Trifon Xhagjika (Peshtan, 1932 – 1963) ka qenë ushtarak, gazetar dhe poet disident shqiptar i pushkatuar në kohën e regjimit komunist në Shqipëri. Është autori i poezisë që u bë himni i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve nëpërmjet kompozimit të Kostandin Trakos.
Biografia
Shtëpia e tij u dogj nga lufta e dytë italo-greke. Në moshën 9-vjeçare, në vitin 1941, bashkë me familjen lanë fshatin për t’u vendosur në Tiranë. U vendosën fillimisht tek “Rruga e Veriut” në krah të shtëpisë së Beshirëve në Tiranë. Më pas ndërruan disa herë banesë duke u vendosur tej shtëpia e Manol Kumes dhe në fund tek shtëpia e tyre në rrugën “Mine Peza”.
Trifoni u shkollua në Normalen e Elbasanit, pastaj mbaroi një kurs gazetarie e filozofie. Në vitin 1954 u diplomua në Shkollën e Bashkuar si oficer i artilerisë kundërajrore dhe filloi punë në repartin e rraketave 3700 te “Rrapi i Treshit”, por me këmbënguljen e tij mori një kualikifim për gazetari e histori. Filloi punë në Ministrinë e Mbrojtjes fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve, e më vonë në redaksinë e gazetës “Luftëtari”.
Dy herë rresht kërkoi të shkonte në Moskë me studime për Gjuhë-Letërsi, por nuk e lejuan. Kishte një pasion të fshehur për muzikën dhe së bashku me Kostandin Trakon ka bërë himnin e Shkollës së Bashkuar.
Bashkë me një grup miqsh u arrestua gushtin e 1963 dhe u dënua me pushkatim, para trupit gjykues recitoi poezinë e tij “Atdheu është lakuriq”. Vendimi u ekzekutua dhjetorin e 1963. Nuk i dihet akoma vendvarrosja.
Vepra
Më shumë se në organet e ushtrisë, Trifon Xhagjika spikat me krijimet e tij në shtypin letrar si gazeta “Drita”, revista “Nëntori”, “Ylli” etj. Më 1959 përfundoi dhe botoi librin e tij të parë me poezi të titulluar “Gjurmët”, duke lënë edhe shumë dorëshkrime.
Vetëm në vitet e demokracisë është bërë i mundur sistemimi i krijimeve të tij dhe botimi i dy vëllimeve të tjera, “Atdheu lakuriq” dhe “Poezia”.
Komentet