Petro Nino Luarasi lindi në 22 prill të vitit 1865 në Luaras të Kolonjës dhe vdiq më 17 gusht të vitit 1911, ishte i biri i Nini Petro Kostallarit, veprimtar i Rilindjes Kombëtare, publicist e pedagog, Mësues i Popullit. Lindi në Luaras të Kolonjës në një familje muratori. Ishte nxënës në shkollën e Qestoratit drejtuar nga Koto Hoxhi.
Jeta
Punoi si mësues në fshatrat e Kolonjës, ku u mësonte fëmijëve fshehurazi gjuhën shqipe dhe përgatiti një grup shokësh si mësues. Më 1882 hapi Shkollën e Parë Shqipe në fshatin Bezhan të Kolonjës, kurse më 1887 hapi shkollën shqipe në Ersekë dhe pak më vonë (1892-1893) shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës e të Vakëfeve, punoi si drejtor dhe mësues i Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës dhe më vonë i shkollës së Negovanit (1909-1911).Në vitin 1892 bashkë me Gjerasim Qiriazin themeluan shoqatën protestante “Vëllazëria e Shqipërisë”. Në emigracion, në Amerikë (1904-1908) mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kombëtare, ishte nismëtar i shoqërive patriotike “Mall i mëmëdheut” dhe “Pellazgu”, i krijimit të komiteteve të fshehta për lirinë e Shqipërisë.
Ishte delegat në Kongresin e Manastirit (1908). Për veprimtarinë patriotike, arsimore e shoqërore u përndoq nga xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit. Vdiq i helmuar prej tyre në Ersekë, më 17 gusht 1911.
Petro Nini Luarasi (22 prill 1865 – 17 gusht 1911)
Edhe 99 herë të rrëzohemi,
përsëri duhet të ngrihemi!
“Çdo popull ka të drejtë të falet në gjuhën e vet:
Edhe Krishti ne na thënte
Unë jam grek, eni pas meje,
Do t’i themi pa mblidh mente,
Se shqiptari s’vjen pas teje…” Petro Nini Luarasi
Petro Nini Luarasi (1865-1911)
Kongresi i Manastirit i zhvilloi punimet nga 2-3 prill të vitit 1910.
Ai tërhoqi vëmendjen e gjithë atdhetarëve shqiptarë për rrezikun e shkombëtarizimit dhe të aneksimit të territoreve të Shqipërisë nga shtetet fqinjë: Serbia, Greqia e Bullgaria. Serbia, u tha në Kongres, duke ndjekur një politikë shoviniste, synon të pushtojë Kosovën, të cilën e ka pagëzuar me emrin “Stara Serbia”, ndërsa qarqet politike të Greqisë po përpiqen me të gjitha mjetet, duke përdorur klerikët ortodoksë konservatorë e progrekë, shkollat e mësuesit grekomanë, të asimilojnë shqiptarët e krishterë dhe të aneksojnë territoret e Shqipërisë së Jugut. Petro N. Luarasi theksoi në fjalën e tij se këta klerikë fanatikë e grekomanë, të nxitur nga Greqia, mallkojnë e shkishërojnë banorët e fshatrave Progër, Negovan e Bellkamen sepse çojnë fëmijët në shkollat shqipe, ndërsa bandat e andartëve grekë, të paguar nga Athina, vrasin atdhetarët më të dalluar që përhapin mësimin e shkrimin shqip. Gjatë 5 vjetëve të fundit ishin vrarë në Negovan nga bandat greke 45 shqiptarë. Për të paralizuar këtë veprimtari Petro Nini Luarasi, përveç të tjerave, i propozoi Kongresit që të kërkonte që kisha shqiptare të ndahej nga Patrikana greke… Në Promemorjen prej katër pikash, që iu dërgua Portës së Lartë, parashtroheshin këto kërkesa: a) të jepej liri e plotë për mësimin e gjuhës shqipe, në përputhje me të drejtat kushtetuese; b) të mënjanoheshin të gjitha pengesat që nxirrnin autoritetet shtetërore për zhvillimin e lirë të kombit shqiptar dhe veçanërisht të mos lejohej asnjë lloj ndërhyrjeje në mënyrën e mësimit të gjuhës kombëtare (shqipe), duke ua lënë të drejtën e zgjedhjes së alfabetit të shqipes, siç qe vendosur në Kongresin e Dibrës, mësuesve (shqiptarë); c) të caktohej nga qeveria një subvencion për shkollat e të krishterëve shqiptarë, për t’i shkëputur ato nga ndikimi i Greqisë dhe d) t’i kërkohej Patrikanës nga qeveria që të lejonte përdorimin e gjuhës shqipe gjatë predikimit në kisha…”
Mesuesi i Shkolles Shqipe – Petro Nini Luarasi
Petro Nini Luarasi lindi në vitin 1865. Studimet i kreu në shkollën greke të Qestoratit e Hotovës në Lunxhëri të Gjirokastrës. Në Qestorat, në shtëpinë e mikut të babait, patriotit të shquar Koto Hoxhi, ai mësoi shkrim e këndim në shqip dhe u edukua me kulturë e atdhedashuri.
Më 1883, filloi punë si mësues i greqishtes në shkollën e Bezhanit. Atje ai filloi t’u mësonte nxënësve shqip. Veprimtarinë e tij të gjerë e zhvilloi në Kolonjë e Korçë, ku krahas lidhjeve miqësore patriotike, shkaktoi armiqësi të madhe me zyrtarët turq, klerin shovinist e bashkëpunëtorët e tyre.
Për këtë arsye u mallkua dhe u shkishërua familjarisht nga dy dhespotë të Kosturit: më 1887, nga Qirilli dhe më 1892, nga Fillareti.
“…I mallkuari dhe i shkishëruari Petro Luarasi, në bashkëpunim me propagandën protestante e masone, ka shkuar në fshatra të ndryshme të rrethit të Kolonjës, duke u premtuar emërimin e mësuesve shqiptarë për mësimin e shqipes, një gjuhë e cila nuk ekziston… Ata përhapin Dhiatën e Re, emisarë dhe libra të tjerë që janë kundër fesë sonë të shenjtë dhe që nëna e jonë, Kisha e madhe e Krishtit, ka kohë që i ka shkishëruar dhe djegur në turrën e druve… Shpallim se kushdo që ndikohet nga i mallkuari Petro Luarasi dhe shokët e tij, ose pranon mësues shqiptarë, do të shkishërohet nga i madhi Zot, do të marrë mallkimin e etërve të kishës, do ta zerë lebra e Gehazit dhe trupi i tij do të mbetet i patretur dhe do të përdhoset pas vdekjes…!”
Këto ishin fjalët e Fillaretit, dhespotit të Kosturit, më 20 shtator 1892, në mallkimin e tij për Petro Nini Luarasin.
Kësaj propagande shoviniste, Petro Nini Luarasi iu përgjegj në veprën “Mallkimi i shkronjave shqipe e çpërfolja e shqiptarit”, në të cilën pasqyroheshin dokumenta konkretë mbi abuzimet që bëheshin në emër të fesë.
“E vërteta bën fenë, dhe jo feja të vërtetën… Ta dashurojmë dhe ta përparojmë gjuhën dhe kombin tonë, si të vetmet tallanta që na besoi Perëndia për provë të vlerës sonë midis kombeve të tjerë… Kush është frikacak kundrejt së drejtës, bëhet tradhëtar i mëmëdheut dhe i vetes së tij” (P. N. Luarasi: Mallkimi i shkronjave shqipe…).
Kjo vepër bëri që fundi i tij të ishte tragjik. Ai u helmua nga qarqet fetare shoviniste. Kjo vdekje bëri një jehonë të madhe në botë. Disa gazeta shqiptare, angleze e amerikane shkruan për të.
Me futjen e psallmeve shqip në kishën e Luarasit në bashkëpunim me papa Stefan Luarasin ai debatoi edhe me Dhespotin e Korçës, Grigorin. Në lidhjet e tij me rrethet patriotike dhe zbatimin e platformës kombëtare, P. N. Luarasi bashkëpunoi me parinë bektashiane – moderatorë të myslimanizmit dhe me protestantët anglo-amerikanë, përfaqësuesi shqiptar i të cilëve qe Gjerasim Qiriazi. Mbi bazën e këtyre idealeve kombëtare familjet Luarasi dhe Qiriazi u lidhën në një miqësi shekullore, duke iu gjendur njëri-tjetrit në momente të vështira.
Shoqëria “Malli i Mëmëdheut”, 1905 Amerike, në mes Petro Nini Luarasi
Në prill 1904, P. N. Luarasi arratiset nga burgu ku ishte mbyllur nga qeveria turke dhe u strehua në Shtetet e Bashkuara, si emigrant politik. Në Sh.B.A. Petro Nini Luarasi zhvillon një aktivitet të gjerë. Krijoi shoqëritë e para patriotike shqiptaro-amerikane: “Pellazgu” dhe “Malli i Mëmëdheut”, ndihmoi Sotir Pecin për botimin e gazetës “Kombi” dhe Fan Nolin që të kurorëzohej prift e të hidhte themelet për krijimin e kishës autoqefale shqiptare në Sh.B.A., themeloi librarinë e parë me libra shqip e anglisht, bashkëpunoi ngushtë me Kristo Dakon, lider i protestantëve shqiptarë në Sh.B.A., për të futur frymën kombëtare midis emigrantëve ekonomikë, të cilët ishin të tërhequr e të frikësuar nga reaksioni shovinist mbi familjet në atdhe. Petro Nini Luarasi përçoi kudo tezën: “Kombi mbi të gjitha!”.
Më 1908, u kthye në Shqipëri së bashku me disa miq e farefis, për të luftuar si komitë për çlirim. Në atë kohë u shpall Hyrieti e ai filloi veprimtarinë patriotike legale duke u lidhur ngushtë me misionarët protestantë amerikanë, e çiftin Kenedi.
Vdes i helmuar në 17 gusht të vitit 1911, nga armiqtë e kombit. Por fjala e tij u përjetësua në vepër: “Ruamani gjakun, se do të duhet për shkrimin e gjuhës shqipe… Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi!”
Bashkëpunoi në organet “Bashkimi i kombit” (Manastir 1909-1910), ku qe dhe redaktor, në “Drita” (Sofje, 1907-1908), në “Kombi” (Boston, 1908), në “Liria” (Selanik, 1909-1910) ku botoi shkrime publicistike, pedagogjike dhe poezi. Në veprën politike “[Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit”] (Manastir, 1911) mbrojti të drejtën e popullit shqiptar për kulturën e vet kombëtare. Propagandoi një nga idetë qendrore të Rilindjes:
-
- bashkimin në luftë për lirinë e Shqipërisë pavarësisht nga besimi fetar.
Tituj të veprave
- Drita (Sofje, 1907 – 1908 – redaktor i gazetës)
- Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit (Manastir, 1911 – politike)
Mirënjohje
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi më 13 janar 2012 i akordoi Petro Nini Luarasit (pas vdekjes) Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Figurë e shquar e kombit, një nga veprimtarët e ndritur të Rilindjes Kombëtare, luftëtar i paepur për zgjimin, emancipimin dhe prosperimin e kombit shqiptar, për çlirimin nga zgjedha osmane dhe formimin e shtetit komb të shqiptarëve, luftëtarit të madh të krijimit të arsimit kombëtar si një nga shtyllat e çështjes kombëtare, vepër për të cilën dha edhe jetën.”