Pjesa I
U linda në Shkodër më 1 mars 1888. Mësimet e para i mora në qytetin e lindjes, në shkollat turke, mejtepe dhe ushtarake. Vitin e fundit të kolegjit ushtarak, e përfundova në Manastir, prej nga kalova në Akademinë Ushtarake të Turqisë, në Stamboll. Me përfundimin e shkollës, jam emëruar nëntoger në Korparmatën e Pestë të Divizionit të XIII të regjimentit të 38 të Selanikut, ku kam shërbyer deri më tetor të vitit 1912. Gjatë kësaj kohe kam luftuar në Kumanovë, Prelep, Manastir (ku jam plagosur dy herë ) e më në fund në Kalanë e Janinës, në Bizhan, deri më 28 shkurt të vitit 1913.
Për veprimet ushtarake gjatë luftës, si oficer i dalluar, jam graduar para kohe me gradën toger. Kam hyrë në historinë ushtarake të Luftës Ballkanike si, i pari oficer në botë që zbulova në bazë të shkencës së balistikës, se topat automatikë fushorë gjermanë 7.50 mm., krahasuar me ata francezë 7.50 mm., ishin inferiorë. Ka qenë një gabim teknik i gjermanëve, që i kanë bërë tytat e topave 25 cm. më të shkurtër se të topave francezë, gjë e cila më vonë, në Luftën e Parë Botërore, u zbulua edhe prej kryetarit të shtabit, gjeneralit Ludendorf. Raporti im për këtë çështje, gjendet në arkivat ushtarake të Turqisë. Me dorëzimin e Kalasë së Janinës më 6 mars 1913, e gjithë komanda e lartë turke, ku edhe unë bëja pjesë, u zu rob lufte. Si rob lufte, kam qëndruar shtatë muaj e gjysëm në ishullin Zanta (Zaqinthon). Me firmosjen e Traktatit të Paqes, në tetor të vitit 1913, u transferova në Stamboll.
Robërimi në ishullin e Zantës
Gjatë kohës që isha rob lufte në Ishullin e Zantës, munda të vendos kontakt me konsullin anglez të atij vendi. Duke fituar simpatinë e tij si nacionalist, i kërkova vizë për t’u kthyer në vendin tim, në Shqipëri. Ai më këshilloi të mos e bëja pasaportën, pasi grekët si të pabesë që ishin, gjithë ata që kishin luftuar kundër tyre i burgosni. Konsulli më rekomandoi që këtë punë ta kryeja kur të kthehesha në Turqi, tek konsulli i atjeshëm. Ju binda këshillës së tij.
Në biseda të zhvilluara me konsullin, i shpreha dyshimin që kisha se mos Italia e Austria e ndanin Shqipërinë mes tyre. Përgjigja e tij ishte se edhe nëse Anglia do ta humbte luftën (parashikim i Luftës së Parë Botërore), nuk do të lejonte kurrë që Shqipëria të ndahej mes Italisë dhe Austrisë. Këshilla e tij për ne shqiptarët ishte të ndiqnim një vijë nacionaliste ekstreme.
Kapiteni grek, komandanti i ishullit të Zantës, që kishte në dorë edhe furnizimin e robërve të luftës, numri i të cilëve ishte 1.250, filloi të abuzonte. I indinjuar nga kjo poshtërsi, me anë të konsullit anglez, unë njoftova komandën e përgjithshme turke në Athinë, (edhe ata ishin rob lufte) të cilët ndërhynë pranë Mbretit të Greqisë, Kostandini I-rë.
Ky i fundit, dërgoi një komision grek kontrolli që vërtetoi abuzimin dhe komandanti i Zantes u dënua me 12 vjet burg. Për këtë arsye, një oficer i kontrollit, i cili bënte pjesë në partinë e Venizellosit, ndërhyri dhe më transferoi në Kalanë e Moresë, Naflion Palamiothi, ku gjendeshin dhe gjashtëmbëdhjetë oficerë të tjerë, të cilët për arsye politike i kishin izoluar.
Në mes tyre gjendej dhe majori i Korparmatës, Stroma, Ali Ahgja Begu nga Serezi i Selanikut. Në kalanë e Moresë, mes oficerëve, me nismën e Ali Ahgja Begut, bënim biseda politike për të analizuar shkaqet e humbjes së luftës në Rumeli. Një natë, mbasi isha i sëmurë, mora leje që të mos merrja pjesë në mbledhje. Komandanti, duke kujtuar se po flija, u tha shokëve:
“A nuk të dhimbset ky djalë i ri, që ka bërë gjithë këto sakrifica në Kumanovë dhe Janinë, që ka hyrë në historinë ushtarake të luftës së Ballkanit, e mbasi ka bjerrë vendin e tij, nuk di çfarë e tërheq për të ardhur në Turqi. Të thuash feja, ajo e ka bjerrë rëndësinë e vet, mbasi në botë tani është periudha e nacionalizmit”.
KTHIMI NGA ROBËRIMI NË STAMBOLL – VEPRIMTARIA DHE DËSHTIMI I KOMISIONIT TË FSHEHTË – RRËZIMI I QEVERISË SË ISMAIL QEMALIT
Për mua kthimi në Stamboll qe shumë i vështirë, mbasi komanda e përgjithshme më priti me nderime të mëdha dhe mendoji për të më dhënë punë me përgjegjësi. Mirëpo, qëllimet e mija ishin të tjera. Doja të kthehesha në vendin tim. Komanda turke, ne oficerëve të dalluar, na dha një vit leje.
Kohë më parë, nga shteti turk ishte formuar një komitet i fshehtë politik. Në të, më vonë, bënim pjesë si shqiptarë edhe unë e Beqir Grebenea, nga rrethi i Janinës. Ministria e Luftës mua më kish emëruar si kryetar të Komitetit për Shqipërinë e Veriut, dhe Beqir Grebenën, si kryetar për Shqipërinë e Jugut.
Ky komitet, tolerohej nga Anglia, Gjermania, Austria dhe Italia. Qëllimi i tij ishte zmadhimi i kufijve të Shqipërisë, autonomia e Maqedonisë, aneksimi i Trakisë perëndimore prej Turqisë, dhe emërimi i një princi mysliman në Shqipëri. Në këtë vijë politike kish hyrë dhe Bullgaria.
Por, mbasi Enver Pasha, vrau Nazim Pashën, ministrin e Luftës të Turqisë të asaj kohe dhe mori në dorë fuqinë shtetërore, ai u lidh me Gjermaninë. Në Turqi erdhën 43 oficerë të lartë gjermanë me në krye gjeneralin Oto Liman von Sander. Kjo ishte arsyeja që Anglia dhe Italia u ndanë nga vija politike e lartpërmendur, dhe Rusia protestoi për këtë qëndrim politik.
Anglezët nuk ia dorëzuan luftanijen “Reshadie” që turqit kishin porositur në Angli. Franca, nga 20 milion franga ari që i kishte premtuar Turqisë, i dha vetëm 5 milion. Të gjitha këto ndodhën për arsye se Turqia si shtet nuk mbajti neutralitetin dhe prishi ekuilibrin politik të Europës.
Ismail Qemali, si kryetar i shtetit shqiptar, i njohur dhe nga Turqia, hyri në marrëdhënie me Turqinë për zbatimin e katër pikave të komitetit të lartpërmendur. Si marrëveshje në mes dy shteteve, u lejuan të vinin në Shqipëri si vullnetarë, 35 oficerë shqiptarë nga vise të ndryshme të Shqipërisë, në krye të të cilëve qëndronte Beqir Grebenaja.
Por më 7 janar 1914, Komisioni i Kontrollit Ndërkombëtar që gjendej në Shqipëri, i arrestoi këta oficerë, pasi ata ishin me vijën e Komitetit të fshehtë, vijë të cilën, më vonë, nuk e toleruan të gjitha shtetet, mbasi kishte prishur neutralitetin e shtetit shqiptar, shkak për të cilin edhe Ismail Qemali u rrëzua nga qeveria e shtetit shqiptar më 22 janar 1914 dhe u detyrua të shkojë në mërgim në 24 janar 1914.
Kështu e gjithë puna e komitetit të fshehtë dështoi. Shtetin shqiptar e mori në drejtim Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit. Për mbajtjen e ekuilibrit në Ballkan, në krye të shtetit shqiptar u emërua nga fuqitë e mëdha princi gjerman Wied, i cili tashmë do ishte Mbreti ynë. Mbasi veprimtaria politike e komiteti dështoi, më 7 mars 1914, me ardhjen e Vidit në Shqipëri, dhashë dorëheqjen si oficer i shtetit turk.
Para kthimit në Shqipëri, me rastin e ardhjes të Wied-t në Durrës, mblodha oficerët shqiptarë shkodranë që gjendeshin në Turqi dhe i shpjegova falimentimin e vijës politike që me anën e komiteti te fshehtë deshi të ndjekë Turqia. Këshilla ime për ta ishte që të ndaheshin nëpër degë të ndryshme teknike ushtarake, që më vonë të ktheheshin për të shërbyer në Shqipërinë e lirë.
KTHIMI NË SHQIPËRI – Në shërbim të Wiedi-t
Erdha vullnetarisht në Shqipëri më 17 mars 1914. Porsa zbrita në Vlorë, ku u prita me nderime nga shokët oficerë shqiptarë, u paraqita te koloneli holandez Tomson, i cili më vonë ra dëshmor në Durrës.
Koloneli Tomson, menjëherë më emëroi si ndihmës të majorit holandez Kroon, që do drejtonte xhandarmërinë e veriut, për themelimin e xhandarmërisë në qytetin e Shkodrës. Kroon zëvendësoi kolonelin Tomson, pas vrasjes.
Mbasi më 19 maj 1914 ndodhi konflikti midis Esat pashë Toptanit dhe Wiedit në Durrës dhe revolucioni i rebelëve të Shqipërisë së Mesme, majori Kroon, shkoi në Lezhë. Atje më thirri urgjent dhe mua për të organizuar dhe transportuar për në Durrës vullnetarët mirditas të Preng Pashës, që do shkonin në ndihmë të Wiedit. Mbas telegramit që mora nga majori Kroon, me të shpejtë shkova në Lezhë.
Këtu kishin ardhur për të ndihmuar Wiedin edhe princi trashëgimtar i Rumanisë, Stourdza, Konti francez, De Pimodani, dhe një anglez me monokël, i cili kishte marrë me vete dhe një top të kalibrit të vogël. Mbasi nuk kisha marre rroba me vete, Princi Stourdoza më dha një dyshek dhe u rregulluam për të fjetur në një dhomë. Në ndihmë të mbretit në Durrës, nën komandën e kapiten Kristeskut, kishte ardhur edhe një kompani vullnetarësh rumunë prej 150 vetash.
Në këtë kohë, së bashku me Fadil Bej Toptanin dhe Jonuz Tafajn, u nisëm për Krujë për t’u takuar me Ahmet Zogun, për koordinimin e vullnetarëve të Matit e të Mirditës, për t’i ardhur në ndihmë qeverisë së Wiedit. Përveç forcave të Matit që ishin grumbulluar në Krujë, dhe forcave të Mirditës të grumbulluara në Lezhë, në ndihmë kishin ardhur për të ndihmuar dhe pjesa katolike e qytetit të Shkodrës, me bandën e muzikës. Po ashtu kishin ardhur vullnetarë edhe nga të gjitha katundet e Zadrimës, të udhëhequr prej ipeshkvit të Kallmetit, Monsinjor Bumçit.
Vlen për t’u shënuar se, forcat katolike të Zadrimës të grumbulluara në Lezhë, si kundër përgjigjeve të rebelëve të Shqipërisë së Mesme që flamurit i kishin vënë yllin dhe hënën, ata në shtizën e flamurit, kishin vënë kryqin. Si oficer dhe nacionalist shqiptar i Qeverisë së Durrësit, posa e pashë këtë akt, me iniciativën time i ndërrova formën kryqit, duke e vënë në formë të drejtë si shtizës. Këtë veprim e bëra për mos i dhënë luftës karakterin e një kryqëzate. Me forcat katolike të qytetit të Shkodrës, jo katolikë, ishim vetëm unë dhe Dan Hasani.
Forcat e Malësis së Madhe të shtyra nga një dorë e huaj, natën që ne gjendeshim në Krujë, i ranë Ishmit dhe e dogjën e grabitën atë. Kur panë se Ishmi u dogj, forcat rebele bënë një kundërsulm dhe i thyen forcat vullnetare të qytetit të Shkodrës dhe Preng Pashës, në Gajush të Bregut të Matës. Kështu që edhe Ahmet Zogu nuk mundi të bënte asnjë veprim. Dua të theksoj se, si Preng Pasha ashtu dhe Ahmet Zogu, kishin marrë një sasi të hollash nga Qeveria e Durrësit.
Ndërsa ishim në Krujë, vjen një telegram i shkruar turqisht nga Myftiu i Tiranës, Hafiz Musa Qazimi në adresë të Ahmet Zogut. Teksti i telegramit i përkthyer shqip pak a shumë ishte: “Komandantit të forcave të grumbulluara Ahmet Begut, Krujë. Personat me shkresa të dëmshme që kanë ardhur atje në emër të islamizmit, ju lutemi që t’i arrestoni dhe t’i dërgoni në burgun e Shijakut. Afiz Musa Qazimi”.
Nga Kruja, të shoqëruar nga forcat e Ahmet Zogut, nëpërmjet rrugës së malit erdhëm në Lezhë, ku u takova me Preng Pashën. Ai më propozoi që të shkonim në Shkodër dhe të bisedonim me komandantin e trupave të fuqive ndërkombëtare, për të ndaluar kalimin e malësoreve të Malësisë së Madhe, nga Ura e Drinit. Mirëpo ishte vonë. Akti ishte kryer. Ata kalimin e bënin nga Vau i Drinit, pa qenë nevoja për të kaluar nëpër Shkodër.
Shërbimi në Vlorë dhe në Durrës
Unë vazhdova rrugën për Shëngjin, për t’u kthyer në krye të detyrës në Durrës. Posa mbërrita, majori holandez, Kroon, më urdhëroi që të shoqëroja një gjerman, pjesëtar të familjes së Kajzerit, emri i të cilit nuk më kujtohet. Qëllimi ishte për të shkuar në Vlorë, për të parë refugjatët shqiptarë që kishin ikur nga vendet e tyre të ndjekur nga çetat greke. Personi që unë shoqërova, mori shënimet e nevojshme dhe bëri disa fotografi për të vërtetuar faktin e reprezalive greke, kundra popullsisë shqiptare. Mbasi kryem këtë punë u kthyem prapë në Durrës.
Me vullnetin tim, porsa mbërrita në Durrës, mora detyrën për mbrojtjen e Urës së Dajlanit nga forcat rebele, si oficer stabël. Këtë detyrë e kreva deri ditën që Wiedi u largua nga Shqipëria, më 3 shtator 1914. Në kohën që kam qenë oficer vullnetar në mbrojtje të Urës së Dajlanit, kam shkruar vjershën e parë politike “Gjama e Shqypes”. Kjo vjershë për herë të parë është shtypur në Fletoren “Lidhja Kombëtare” të Nikoll Ivanajt, që botohej në Shkodër dhe më vonë në librin tim, “Flutura ndër lule”.
Me prishjen e Qeverisë së Durrësit, së bashku me Çerçiz Topullin erdhëm në Shëngjin, e prej këtej në Shkodër.
Gjama e Shqypes
Shqypënia, zoj’e randë,
Mbet si gogla për mbi ujë,
A’kah merret nëpër kambë,
Bahet vegla e gjithkujë.
Nuk ka faj shqypnia e zezë,
Por e kanë të birtë e’sajë;
Propagandat e kanë ndezë,
E bane qyqe, qi të qajë.
Unë me pare për Italië,
Ti me dinë për Turkië,
Ky asht vela me shkjenië,
Aj po gzonë për Austrinë.
Shqypëtarë, s’paske kombësi,
Kjenke i poshtëm përnjimen,
Për pak të holla ban hjeksin,
Me humb vedin me gjith vend.
Kurë nieri nuk don vedin,
E s’mundohet për kombësi,
T’mbytet n’ujë le të vdesin,
Asht ma i poshtni n’gjithësi.
Sot atdheu asht kah ankon,
Përmi t’birtë qi ka rritë n’gji,
T’gjithë ata po i mallkon,
Q’shitne shpirtin me flori.
Kurrë ‘storia nuk harron,
Ligësitë e jueja me i shkrue,
Fmive t’uej tash i kallzon,
Karakteri se u ka mbaruae.
O shqyptarë, antik e vjetër,
Ari kjeka Zoti yte1
Për adhërimë s’paske tjetër,
Por se ty aj tash t’jet n’fytë.
(Gazeta “Lidhja Kombëtare” Shkodër, e hanë, 31 maj 1915).
Aktiviteti politik në qytetin e Shkodrës në vitin 1915
Në këtë kohë në qytetin e Shkodrës ishin formuar klube të ndryshme politike, si: “Shoqnia Bogdani”, “Shoqnia Mustafa Pashës”, “Agimi”, “Zgjimi” dhe “Lidhja Kombëtare” e Nikoll Ivanajit, në të cilën unë bëja pjesë. Shkodra ishte bërë e vetmja qendër ku ishin grumbulluar të gjithë nacionalistët shqiptarë.
Në malet e veriut me gjashtëmbëdhjetë oficerë shqiptarë dhe Sulo Çelën
Mbasi situata ndërkombëtare ishte e ndërlikuar e pamë të arsyeshme të dilnim në malet e Veriut për tu bashkuar me forcat e Bajram Currit, në shtëpinë e Sadik Didës në Has të Gjakovës. Atje konstatuam se, Austria në mënyrë të fshehtë kish çuar disa oficerë, armë, municione dhe rroba. Të gjitha këto kryheshin me anë të Klerit Katolik nga Bregu i Matës.
Në Has të Gjakovës, forcat malazeze në bashkëpunim me Ceno Beg Kryeziun, herët në mëngjes, ditën e Bajramit, na mësyn me një batalion ushtarë, një bateri malore dhe një kompani mitralozash. Duke mos pasur forca për të luftuar u shtrënguam të tërhiqeshim. Kaluam nga Ura e Vezirit, dhe dolëm në veri të Malit të Zi të Pukës. Këtu u ndamë me Bajram Currin, të cilit i dhamë disa ndihma që kishim dhe ai nga Vau i Fierzës kaloi në Malësitë e Gjakovës. Ndërsa ne vazhduam udhëtimin për Shkodër.
Kur mbërritëm në Vaun e Dejes, morëm vesh se Shkodra ishte ndarë dysh, duke luftuar kundra njëri tjetrit, katolikë e myslimanë. Forcat e Esat Pashës kërcënonin Lezhën dhe Mirditën. Kështu, që për ne nuk kishte mbetur asnjë vend. Atëherë në Vaun e Dejës ku ne ndodheshim, Sulo Çela, shqiptar i vjetër, hipi mbi një tavolinë dhe e përshkroi situatën e vështirë me këto fjalë: “Këtu luftojnë të krishterë e myslimanë, atje na ra Mali i Zi, andej matanë Esati kërcënon Lezhën e Mirditën, për ne shqiptarët e vërtet, s’ka mbetur vend në lëmshin e dheut”. Dhe në këtë moment, çoi një dolli duke thënë: “Rrofshin të vdekurit”.
Duke parë këtë situatë të vështirë, biseduam mes nesh si të vepronim. Vendosëm që të gjithë të hynim në Shkodër. Mirëpo, vëllavrasja në qytet vazhdonte, Shkodra ishte e ndarë dy copash. Nga njëra anë Alush Lohja brigadier i Malit të Zi, me disa myslimanë shkodranë që kishin zënë dhe Urën e Baçallëkut dhe Urën e Bunës, dhe nga ana tjetër, Shuk Serreqi, brigadieri i Austrisë, me një pjesë katolike.
Për mua si Hamid, ishte një dilemë për të hyrë në Shkodër bashkë me shokët, për arsye se partia e Alush Lohjes, mund të vinte dorë, e të më arrestonte, mirëpo këtë gjë, dinjiteti familjar dhe personal nuk ma pranonte, prandaj u ndava nga shokët dhe hyra në Shkodër nga ana katolike, ndërsa shokët erdhën nga Ura e Bahçallëkut. Në mes të oficerëve shkodran, ishte dhe Taip Shkodra, të cilin partia e Alush Lohjes e kapi dhe e arrestoi. Ndërsa un rashë në shtëpinë e Preng Pashës, i cili me dha katër vullnetarë të tij, që më shoqëruan për në shtëpinë time.
Me ardhjen në Shkodër, shkova përsëri te Preng Pasha dhe arritëm të bëjmë bashkimin e dy partive, katolike e myslimane dhe liruam Taip Shkodrën prej arrestimit.
Hyrja e Malit të Zi në Shkodër
Nga gjendja anormale që ekzistonte, të cilën përshkrova më sipër, më 15 korrik 1915, arriti të hyjë në Shkodër Mali i Zi.
Bashkë me Çerçiz Topullin bisedonim për çështjet e vendit. Çerçizi propozonte që të dilnim komitë në male. Mirëpo, duke e njohur mirë situatën, unë e kundërshtova. Pa forca, ishte e pamundur që të qëndronim në male, mbasi ndër malet tona nuk ishte e zhvilluar ideja kombëtare dhe propaganda e huaj bënte punën e vet.
Kështu që do të na prisnin në besë. Kjo u vërtetua me Isa Boletini, i cili, megjithëqë kishte forca për të ndenjur ndër male, pranoi me ndërmjetësinë e konsullatës franceze në Shkodër, të shkonte në internim në Mal të Zi, me kusht që të rrinte i armatosur. Dhe atje i ndodhi ajo që dihet historikisht. U vra tradhtisht me gjithë shokët nga malazezët. Kjo i ndodhi, në malet tona, më vonë edhe Ded Gjon Lulit. Ai shkoi në Mirditë për t’u strehuar dhe u pre në besë, e u vra prej serbëve.
Para hyrjes së Malit të Zi në Shkodër, në atë gjendje anormale që ishte, Austria mori iniciativë me anë të Konsullatës Austriake në Shkodër, për t’i kërkuar ndihmë oficerëve shqiptarë prej Shqipërisë dhe Turqisë për t’i rënë Serbisë dhe Malit të Zi.
Oficerët në Shkodër që gjendeshin më ngushtë ekonomikisht, shkuan në Austri dhe bënë luftë kundër Malit të Zi dhe Serbisë.
Ditën që Mali i Zi hyri në Shkodër, mbasi kishte rrjetin e informacionit në qytet, na mblodhi ne të gjithë oficerët shqiptarë, dhe një pjesë i internoi në Mal të Zi.
Me këtë rast, mua dhe Alush Kastratin nga Peja, na ndanë në një anë, Çerçiz Topullin e Mustafa Qullin në anën tjetër. Çerçizin e Mustafën i mbajtën në arrest në burgun e Shkodrës, dhe të nesërmen në darkë më 17 korrik, i ekzekutuan. Mua dhe kapiten Alush Kastratin, na kërkuan garanci që të mos përziheshim në politikë dhe të rrinim mbyllur në shtëpitë tona, në pritje të vendimit që do të merrte për ne Kral Nikolla.
Ky diferencim ndodhi për arsye se Pejën dhe Shkodrën Mali i Zi i quante vende të aneksuara dhe ne na konsideronte si qytetarë të Malit të Zi. (Përgatiti, Dr. Shefqet Deliallisi). Memorie.al
Komentet