Pyetja e vetme për Evropën mbas votimeve është ajo e përgjigjes sonë kolektive një çasti në të cilin barazpesha e botës është përmbysur.
Romani i parë i Romain Gary-t, Edukata evropiane, ishte mjedisuar në qëndresën polake kundër mësyesve nazistë. Pothuaj një shekull mbrapa, Evropa e Lindjes na kujton se nuk jemi më të sigurtë në asgjë, madje edhe nga rreziku bërthamor.
Kërcënimit rus i shtohen belegët e Jugut global, e demokracive, e Islamit radikal, e të gjithë atyre që janë bashkuar nga armiqësia për Petrëndimin. Që të jenë për ambicje tregtare (Rruga e Mëndafshit kinez), për shtrishmëri (lufta në Ukrainë), për revanshizëm kundër-kolonial (milicitë Wagner n’Afrikë), apo për fanatizëm totalitar (terrorizmi islamik), këtyre u shtohet rreziku i një thyerjeje atllantike me Donald Trumpin. Sepse edhe në qoftë se Shtetet e Bashkuar do të qëndrojnë në NATO, kjo do të ndodhte me çmimin e lëshimeve të ashpra të detyruar për evropianët: në një shtim fondesh për përpjekje ushtarake, gjë që është e kuptueshme; por edhe në blerjet e detyruara të centraleve bërthamorë, të bonove të thesarit etj.
Në furinë e harxhimeve në kohë të shkurtëra, do të gjindemi si gjinkalla, të paaftë për të financuar atë që është në themelin e sovranitetit të vërtetë: mbrojtja, industria, energjia, teknologjia, etj. Për të shpëtuar t’ardhmen e të rinjve tanë, ky mandat i ri duhet të jetë një mandat i vendimeve të mëdha. Evropa gjindet përballë dy zgjedhjeve; mbrojtëse e sulmuese. Vështrimi mbrojtës është ai i tërheqjes kombëtare. Kjo nuk do të thotë shkërmoqjen e Bashkimit, që mbetet një treg me rregullat e tij të përbashkëta. Por do të thotë një Bashkim ku secili antar merr vendime simbas interesave të tij. Kjo i përshtatet programeve populiste që e shesin tortën, madje edhe e hanë, pra që thonë se mund të ruajmë dobitë e Bashkimit pa disiplinat që rrjedhin, duke fshehur faktin se fundi i lidhjeve do të thotë edhe fund i ndihmave e mbrojtjeve ekzistuese.
Ndërsa vështrimi sulmues i bën thirrje projektit politik evropian. Për t’a zhvilluar, duke mbajtur parasysh mosfunksionimin e dukshëm, si pa-aftësinë tonë për të prodhuar mjaftueshëm municione për Ukrainën ose grumbullimin e normave që lindin pakënaqësi të përgjithëshme. Por është një projekt që duhet edhe t’a meritojmë, duke i kushtuar mundin e nevojshëm, sepse vetëm ai mund të n’a japë mundësi të përballojmë sfidat e botës.
Edukata evropiane është diçka shumë e ndryshme nga grumbullimi i politikave kombëtare: është bashkëndarje e evropianëve të një vështrimi të përbashkët përballë belegëve të stërmëdhenj, të cilët Evropa mund t’i përballojë vetëm e bashkuar. Cilat janë përparësitë? Si duhet të financohen? Cilat janë reformat institucionale për t’u kryer? Shumë pyetje të shmangura gjatë një fushate zgjedhore të tejngopur në pjesën më të madhe të Vendeve nga shqyrtime të politikës së brendëshme.
Do të jenë të turbullta kohët që na presin. Do të kemi nevojë për një komision të fuqishëm e një Parlament të bashkuar rreth një shmice. Për të arritur këtë synim do të kemi nevojë për shumë më tepër se sa gjysma e deputetëve plus një. Përndryshe, edhe çështja më e pakët e ndjeshme në një Vend mund të paralizojë gjithshka. E vështirë, mbas një zhvendosjeje djathtas e një copëtimi më të madh. Nëse duhet që të dalë një vijë e qartë, në vend të një rrëmuje të shumicave që ndryshojnë simbas çështjeve, nën trysninë e së djathtës skajore, do të jetë i nevojshëm një koalicion i gjërë. Kjo do të thotë pashmangshërisht kompromis ndërmjet pjesëmarrësve të tij. Duke përjashtuar skajorët që janë mbështetës të kaosit; e duke u përgatitur të vihen së bashku, nga socialdemokratët deri tek qëndra e Ripërtëritjes, nga e djathta e PPE tek grupi i Xhorxha Melonit. E vështirë, por jo e pamundur, duke parë piskamën e gjëndjes.
Për Evropën e ngrirë nga pafuqia prej pesë vitesh, nuk mbetet tjetër veçse përsiatja mbi mendimin e gjeneralit McArthur, që përmblidhte të gjitha humbjet në dy fjalë: shumë vonë. Në të kundërt, të ndërtojmë një shumicë me përparësi të bashkëndarë në një kontratë ligjore në Parlament, atëherë – e vetëm atëherë -Evropa mund të dalë faqebardhë në pështjelljen e madhe ndërkombëtare. Do të ishte fitorja e edukatës evropiane.
“Corriere della Sera”, 2 qershor 2024 Përktheu Eugjen Merlika