Më 2 shtator 1925, në Romë, u mbajt ceremonia zyrtare e themelimit të Bankës Kombëtare të Shqipnis (BKSH), pas nënshkrimit të marrëveshjes që përmbante kushtet e themelimit të BKSH-së më 15 mars dhe dekretimit të saj nga Presidenti i Republikës më 12 korrik.
Megjithatë, veprimtaria e saj në Shqipëri do të fillonte vetëm pas derdhjes në një bankë të Zvicrës të 20% të kapitalit nominal të nënshkruar (12500 x 20%= 2500 mijë franga ar).
Banka Kombëtare e Shqipnis krijohet si bankë emisioni dhe aktiviteti i saj rregullohej nga Statuti, konform Ligjit Organik për Bankën.
Në bazë të Statutit, jetëgjatësia e Bankës caktohej 50 vjet, me të drejtë zgjatjeje të këtij afati me vendim të Kuvendit të Përgjithshëm të Aksionerëve.
Kapitali i bankës përbëhej nga 100.000 aksione themeltare (me vlerë 1,25 franga ar secili) dhe 495.000 aksione të zakonshme (me vlerë 25 franga ar secili) dhe ishte në total 12.500.000 franga ar. Secili prej aksionerëve kishte vetëm një të drejtë vote në Kuvend dhe vendimet e Kuvendit merreshin me shumicë votash.
Qendra e Komitetit Administrativ do të ishte në Romë dhe Drejtoria Qendrore fillimisht në Durrës e më vonë në Tiranë. Drejtimi i politikës së përgjithshme të bankës i rezervohej Këshillit Administrativ, i përbërë nga minimumi 9 anëtarë dhe maksimumi 13, të cilët emëroheshin nga Kuvendi i Përgjithshëm, kurse njëri prej tyre nga Ministri i Financave të Shqipërisë.
Banka kishte privilegjin ekskluziv të nxjerrjes së kartëmonedhës dhe ajo do të mbante një rezervë metali (ar dhe argjend, në shufra ose në monedha) në vlerë të paktën sa 1/3 e bankënotave të nxjerra në qarkullim.
Në shkurt të vitit 1926, BKSH hodhi në qarkullim monedhën e parë kombëtare shqiptare. Ajo e shtriu veprimtarinë edhe në lëmin e kreditit, ku gjatë një periudhe 10-vjeçare veproi në kushte monopoli dhe nga viti 1938 u gjend në konkurrencë të fortë me degën në Shqipëri të Bankës së Napolit.