23 mars 2011 – Liz Taylor, Legjenda e fundit e Hollywoodit iku për të mos u kthyer më, por për të mbetur gjithnjë në memorien e njerëzve dhe njerëzimit.
Aktore që në fëmijërinë e hershme, flokëzezë, symanushqatë Elizabeth Taylor ka fituar dy Oskarë si Aktorja më e Mirë (për Butterfield 8 më 1960 dhe Who’s Afraid of Virginia Woolf? më 1966).
Por ajo veç lavdisë në Hollywood ishte e njohur për bukurinë e saj të rrallë – dhe jetën e saj epike dashurore. Ajo është martuar gjithësejt tetë herë – dy herë me të njëjtin burrë, aktorin Richard Burton, të cilin ajo e quajti “një nga dy dashuritë e mëdha të jetës sime”.
Dashuria e parë e madhe ishte producenti i filmave Mike Todd, i cili vdiq në një rrëzim avioni më 1958. Taylor dhe Burton u njohën kur po xhirohej filmi Cleopatra, kur të dy ishin të martuar me tjetërkënd; afera e tyre shpejt ishte në kryetitujt e faqeve të para në mbarë botën dhe ajo fitoi një adhurim të publikut deri në përmasat e idhullit.
Jeta martesore me Burton ishte një luftë e dashuri bashkë, karakterizuar nga pasioni edhe kur grindeshin, edhe kur nuk grindeshin. Pas divorcit më 1973, e kuptuan se ishte e pamundur të qëndronin të ndarë dhe u rimartuan më 1975, për t’u ndarë sërish pak muaj më vonë. E ndaluar të merrte pjesë në funeralin e Burton më 1984 nga gruaja e tij e fundit, Taylor mori ngushëllime të panumërta, duke i vënë dashurinë e saj dhe të Burton në panteonin e historive më të famshme të dashurisë në botë, në të gjitha kohërat.
LIZ TAYLOR SHTRUAR NË SPITAL? ZËDHËNËSJA MOHON
NEW YORK, 11 SHKURT – Zëdhënësja e liz Taylor, Sally Morrison, e marrë në pyetje nga ABC, ka përgënjeshtruar se aktorja, 78 vjeçare, është shtruar me urgjencë në një spital të Los Anxhelosit në vijim të dhimbjeve të forta të barkut.
“Zonja Taylor – ka deklaruar Morrison – duhej të paraqitej të mërkurën e shkuar në një veprimtari të American Foundation for Aids Research.
Fatkeqëisht kushtet e paqarta të motit e kanë bindur zonjën Taylor që të mos e ndërmerrte udhëtimin.
LIZ TAYLOR THOTË MJAFT PAS MË SHUMË SE 100 OPERACIONEVE
Pasi ka pësuar mbi njëqind ndërhyrje kirurgjike në 25 vitet e fundit diva e Hollywood-it ka vendosur të mos hyjë më nën bisturi.
Taylor, 78 vjeçe, vuan ndër të tjera nga një formë e rëndë e arteries së qafës e cila, vetëm në vitin 2010, e ka detyruar të shtrohet tri herë në spital.
E rënduar edhe nga osteoporoza, dobësimi i kockave, është detyruar të qëndrojë prej vitesh në karrocë vetëlëvizëse. Aktorja ka pasur gjithmonë një shëndet me probleme: një listë e gjatë sëmundjesh, midis të cilave edhe kancer dhe diabet.
Por tani liz Taylor ka vendosur t’iu thotë mjaft spitaleve, vend ku, siç ka thënë ajo vetë, ka dhe ka hyrë dhe ka dalë më shpesh se ka hyrë dhe dalë në taksi.
(http://www.repubblica.it)
(03.31.2010)
LIZ TAYLOR
PËRGËNJESHTRON FEJESËN
Liz Taylor zgjedh Twitter për të përgënjeshtruar fejesën e saj: “Zërat e përhapur nuk janë të vërtetë. Jason është manaxheri im dhe një mik i ngushtë.”
Diva, 78 vjeç, është martuar tetë herë, dy prej të cilave me aktorin britanik Richard Burton. Ditëve të shkuara javorja US Weekly kishte lajmëruar fejesën e aktores me Jason Winters, një afrikano-amerikan 49 vjeç, i cili prej shumë vitesh është manaxheri i saj.
(http://www.ansa.it)
Liz Tejlor është shtruar në spital
Liz Taylor është shtruar në spital për një operacion në zemër: e ka bërë të ditur vetë aktorja në uebsajtin e saj micro-blogging Twitter. “Miq të dashur, do të doja t’ju jepja lajmin, para se ta lexoni në gazeta, se po shtrohem në spital për një ndërhyrje në zemër,” ka shkruar diva.
Taylor është 77 vjeçe dhe është parë në publikm herën e fundit në shtator në funeralet e Michael Jackson. Nuk do të ketë një operacion me hapje zemre, ka saktësuar diva, por një ndërhyrje për instalimin e një aparati kundër çekuilibrimeve kardiake.
Shëndeti i Liz Taylor ka pësuar shumë përkeqësime vitet e fundit: disa herë është ftohur, më 1997 është operuar për një tumor në tru, ka bërë operacion në të dyja këllqet dhe në vitin 2006 kishte përgënjeshtruar se vuante nga Alzheimer.
(10.07.2009)
(http://www.ansa.it)
NJË PORTRET I LIZ TEILORIT U SHIT $12 616 000
Arti i pasluftës dhe ai bashkëkohor u shit në mënyrë të konsiderueshme, nëse jo në mënyrë spektakolare, në shtëpinë e ankandeve Sotheby’s në Nju Jork. Në krye të shitjeve ishte portreti “Liz”, me autor Andy Warhol, bërë aktores Elizabeth Taylor, me vlerën $12 616 000. Vepra e Warhol është realizuar në vitin 1963 dhe me lehtësi kryesoi veprat më të shitura të ankandit që arriti të shesë mbi $68 milionë ose $5 milionë mbi parashikimin. U shitën gjashtëdhjetë nga 73 objektet e paraqitura të cilat iu përkisnin dhjetë autorëve. Ato përfshinin portretin e përmasave të mëdha të Chuck Close, “John”, $4832000. Ndonëse mjediset ishin plot e përplot me të interesuar, ky ankand nuk u karakterizua nga pamjet dramatike të vëna re në shitjet e veprave të tilla në shtëpitë rivale të ankandeve, Sotheby’s dhe Christie’s. Zyrtarët e Sotheby’s thanë se patën “një shitje të mrekullueshme” me rezultate “pabesueshëm të mëdha”. Shefi i Sotheby’s për ankandet e arteve bashkëkohore, Tobias Meyer, tha se blerjet e veprave të Warhol $9 milionë e $12 milionë janë konsideruar agresive. Por ai tha se kjo është „justifikuar tërësisht” nga interesimi i madh për veprat e tij. Blerës i portretit të Elizabeth Taylor ishte koleksionisti britanik Laurence Graff, një pronar londiez i stolive. Vlera të larta u arritën edhe për disa vepra të Roy Lichtenstein dikur pronë e stilistit Gianni Versace. „Blue Nude” u shit për $5 280 000, ndërsa pesë vepra të tjera arritën së bashku $8,5 millionë.
Skulptura e Willem de Kooning “Seated woman”, me vlerën e ulët $2,5 milionë, nuk u shit fare. Dhe vepra e Warhol, “Camouflage”, me vlerë të ulët $1,5 milionë, nuk arriti as $1 milion.
12 Maj 2005
MBETET TEK LIZ TEJLOR PIKTURA E VAN GOGUT, E VJEDHUR NGA NAZISTËT
Elizabeth Taylor mund të mbajë një pikturë të çmuar të Vincent van Gogh, pavarësisht se ishte e vjedhur nga nazistët në Luftën II Botërore. Këtë e ka vendosur një gjykatë apeli amerikane, duke hedhur poshtë vendimin e shkallës së parë, ku diva e moshuar detyrohej t’ua dorëzonte pikturën “Pamja e spitalit dhe e kishës së Saint-Remy” (1889) trashëgimtarëve të Margarete Mauthner, pronarja e saj e hershme. Gjykata ka thënë se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme për të dëshmuar se vepra është përvetësuar në mënyrë të paligjshme, dhe avokatët e aktores kanë paraqitur katalogun e ankandit nga rezulton se piktura i kishte përkitur Margarete Mauthner, pastaj ishte blerë nga dy galeri prestigjioze dhe, më në fund, shitur tek Alfred Wolf, një hebre gjerman ikur nga Gjermania në vitin 1933. Aktorja superyll e Hollivudit e bleu pikturën në vitin 1963 për diçka më shumë se 257000 dollarë në një ankand të “Sotheby’s”, në Londër: aktualisht vlera e kryeveprës së Vincent van Gogh është vlerësuar midis 10 e 15 milionë dollarëve. Pikturën e ka blerë në emër të të bijës, i ati i aktores Francis Taylor. Pasardhësit e Margarete Mauthner, të cilët ngritën padinë kundër Elizabeth Taylor janë Andrew J. Orkin nga Kanadaja dhe tre qytetarë të Afrikës së Jugut, F. Mark Orkin, Sarah-Rose Josepha Adler dhe A. Heinrich Zille.
(20 maj 2007)
ELIZABETË TEJLOR: JA KU JAM
Në qershor të vitit 2006, Legjenda e Hollivudit, aktorja Elizabeth Taylor është kundërpërgjigjur me zëmërim të tërbuar për thëniet se ajo është në prag të vdekjes dhe ka pyetur: “Do I look like I’m dying?” (A dukem sikur jam duke vdekur?) I
kona 74-vjeçare e ekranit të madh theu heshtjen trevjeçare në mediat për t’i hedhur poshtë njoftimet se ajo po vuan rëndë nga sëmundja Alzheimer. Dama fituese e çmimit Oskar shfryu: “Nëse dikush ka qejf të dëgjojë se kam vdekur, më vjen keq, por nuk kam vdekur.
Dhe nuk kam as në plan të vdes, as që mendoj për vekjen fare.”
Në një karrocë vetëlëvizëse, Liz foli pas një dalje të rrallë nga shtëpia e saj luksoze në Bel Air, Kaliforni, për të folur në emisionin e CNN, Larry King Live. Liz e përshkroi tmerrin e saj nga njoftimet e revistës amerikane National Enquirer se ajo po vuan nga Alzheimer dhe se “ka lajthitur nga mendja (“slipping mentally”).
E lyer dhe e ngjyer, mbushur me stoli diamantesh, ajo tha: “Ej, më shikoni, a dukem se jam duke vdekur. Ju duket sikur kam Alzheimer?” Dhe tha se njoftimi i faqes së parë të revistës kishte ndodhur “sepse nuk i kishte mbetur asgjë tjetër e keqe pa thënë kundër gjithkujt”.
Ajo pyeti: “Mendoni se dikush nga miqtë e mi t’i thoshte ato gjëra për mua?”
Liz gjithashtu rrëfeu se ajo rri në karrocën vetëlëvizëse, për shkak të problemeve kronike nga të cilat vuan që nga roli i saj i parë i rëndësishëm, ai i vitit 1944, në filmin National Velvet.
Elizabeth, një nga femrat më të bukura në botë në kohën e dikurshme të kulmit të bukurisë së saj, shpjegoi: “Shpina më ka dhimbur qëkur isha adoleshente.
Kam lindur me probleme të shpinës.” Liz tha se është e përgatitur për t’u rikthyer në filmat, por vetëm nëse rolet “janë vërtetë janë sfiduese”.
Ajo foli edhe për miqësinë me superyllin harrakat të muzikës pop Michael Jackson, 47 vjeç. Kur e pyetën për akuzat e vitit 2003 kundër Jackson, ajo tha: “Nuk kam qenë kurrë më e zemëruar në jetën time.” Liz, e cila ka katër fëmijë, dhjetë nipër e mbesa dhe tre sërnipër, tha: “Unë kam qenë atje kur nipat e tij ishin në fermën e tij dhe të gjithë së bashku shikonin nga shtrati televizor. Nuk kishte asgjë jonormale. Ne qeshëm si fëmijë dhe shikuam shumë filma të Walt Disney. Ajo tha se flet me Jackson në telefon çdo javë. Duke folur për yjet e sotëm të Hollivudit, ajo tha: “Është një grup i tillë i talentuar të rinjesh sa nuk di kë të përmend të parin.”
Më vonë kur Majkëll Xhekson do të vdiste, Liz Tejlor, mikesha e madhe e Majkëllit, përdor të njëjtat fjalë: “Nuk jam në gjendje ta komentoj vdekjen e Majkëllit”. Ajo dhe Majkëll nuk rrinin asnjë natë pa folur me njëri-tjetrin dhe majkëll I këndonte asaj në telefon.
Ndërsa tani ndërsa ka shkuar pranë Majkëll Xheksonit ndërsa vdekjen e saj tani e kanë botuar të gjitha mediat e botës, dhe ajo, legjenda dhe ikona e Hollywoodit nuk e përgënjeshtron dot më.
Komentet