Më 31 tetor 2023 u nda nga jeta shkrimtari dhe gazetari sportiv Bedri Alimehmeti.
Bedri Alimehmeti lindi në Tiranë më 11 tetor 1945 në një famile autoktone tiranase me tradita patriotike dhe atdhetare e cila do të përjetonte persekutimet e regjimit komunist, duke nisur nga burgosjet dhe shtetëzimet e pasurive të krijuara me mund e djersë.
Që në moshë të re Bedri Alimehmeti ishte i pasionuar pas letërsisë dhe sportit, duke u frymëzuar nga emrat e shquar që identifikoheshin me Tiranën në letërsi, sport e kulturë.
Ai iu përkushtua gazetarisë dhe ishte një nga figurat më të spikatura si opinionist dhe gazetar sportiv, po ashtu edhe si skenarist dhe realizues spektaklesh.
Firmën e Bedri Alimehmetit mbajnë qindra shkrime, dossierë, tregime, novele e poezi botuar nëpër organe të shtypit periodik.
Ndërkohë Bedri Alimehmeti ka botuar edhe një numër të konsiderueshëm veprash letrare si vëllimet poetike: “Kjo këngë për ju”, “Mëhalla e vjetër”, “Shpirt Tiransi”, “Prapë zuri shiu në Tiranë”, vëllimet me tregime: “Natë madrilene”, “Tregimet e Tironës”, “Një mbrëmje tek bar “Capriccio”, novelën “Venusi Pereandorak” dhe romanet “brodueji i Tiranës”, “Duhet të mos harrosh”.
Penës së tij i përkasin edhe vepra të ndryshme studimore si “Mbiemrat e familjeve të Tiranës”, “Tirana e përgjakur” dhe monografitë “Skënder Halili vezullimi i një ylli”, “Gjigandi Arben Minga”, “Shyqyri Rreli një jetë për futbollin shqiptar” etj.
Bedri Alimehmeti, është nderuar me “Mjeshtër i Madh”(2016), “Fisnikëri Tiranase”(2009) “Mirënjohje” (2008) nga komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar e të tjera.
Një nga librat e suksesshëm e Bedri Alimehmeti është “Broduej i Tiranës” i cili u ribotua disa ditë përpara se shkrimtari të ndahej nga jeta.