Zamira Kita, vajza që spikati gjatë studimeve në Institutin e Lartë të Arteve për dramarturgji, midis shumë talenteve dhe emrave që do të bëheshin të njohur në artin shqiptar. Falë temperamentit, gjallërisë dhe sjelljes së mirë, krijon miqësi dhe njihet me njerëz të talentuar të fjalës. Kjo ishte nxitje për aktoren e re të ecte përpara.
Eshtë artiste e gjithanëshme, e mbajmë mend në fillimet e saj me monologjet e Rozi Theoharit, tipike të zonjave korçare, po dhe të autorëve të huaj. Ndër vite ajo do të interpretojë gjithçka, rolet në komedi dhe ato tragjike.
Bashkëpunimi me aktorë dhe regjisorë të mirë në skenat e mëdha të vendit, qe një shkollë e dytë për aktoren e re. Me një pasion të veçantë ajo u bë pjesë e teatrit dhe flilmit artistik. Një zonjë që nuk u viktimizua asnjëherë përpara askujt, megjithë të papriturat që në fillimet e saj si aktore. Atëherë kur donin ta pengonin për hir të biografisë jo fort të pastër dhe më tej sfidave të forta që i rezervoi jeta, i’u përkushtua plot vitalitet artit. Talenti nuk mund të shkëlqejë pa një punë të madhe me përjetime drithëruese, në komedi, dramë apo tragjedi. Përcjell shpirtërisht ëndrrat e saj, duke iu përkushtuar punës. Bota e artit është bota e saj.
Duke njohur realitetin jetësor, shpesh lind pyetja: -Si mund të ndihej në skenë aktorja, në rastet kur gjatë ditës është përlotur apo mërzitur shumë, e më pas është nisur drejt teatrit, me lotët që buronin nga sytë e saj të shkruar. Ajo rrëfen plot çiltërsi, se ka pasur raste kur në dhomën e grimit, nuk ngjiste makiazhi prej lotëve, ndërsa vazhdonte të lyhej e trukohej për komedinë. Të bënte njerëzit për të qeshur… Dhe ja ka dalë mbanë.
-Sapo kam shkelur në skenë kam harruar gjithçka, kam mposhtur lodhjen, mërzitjen, kam gëlltitur lotët dhe jam përpjekur që shfaqja të ketë suksesin e duhur. E njëjta gjë me rolet tragjike, kur në kulmin e lumturisë, m’u desh të luaja dramën e personazhit që interpretoja, të përlotesha, madja të qaja vërtet, pa truke. Kjo është jeta e dyfishtë e një artisti. Maska që i lejohet vetëm aktorit, vetëm atij i jepet e drejta e maskës atëhere kur duhet.
Ne të gjithë e dimë se Zamira, është e veçantë në personalitetin e saj, përballë artit dhe jetës, ketë e kemi ndjerë në pak kohë duke qëndruar pranë saj. Mbushet me një lumturi të thellë me duartrokitjet, mesazhet dhe falenderimet e spektatorëve dhe njerëzve që e rrethojnë. Këtë dhunti të përshtatjes, të impenjimit në aktrimin e pjesës që luan dhe përjetimit të të gjitha roleve, u’a atribuon aktorëve, regjisorëve dhe bashkëpunëtorve të saj. Aktorja ka tridhjetë e pëse vite në skënë dhe ka interpretuar shumë role. Kjo nuk ka shumë rëndësi për një artist, ajo që mbart vlera në punën e saj është, jo “sa”, po si i ka realizuar këto përsonazhe në zhanre të ndryshme të teatrit. Cilësia e realizimit dhe interpretimit të tyre. Zamira nuk mburret me çmimet, por me qëllimet që ajo ka pasur, duke i vënë në jetë në të gjitha angazhimet e saj. Ka realizuar shumë komedi, drama, tragjedi dhe një monodramë që vdes në fund tek “Velloja e bardhë” e Odise Plakut. Shkëlqen në komedi, si Eftiqia, tek “ Jovan Bregu refugjat”, me këtë rol, në vitin 1997 ajo merr çmimin “Aktorja më e mirë” në festivalin mbarëkombëtar të teatrit të zhvilluar në Tiranë. Ka shkëlqyer edhe në një komedi të zezë, nga Martin Eldora, e vënë në skenë nga Ilir Vokshi, një nga regjisorët më të mirë që ka Kosova. Zamira u vlerësua me çmim, për rolin e dytë të kësaj komedie në festivalin e Ferizajt. Gjithashtu, jo më pak e sukseshëme është në rolet dramatike. Drama “Kapitulli i dytë”, i autorit Neil Simon, me regji të shqiptarit maqedonas, Qëndrim Rijanit. Roli i Xhenit, një nga rolet më të bukura dramatike, i dha Zamirës trofeun e merituar.
E angazhuar me role në teatër dhe në filma, vendoset në kryeqytet më pranë kinematografisë dhe televizionit.. Brishtësia femërore dhe përgjegjësia e të qënit nënë, e bënë të kthehet në vendlindje dhe të japë kontributin e saj të vyer në ecurinë e artit. Ditë pas dite ajo do të rritej, si nënë, si artiste, si bashkëshorte.
Zamira, është zëri i mirë i këtij brezi, prandaj mbetet e njohur dhe e dashur për bashkëkohësit. Puna si artiste dhe drejtuese u kushtohet atyre. Spektatorët e duartrokasin sepse e duan, aspak të detyruar ta bëjnë këtë, ata e pëlqejnë dhe e çmojnë për ç’ka është dhe ç’ka bën.
Është e bukur thënia: “Intelekti është shërbëtor i vullnetit”, ndërkohë që “bota është vullnet.” Falë këtij vullneti, Zamira Kita, është aktive dhe e sukseshme në të gjitha detyrat që mbulon. Prej vitesh është Drejtore e Artit dhe Kulturës në Bashkinë e Qytetit të Korçës. Ku përfshihet, Teatri “ Andon Zako Çajupi”, Biblioteka “Thimi Mitko”, Pallatin e kulturës “Vangjush Mio”, Muzeun “ GJon Mili”, dhe Muzeu “Bratko.”Këtu përfshihet dhe Biblioteka e famijes “Thoma Turtulli”.
-Të qenit drejtore ka shumë ngarkesë, pasi duke qenë dhe aktore, jam munduar ti bëj të gjitha, përkushtimi im për punën dhe aktrimin ecën paralel. Dhe vazhdimisht, duke u shtuar punët si drejtore, shtoheshin dhe rolet e mia në teatër. Me kalimin e kohës ishin larguar nga jeta apo nga teatrit aktoret në moshë. Kështu që pesha e mungesës së tyre do të binte mbi mua dhe aktoreve të tjera të moshes sime. E nis punën ne orën tetë, duke lexuar dhe kthyer përgjigje të gjitha mesazheve, imeleve, gjithashtu edhe duke nisur mesazhet dhe imelet e mia në drejtim të punës dhe angazhimeve artistike. Kështu përpiqem ti vë të gjitha punët në vijë, është e lodhëshme po më jep edhe kënaqësi. Më pas vazhdoj punën në prova, me rolin që jam angazhuar dhe ndjekur ecurinë e tyre në ndihmë të regjisorit.
Restaurimi i teatrit ishte një angazhim i madh në organizimin e punëve dhe kontributin e saj në realizimin e projektit. Nëse e vizitoni teatrin e Korçës, do të kuptoni, çdo të thotë rregull, komoditet, pastërti dhe kreativitet, dashuria dhe përkushtimi i një gruaje për punën, për artin. Gjithçka e vlefshme është në vendin e duhur. E nëse ndodhesh në ambjentet e muzeut të teatrit, je brenda një spektakli, ku përmblidhen bashkë të gjitha pjesët. Aktorët, imazhi, zëri i tyre, komeditë, dramat, rekuizita, skenografia, e githçka duhej. Këtu, më vjen në mendje pyetja që i drejtova dikur, ministres së punëve të jashtme të një vendi të huaj, sharmante, e pastisur por shumë e bukur në thjeshtësinë dhe origjinalitetin e saj. – “Si do të ishte bota, nëse do të rrotullohej në duart e një gruaje”? – Vlen për tu parë tha ajo- me pak diplomaci, e rrethuar nga shumë burra në vizitën e saj zyrtare. Duke vizituar teatrin e Korçës dhe krahasuar me teatrot e tjerë të vendit, biseduar e ndjekur prej kohësh punën e artistes Zamira Kita, mendoj se bota do të ishte ndryshe, shumë më e bukur se sot, nëse do ishte, në duart e një zonje si ajo.
Teatri “Andon Zako Çajupi”, në janar të këtij viti u nderua me medaljen “Nderi i Kombit”. Titull i merrituar, jo vetëm për aktorët dhe regjisorët që nxorri ky teatër, ku Zamira Kita, pati fatin të luante në skenë, të bashkëpunonte me artistë të mëdhej si: Pandi Raidhi, Thimi Filipi, Dhimitër Trajçe, Dhorkë Orgocka, Llazi Serbo, Jani Riza, Aleko Prodani e shumë e shumë të tjerë, të ndjekur nga breza aktorësh të rinj të shkëlqyer, që vazhdojnë të japin kontributin e tyre. Po kështu, regjisorë të shquar si: Sokrat Mio, Pirro Mani, Aleko Skali, Dhimitër Orgocka, Mihallaq Luarasi etj. Angazhimi i regjisorëve më të mirë të trevës shqiptare, nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, risi e këtij teatri. Skenografë profesionistë si Vangjush Mio, Kostaq Tushi, Koço Ristani, Roland Karanxha e shumë të tjerë, kanë luajtur një rol thelbësor në suksesin e shfaqjeve të këtij teatri. Cilësia e lartë e shfaqeve ka merituar vlerësimin me shumë çmime e tituj në festivale kombëtare e ndërkombëtare, vlerësime të larta prej spektatorëve, artdashësve si dhe nga juritë e qarqet artistike dhe kritikat letrare teatrore.
Me natyrën e saj entuziaste i ka rrëmbyer jetës gëzimet edhe në çaste jo fatlume. Duke thithur frymën e kohës, ka sfiduar xhelozitë, ambicjet, prapaskenat, që jo rallëherë i dalin artit në shteg. Di të ngrihet mrekullisht mbi to dhe sfidave të kohës që jeton. Është gjithmonë në kërkim të prurjeve të reja, si drejtuese dhe si artiste.
-Në drekë pushimi është fare i shkurtër, – vazhdon rrëfimin- pasi më duhet të bej pjesën e zonjës së shtëpisë, angazhimeve si nënë dhe si grua. Pasditeve, do jem përsëri në prova apo shfaqe, ku jam e angazhuar me role apo në mbarvajtjen e shfaqeve të trupave të tjera të mirseardhura në skenën tonë. Angazhime të roleve në teatër apo në filma edhe në Tiranë me regjisorë të ndryshëm.
Lëvizjet e trupës së Korçës me teatrin në vende të tjera dhe meraku për gjithçka, ka të bëjë me ecurinë e artit në qytetin tonë artëdashës. Për fatin tonë edhe drejtuesit e pushtetit vendor kanë qenë dhe janë, njerëz me shpirt të madh që e duan artin dhe qytetin e Korçës.
Mendoj se kësaj ngarkese të madhe jam përpjekur t’ia dal mbanë, në këto pesëmbëdhjetë vite që kam drejtuar teatrin dhe kulturën në Rrethin e Korçës. Kjo ngarkesë e madhe për mua që dikur dukej e pamundur dhe e vështirë, tani duket thjesht e vështirë por jo e pamundur. Është përgjegjësia që kam marrë për të drejtuar artin dhe kulturën në Korçë edhe si drejtore e teatrit të këtij qyteti. Të them të drejtën, e gjitha kjo, më ka dhenë një mbingarkesë. Gjithmonë kam dashur të pushoj diku. Për këtë arsye ka pasur raste që kam refuzuar rolet e teatrit apo kam marrë rrole të dyta, në disa raste nuk kam qenë pjesë e shfaqeve, më është dashur të kujdesem me prezencën time edhe për vajzën, e cila e ka shumë të nevojshme praninë time dhe ndihmën për mbarrëvajtjen në shkollë, për jetën dhe shëndetin e saj. Të gjitha këto, i kam arritur falë pasionit tim, dashurinë për artin dhe familjen time. Dashurinë për qytetin tim Korçën. Por falë dhe shëndetit tim të mirë e të qëndrueshëm që gëzoj.
Ndërsa ajo flet, unë nuk e imagjinoj dot artisten Zamira Kita, energjike, pasionante dhe shumë aktive në të gjitha angazhimet dhe vrapin e saj në udhët e jetës, të ndalojë ecurinë drejt projekteve dhe angazhimeve. Është e kudondodhur në realizimin e përsosur të “Mik Festival”, një festë që e kthen qytetin në një skenë të madhe festive.
Jeta është gjithmonë në pritje të momentit për veprim dhe ajo guxon gjithmonë, me modesti përgjigjet:
-Është internacional Mik Festival, ideuar nga Inva Mula. Kjo artiste e madhe, ka kontakte të forta nëpër botë, me instrumentistë, këngëtarë, orkestra dhe institucione arti. Tenor, soprano, mexosoprano nga e gjithë bota. Ka qenë, nata franceze, nata spanjolle, nata greke e plot të tjera, është i pesti vit që organizohet këtu në Korçën tonë. Ku kanë performuar, Inva Mula dhe miqtë e saj, Olen Çezari, Elida Duni e plot të tjerë. Teatri në këtë rast është bashkëpunues dhe organizues për të realizuar me sukses mbarëvajtjen e tij, për të pritur sa më mirë artistët dhe turistët e huaj dhe vendas. Mik Festival, ka një promocion mjaft të mirë, nga ku e ndjekin shumë artëdashës si dhe miqtë e artistëve pjesmarrës nëpër botë dhe në Shqipëri. Këmi zgjeruar aktivitetin e këtij festivali në shumë pika të veçanta, si në kishën e Shën Ilias në Moravë, në Rehovë, i kemi shpënë dhe në shumë vende të tjera. Sivjet kemi futur Prespën tonë të bukur dhe duam ta njohin të gjithë.
Në ishullin e Veligradit, tek shpella që ka një akuistikë fantastike, ku do të dëgjohet violinçeli, harpa dhe vegla të tjera.
-Këto janë vende që ngrihen në nivelin e simboleve, patjetër është ideja juaj si njohëse e mirë e këtij vendi?
-Jo, janë ide të organizatorëve, Inva Mula, Julia Sinani, e plot vajza të tjera. Tani që është inaguruar edhe shtëpia muze e shkrimtarit Sterio Spase, në oborrin e tij do të përformojnë artiste dhe instrumentistë të shquar. Ne kemi ndihmuar me gjithçka kemi pasur mundësi, sepse janë vende që duhen pasqyruar, ku bota dhe vetë ne shqiptarët duhet ti njohim e të mos i harrojmë.
-I ndoqa këto aktivitete dhe u mrekullova bashkë me miket e mia. Ju lumtë juve, Korçës dhe drejtuesve të saj.
-Të them të drejtën, ndihem e kënaqur, edhe e lodhur njëkohësisht, ka ardhur momenti të pushoj dhe të pushoj gjatë madje. Po se si, as vetë nuk e di! Gjithashtu më duhet të largohem për ca ditë në Amerikë sepse jam me “Grin Kartë”, po nuk kam marrë kurrë leje të gjata një mujore, e si do t’ia bëj, as vetë se kuptoj.
Për ta larguar nga lodhja dhe biseda jonë e gjatë, të cilën u mundova ta përmbledh këtu, pyes për projektet e ardhëshme. Zamira, në dukje nuk e jep kurrë lodhjen, falë temparamentit, energjisë dhe fuqisë shpirtërore që mbart, përgjigjet shpejt dhe vrullshëm.
-Ajo që kam për të bërë së shpejti, është “KOKO FEST”, festivali i komedisë, që organizohet nga data 3 deri më 10 shtator, sivjet do të jenë tetë trupa pjesmarrëse, pra do të jenë tetë shfaqe. Shfaqja e teatrit të Korçës është “Tregëtari i Venedikut”,do të jetë dhe shfaqja përshëndetëse, është Shekspiri, me regji të Qëndrim Rianit. Duam që të gjithë miqtë që do të vijnë, ta shohin teatrin tonë. Do jetë, teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit, teatri i Prizrenit “Bekim Fehmiu”. Një Komedi shumë gazmore që është realizuar në bashkëpunim me teatrin e Korçës, ku luan Rozana Radi, Gerta Belliu, Lola Meta, tre aktore të cilat flasin për burrat. Më datën gjashtë shtator, vjen teatri Kombëtar nga Tirana. Në datën shtatë, teatri “Migjeni”i Shkodrës. Në datën tetë, teatri “Skampa” i Elbasanit. Në datën nëntë, teatri i Tetovës nga Maqedonia e Veriut, me një shfaqe shumë të bukur, “Borgjezi Fisnik”, me regji të Kushtim Bekteshit dhe më datën dhjetë, “Tregtari i Venedikut”.
Zamira, nuk do që ëndrrat e saj të mbulohen nga pluhuri i harresës. Falë kujtesës brilante, rijeton pjesët e bukura të jetës. Falë vullnetit është aktive në të gjitha detyrat që mbulon. I japin kënaqësi dhe lumturi, veç lodhjes që shpesh kërkon një çlodhje arratisëse, për të pasuruar më tej ekzistencën, vitalitetin që e karakterizon.
Dua të di më shumë rreth saj, po ajo nuk e fillon frazwn e bisedws me “unë”, flet për punën, të tjerët, aktorët e rinj dhe mbështetjen ndaj tyre.
-Në se më pyesni, se çar dua tani?- flet shpejt, pyet dhe përgjigjet vetë. –Të pushoj, të pushoj, dhe vetëm të pushoj me gjithsej në angazhimet e mia!
-Përveçse e pabesueshme, është trishtuese për artëdashësit tuaj. Teatri është shtëpia juaj e dytë.
-Sigurisht, gjatë këtyre pushimeve të gjata,- ndërhyn ajo- nuk do të thotë se nuk do të jem aktive me role në teatër. Kam shëmbullin më të mirë, artistet dhe miket e mia, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, apo Yllka Mujo, rolet e së cilave nuk mund ti realizoj askush. Janë artiste të mëdha dhe të palodhura, pa iu nënshtruar lodhjes dhe moshës. Kështu mendoj edhe për veten, e shoh përherë në skenë, nëse do gëzoj shëndet të mirë sigurisht.
Kjo bisedë, ishte thjesht zbërthim shpirtëror i kujtesës së zemrës së saj. Faleminderit Zamira!
Nadire BUZO
Komentet