Legjenda e boksit, kampioni botëror në peshat e rënda, Muhamet Aliu (Muhammad Ali) vdiq në Phoenix të Arizonës, më 3 Qershor, “pas 32 vjet beteje me sëmundjen e Parkinsonit”, njoftoi familja e tij.
Ali, 74 vjeç, një nga figurat më të njohura të shekullit 20, u shtri në spital këtë javë për shkak të problemeve me frymëmarrjen, dhe mediat njoftuan se gjendja e tij u përkeqësua shumë shpejt.
Muhammad Ali lëngoi nga sëmundja e Parkinsonit për më shumë se tri dekada. Përkundër sëmundjes, ai ishte shumë i angazhuar deri vonë, megjithëse për shumë vjet nuk u deklarua për publikun.
Mjekët thanë se Parkinsoni ka shumë gjasa të jetë shkaktuar nga mijëra goditje me grusht që i mori Muhammad Ali gjatë karrierës së tij të gjatë, në turnetë gjithandej botës.
Ali ndërroi jetë në Feniks të shtetit Arizona, ku prej tri ditësh mjekohej nga komplikime të frymëmarrjes.
Fillimisht ai quhej Cassius Clay dhe kishte lindur në një familje të klasës së mesme. E nisi boksin kur ishte 12 vjeç dhe, në vitin 1960, mori pjesë në Lojrat Olimpike të Romës, ku fitoi një medalje ari për peshën e lehtë.
Muhamet Ali u bë një boksier olimpik dhe profesional aq i admiruar, saqë revista “Sports Illustrated” e shpalli Sportist të Shekullit të 20.
Ai ishte njëri ndër sportistët më të dashur por edhe ndër më të debatuarit e Amerikës.
Pasi fitoi titullin e kampionit për peshat e rënda, Ali u konvertua në fenë myslimane dhe nuk pranoi të shkonte ushtar në Vietnam. Ai u bë një simbol i forcës, elokuencës dhe guximit, që i tejkalonte kufijtë e racës dhe të besimit.
Shërbimi funeral për legjendën e boksit Muhamet Ali është planifikuar të mbahet në qytetin e tij të lindjes Louisville të shtetit Kentaki.
Komentet