtë.
Vladimir Putin sapo ka stërfituar ndeshjen e ndërlikuar siriane, edhe se Trump-i ka rifituar pjesërisht terren me vrasjen e “kalifit” Al – Bagdati. Përtej Sirisë, nga ana tjetër , kryetari i Kremlinit duket se nuk gabob asnjë goditje, gjë e cila nuk mund të thuhet për Trump-in që nga Koreja e Veriut deri në Afganistan dhe, pse jo edhe n’Evropë. Por Putini që fiton jashtë rrezikon të humbasë në shtëpi. Miratimi i brëndshëm është ulur shumë, edhe se mbetet mbizotërues për mungesë të rivalëve të vërtetë. Ekonomia duron harxhin e ndërmarrjeve luftarake jashtë derës, por duhet të bëjë llogari me çmimet e ulta të naftës, sanksionet dhe mungesën e reformave gjithmonë të premtuara por të pasendërtuara asnjëherë. Veçanërisht e shëmtuar, siç vërente New York Times në një korespondencë të tijin, është bërë shtypja e kundërshtimit dhe të çdo forme mos angazhimi. Kolegia Svjetllana Propokieva është dënuar me shtatë vjet pune të detyruar për favorizim të terrorizmit sepse, duke shkruar për një vajzë që ishte vetëhedhur në erë në një zyrë policie, ka krahasuar veprimin e saj me ata të revolucionarëve të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Një burrë që përshkonte Rusinë duke thënë se Putini ishte një djall që duhej përzënë me yshtje u shtrua në një institut të veçantë në Siberi. Gjëmba në brinjë si më i njohuri Alexej Navalni janë të mbikqyrur vazhdimisht nga shërbimet e fshehta. Ashpërsimi gjithënjë e më i madh i “demokracisë iliberale” ruse përkon me hapat e parë të luftës për pushtet që mundet vetëm të përkeqësojë gjërat me afrimin e 2024, viti në të cilin Putini duhet te lerë Kremlinin.
Maturia, për të cilën Macroni nuk është një shembull, kundrejt Rusisë është domosdoshmëria më e pakët për Evropën që kërkon hapësirën e saj ndërmjet Trump-it dhe Putinit (Pa harruar Kinën). Të gjindet një strategji e barazpeshuar por jo e shtruarshëme, më shumë kërkuese kundrejt Rusisë dhe e aftë të kundërveprojë kundrejt Trump-it, duhet të jetë përparësia e vërtetë e Komisionit të Ursula von der Leyen, kur më së fundi ai do t’arrijë të vendoset. Është me të vërtetë e trishtuar që Italia nuk është në gjëndje të japë ndihmesën e vet, e dalë boje siç është nga kapitujt shërbimet sekrete e Russiagate, Hotel Metropol dhe premtime të tradhëtuara.
“Corriere della Sera”, 1 nëndor 2019 E përktheu Eugjen Merlika
Komentet