Mujo Cakuli i njohur më së shumti si Mujo Ulqinaku (Ulqin, 1896 – Durrës, 7 prill 1939) ishte oficer i Ushtrisë Mbretërore Shqiptare, i njohur për rezistencën e tij më 7 prill 1939 ndaj forcave italiane gjatë pushtimit italian të Shqipërisë, ku ra dëshmor dhe pas vdekjes u nderua Hero i Popullit.
U lind më 1896 në Ulqin në një familje të vjetër qytetare ulqinake, të cilët ishin detarë dhe pronarë velanijesh. Që në moshë të vogël hyri muço (ndihmës detar) në Ulqin dhe më vonë punoi si detar në Shkodër e në Lezhë. Si nënoficer në një nënrepart të marinës në Durrës, ditën e agresionit fashist italian kundër Shqipërisë u vu menjëherë në krye të detarëve të braktisur nga oficerët tradhtarë dhe organizoi me ta e me vullnetarë të tjerë qëndresën e armatosur në portin e Durrësit. Mujo Ulqinaku luftoi me trimëri e guxim të rrallë, duke vrarë e plagosur dhjetëra fashistë. Ra në luftim të pabarabartë në mbrojtje të atdheut më 7 prill 1939 duke u bërë shembull i lartë patriotizmi e atdhedashurie.
Pas luftës, Mujo Ulqinakut i kushtohet busti i vendosur pranë kullës së kalasë së Durrësit. Emrin e tij e mbajnë një shkollë në Durrës, një rrugë në Tiranë e një në Fier, dhe që nga viti 2005 me vendimin e Kuvendit Komunal një rrugë në Ulqin mbart emrin e tij, në vend të emrit Ivan Millutinoviq, si dhe një rrugë në Prishtinë. Në vitin 1979 në Kinostudion Shqipëria e Re u filmua dokumentari Lufton Mujo Ulqinaku, i cili flet për mbrojtjen e tij të Durrësit. Emrin e tij e mbajtën edhe disa anije.
Komentet