Më 20 dhjetor 2014, në një aksident tragjik, humbi jetën Atjon Visar Zhiti.
Djali i shkrimtarit të njohur shqiptar, Visar Zhiti, humbi në një aksident në autostradën Tiranë-Durrës. Atjon Zhiti ishte vetëm 19-vjeç ndërsa kishte pak ditë që ishte kthyer nga Milano, Itali, ku ndiqte studimet për filozofi prej vitit 2013.
Sipas policisë, Atjon Zhiti, është përplasur në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës, (në pjesën ku po kryheshin punime), me bordurën e trafikndarëses dhe pak minuta me vone ka gjetur vdekjen. Atjoni kishte kaluar disa orë në një ditëlindje dhe rreth orës 7 të mëngjesit së bashku me shokun e tij me motor po kthehej për në shtëpi.
Policia rrugore ka thënë në aktin e ekspertimit se “dyshohet humbje e kontrollit nga shpejtësia e lartë dhe duke tentuar të marrë drejtimin është përplasur me trafikndarësen”. Motorri që është aksidentuar drejtohej nga shtetasi Serxhio Matiani, shok i Atjon Zhitit, i cili është në gjendje të rëndë ne spital. Efektiva të Policisë në vendin e aksidentit kanë thënë se 19vjeçari Atjon Zhiti nuk kishte vënë skafandër në kokë dhe për pasojë ka marrë dëmtime të rënda.
Atjon Zhiti ka lënë shkrime filozofike, shënime të studentit, piktura të cilat janë përfshirë në botime të përgatitura nga i ati Visar Zhiti, të cilat janë vlerësuar nga kritika shqiptare dhe e huaj, duke marrë edhe çmime ndërkombëtare.
Lajmi tragjik i mbushi me pikëllim dhe dhimbje të pashlyeshme shqiptarët. Atjon V. Zhiti është tashmë përhershëm në kujtesën e shqiptarëve si “studenti i përjetshëm i filozofisë”.
Disa muaj pas largimit të tij nga jeta u botua libri me një titull të veçantë: PËR ATË QË DUA(M)”, pra, për atë që ai do, por dhe gjithsecili nga ne dhe të gjithë së bashku.
Libri (UET) shpalos në mënyrën më origjinale ide dhe mendime dhe një realitetet i ninëzuar nga një 19 vjeçar plot me freski dhe endërr dhe përkushtim të bukur. Janë 229 faqe me ese dhe statuse në fb, recensa, poezi e përkthime, etj, një pjesë të botuara nëpër gazeta të ndryshme në Shqipëri e Kosovë e në shtypin e diasporës deri matanë oqeanit në SHBA, por ka dhe shkrime që dalin për herë të parë, të gjitha të ruajtura nga e ëma e Atjonit, Eda, ndërkaq libri shoqërohet me një parathënie të gjerë nga i ati i Atjonit, Visari, por dhe me një album fotografim, një si udhëtim me imazhe dhe me një kapitull të fundit me thënie për Atjonin, së pari nga shoqet dhe shokët e tij, studentë e qytetarë, të njohur e të të panjohur, profesorë e kritikë arti, artistë, shkrimtarë të shquar, etj, etj, jo vetëm nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, por nga vende të tjera, nga fqinjët ballkanikë, Greqi e Mal i Zi e Serbi, më së shumti nga Italia, ku Atjoni vazhdonte studimet për filozofi në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano, nga Franca e Gjermania, Spanja, vendet nordike, SHBA-ja, etj, që i bashkon të gjithë dhimbja dhe dashuria, këtë rradhë të përndezuar nga Atjoni ynë…
Komentet