Sa herë takohemi me Bujar Hudhrin, përmendja e Kadaresë vjen vetvetiu, duke e ushqyer bisedën me të pathënat. Prej vitesh isha mësuar me mungesën e shkrimtarit, ndërsa botuesi, sikurse dihet: e shoqëronte çdo ditë për tek “Juvenilja”, sikurse e ka shoqëruar deri në Seulin e largët. Përditësimi kthehet në shprehi dhe, kur ora ndalet: para vetes shtrihet një hon. Bujar Hudhri e ka ditur ç`e priste dhe, me sa duket, i ka marrë masat: duke e mbushur boshllëkun e pritshëm me botimin luksoz të gjithë krijimtarisë së Kadaresë në 7 vëllime, pse jo: duke ia lehtësuar ikjen shkrimtarit. Miqësitë e stazhionuara e kanë barrën të madhe, sidomos kur supet e njërit mbajnë më shumë. Edhe Ekërmani i Gëtes, edhe pazhi që shoqëroi Bajronin, do e kishin zili këtë përkujdesje, që botuesi i dha gjeniut të letrave, që, me raste: bëhej i padrejtë. (Përgjithësisht lëvdohen “trimat” që shoqërojnë prijsat.) Televizionet vazhdojnë ta thërrasin botuesin Bujar Hudhri njëri pas tjetrit, por ai, sikurse më tha: druhet se mos po e tepron. Natyrisht, që bisedat tona shtrihen përtej atyre, që thuhen ekraneve, mbetur mes nesh, duke krijuar ndoshta përshtypjen e gabuar si idealizues të shkrimtarit. (Unë vetë: s`e kam patur asnjëherë problem, që armiqtë e Kadaresë të bëheshin dhe armiqtë e mi, edhe kur ai ndodhte të hante e të pinte me mëkatarët e përbashkët.) Benvenuto Celini, shkruan Noli në një nga eset e tij, ishte një artist i famshëm, sidomos për skulpturën në miniaturë, i cili shpesh ngatërrohej në sherre, sa njëherë desh humbi dhe jetën. E burgosnin dhe ai vazhdimisht përpiqej të dilte nga burgu. I dyshuar për vrasje, sekretari i shtetit, i kërkoi Papës ta dënonin, por merr këtë përgjigje: “Ne i kemi shkruar ligjet për kriminelët dhe jo për artistët si Benvenuto Celini.”
-A do vish tek Shtëpia Muze e Kadaresë, se ju kam premtuar t’ju dhuroj këtë portret të Ismailit?-duke e ditur përgjigjen time, Bujari, hoqi nga faqja e murit portretin dhe morëm për nga makina.
Pas shumë vitesh, po shkoja në atë shtëpi, ku më parë më priste i zoti i saj. Kisha vizituar shumë shtëpi muze shkrimtarësh, ndaj, më shtynte dhe një kurjozitet, se si do më dukej shtëpia e dikurshme e shkrimtarit tashmë e hapur për publikun. (Familja Kadare ka pritur e ka përcjellur me dhjetra miq e shokë, shkrimtarë e artistë, sikurse dhe hallexhinjë. Kam rastisur të shoh aty dhe nga ata, që do bëheshin kundërshtarë të betuar të tij.)
Sapo kaluam pragun e shtëpisë na pritën disa vajza të punësuara aty, të cilat reaguan gjithë kënaqësi me sytë nga portreti i shkrimtarit, duke treguar dhe vendin se ku duhej vendosur. Shtëpia, që dikur më ishte dukur goxha e madhe, bashkim i dy hyrjeve, po më dukej disi “turpëruese”, nëse e shohim me syrin e të huajëve apo me kurbaturat e sotme. (Kadare ka shtëpi dhe tek Kullat Binjake, sikurse vilë në Golem të Kavajës. Ndoshta dhe në Paris. Dhe nëse i bëhet një hetim pasuror, sikurse dëgjojmë përdita në lajme, e gjithë pasuria e tij ka vetëm një burim: penën e artë, famën. Ushqeu popullin e tij me një art elitar, sikurse jetoi dhe vetë si zotni. E kam shoqëruar dikur, kur interesohej për të ardhurat që i vinin nga botimi i librave dhe ai merrte vetëm një të tretën e shumës. Sigurisht, që dhe ky fakt shkakton zili, kur letërsia sa e sa i mori më qafë, sikurse tani të lë pa bukë.) Nisur nga ajo ç`kisha parë jashtë, në Shtëpinë Muze të Mark Tuenit për shembull shiteshin të gjithë librat e tij, madje, aty bleva librin e “shërbëtores” së shkrimtarit, kurjoz ta shihja shkrimtarin nga këndvështrimi i saj, ndaj i pyeta vajzat: a shiteshin librat e Kadaresë aty. Jo, më thanë. Të interesuarit i drejtonin tek një librari aty afër. Nuk e kuptoj, botuesi i shkrimtarit, pa akses në muzeun e Ismail Kadaresë? (Zbulimi dhe kthimi i Mesharit të Gjon Buzukut, i kësaj “gjuhe hyjnore”, i shtohet mrekullia, kur materializohet në artin e madh të Ismail Kadaresë duke fqinjëruar me gjuhët e botës, tashmë në kolanën luksoze të “Onufrit”, botimi i së cilës është padyshim një ngjarje kulturore. Sikur nuk shkon, që një shkollë të mbajë emrin e një kritizeri të shkrimtarit dhe në rafte të mungojnë librat e Kadaresë?!) Bujari më kapi nga krahu dhe u tha vajzave të na bënin një foto. Lamë portretin dhe morën këtë foto…
Fatbardh Amursi