Nga Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
Fotot janë nga Akiko Uehara, Asahi Shimbun
VOAL – Në rezultatin e zgjedhjeve federale të 18 tetorit nuk ka një prishmëri të veçantë. Pra zgjedhjet e përgjithëshme në Zvicër nuk përbëjnë një ngjarje të jashtëzakonshme, si ndodh për shembull me zgjedhjet presidenciale në SHBA apo edhe me zgjedhjet parlamentare në vendet e Europës, apo edhe tek ne në Shqipëri apo Kosovë. Kjo për specifikën që paraqet Zvicra. Zvicra është një shtet sui generis, me një sistem sui generis.
Kjo u theksua në takimin e organizuar me këtë rast nga Presence Swisse, instancë që vepron në kuadrin e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme, për informimin e mediave të huaja të akredituara në Zvicër, përfaqësuar nga shoqata jonë e mirënjohur APES.
Se rëndësia e zgjedhjeve në një vështrim klasik, e bën Zvicrën që të ketë një kontrast me vendet e tjera, ku zgjedhjet nacionale, janë evenimenti kryesor politik, ndërsa në Zvicër nuk kanë të njëjtën rëndësi. Kjo për katër arsye: 1. Të demokracisë direkte, 2.Mënyrës të zgjedhjes të Këshillit federal dhe Konkordancës, 3.Federalizmit dhe 4.Ndarjes të sistemit të partive
Ky takim u mbajt më 30 shtator në Bernë, me praninë përfaqësuesve të mediave më të rëndësishme evropiane dhe botërore. Për t’iu dhënë një pasqyrim sa më konkret e më të prekshëm mediave të huaja, në takim, përveç zyrtarëve të Presencë Swisse ishin edhe deputetë nga radhët e shtatë partive parlamentare më të rëndësishme zvicerane: Partia Popullore Zvicerane (SVP), Partia Sociademokrate Zvicerane (SPD), Partia Kristindemokrate Popullore (CVP), Partia Liberale Zvicerane (FDP), Partia e Blertë, Partia e Blertë Liberale dhe Partia Demokratike Qytetare (BDP).
Takimin e moderoi Pierre-Olivier Volet, shef i seksionit politik të Radiotelevizionit Publik Zviceran. Referuan për mediat Prof. Dr. Pascal Sciarini, profesor i politikave krahasuese dhe zvicerane, Departamenti i Shkrencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Gjenevës, dhe Prof. Dr. Andreas Ladner, profesor në Universitetin e Lozanës për Administratën Zvicerane dhe Politikën Institucionale në Shkollën Diplomuese Zvicerane të Administrimit Publik.
I pari mbajti temën “Prezantim i sistemit politik zviceran dhe rëndësia e zgjedhjeve për funksionimin e mbarë të sistemit politik zviceran”, ndërsa i dyti mbajti temën “Prezantimi i gjendjes aktuale të çështjeve politike në Zvïcër; strategjitë e partive politike dhe sistemi zgjedhor”.
Të dy profesorët iu përgjigjen si pyetjeve të veçanta, ashtu edhe të përbashkëta drejtuar atyre, ndonjëherë duke plotësuar apo kundërshtuar mendimet e tjetrit.
Pyetjet e gazetarëve përfshinin interesime të gjera, duke u përqëndruar kryesisht në disa sfida të mundshme të pritshme në këto zgjedhje, nisur edhe nga specifikat e vendit, edhe nga konteksti i zhvillimeve jashtë vendit. A do të ndikojnë këto zgjedhje në të ashtuquajturën formula magjike e qeverisjes zvicerane? Si do të ndikojë rritja e pritshme e Partisë Popullore Zvicerane në zhvillimet e mëtejshme politike të zvicerane? Sa ndikon në rezultatet e këtyre zgjedhjeve kriza evropiane e refugjatëve? Cili do të jetë roli i mëtejshëm i Zvicrës në zhvillimet ndërkombëtare pas këtyre zgjedhjeve? A do të vazhdojë ndikimin e tij frenues të mëtejshëm në ekonominë e vendit frangu i fortë. Kishte gjithashtu pyetje për pritshmëritë në zhvillimet ekonomike, në politikën financiare, ndikimin e liberalizimit të sekretit bankar e tjerë. Edhe VOAL drejtoi disa pyetje gjatë këtij takimi dhe mor pjesë në debat me mendimet e tij.
Profesorët sqaruan se rëndësia e zgjedhjeve federale kushtëzohet nga disa faktorë: Zvicra ka një demokraci direkte, ku ligjet më jetike miratohen nëpërmjet referendumeve. E ashtuquajtura formula magjike, e njohur edhe si Konkordanca, ku katër partitë që arrijnë rezultatet më të larta në zgjedhjet federale ndajnë midis tyre postet në Këshillin Federal, pra në Qeverinë Zvicerane, ka krijuar një stabilitet afatgjatë të qeverisjes, i cili nuk do të cënohet as nga rezultati i zgjedhjeve të 18 tetorit. Në Zvicër ka peshë të veçantë pushteti vendor, ai i kantoneve dhe i komunave. Roli i politikës dhe i shtetit në ekonomi është i kufizuar: politikën ekonomike e bën Economy Swiss, politikën financiare e bën Banka Qendrore e Zvicrës, ndërsa shteti krijon hapësirat ligjore për të frenuar apo përkrah dukuritë e caktuara zhvillimore. Lidhur me krizën evropiane të refugjatëve u tha se kjo nuk e ka prekur pothuajse fare Zvicrën. Megjithatë ajo ka treguar gatishmërinë për të marrë pjesën e saj në përballimin e krizës së bashku me vendet e tjera evropiane.
Sa i përket interesimit për SVP, qëndrimet e saj ndaj të huajve, ndaj emigracionit në masë e tjerë, përgjigja ishte se kjo parti mbetet subjekt i qendrës së djathtë, ku nga partitë e tjera e dallon vetëm retorika. Nuk është parti e tipit Fronti Nacional të Francës. Lidhur me invidualitetet e partive sipas përkatësisë në qendër, në të majtë apo në të djathtë të spektrit, u theksua se patitë e qendrës se djathtë janë më të interesuarat për problemet ekonomike, ndërsa partitë e majta janë më të interesuar për problemet sociale të vendit, ku përfshihen edhe mjedisi, integrimi i të huajve, pjesëmarrja e qytetarëve në qeverisja, të drejtat e qytetarëve e tjerë.
Takimi pastaj u zhvendos në komunikimet e gazetarëve me përfaqësuesit e shtatë partive kryesore. Nuk mungoi as një drekë pune shumë speciale. VOAL u takua dhe bisedoi me përfaqësuesin e Partisë Socialdemokrate Zvicerane SPD, zotin Roger Nordmann. Në qendër të shqetësimit ishte pjesëmarrja e të huajve të natyralizuar, sidomos e atyre shqiptarë, numri i të cilëve është në rritje gjithnjë e më të ndjeshme, por pjesëmarrja e tyre në politikën aktive, nëpërmjet votës, le ende shumë për të dëshiruar.
Zoti Nordmann foli me shumë simpati për komunitetin e shqiptarëve në kandonin Vaud, që ai përfaqëson, si një komuniteti tërësisht i integruar, por ndërkohë çudinë për mungesë pjesmarrje në zgjedhje, mungesë që ne u përpoqëm që t’i jepnim arsyet, dhe arsyeja kryesore është mungesa e integrimit si faktor unik midis vetë nesh, dmth, midis shqiptarëve.
Nga ana jonë, Voal, uron e dëshiron pjesmarrje në votime, por që të ketë pjesmarrje në votime të shqiptarëve, duhet të ketë organizim.
Komentet