Fadil Berisha është një fotograf shqiptaro-amerikan në Nju Jork. Ai ka lindur në Kosovë më 2 prill 1960 dhe ka emigruar në Nju Jork në moshën nëntë vjeçare, ku zbuloi dhe pasionin e tij për fotografinë, modën dhe bukurinë. Para mbërritjes së tij në NYC, Fadili u zhvendos në Itali në 1968 ku filloi pasionin e tij për bukurinë dhe artin. Më pas, Fadili takoi një fotografe me emrin Donna DeMari, e cila e ndihmoi atë të kuptojë pasionin dhe dashurinë e tij për bukurinë. Pas takimit dhe punës me Donna, Fadili punoi si stilist i modës për një vit – ku zbuloi pasionin e tij për fotografinë. Pas emigrimit në New York City në 1982, Fadili filloi karrierën e tij të suksesshme si fotograf i modës dhe bukurisë.
Fadil Berisha me banim në Nju Jork vlerësohet nga mediat si Fotografi që i tregon Amerikës shqiptarët e bukur.
Reportazhi
Sipas Belina Budinit në fillim Fadili Berisha numëronte me gishta femrat shqiptare që donte të fotografonte, sidomos ndër ato të shpallura mise, një pjesë të të cilave nuk e gjente aq fotozhenike për zoom-in e kameras së vet. Objektivi i aparatit profesional të Fadil Berishës u dashurua mandej pas fytyrave të artisteve shqiptare si Inva Mula e më vonë edhe Rovena Dilo e Eli Fara dhe tek-tuk edhe të ndonjë misi, ndër të cilët Berisha veçon dy miset e para shqiptare, Valbona Selimllarin, Valbona Çoba si edhe misin e 2002, Anisa Kospirin, të cilën e çmon edhe për inteligjencën dhe mënyrën me të cilën ka ditur ta prezantojë veten në Miss Univers. Ndërsa është në kërkim të fytyrave shprehëse tipike shqiptare, fotografi Fadil Berisha, një prej fotografëve më të suksesshëm shqiptarë në botë, që ka punuar me yje të ekranit e të spektaklit në Amerikë, ka zbarkuar sërish në Tiranë, ku nuk dëshiron të ikë ashtu kalimthi, por të vërë urat e bashkëpunimit për projekte të ardhshme në Shqipëri.
Fotoja e tij peng është ajo e Nënë Terezas. Nëse ka mundur të fotografojë dhjetëra femra e meshkuj nga më të njohurit në botë, nga Nënë Tereza ose Gonxhe Bojaxhiu prej Kosove, nuk ka asnjë foto nën të cilën të mund të shkruajë emrin e vet. “E kam peng që nuk kam mundur t’i bëj një foto asaj”, – thotë Berisha. Së fundmi është entuziast për faktin se pak përpara se të fitonte Oskarin, aktores së shkëlqyer me ngjyrë, Halle Berry-t, i pati bërë një shërbim të tërë fotografik, për të cilin ajo është shprehur se “këto janë fotot më të bukura të jetës sime”. Një shërbim të veçantë fotosh artistike i ka bërë Fadil Berisha edhe Bill Klintonit dy muaj përpara se ky të linte Shtëpinë e Bardhë. Veç faktit se ka qenë i përzgjedhuri ekskluziv për t’i bërë një shërbim të tillë Klintonit, Berisha shpreh entuziazmin e tij, për faktin që ka mundur t’i shprehë ish -presidentit të Amerikës mirënjohjen e vet për ndërhyrjen në Kosovë në përkrahje të bashkëkombësve së tij kosovarë. Ka gati edhe një projekt me Bill Klintonin në Nju Jork, ku së bashku me një grup shqiptaro-amerikan NAAC pritet të përgatitet në muajin qershor një show special. “Klintoni do të jetë i ftuar nderi në këtë shfaqie, ai do të japë një çmim të rëndësishëm. Interesant do të jetë edhe realizimi i një videoklipi ku banorë të Kosovës, të intervistuar do të shprehin opinionet e tyre për luftën e Kosovës dhe Bill Klinton do t’i ndjekë këto drejtpërdrejt së bashku me telespektatorët nga Shqipëria, pasi mendojmë të ftojmë ndonjë televizion të këtushëm”, – thotë ai. Ndërsa thotë se ai do të ndihmojë në këtë shou për të krijuar atmosferën shqiptare, duke prezantuar edhe kostumografinë shqiptare. “Mendojmë të përdorim rreth 50 kostume tradicionale shqiptare”, – thotë ai duke shtuar se tanimë qëllimi i tij është të prezantojë ndryshe Shqipërinë në botë. “Më pëlqen që të ftoj të huaj të famshëm në Shqipëri, në mënyrë që këta ta shohin dhe ta prekin vetë realitetin shqiptar dhe të largohen me përshtypje të mira prej këtej, në mënyrë që këto t’i transmetojnë kur të kthehen në vendin e tyre”, – thotë Berisha.
Projektet
Ka dy projekte të rëndësishme në duar. I pari ka të bëjë me një album të veçantë, ku të përmbledhë disa nga fotografitë e tij më të mira bërë artistëve dhe aktorëve të famshëm amerikanë. Ndërsa projekti tjetër është ai që Fadil Berisha ka edhe më përzemër. Flitet rishtas për realizimin e një albumi fotografik, por kësaj radhe me femra e meshkuj shqiptarë, të cilët i ka fotografuar gjatë gjithë këtyre viteve. Dëshiron të prezantojë bukurinë shqiptare. Mendon që shqiptarët janë njerëz të bukur dhe këtë do ta tregojë kudo që shkon nëpër botë. Ka edhe një projekt tjetër që ka të bëjë me një ekspozitë, sërish të bukurisë shqiptare. Ka në planet e tij një ekspozitë të çelur në Nju Jork dhe në Tiranë. Wikipedia