Zë, këmbë, flokë dhe karakter të pamposhtur. Askush nuk ka arritur ta “ndalë” mbretëreshën. E ajo ka përshkuar kushedi sa stinë pa dalë kurrë nga skena. Tina Turner është prush. Është kështu në përfytyrimin kolektiv, ka qenë gjithmonë kështu. E vështirë është ta fshehësh një zjarr dhe shtatëdhjetë e shtatë vitet që i mbush sot janë prova se nuk është zbutur kurrë, nuk është shuar kurrë, nuk është kthyer kurrë në hi. Ka djegur me zërin e saj shkëmbor, me këmbët e saj të hatashme, me flokët e saj, edhe ato të pazbutshme. Flakët që kanë qenë të ndritshme e të zeza si qymyri, bjonde, të kuqe, pa kontroll, të shtyra nga stuhia e rokut drejt lartësive. Në jetën e saj kanë provuar ta ndalin, dikush e ka bërë me grushta si i shoqi Ike, kanë mbetur të gjithë me duar të djegura. Kush e ka dëgjuar apo e ka parë në skenë e ka ndier ngrohtësinë e saj, kush e ka dashur është djegur prej të njëjtit pasion.
Flaka rok e një gruaje që është përkufizuar si mbretëresha e papërballueshme e rokut ende përvëlon, shtatëdhjetë vjet pas lindjes së saj, ndodhur më 26 nëntor 1939 në Nutbush, Tennessee, me emrin Anna Mae Bullock, fëmija e dytë e dy fshatarëve, me origjina afroamerikane, europiane dhe ndoshta edhe indiane. Flakë të kryeqëzuara ardhur në dritë në një botë ku roku nuk ishte ngjizur ende, ashtu si lulet e hipive, minfifundet, balluket e Beatles, ku hëna ende nuk kishte gjurmën e një këmbe, nuk ishin ende pantollonat e shkurtëra dhe fustanat me xhixha të diskove, anijet kozmike të Kubrick apo zombie-t e Michael Jackson.
Deri sot, në epokën kur gjithçka është bërë e tejkqyrshme, Tina Turner ka kaluar mes për mes historisë e pacënuar, duke djegur kohën, duke e transformuar dhe duke mbetur gjithmonë, për të gjithë, ‘The Acid Queen’ të cilën Who e identifikojnë me të në ‘Tommy’.

Në skenë flaka ka pasur gjithmonë kuptim, si çdo element i fuqishëm që është e mundut vetëm ta shikosh nga larg me admirim. E në skenë ajo ka qenë gjithmonë e garantuar për pesëdhjetë vjet rresht, duke kënduar këngë të nxjerra nga albumet që kanë shitur mbi njëqind e tetëdhjetë milionë kopje, duke koleksionuar tetë çmime
Grammy, katër paraqitje një pas një në ballinat e Rolling Stone, pesë filma, midis të cilave edhe një paraqitje në Lonely Hearts Club Band të St. Peppers në vitin 1978.
Mbretëresha e rokut me shpirt soul, nga roku përfaqëson ngulmimin, ashpërsinë dhe pavdekshmërinë. Ishe ajo që këmbënguli për të kënduar kur në St Louis njohur një djalosh muzikan, Ike Turner, i cili fillimisht mosbesues e mbante në hije. Por flaka ishte e lëndshme, ndonëse vajza shpejt nga Little Ann, siç quhej atëherë, falë këngës A Fool in Love, do të bëhej Tina Turner e grupi nga Ike Turner and his Kings of Rhythm band, do të transformohej në The Ike & Tina Turner Revue.
Ata do të martoheshin në vitin 1958 in Meksiko e Tina e shihte veten duke rritur katë fëmijë, dy të Ike, një të sajin lindur nga një marrëdhënie e mëparshme e një lindur nga martesa me Ike. Gjendet sërish në skenë duke kërcyer, duke thirrur e duke kënduar. Duke kristalizuar përmes kohërave të turbullta një stil personal, me koristet, the Ikettes, do të shpërthente dhe do të ndikonte në atë botë që do ta ndërronte historinë. Si Mick Jagger që ua detyron shumë nga sukseset atyre dhe mbretëreshës e cila edhe pas vitesh e ndhmoi të rilindë. Pastaj, kur të ftohtit e kishte kapluar do të ishte pikërisht ai që me duetin e pabesueshëm në Live Aid më 1985 do t’ia rikthente dalldinë.

Me Ike preku qiellin më 1968 kur regjistruan suksesin e tyre më të rëndësishëm, Proud Mary. Pastaj filloi lufta e ftohtë, flaka u zbeh nën drogën dhe dhunën e Ike, e rrënimi muzikor ia behu, një realitet që duhej përballuar dhetë cilin Tina vendosi ta sfidojë e vetme. Në vitin 1976 mori arratinë nga i shoqi e nga e kaluara e saj. E lirë, me 36 centë në porotofol dhe me buonat për benzinën u strehua te miqtë, praktikoi budizmin e Nichiren Daishonin, rigjeti forcën për t’u vetërigjeneruar. Divorci u zyrtarizua në vitin 1978, pas 16 vjet martesae. Në vdekjen e Ike, ndodhur më 2007, u lëshua komunikata: “Ike e Tina nuk kanë pasur asnjë lidhje për më shumë se tridhjetë vjet. Nuk ka komente të tjera për t’u bërë.”
Dallditë u bënë edhe më të fuqishme mël 1984, kur do të ishte rikthimi më i hatashëm i historisë së rokut që mbahet mend.
Kënga What’s Love Got to Do with It ngjiti klasifikimet në pak javë kundër çdo parashikimi sado dashamirës. Tina ishte 44 vjeçe. Albumi në vijim, Private Dancer, do të shiste në gjithë botën pothuajshe njëzet milionë kopje. Vitin tjetër vjen turneu i We Don’t Need Another Hero, kolonë zanore e filmit kur luante, Mad Max Beyond Thunderdome. Pastaj, pa u ndalur, vjen It’s Only Love, kënduar në duet me Bryan Adams. Në vitet pasuese dalldia do të vërshonte me flakë shkrumbuese. Një autobigrafi, “Io, Tina”, shndërruar në film me Angela Bassett e Laurence Fishburne, albume të tjerë, deri sa del në dritë më 1991 përzgjedhja Simply the Best e, në vitin 1995, regjistrimet për filmat e James Bond, të Goldeneye, shkruar nga Bono.
Në jetën e saj Tina Turner ka kënduar me Bryan Adams, Rod Stewart, Elton John, Mick Jagger, David Bowie, Eric Clapton e Mark Knopfler. Në vitin 1997 edhe me Eros Ramazzotti-n në pjesën Cose della vita, në vitin 2006 me Elisa-n në Teach Me Again. Në Itali mbretëresha është ndjerë gjithmonë si në shtëpinë e vet, deri edhe në Sanremo ka qenë tri herë për ta ndezur platenë. Vitin e kaluar ishte në skenë me Beyoncé, për të ndërrmarrë pastaj turin e pesëdhjetë viteve të saj të karrierës rreth e rrotull botës. E buzëqeshur, e lirë, triumfuese. Kështu mbretëresha tani jeton sa në Angli, sa në Francë, sa në Zvicër. Sot, në ditëlindjen e saj, kremton muzika, historia, roku, rilinfdja. Dhe dalldia./Elida BUÇPAPAJ

Komentet