VOAL – Poeti Mustafa SPAHIU, u lind me 5 prill 1948 në fshatin Muçivërcë të Anamoravës së Gjilanit, Republika e Kosovës. Rrjedh prej një familje zejtare-bujqësore të kamur e fisnike. Katër klasë të shkollës fillore i kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në fshatin e afërt Rogoçicë, të mesmen në Prishtinë. E kreu Akademinë pedagogjike – gjuhë dhe letërsi shqipe në Shkup. I ndoqi studimet në Fakultetin filologjik, katedrën e gjuhës e letërsisë shqipe. Vjershën e parë e botoi me 21 mars 1965 në “Flaka për fëmijët tanë” – Shkup.
Tërë profesionin e gazetarit, publicistit e kaloi në Radio Shkupi – programet në gjuhën shqipe. Për 25 vjetë me rradhë e drejtoi me sukses të shkëlqyer emisionion më të dëgjuar për fëmijë “Lule më lule”. Mbi 14 vjet e drejtoi emisionin letrar të koduar “Tingulli i artë i fjalës”.
Ka marrë shumë shpërblime letrare e mirënjohje nga shumë institucione dhe asociacione të fëmijëve, në shkallë republike dhe jashtë Maqedonisë. Më vitin 2008, programi i Radio Shkupit në gjuhën shqipe ia akordoi mirënjohjen më të lartë për vepër jetësore. Në takimet letrare të organizuara nga Shoqata e artistëve “Pushkin” në Tetovë u nderua me çmim të parë.
Ka të përkthyera mbi 30 vepra nga gjuhët sllave: kroatishte, boshnjakishte, maqedonishte, serbishte, malazeze dhe nga shqipja në këto gjuhë.
Ishte anëtar i dy shoqatave letrare: Shoqata e shkrimtarëve shqiptarë në Maqedoni dhe Shoqata e shkrimtarëve të Maqedonisë. Ishte anëtar i Klubit të shkrimtarëve “Konstandin Kristoforidhi” të Elbasanit, R. e Shqipërisë. Ishte qytetar nderi i qytetit të Durrësit dhe Mik i madh i fëmijëve, akorduar nga prefektura e qytetit të Durrësit.
Pas 41 vjet shtazh pune ishte pensionist, krijonte, punonte, lexonte, përkthente, botonte dhe jetonte në qytetin e Shkupit. Vendlindjen e kishte burim të pashtershëm frymëzimi.
Mustafa V. Spahiu u nda nga jeta më 14 korrik 2021.
Biografi lirike e librave të autorit:
- Buzëqeshjet e okarinave – (1981)
- Ylbere lirie… – (1982)
- Mollëkuqet e blerimit – (1984)
- Fëmijët kalojnë nën ylbere – (1988)
- Nobelistët për fëmijë – (1989)
- Livadhi im – “Moja livada” – (1989)
- Buzëburimi – “Pokraj izvorot” – (1992)
- Sytë që shkrepin fëmijëri – (1994)
- Fëmijët lozin në brerore – (1994)
- …Më ka marrë malli… – (1995)
- Rregullat e mirësjelljes (Bonton) – (1995)
- Ora që kurdiset nga ëndrrat e fëmijëve – (1996)
- Vallja e okarinave – (1999)
- Kolovajza e ëndrrës sime – (2000)
- Këngët e trishtilit – (2000)
- Sikur t’isha djalë i diellit – (2004)
- Fëmija është bilbil i shtëpisë – (2005)
- Me buzëqeshje ju dal përballë – (2005)
- Fëmijët fshihen në gjelbërim – (2007)
- Era s’ka shtëpi (haiku) – (2007)
- Fermanet e pranverës – (2009)
- Një imazh fshati më mungon – (2011)
- Çka ëndërron dallandyshja – (2011)
- Flamingo (haiku) – (2011)
- Unazë në amforë (haiku me rimë) – (2013)
- Shtëpia me melodi violinash – (2013)
- Vashëza ullinjore fsheh ishullin – (2013)
- Rreze mbi lirikën e zogut – (2015)
- Në ballë të ditës bukuritë – (2015)
- Ni bambus, ni ključ / As bambu, as katinar (haiku kroatisht – shqip) – (Zarë, 2016)
- Dromca ëndrre (haiku) – (2016)
- Lirikat e qershorit – (2017)
- S’lejoj askush t’ma ndërrojë fëmijërinë – (2017)
- Jam nga fëmijëria ime – (2018)
- Vjeshtë e parvjetshme thashethëmesh – (2018)
- Ani bambus, ani klucz / Ni bambus, ni ključ / As bambu, as katinar – (tregjuhëshe: polonisht, kroatisht, shqip) – Krosno, Poloni (2018)
- Fluturoj pa kraj, vrapoj pa këmbë, puth pa buzë – hajkun – (2019)
- Piknik në liqenin e bardhë – (2020)
Komentet