Dy lajme të rëndësishme këtë javë risollën në debatin politik dhe mediatik ndërkombëtar çështjen madhore gjeopolitike nëse bota është kthyer sërish në një periudhë të re dramatike të Luftës së Ftohtë. Më 26 Prill, në Bruksel, Shefi i Shërbimeve të Përgjithshme të Zbulimit Ushtarak( SGRS) Ëim Robberecht paralajmëroi seriozisht shtetasit belgë « që të mos jenë më naivë, se tashmë kemi hyrë në Luftën e Ftohtë »! Theksojmë se është hera e parë në historinë e tij 108 vjeçare që ky Shërbim jetik i Belgjikës, bashkëthemelues dhe selia qëndrore e BE-së dhe NATO-s bëri një deklarim të tillë publik.
Mirëpo, ky pohim tronditës nuk erdhi spontanisht e ca më pak si sensacion; ai pason disa tregues të tjerë domethënës dhe së fundi publikimin më 24 Prill të Raportit Vjetor mbi Shpenzimet Ushtarake Botërore të Institutit prestigjioz të Kërkimeve të Paqes në Stokholm të Suedisë.
Të dhënat e tij janë drithëruese dhe do t’i kishte zili dhe periudha më e errët e Luftës së Ftohtë. Kështu, gjatë vitit 2022, shpenzimet e mbrojtjes në botë u shtuan më 13 për qind, rritja më e madhe e 30 viteve të fundit. 15 vendet e para zenë 82 për qind të gjithë shpenzimeve ushtarake botërore. Ato ishin të dukshme dhe në Europën Qendrore/Lindore, ku kapën shifrën rekord prej 480 Miliard Dollarë.
Vendi e parë e zenë si gjithnjë SHBA-të me 877 Miliard Dollarë, sa 39 për qind të shpenzimeve botërore, të ndjekura nga Kina me rreth 13 për qind.
Natyrisht shquhet, sidomos dy vitet e fundit, në prag të agresionit ndaj Ukrainës Rusia me një rritje prej 9,2 për qind gjatë vitit 2022. Për pasojë, nga vendi i 8-të, ajo u ngjit në të 5-tin!
Gjithsesi, gjatë vitit të kaluar, rekordin e këtyre shpenzimeve e mbajti Ukraina me një rritje prej 640 për qind, duke u ngjitur në vendin e 11 të renditjes botërore, nga e 15-ta që ishte më parë. Pa llogaritur ndihmat e shumta ushtarake nga jashtë.
Britania e Madhe me 65,8 Miliard Dollarë ze vendin e gjashtë në renditjen botërore. Gjermania, në kuadrin e « Zeitëende » dmth « ndryshimit epokal » në fushën e siogurisë e të mbrojtjes të vitit të kaluar shpenzoi 55,8 miliard dollarë, duke u renditur e shtata.
Kësisoj, siç do shihet dhe nëpërmjet analizës së disa aktorëve/faktorëve të tjerë vendimtarë, mund të thuhet me plot gojën se ia kemi kaluar ku e ku Luftës së Ftohtë, madje dhe periudhave të saj më problematike dhe kërcënuese. Natyrisht nuk flitet për një “copy and paste” të viteve 1945 – 1990, por në frymë, përmbajtje dhe me rreziqet e shumta jemi në një Luftë të Re dhe më të rrezikshme të Ftohtë!
Është e habitshme se si disa analistë e vejnë ende në diskutim me teorizime boshe këtë realitet të trishtë, të cilin po e shpjegojmë me fakte thelbësore më poshtë.
Së pari, periudha e tanishme, sidomos pas agresionit rus ndaj Ukrainës është më shpërthyese se dhe periudhat më delikate në vitet 60, si vendosja e raketave ruse në Kubë, konfrontimi në Berlin dhe pushtimi i Çekosllovakisë në Gusht 1968 nga ish BS-ja. Veçse tani nuk bëhet fjalë vetëm për kërcënime, por dhe për një agresion të rëndë, të paprovokuar dhe të pajustifikuar rus ndaj një vendi fqinj si Ukraina.
Dallimi i dytë i madh me Luftën e Ftohtë të atëhershme është se SHBA-të dhe BS-ja ndërmuarën disa hapa dhe lëvizje madhore politiko-diplomatike, të cilat ishin shpëtimtare për njerëzimin. Rikujtojmë bashkëekzistencën paqësore në vitet 60, Detantën dhe Ost Politikën e famshme në vitet 70, e cila normalizoi brenda një viti marrëdhëniet midis dy Gjermanive dhe me të gjitha vendet lindore; le ta theksojmë se Marrëveshja midis dy Gjermanive e Dhjetorit 1972 u ratifikua në Qershor 1973 ; në shtator të atij viti ato u pranuan në OKB, duke e njohur pai u tharë ende boja marrëveshjes pothuajse dhe zyrtarisht njera tjetrën. Çfarë kontrasti, si nata me ditën me (ç)dakordësimin e sotëm midis Serbisë dhe Kosovës sipas atij modeli!
Këto lëvizje politike vijuan më 1975 me krijimin e OSBE-së, tryeza e parë dhe më e madhe e dialogut, sigurisë dhe bashkëpunimit ekonomik Lindje – Perëndim, etj.
Shumë e rëndësishme të theksohet se nismëtarë të atyre lëvizjeve ishin liderë emblematike, të cilët hynë në histori me akte, fjalime dhe vendime epokale! Por ku gjen më sot një Eisenauer, Adenauer, Kenedi, De Gol, Brandt, Reagan, Kohl, Thatcher, Mitterand, Gorbaçov e të tjerë.
Ku gjen sot nje fjalim si ai i Kenedit që tundi nga themelet Murin famëkeq më 26 Qershor 1963 duke i ngritur monument Berlinit me një fjali të vetme por epike : »Unë jam Berlinez”, Ëilly Brandt, kur befasoi botën duke rënë në gjunjë më 7 Dhjetor 1970 përpara Monumentit të hebrejve polakë në Varshavë ; Kohl me Miterrand të kapur dorë për dore te varrezat në Verdun më 1984 ku prehen 750.000 ushtarët e të dy vendeve të vrarë në Luftën e Parë Botërore ; apo Reganit me 1987 në Berlin, ku i bëri apelin Gorbaçovit për të shkuar atje dhe për ta shembur Murin e Berlinit, etj. Me ndonjë përjashtim, sot ka kryetarë, por jo liderë në ato përmasa, pa vizion dhe aksion politik, që nuk marrin dot përgjegjësi politike.
Për pasojë, sot mungojnë lëvizjet e mësipërme. Sa për diplomacinë ndërkombëtare, sidomos pas agresionit rus ndaj Ukrainës, ajo është “në tako” “pa punë” dhe pa hapësirë veprimi, veç deklaratave dhe njoftimeve për shtyp. Po, ka vetëm disa propozime paqeje nga Kina, Brazili, etj, por ato janë jashtë çdo realiteti, “për të larë gojën” për propagandë, pa besueshmëri, pa asnjë vlerë dhe efekt Realpolitik.
Shumë e rëndësishme, ndryshe nga atëhere sot ka dalë në skenën botërore Kina me pretendimet e saj të mëdha gjeostrategjike si një aktor i ri me peshë madhore planetare. Gjatë Luftës së Ftohtë, ajo ishte kryesisht në pozita mbrojtëse, pa synime ekspansioniste; por tani ajo është bërë rivalja më e frikshme e SHBA-ve dhe Perëndimit, me një “ paketë tërësore gjeostrategjike – në politikë për një rend të ri shumë polar, demokracinë konsultative, në ekonomi me Brezin e Mëndafshit dhe me ushtri moderne gjigande.
Nga ana tjetër, nëse më 1971 nëpërmjet diplomacisë së ping pongut dhe vizitës historike të Niksonit, SHBA-ta ia doli mbanë ta ndante atë nga ish BS-ja, sot ato përbëjnë boshtin e një aleance të madhe strategjike; kundër aleancës perendimore dhe me tentativa për ta përçarë atë, bashkë me Rusinë dhe vende të tjera të mëdha demokratike si India, Brazili, Afrika e Jugut nëpërmjet Grupimit “BRICS”.
Për pasojë, aktualisht qendra e gravitetit dhe pika më e madhe dhe e rrezikshme e ballafaqimit politik dhe ushtarak, veç Europës është bërë Indo-Paqësori.
Për fat të keq, sot nuk ekziston më një « vijë e kuqe » si atëhere ndërmjet SHBA-ve, Kinës dhe Rusisë, e cila nuk mund të kalohet. Sipas Gideon Rachman i Financial Times, me vendosjen e kësaj vije pas krizës së raketave në Kubë më 1962, ndonëse iu afruan shumë me pushtimin turk të Qipros, invazionin sovjetik në Pragë dhe në Afganistan, caqet e “vijës së kuqe” nuk u kapërcyen asnjëherë nga superfuqitë e asaj kohe. Duke qenë se nuk ka më një « vijë të tillë të kuqe» siç pohojnë Graham Allison, Admirali James Stavridis, ish Komandant i NATO-s për Europën dhe ish shefi i CIA-s Elliot Ackerman në marrëdhëniet ndërmjet SHBA-ve dhe Kinës po krijohet një rreth i shkurtër vicioz, me shumë rreziqe dhe kërcënime për përshkallëzimin e tyre deri në konfrontim të madh ushtarak. Kjo si për shkak të Tajvanit ashtu dhe konflikteve të tjera jetike ekonomike dhe tregtare.
Gjendja sot është shumë më shpërthyese dhe nisur nga shtimi i ndjeshëm i rrezikut imminent bërthamor. Jo vetëm se tashmë ato i kanë ose pritet t’i kenë dhe Irani me Korenë e Veriut, por dhe sepse nuk po ripërtërihen më as traktatet e asaj kohe mbi kontrollin e prodhimit të armëve bërthamore. Rusia ka lënë të kuptohet seriozisht se në një rast sulmi, ajo do të përdorë e para armët bërthamore.
Faktori tjetër përkeqësues është rënia e rolit dhe besueshmërisë gjeopolitike të SHBA-ve e sidomos të BE-së. Madje, kjo e fundit nuk ka bërë asnjë përparim nga përkufizimi emblematik i ish kryediplomatit belg Eyskens në vitin 1991 për BE-në si “gjigand ekonomik, xhuxhmaxhuxh politik dhe krimb ushtarak » Ca më keq akoma, dalja e fuqive dhe grupimeve të tjera të mëdha tashmë po ve në diskutim dhe gjigandizmin e saj ekonomik. Edhe boshti i saj franko – gjerman po pëson krisje të shumta, çka është me shumë pasoja për gjithë BE-në.
Më tej, ndryshe nga sa pritej mbas shembjes së Murit të Berlinit, SHBA-të kanë humbur shumë nga besueshëmëria dhe kontrolli i tyre i situatave plus lodhjen e madhe të amerikanëve të thjeshtë me luftrat e përhershme. Tashmë dhe problemet e demokracisë kanë plasur dhe brenda SHBA-ve deri në majën e kupolës së tyre, sidomos gjatë Presidencës Trump, rikuperimi i të cilave kërkon shumë kohë.
Në këtë drejtim kanë ndikuar negativisht dhe dështimet e ndërhyrjeve ushtarake amerikane dhe perendimore në Irak, Afganistan, Libi, Siri dhe gjetkë. Përmendim këtu « Ëaterlonë» në Afganistan « ku siç pohon me ironi një ekspert i huaj, amerikanët dhe aleatët e tyre luftuan 20 vjet, humbën 15.000 ushtarë, shpenzuan 20 miliard Euro dhe ndërruan 4 Presidentë, thjesht për t’i dëbuar dhe kthyer sërish në pushtet Talebanët!. Për pasojë, ata nuk kanë patur rezultat as në krijimin e një fronti të bashkuar kundër Rusisë me vendet kryesore të Amerikës Latine, Azisë dhe Afrikës.
Këtë rënie të rolit Perendimor dhe « fuqisë së butë&të ngurtë » të tij e shohim dhe në Ballkan, ku në 23 vitet e fundit, gjërat kanë lëvizur me « shpejtësi breshke». BE-ja dhe SHBA-të vazhdojnë ta marrin me të mirë Serbinë, ndonëse ajo mbetet e rreshtuar me Rusinë, dhe pse puna ia do të “ hajë bar dhe në grazhdin” perendimor!
Më tej, ndryshe nga 30 vite më parë, kur vlerat dhe parimet e qytetërimit perendimor ishin joshëse, tani shteti i të drejtës është vënë në dyshim dhe brenda SHBA-ve/BE-së. Po, atje po dynden miliona azilantë, por kjo për konvejencë, për t’i shpëtuar mizerjes dhe për të gëzuar të mirat e Perëndimit, por jo vlerat e tyre!
Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, gjendja e tanishme është më kërcënuese për demokracinë liberale se atëhere, për shkak të përshkallëzimit masiv të forcave populiste dhe ekstremiste, të cilat kanë spostuar nga skena partitë e moderuara tradicionale. Ato janë në pushtet në Suedi, Finlandë dhe Itali, duke forcuar ndjeshëm pozitat e tyre dhe në Frencë, Gjermani, Spanjë dhe gjetkë.
Natyrisht, në Ballkan dhe në vendet ish lindore nuk ka diktat dhe totalitarizëm » të kuq » madje ato janë antare/kandidate në BE dhe NATO. Megjithatë, ka kohë që po dëshmohet se as antarësimi në BE dhe NATO nuk i ka imunizuar disa vende nga të këqiat e totalitarizmit. Përkundrazi, sot po shohim të rishfaqen dhe në disa vende antare të BE-së dhe NATO-s sulmet dhe dhuna ndaj medias, lirisë së shprehjes, cënimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, cungimi i drejtësisë, alternativa iliberale e shtetit të së drejtës, etj.
Për pasojë, shumë vende janë demokratike vetëm formalisht dhe në dukje; por në fakt ato po rishfaqin recidivë të shëmtuar të së kaluarës totalitare, duke kaluar “me lezet” drejt neodiktaturave të reja, fillimisht “të buta” por që e nxjerrin fytyrën e vërtetë totalitare më vonë. Ja pse bota ka hyrë pa dyshim në një Luftë të Re të Ftohtë, shumë me shpërthyese dhe e rrezikshme se ajo e periudhës 1945 – 1990!