Aleks BUDA ( 7 shtator 1910 – 7 korrik 1993), personalitet i historiografisë dhe i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, kryetar i parë i ASHSH ( 1972-1993), Mësues i Popullit.
Lindi në Elbasan në një familje të njohur intelektuale. Shkollën fillore e kreu në Leçe (Lecce, Itali), të mesmen në Zalcburg (Salzburg, Austri), studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë (dega filozofi-letërsi) të Universitetit të Vjenës (1929-1935). Më pas (1939-1943) punoi si mësues në Liceun e Tiranës e në atë të Korçës. Mori pjesë në Lëvizjen ANÇ ; më 1944 u zgjodh nënkryetar i Këshillit ANÇ të qarkut të Elbasanit. Në vitet 1945-1946 qe drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Ishte një ndër organizatorët e Institutit të Shkencave , ku drejtoi Sektorin e historisë e të sociologjisë dhe dha ndihmesë në ngritjen e sektorëve të arkeologjisë e të historisë së lashtë, të historisë së mesjetës, të historisë së kohës së re, të artit mesjetar, etnografisë etj. Me formimin më 1955 të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë qe një ndër organizatorët e tij dhe punonjësit shkencorë më me përvojë, themeloi sektorin e historisë së mesjetës dhe me këtë hodhi bazat e medievistikës shqiptare. Me ngritjen e UT ai u bë një ndër themeluesit e katedrës së historisë së Shqipërisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë.
Punoi veçanërisht për përgatitjen e historianëve të rinj e sidomos të studiuesve të historisë mesjetare të Shqipërisë. Si kryetar i ASHSH që në themelimin e saj (1972) dhe si studiues me formim e kulturë të gjithanshme, historike, gjuhësore, arkeologjike, etnografike, të artit mesjetar etj., dha një kontribut të çmuar në organizimin e punës kërkimore-shkencore sidomos në fushën e albanologjisë, duke orientuar kërkimet shkencore në studimin e historisë së kombit shqiptar, në mënyrë të veçantë të historisë së lashtë, asaj mesjetare dhe të Rilindjes Kombëtare. A.Buda i dha shkencës shqiptare punime përgjithësuese themelore, siç janë studimet për formimin e etnosit ilir, për urbanizimin në Iliri dhe për formimin e uniteteve etnike-kulturore. Në fushën e mesjetës trajtoi tema kushtuar vazhdimësisë iliro-shqiptare, gjenezës së popullit shqiptar, formimit të gjuhës e të kulturës së tij, autoktonisë së Shqiptarëve në trojet e tyre amtare, kulturës materiale e shpirtërore të Shqiptarëve, vendit e rolit të popullit shqiptar në qytetërimin ballkanik dhe europian, Skënderbeut dhe epokës së tij etj. Ndihmesë të veçantë ka dhënë edhe në trajtimin e problemeve të historisë së Rilindjes.
Ideoi dhe konceptoi veprën kolektive Historia e Shqipërisë (vëll. III, 1959, 1965), vepër krejt e re si nga përmbajtja e gjerësia e trajtimit, ashtu edhe nga kriteret shkencore të ndërtimit e të vështrimit të procesit historik; është gjithashtu bashkautor dhe bashkë-redaktor i botimit të ri të Historisë së Shqipërisë (vëll. II, 1984), bashkautor i Historisë së popullit shqiptar, vëll, II, 2002. Ka dhënë ndihmesë të çmuar në udhëheqjen shkencore (kryeredaktor) të Fjalorit enciklopedik shqiptar (1985). Ai i la kulturës kombëtare një trashëgimi të pasur, studime me problematikë të gjerë arkeologjike, historike, gjuhësore etj., të përmbledhura në katër vëllime me titull Shkrime historike (III, 1986; III, 2002; IV, 2000). Pjesë të zgjedhura prej tyre janë botuar nga ASHAK në vëllimin Studime historike (Prishtinë, 2006). Buda ka përfaqësuar shkencën historike shqiptare në konferenca e kongrese ndërkombëtare, si në ato të Shoqatës së Studimeve të Europës JL (AIESEE), të Shoqatës Botërore të Historianëve etj., në të cilat trajtoi probleme të historisë së popullit shqiptar, duke nxjerrë në pah veçoritë historike të zhvillimit të Shqipërisë në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit dhe marrëdhëniet e ndërsjella të Shqiptarëve me popujt e tjerë. Ishte zgjedhur në disa forume shkencore ndërkombëtare, si nënpresident i Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve të Europës JL, anëtar i Komitetit Drejtues të Shoqatës Botërore të Historianëve, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë etj. Ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë, është dekoruar me Urdhrin e Lirisë të kl. I dhe me Urdhrin e Flamurit të Punës të kl. I. Presidenti i Republikës së Austrisë e ka dekoruar me Medaljen e Madhe të Artë (1990). Buda ka qënë deputet në Kuvendin Popullor në disa legjislatura (që nga v. 1950), dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik të Shqipërisë. Vdiq në Tiranë, më 7 korrik 1993.
(Bibl. FESh I , 2009)