Me origjinë nga Qeparoi, piktori i shquar Vangjel Gjikondi lindi më 20 gusht 1958. Studioi në Institutin e Lartë të Arteve. Pas studimeve punoi në Kinostudion “Shqipëria e re”, fillimisht në repartin filmave vizatimorë për disa muaj e më vonë si piktor kostumesh në filmin artistik. Ka qenë piktor në shumë filma, si “Duaje emrin tënd”, “Nxënësit e klasës sime”, “Treni niset në 7 pa 5”, etj.
Vangjel Gjikondi ka qenë një piktor mjaft aktiv duke marrë pjesë në ekspozita vetjake e kolektive, si dhe në kolonitë e piktorëve. Por do të kujtohet veçanërisht për ciklin e tij të 55 tablove kushtuar Skënderbeut, duke prekur të gjitha etapat e jetës së tij, që nga pagëzimi e deri në vdekjen e heroit. Për këtë cikël tablosh Gjikondi punoi 10 vjet, duke sjellë figurën e tij sa më njerëzore, larg madhështisë së realizmit socialist.
Vetë piktori thoshte se stili i tij ishte frymëzuar nga Rilindja Evropiane të cilën e vlerësonte maksimalisht. Veprat e piktorit janë ekspozuar edhe në Galerinë Kombëtare të Arteve, Muzeun Historik Kombëtar por edhe në galeri jashtë vendit.
Vangjel Gjikondi studioi në Akademinë e Arteve gjatë viteve 1975-1983, dhe që në këtë periudhë punët e tij nisën të spikasin. Vepra të tij janë pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve (si Peizazh nga Tirana, 1983). Ka punuar në ish-Kinostudio në mbi dhjetë filma si piktor derisa në fillimvitet ’90 u largua në Greqi. Ka qenë aktiv me portrete, peizazhe, ilustrime etj., dhe ekspozita personale e kolektive edhe përgjatë viteve të fundit, brenda dhe jashtë vendit. Në Shqipëri veçohet ekspozita me 60 vepra të Historisë së Skënderbeut nga lindja në vdekje mbajtur afro 5 vjet më parë në Muzeun Historik Kombëtar. Një punë 10-vjeccare që tërhoqi vëmendjen e publikut dhe kritikës. Gjikondi ishte një nga zërat kritik më aktiv veçmas sa i përket mënyrës së menaxhimit të artit pamor dhe hapësirave të ekspozimit.
Piktori Vangjel Gjikondi u nda nga jeta më 25 korrik 2023 pas një sulmi kardiak. Miq dhe familjarë kanë shprehur ngushëllimet për humbjen e parakohshme të artistit, në moshën 65-vjeçare.
“I pabesueshëm lajmi për ty miku im Vangjel Gjikondi. Piktori ndryshe ka herë, jo vetëm në telajo dhe art por edhe në koncepte e karakter. Artist mirfilli , njeri idealist e shpirt-pastër , konseguent e qelibar , paqësor e i pathyeshëm në vështiresitë e jetës. Qofsh përherë i pranishëm me artin tënd miku im i mirë …Gjikondi!”, shkruan skenografi Bashkim Zahaj.
Sa po me dhemb ikja jote, Gjikond, nuk do mundem ta pranoj që nuk do jesh më! Ishe GJIGAND në pikturë ani pse imcak e i brishtë në fizik, i ndjeshëm dhe në shpirt artist i madh.Qofsh i Parajsës Vangjel Gjikondi, ike por shumë ke lënë pas, një perandori me tablo, me emocione qe do transmetojnë se jeta, Vangjelin që njohëm!” shkruan piktori Zaim Elezi.
Agron Bejte shkruan se ndarja fizike nga jeta e Gjikondit shënon një humbje të madhe për të gjithë ata që e njohën. “Të qoftë dheu i lehtë…u largove shpejtë. Do më mungoj komunikimi që kishim ndërtuar. Lamtumirë !”, shkruan ai. Po ashtu arkitekti dhe artisti Arben Biccoku ka shprehur ngushëllimet për humbjen e kolegut. “Pushofsh ne paqe Vangjel Gjikondi”, shkruan ai.