Nazmi Rrahmani është shkrimtari që ka patur dhe vazhdon të ketë një numër të madh lexuesish, sidomos në Kosovë. Tek shkollarët e mesëm është pa dyshim më i njohur, por është i lexueshëm për të gjitha shtresat shoqërore dhe për të gjitha moshat. Rrahmani është ndër autorët e paktë të letërsisë së sotme shqiptare, që shkruan vetëm llojin e prozës së gjatë, romanin. Për nga formacioni stilistik është i shkollës realiste klasike, por i një realizmi të përafërt me atë të narracionit dokumentar.
Nazmi Rrahmani lindi më 7 maj 1941 në Bellofcë të Podujevës. U shkollua në Podujevë dhe në Prishtinë. Studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në Prishtinë. Pas studimeve punoi si gazetar në Radio-Prishtina e më pas te gazeta “Rilindja”, për të vazhduar në redaksinë “Jeta e Re” dhe më pas në redaksinë e botimeve “Rilindja”. Aktualisht jeton në Prishtinë. Ka botuar romanet:
Malësorja, 1965, Pas vdekjes (Kthimi i njeriut të vdekur), 1975, Tymi i votrës së fikur, 1969, Toka e përgjakur, I,I1,1973, Rruga e shtëpisë sime, 1978.
Lexuesit e shumtë të N. Rahmanit, fare lehtë mund ta identifikojnë mjedisin e fshatit të Llapit dhe Gollokut, që është thuajse i njëjtë me botën fshatare të kësaj hapësire etnike. Për më shumë, lexuesi i kësaj hapësire është në gjendje të identifikojë personazhet dhe fatet e tyre të ngjashme, familjet dhe bëmat e vërteta, kohën dhe parashenja të tjera të këtij mjedisi. Autori, me këtë rast, në romanet e veta i ndërlidh, i përplotëson historitë dhe bëmat, fatet e personazheve të shumtë përmes sajimeve krijuese imagjinative. Ngjarjet e rrëfyera nga njerëzit dhe për njerëzit e kësaj hapësire kosovare shtrihen brenda harkut kohor që kap gati gjysmën e parë të shekullit njëzet dhe janë pasqyrë dhe dokument i fshatit të atëhershëm, e pjesërisht dhe të atij të sotëm. Akoma më saktë: fati individual dhe fati kolektiv në këtë sagë narrative romanore ndërlidhet me atë të shqiptarëve mes dy luftërave botërore, e që arrin deri në ditët tona. Edhe atëhere kur në dukje fati i personazheve duket i izoluar, në fakt, është refleks i fatit kolektiv. Edhe pozita e rëndë e gruas (Hajrija, Malësorja), dhe skamja ekstreme, dhe vrazhdësia, brutaliteti deri në gjakmarrje, dhe shpërngulja, çrrënjosja nga trualli i të parëve, vihet në një sfond të përgiithshëm: mungesa e lirisë, jeta nën terrorin e pushtuesit.Lirisht mund të thuhet se letërsia që shkruan Nazmi Rrahmani është e angazhuar në kuptimin e mirë të fjalës, angazhim me sens të humanizmit dhe të marrëdhënieve mes njerëzve. Për pozicionimin e shkrimtarit ndaj realitetit, për vizionin e tij jetësor dhe filozofik, vlen të sjellim një mendim nga studimi monografik i Sabri Hamitit: “… realiteti është edhe jashtë nesh edhe në ne. Ai ekziston në vetëdijen e njeriut të vetëm në formën e njëmendësisë, në formën sa njeriu mund ta njohë”. Në veprën letrare, në roman, kjo shkallë e përngjasimit me realitetin, nuk mbetet në nivelin e njohjes, por merr një trajtë më individuale, subjektive dhe manifestohet si qëndrim i individit. Duke u menduar t’i shmanget këtij subjektivizmi, Nazmi Rrahmani i ndërthur ndodhitë dhe idetë qenësore në vepër rreth një boshti themelor, personazhit, të cilin e vendos në një mjedis të caktuar jetësor. Plkërisht nga ky kontekst tërësor i realitetit, autori nxjerr personazhe që përputhen plotësisht me perspektivën e zërit autorial të tekstit.
Angazhimi i shkrimtarit kështu shtrihet në të gjitha sferat e teknologjisë narrative, si në përzgjedhjen e ngjarjes tërësore, në renditjen dhe kronologjinë e tyre, në paraqitjen dhe përshkrimin e mjedisit, në emërtimet e personazheve dhe toponimet gjeografike, në ndërhyrjen e personaliteteve historike e kombëtare.
Rruga e Shtëpisë sime (analizë)
Romani i gjashtë i Nazmi Rrahmanit Rruga e shtëpisë sime, është rrëfim mbi fatin e kosovarëve të çrrënjosur me dhunë nga pushtuesi sllav, gjatë viteve tridhjetë të këtij shekulli; vendosja e tyre diku në Anadollin e Turqisë dhe rikthimi i pjesës së mbetur gjallë të kësaj familjeje në vatrën e vet stërgjyshore. Kryetari i kësaj familjeje të shpërngulur të Llapit, në vitet 1911-12, kishte qenë luftëtar kundër pushtuesit osman, dhe tani, i pafuqishëm ndaj terrorit të pushtuesit të ri, kërkon strehim dhe shpëtim tek armiku i dikurshëm. Do të jetë kjo një golgotë tragjike që këtë famille e sjell në kufi të shuarjes fizike: vdesin gati të gjithë anëtarët e saj njëri pas tjetrit në dhè të huaj, duke ëndërruar kthimin tek fshati i lindjes, me emrin “Përroi i Keq” (dhe fshati, njësoj si titulli i romanit, ka emërtim simbolik).
Fjala e fundit, amaneti i fundit i secilit përpara vdekjes është: “kthehuni”, amanet ky të cilin do ta shpjerë në vend Bajrami, i biri i Babës. Bajrami, që si fëmijë është dëshmitar i aktit të çrrënjosjes, e ngjall ëndrrën e kthimit tek djali i vet i lindur në Anadoll. Një ditë, kur mbetet fill vetëm me të birin, Shpëtimin, ai vendos të kthehet duke e sjellë në vend porosinë e të gjithëve, por dhe ëndrrën e vet më të madhe.
Romani “Rruga e shtëpisë sime”, për nga teknika e narracionit shënon kthesë dhe përvojë të re në rrugën krijuese letrare të Nazmi Rrahmanit. Rrëfimi romanor në këtë vepër kryesisht mbështetet në evokimin e kujtimeve. Narracionin e bart dhe e udhëheq kryepersonazhi, që sipas mendimit të kritikut Sabri Hamiti, arrin shkallën e heroit (arrin të realizojë ëndrrën e shumë personazheve dhe të tejkalojë shumë pengesa drejt këtij udhëtimi dramatik dhe tragjik) Bajrami i ka të gjalla kujtimet e shpërnguljes dhe pjesën e kaluar në fshatin llapian Përroi i Keq. E mban mend dhe rrëfen për terrorin serb, si dhe për futjen e krimbit të dyshimit midis banorëve të Përroit të Keq, të cilët i bashkon, përkatësisht i ndan ura. Është Përroni simbolik që fut dyshim e mosbesim mes banorëve, që e ndan hapësirën etnike, me çfarë krijon konotacione metaforike për mosbesim dhe ndarje globale etnike, shpesh me pasoja tragjike.
Kryepersonazhi rrëfen pjesën e rrugëtimit dhe jetën në vend të huaj, goditjet tragjike të njëpasnjëshme dhe aktin e kthimit, që është pikëvrojtimi i narracionit. Autori e ka zgjidhur pikërisht Bajramin për perspektivë narrazioni, meqë ai bart me vete dhe botën, dramën e Babait, por synon që atë ta përcjellë tek trashëgimtari, pasardhësi, duke mbuluar kështu dy krahë kohorë.
Derisa te tipi i romanit “Malësorja” autori rrëfen duke ecur, duke e ndjekur rrjedhën e bëmave, të njerëzve, kryepersonazhi që me këtë rast është dhe narrator i romanit “Rruga e shtëpisë sime”, rrëfen pasojat e bëmave të dikurshme. Te tipi i parë narrativi karakteret lindin dhe formohen gjatë ecurisë së tekstit, ndërsa tek tipi i dytë ara janë të gatshëm, me tipare të caktuara të karakterit, vetëdijes, filozofisë jetësore. Tek tipi i parë i romaneve të këtij autori, kryesisht rrëfehet në vetën e tretë, me dialogë të paktë, gati në nivel sentencial, kurse te romani “Rruga e shtëpisë sime” rrëfen kryepersonazhi në vetën e parë. Dialogu në këtë roman është i llojit evokativ (Më kujtohet, mbaj mend, etj … ) dhe zhvillohet mes Babës, Birit dhe nipit, por shpesh edhe mes uni-t të dyzuar të kryepersonazhit, realizuar si monolog i dialogëzuar. Pra, dallimi mes njërit tip të romaneve të këtij shkrimtari dhe tipit tjetër është në rrafsh të proçedimit krijues, kurse si bindje dhe vetëdije e krijuesit, për rolin e artit letrar në jetë, për ndikimin e tij në botën e njeriut, në filozofinë e të qenit dhe të ekzistencës, teksti është i formësuar dhe mbetet unik për tërë veprën letrare të Nazmi Rrahmanit.