Më 27 tetor, të vitit 2oo2, një dorë njeriu të ligë, dalë nga kontrolli dhe padyshim nën ndikimin e vlimeve ekstreme politike të pas luftës në Kosovë, shoi paturpësisht jetën e kryetarit të Komunës së Suharekës dhe njëherësh kryetarit të Degës së LDK-së në këtë komunë. Një dorë e një njeriu të ndikuar e të ngarkuar politikisht, shoi paturpësisht jetën e njeriut personalitet të njohur, më të autoritetshëm dhe të dashur jo vetëm në Suharekë e rrethinë. Vrasja makabre e kryetarit të Suharekës, z. Ukë Bytyçit, dhe e dy shoqëruesve të tij, Bajram dhe Bafti Bytyçi, ndodhi një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të dyta komunale. Vrasja ndodhi ditën e shpalljes së rezultateve paraprake të zgjedhjeve të lira komunale në Kosovë, dhe kur dihej për fitoren bindëse dhe të padiskutueshme të LDK-së dhe Ukë Bytyçit për kryetar të komunës së Suharekës. Ky akt makabër ndodhi në fshatin Leshan, në rrugën Suharekë-Prizren.
Vrasja makabre ndodhi derisa aktivistë, anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së në këtë komunë po festonin në mënyrë dinjitoze fitoren bindëse dhe të padiskutueshme në komunën e Suharekës. Akti si i tillë, qe vlerësuar si akti më i shëmtuar, që pati pllakosi për të satën herë në vaje e dhimbje zemrat e familjeve, farefisit, të afërmve, miqve, shokëve, bashkëluftëtarëve dhe të gjithë shqiptarëve kudo. Ishte akt mizor që e pati mbuluar në zi gjithë Kosovën. Vrasja ndodhi në vend se të manifestohej fitorja bashkërisht, të manifestohej gëzimi dhe hareja për suksesin e mbi 6O për qind të zgjedhësve për LDK-në, sepse me fitoren e Ukës, kishte fituar Komuna e Suharekës dhe e gjithë Kosova, pasi ishte një shprehje e besimit të qytetarëve përmes votës së lirë dhe demokratike.
Vrasja e votës së lirë dhe aspiratave të popullit shqiptar në Kosovë
Vrasja e burrit të madh të Kosovës, siç ishte Ukë Bytyçi, një ditë pas zgjedhjeve lokale, ishte vlerësuar si vrasje e votës së lirë dhe aspiratave të popullit shqiptar në Kosovë. Ky akt ishte vlerësuar si atentat mbi demokracinë dhe procesin e Pavarësisë së Kosovës. “Ky akt, është goditje e rëndë mbi lirinë dhe varret e mijëra dëshmorëve tanë të cilët dhanë jetën e tyre për çlirimin e Kosovës, por për ta shijuar lirinë e saj në mënyrën e denjë, ashtu siç i ka hije një populli liridashës”.
Ukë Bytyçi, dha tërë atë që kishte për të mirën e popullit të vet. Ai me tërë qenien e tij, qoftë para luftës, në kohën e luftës për Liri dhe pas saj, punoi me përkushtim, me dije dhe me guxim për çlirimin, përparimin dhe pavarësinë e Kosovës, për mirëqenien dhe të ardhmen e qytetarëve.
Më 27 teto, 2OO2, qe vrarë një trim, një ish–ushtar i UÇK-së, një hero i lirisë së Kosovës. Akti i ulët, shndërroi festën dhe atmosferën e zgjedhjeve të qeta e të lira lokale, në atmosferë pikëllimi, në funebre kombëtare.
Pos që ishte kryetar i Degës së LDK-së dhe kryetar i Kuvendit Komunal të Suharekës, ishte njeri personalitet, i respektuar edhe nga oponentët politikë, ngase kishte shumë autoritet në popull. Ai, njihej jo vetëm në Komunën e Suharekës si njeri i dëshmuar për guxim, vendosmëri dhe gatishmëri për sakrificë.
Uka, i lindur dhe i rritur në Semetisht, i edukuar, arsimuar dhe i përgatitur mirë në Suharekë dhe Prishtinë, dëshmoi afërsi dhe sjellje të dinjitetshme mes qytetarëve në mjedisin ku jetoi dhe punoi. Pavarësisht nga rrethanat e rënduara politike të viteve 8O-ta e të nëntëdhjeta, Ukë Bytyçi si dhe u bë simbol i një gatishmërie për sakrificë, duke kundërshtuar trysnitë dhe vendimet arbitrare e të dhunshme të ish-regjimeve serbo-jugosllave. Ukë Bytyçi, ishte njëri nga dhjetë ish-delegatët e guximshëm të Kvendit të Kosovës, që kundërshtuan hapur dhe me votë Serbinë, kundër ndryshimeve Kushtetuese më 1989 në Kosovë. Që nga themelimi i LDK-së, Uka, u zgjodh kryetar i Degës së LDK-së në Suharekë dhe anëtar i KP të LDK-së. Ai më pas u zgjodh deputet në dy palë zgjedhje për Kuvendin e Republikës së Kosovës, më 1992 dhe më 1998.
Në vitin 1993, kohë e trysnive të shumta të regjimit serb të Milosheviqit në Kosovë, Ukë Bytyçi, ishte arrestuar dhe dënuar me 5 vjet burg, si pjesëtar i Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Megjithatë, Uka sfidoi torturat e burgut dhe regjimit më sadist që njeh Ballkani. Ai fill pas daljes nga burgu, vazhdoi punën dhe veprimtarinë politike dhe atdhetare. Qëkur nisën krismat e pushkëve të lirisë, Ukë Bytyçi, pa hezituar, mori pushkën dhe doli në krye të detyrës, sepse sërish e kishte autoritetin dhe besimin e popullit. Që në maj 1998, Uka, i pati thënë hapur ish-presidentit dhe njëherësh kryetarit të LDK-së Dr. Ibrahim Rugova, se “jam bërë pjesë e organizimit të armatosur në komunën e Suharekës, dhe se mund të shihemi vetëm nëse do ta përjetoj lirinë”. “Urime, shëndet dhe suksese në organizimin e ri. Ndihmojeni këtë organizim dhe mos lejoni konfrontime, Kosova është e të gjithëve që mund të kontribuojnë”, qe shprehur presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Uka si ushtar i lirisë ishte njëri ndër komandantët më të shquar të UÇK-së në Kosovë.
Ukë Bytyçi, kusha im, me të cilin njihesha goxha gjatë, edhe udhëtonim bashkë, takoheshim edhe në luftë, në Semetisht, Karvansari, Nishor dhe lokalitete e zona të tjera të luftës në ZOP. I afërt, komunikues dhe i respektuar ishte Uka. Kishim takime pothuaj të përditshme me Ukën, e aty ishin edhe komandant Ekrem Rexha-Drini, Gëzim Hazrolli, sot kuadër i lartë i FSK-së, me gradë gjenerali, por edhe të tjerë eprorë të UÇK-së. Me Ukën realizoja më shpesh intervista për zhvillimet luftarake në kuadër të Brigadës 123 të Zonës Operative të Pashtrikut-ZOP, pasi ishte përgjegjës për informim-komunikim dhe moral.
Dhe e deshi fati dhe Uka me pushkë në dorë e përjetoi lirinë e Kosovës dhe dëbimin e forcave okupuese serbe, forcave policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe. Pas përfundimit të luftës, Uka, iu kthye jetës civile dhe realizimit të aspiratave me mjete politike dhe sërish u dëshmua njeri personalitet dhe me autoritet të pakontestueshëm në popull.Si kryetar i Degës së LDK-së në zgjedhjet e para të lira për pushtetin komunal në Kosovë në vitin 2000, fitoi bindshëm përballë kandidatëve të partive tjera politikë dhe u zgjodh kryetar i parë i komunës në Suharkë, në Kosovën e lirë. E udhëhoqi Suharekën shumë mirë, me dinjitet dhe me shumë përkushtim. Shi për këtë, Uka mbeti kandidat i pakontestuar i LDK-së edhe për zgjedhjet e dyta të lira komunale të tetorit të vitit 2002 dhe prapë fitoi bindshëm.
Shpirtligët nuk e deshën të zgjedhurin e popullit dhe as vlerat e luftës për Liri!
E vranë Ukën, sepse, dikujt i pengonin sukseset e këtij njeriu personalitet, këtij udhëheqësi karizmatik, të respektuar dhe me autoritet të pakontestueshëm në popull. Uka ishte dëshmuar për angazhim, për kontribut, për vizion, për guxim, angazhim institucional dhe vendosmëri për të avancuar proceset politike-institucionale të së ardhmes së qytetarëve në Kosovën e Lirë. E këtë, nuk e deshën disa, edhe nga politika, u pengonte jo vetëm Uka, por u pengonte LDK-ja, si parti e parë shqiptare që i pati dalë përballë Serbisë okupatore, e që mbeti ende forca kryesore politike shqiptare, më e votuara edhe në zgjedhjet e lira të pas luftës në Kosovë.
Duke shprehur pikëllimin e tij për aktin e vrasjes së Ukë Bytyçit, ish-Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili pati marrë pjesë në varimin shumë masiv në Semetisht të Suharekës, qe shprehur se “ai ishte një akt kriminal i krimit të organizuar të bërë me motive politike, një ditë pas përfundimit të suksesshëm të zgjedhjeve të dyta lokale të Kosovës së lirë”.
Kjo vrasje mizore është e drejtuar kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, për të cilën Bytyçi punoi vite me radhë, të cilës ia kushtoi gjithë jetën, qe shprehur Rugova, ndërsa pati bërë thirrje për masa të shtuara të sigurisë në Kosovë.
Akti makabër, ky krim i rëndë i 27 tetorit 2OO2, padyshim i hodhi hije të zezë gjithë asaj që u arrit gjatë atyre zgjedhjeve, duke i shndërruar të gjitha votat e votuesve, në lotë morti prej më të pikëlluarave. Rasti pati ndodhur pikërisht kur Kosova dhe udhëheqja e saj, po bëntë hapa kyçe drejtë stabilizimit dhe realizimit të aspiratave të saja për Pavarësi.
Fatkeqësisht, me vrasjen e tij shumëçka mori tatëpjetën. Ndonëse vrasësi u kap dhe u dënua nga Gjyqësia, deri më sot nuk janë zbuluar urdhërdhënësit e ekzekutimit të Ukë Bytyçit. Qe 13 vite, na mungon Uka, Ukë Bytyçi, u mungon familjarëve, farefisit, shokëve, miqve, Komunës-qytetarëve.
Lavdi jetës dhe veprës së Ukë Bytyçit dhe gjithë veprimtarëve dhe ish-luftëtarëve të tjerë të UÇK-s
Komentet