2 nëntori 1935 ka qenë i veçantë për familjen e Xhaferr Hoxhës, njërit prej pjesëtarëve të familjes së Hasan Tahsinit, ndërsa erdhi në jetë vogëlushi Bilal, që pas pushkatimit të të atit, do të merrte mbiemrin “Xhaferri” për ta përjetësuar kujtimin e tij.
Përvjetori i lindjes së një shkrimtari si Bilal Xhaferri, “Nderi i Kombit” kam përshtypjen se duhet të shndërrohet në një ceremoni jubilare për një nga korifenjtë e letrave shqipe. E cilësoj të tillë pasi në epiqendër të shkrimeve të tij, brenda shpirtit të tij, gëlonte vetë dashuria për tokën e të parëve, materializuar në “Baladën Çame”, të cilës ai i tha “Lamtumirë”, pa dëshirën e tij.
Realisht, Bilali ynë lindi në kohë të trazuar për Çamërinë, jetoi në një periudhë të mbushur me shumë vuajtje për të, familjen e tij dhe gjithë shqiptarët, shkroi dhe botoi vepra në kohë inkuzicioni stalinist, ndërsa jetoi dhe ndërroi jetë në vendin e lirisë, i ndjekur nga spiunët e Sigurimit të Shtetit të Enver Hoxhës. Por, në çdo rrethanë që ai jetoi dhe shkroi, mbeti dinjitoz, u bë çami i jashtëzakonshëm i letrave dhe sot, “Nderi i Kombit”.
E njohën dhe nuk e njohën këtë kolos që u shndërrua në një meteor të letërsisë shqiptare që shkëlqeu, edhe pse në një natë të zezë të një shteti diktatorial që donte t’i pinte gjakun për së gjalli.
Kur them “e njohën”, kam parasysh shumë e shumë bashkëkohës të tij që ia lexuan shkrimet – dhe mes tyre edhe Ismail Kadarenë – që ia pëlqyen veprën, edhe pse diktatura e kishte fiksuar persekutimin e tij, duke e paracaktuar si “të padëshiruar”. Por kur them “nuk e njohën”, kam parasysh se në letërsinë që studiohet në nivelin tonë arsimor parauniversitar, Bilali njihet pak ose aspak, dhe ka një tendencë për ta mënjanuar, lënë në harresë, edhe pse veprat e tij janë të botuara dhe të ribotuara me aq shumë përkushtim nga bashkatdhetarët e tij të respektuar.
Por si e kujtojnë disa nga bashkëkohësit Bilal Xhaferrin? Në ndihmë na vijnë disa citime të shkëputura nga intervista të marra në kohë të ndryshme nga personalitete të letrave që e njihnin personalisht këtë personalitet të shquar, por fatkeqësisht pak të respektuar deri më tani.
Ismail Kadare, shkrimtar:
Unë, Bilal Xhaferrin e kam njohur shumë mirë. Kam qenë një nga ata që e kam ndihmuar deri në fund. Jam interesuar që jo vetëm të botojë, por edhe për jetën e tij materiale. Bilali ka qenë një shkrimtar i talentuar. Bilal Xhaferri është shkrimtar që doli i lirë dhe i pari. Ishte shkrimtar i aftë. Tani ju keni një shkrimtar të shquar, më të shquarin shkrimtar çam. (Maj, 1996, shtëpia botuese “Onufri”)
Bedri Myftari, shkrimtar:
Për Bilalin si shkrimtar, mund të them se ishte një talent i madh. Veprën “Krastakraus” e ka shkruar në shtëpinë time. Rrinim bashkë e shkonim te një pyll me pemë, ku sot është Don Bosko. Ishte korrik, vapë e madhe. Bilali kishte një vullnet dhe durim të jashtëzakonshëm se m’i lexonte kapitujt dhe unë mrekullohesha. Ai ishte i lindur për letërsi. Pena e Bilalit lëshonte mjaltë. Reportazhet e tij janë të mrekullueshme. Bilali ishte si një meteor që ndriçoi qiellin e letërsisë shqipe dhe që la shenjën e tij. Për mua, ishte i jashtëzakonshëm. (Gusht 2013, Tiranë).
Ibrahim D. Hoxha, historian:
Ç’e do çfarë thonë tani, unë dua të them se Bilali ka qenë një yll që shkëlqeu dhe filloi ngjitjen drejt kupës së qiellit, por, që për shkak të rrethanave, u shua në mes të rrugës dhe nuk arriti të ngjitet në kupolë, jo sepse nuk deshi vetë, por i shkurtuan jetën. Kjo është e vërteta e Bilal Xhaferrit. Bilal Xhaferri nuk ka vdekur vetë, Bilal Xhaferrin e kanë vrarë ata që mendimet e tij nuk i pëlqenin. Më vjen keq për jetën e Bilal Xhaferrit se iku i ri, se ai ishte një yll që shndriste, siç e thashë më sipër. Se po të ishte ai gjallë, do të ishte një Stendal ose një Viktor Hygo, ose një Tolstoj. Kishte një aftësi të jashtëzakonshme, ishte idhulli im, me aftësi absolute”. (Gusht, 2013, Tiranë).
Namik Mane, shkrimtar:
Bilal Xhaferri është një yll i paarritshëm, është një meteor ndriçues, por që jetën e ka pasur të shkurtër. Do të dua të shtoj këtu se ata që flasin për Bilalin, janë njerëz të vegjël, për të cilët Majakovski ka thënë: “unë nuk merrem me njerëz të vegjël”. Në debat e sipër me Anastasin (Kondo), ai më thotë se “ti Namik ke qenë mik i Bilalit”. Pa mbaruar ende ai, nuk më la radhë të flisja Dritëroi që tha shpejt e shpejt: “ne të gjithë kemi qenë miq të Bilalit dhe jo vetëm Namiku”, që më la një shije shumë të mirë për atmosferën e mirë që kishte krijuar Bilal Xhaferri në Lidhjen e Shkrimtarëve. (Gusht, 2013, Elbasan).
Kipe Avdia, bashkëkohës në Çikago:
Të flasësh për Bilal Xhaferrin nuk ka laps dhe letër që ta shkruash. Veç kësaj, ai është një njeri që ka shkruar me ndershmëri. Kushdo që flet sot për Bilal Xhaferrin, është një tradhtar… Bilali bëri mirë që iku se ishte organizuar që ta arrestonin, bile edhe ta pushkatonin siç bënë edhe me të tjerë dhe me të tyret. Bilali është një nga patriotët më të mëdhenj të krahinës sonë. A e dini ju që unë kam jetuar 4 vjet me Bilalin në Çikago të SHBA-së? Edhe unë isha arratisur dhe atje bëmë revistën “Krahu i Shqiponjës”. (Shtator 2012, Elbasan)
Skifter Këlliçi, shkrimtar:
…në krijimtarinë e këtij shkrimtari dhe poeti jashtëzakonisht të talentuar, gjen perifrazime po aq të goditura, në mos edhe më të goditura se perifrazimi i mësipërm. Deri më sot kam lexuar artikuj kritikë, me vlera të veçanta, kushtuar krijimtarisë letrare të Xhaferrit, si në prozë, ashtu edhe në poezi, që janë shkruar nga autorë shqiptarë dhe kosovarë, ndër të cilët veçoj kritikun e njohur, Bashkim Kuçuku, sidomos me studimin “Jehonë e veprës së panjohur”, (1996) dhe Sabri Hamiti, “Bilal Xhaferi, shkrimtari i etnisë”, (Gjurmime albanologjike, seria e shkencave filologjike, Prishtinë, 1994, faqe 7-27). Bilal Xhaferi, që kishte mbaruar vetëm një shkollë dyvjeçare ndërtimi, u end lart e poshtë kantiereve të ndërtimit në punë të vështira, pa asnjë përkrahje nga shteti komunist, ngaqë ishte i biri i një nacionalisti të pushkatuar çam. Si pasojë, me ashpërsimin e luftës së klasave, më 1967, atij iu hoq edhe e drejta e botimit, nuk doli në qarkullim vëllimi poetik “Lirishtja e kuqe” dhe romani historik “Krastakraus”, kushtuar luftërave të popullit tonë kundër pushtimit turk, që u botua pas vdekjes së tij, më 1993.
Emin Riza, studiues:
Bilal Xhaferri u shfaq si një meteor në qiellin plot yje krijuesish dhe patriotësh shqiptarë. Ai tashmë nuk i përkiste vetëm një rrethi të afërmish intimë, familjarë dhe miqësorë, por mbarë kombit; pra mbarë brezave, duke fituar përjetësinë e merituar. Biri i shquar i kombit shqiptar dhe më ngushtaz, i Çamërisë martire, të tradhtuar vijueshëm prej mbarë qeverive shqiptare të Pasluftës së Dytë Botërore. Bilal Xhaferri ishte shembulli i patriotizmit shqiptar, shfaqur me një talent krijues të bashkëlindur në rrethanat e një jete plot dhimbje dhe vështirësi, por të jetuar njerëzisht në lartësi thuajse të paarritshme. (16 qershor, 2002, Tiranë)
Sabri Hamiti, shkrimtar:
Bilal Xhaferri është moshatar i Ismail Kadaresë dhe i Anton Pashkut. Bilal Xhaferri është poet i etnisë, me idetë për dheun e tjetërsuar, me dhembje të përhershme për kulturën e rrezikuar, të shikuar nga brenda dhe nga këndi i altaritetit, me gjakun e trazuar karshi situatave historike. Ai është poet origjinal me shpërthime të veçanta figurative që lindin vetëm një herë. Ai është një poet lirik i lindur që krijon tekstin poetik të ngjeshur me emocione pa asnjë mbetje e kursim, njësoj kur këndon a vajton për Çamërinë, por kur këndon të përzier mallin, brengën me adhurimin për Kosovën.
Vath Koreshi, shkrimtar:
Trokiti dera në shtypshkronjë dhe brenda zgjati kokën një djalë me flokë të verdha me onde, me një fytyrë të pjekur nga dielli dhe të argasur nga erërat. Ky njeri me fytyrë të ashpërsuar dhe me një xhakovendë doku bojë qielli, dukej të ishte një punëtor bujqësie, por që i ishte rrahur në gjoks dielli i poezisë. Ai njeri aq i ëmbël dhe i e butë, më dukej sikur nuk dinte të qeshte. Vetëm se i ndriste një hije nëpër fytyrë si qielli kur hapet dhe atje kish më shumë keqardhje sesa gëzim. (Shtator, 2002, Tiranë).
Adem Istrefi, poet:
Me mikun tonë çam na përbashkonin jo vetëm fatet, por edhe kërshëria për të ditur sa më shumë për njëri-tjetrin, ngaqë vetë ne përbënim pikat më të skajshme të vetë gjallesës së kombit tonë dhe ngaqë në këto pikëlargime, gjenim kaq shumë pikëtakime.
Bashkim Kuçuku, studiues:
Çdo shkrimtar i vërtetë është origjinal. Ndërsa Bilal Xhaferri është më tepër se origjinal. Ai është një shkrimtar i veçantë. Edhe vepra e tij është e veçantë, sepse e veçantë është jeta e tij, bota e tij, interesat dhe prirjet shoqërore të tij. Pas largimit nga Shqipëria, duke u arratisur për t’i shpëtuar ndjekjes dhe persekutimit fizik të tij, Bilal Xhaferri emigron në SHBA, ku gjen prehje edhe te shumë bashkatdhetarë të tjerë që vuanin si ai për mallin e Shqipërisë që kishte mbetur në kthetrat e diktaturës së kuqe staliniste. Ishte mesi i viteve ’70, kur në këtë vend po përjetoheshin skenarë ogurzinj mbi popullin pa asnjë të drejtë njerëzore. Është kjo arsyeja pse ky poet i madh me pak fjalë, shpreh një botë të egër që ka zaptuar vendin e tij.
Adriatik Kallulli, kritik:
Që në takimin e parë me Bilalin, e kuptova se brenda atij njeriu fshihej një botë e tërë poetike, më dukej si një zjarr që do të shpërthente. Që në fjalët e para me të, kuptoje se kishe të bëje me një njeri që brenda vetes fshihte një krijimtari të madhe. E mora në patronazh për ta ndihmuar atë njeri, edhe me të ardhura se ishte dobët. E kërkoja kudo ku ishte, më pëlqente biseda me të, se ishte i thellë dhe kishte një muzë të paarritshme deri më sot nga askush tjetër, kishte thellësi të paparë. Këtë e bisedova edhe me drejtorin e shtëpisë botuese të asaj kohe, Dhimitër Fullanin, që në një farë mënyre ia ruajti veprën dhe nuk ia dorëzoi të tjerëve kur Bilali iku. Një herë e gjeta Bilalin në një hotel beqarësh këtu në Tiranë. Ishte muaj krijimtarie. U futa në dhomë dhe dritarja e tij binte nga sahati. Kishte hedhur një batanije krahëve dhe me një gjysmë lapsi po shkruante në fletore mbi një komodinë. Pranë fletores ishte një kothere buke, panine e mbetur përgjysmë dhe e tharë me siguri. Ai vetëm shkruante. U mbusha me një ndjenjë dashurie për këtë njeri të palodhur dhe të vullnetshëm që kishte në dorë atë që do të quhej kryevepra e tij, “Krastakraus”. Folëm gjatë dhe sa lekë kisha në xhep i lashë mbi komodinën ku po shkruante. Ngriti kokën dhe më tha “Do të t’i kthej sa të marr lekët e krijimtarisë”. Çfarë të them, Bilali ishte një njeri i rrallë që zor se gjendet një i dytë si ai, por ia ndërprenë ëndrrat në mes intrigat e sistemit, se ai do të ishte një gjeni i letrave. (Elbasan, tetor, 2000)
***
Kam dëgjuar se edhe Dritëro Agolli, ky shkrimtar i nderuar i vendit tonë, do që t’i thotë dy fjalë për Bilal Xhaferrin, këtë bashkëmoshatar të tij. Por kam dëgjuar gjithashtu se për Bilalin ai do t’i lërë të shkruara mendimet, përjetimet dhe do t’i bëhen publike vetëm kur të mos jetë më në këtë jetë, siç e ka pohuar ai vetë.
Në gjithë këtë mozaik thëniesh dhe mendimesh, cilësimesh dhe relacionesh të mrekullueshme për Bilal Xhaferrin, ai shkëlqen, sepse vepra e tij është shumëngjyrëshe, e papërsëritshme, brilante, që na përcillet e freskët në çdo kohë. Pikërisht për këtë, ai meriton të gjitha nderimet, jo thjesht me një përvjetor lindjeje, por në çdo kohë, sepse në fund të fundit, ai është “Nder i Kombit”.
Përgatiti: Hyqmet ZANE
Jeta reale e Bilal Xhaferrit, përpjekja dhe dinjiteti!
Bilal Xhaferri u lind në fshatin Ninat të Konispolit më 2 nëntor 1935 në fisin e Hasan Tahsinit. Kur ishte 7 vjeç i vdes e ëma, ndërsa më 1944 i pushkatohet i ati si nacionalist. Kështu mbeti jetim me tri motrat. Bilali, mbiemrin e familjes e kishte Hoxha. Mirëpo për mall, dashuri e nderim për të atin, emrin e tij Xhaferr e bëri mbiemër të vetin: Bilal Xhaferri. Për të siguruar jetën dhe për t’u shpëtuar ndjekjeve si bir nacionalisti, largohet prej vendlindjes dhe punon korrier në Sarandë. Kryen një shkollë teknike për ndërtim, punon në Fushë-Krujë në ndërmarrjen Rruga-Ura në ndërtimin e hidrocentraleve në veri. Jeton në Shijak te të afërmit, internohet në fshatin Hamallaj të Durrësit. Në gusht të vitit 1969, largohet fshehurazi prej Shqipërisë, sepse rrezikonte të burgosej. Kalon në Greqi nëpërmjet Janinës, pastaj vendoset në SHBA. Dy vjet punon në gazetën “Dielli” të shqiptarëve të Amerikës. Në tetor të vitit 1974, nxjerr numrin e parë të revistës “Krahu i Shqiponjës” që botonte “Lidhja Çame” në Çikago. Ai e themeloi dhe e drejtoi këtë revistë në të gjitha vitet e botimit, nga 1974 deri në vitin 1986. Revista mbahej kryesisht me shkrime publicistike, poezitë, tregimet dhe shënimet e tij. Nxori 39 numra të revistës. Më 25 nëntor të vitit 1978, në Nju Jork plagoset me thikë prej njerëzish të panjohur, para se të shkonte në kremtimin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit dhe Ditës së Flamurit. Në këtë kremtim, Bilali duhej të mbante një referat. Më 1981, ia djegin redaksinë e revistës “Krahu i Shqiponjës” bashkë me të gjitha dorëshkrimet dhe shkrimet e tjera që posedonte. Në 14 tetor 1986, pas një operacioni, vdes në Çikago në SHBA. Më 6 maj 1995, eshtrat e tij sillen në Shqipëri dhe varrosen në Sarandë. Bilal Xhaferri kur ishte gjallë kishte bërë gati për shtyp këta libra:
“Njerëz të rinj, tokë e lashtë”, Tiranë, 1966
“Lirishta e kuqe”, Tiranë, 1967
“Krasta Kraus”, Tiranë, 1967, i botuar në Tiranë vetëm më 1993.
Në Prishtinë më 1995 u botuan veprat e tij letrare të botuara më parë dhe të mbetura në dorëshkrim në tri vëllime:
“Eja trishtim”, poezi, Prishtinë, 1995,
“Njerëz të rinj, tokë e lashtë”, tregime, Prishtinë 1995,
“Ra Berati”, roman, Prishtinë, 1995.
Komentet