Me ‘Drekën tradicionale shqiptare’ në Kullën e heroit Isa Boletini në fshatin e tij të lindjes, kanë filluar të enjten aktivitetet me rastin e rivarrimit të eshtrave të Heroit Kombëtar që do të ndodhë më 10 qershor në Boletin.
Përveç familjarëve të heroit, në këtë ceremoni kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme komunale, atyre të sigurisë, si dhe shumë qytetarë nga Kosova e më gjerë, ndërsa nga Boletini i veriut të Kosovës u kënduan këngë për heroin, Kosovën e Shqipërinë.
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka apeluar tek qytetarët që të përmbahen nga çfarëdo lloj provokimi në mënyrë që ceremonia e rivarrimit të eshtrave të heroit Isa Boletini të kalojë sa më mirë dhe dinjitetshëm.
Sipas tij, deri tani nuk ka asnjë tendencë për tension dhe gjithçka është duke shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ai ka pranuar se sot ka qenë ditë shumë e veçantë për të, andaj me shumë dëshirë i është bashkëngjitur ansamblit folklorik, duke kënduar edhe vetë.
Ndërkaq, stërnipi i heroit, Gazmend Boletini, u shpreh të jetë i kënaqur me rrjedhën e aktiviteteve të deritashme, si dhe organizimin e kësaj ceremonie.
Ai ka falënderuar të gjithë qytetarët të cilët kanë përkrahur në vazhdimësi familjen e heroit, dhe të cilët kontribuuan më së shumëti që eshtrat të kthehen në vendlindjen e tij, aty ku ai ka jetuar dhe vepruar para 100 viteve.
Ndryshe, ditët në vijim do të jenë përplot aktivitete të ndryshme kulturo-artistike në qytetin e Mitrovicës në kuadër të agjendës për ceremoninë e rivarrimit të Isa Boletinit, ndërsa Kuvendi i Kosovës ka vendosur që më 9 qeshor të mbajë një seancë solemne për Isa Boletinin, si dhe homazhe pranë arkivolit të heroit. kp
Komentet