Tinka Kurti u lind më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë, Bosnjë Hercegovinës nga një baba shqiptar dhe nje nënë hungareze. Është më e madhja nga katër fëmijët. Aktualisht jeton në Tiranë. Familja e saj u shpërngul në në Shkodër kur ajo ishte në moshë të vogël. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Shkodër, ku edhe iu bashkua teatrit në moshë të re.
U ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 16 vjeç[1]. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Më 1947 u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe dhe e shumë e kulturuar.
Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë” – ku luan në fillim Filen e pastaj Loken, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”. Kurti ka interpretuar edhe në kinema, në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë shiptar të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958.
Ndër vepra të tjera janë Nënë Pashako tek “Yjet e netëve të gjata” (1972), nëna tek “Çifti i lumtur” (1975), Sinjorina Mançini tek “Vajzat me kordele te kuqe” (1978), Gjyshja tek “Zemra e nënës”. Tinka Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.
Dy kinema, një në Tiranë dhe një në Durrës mbajnë emrin e saj. Gjithashtu, emrin e Tinka Kurtit mban edhe një shkollë në fshatin Lekbibaj në Shqipëri.
Në vitin 2003, regjisori shqiptar Esat Teliti realizoi një dokumentar të titulluar thjesht “Tinka” kushtuar jetës së saj.
Ajo është aktive edhe në ditët e sotme. Një nga shprehjet e saj është:
“Nuk e kam frikë plakjen e as vdekjen, por kam frikë nga plakja e trurit, dhe në qoftë se ky moment vjen në jetën time, mendoj se do të isha dy herë e vdekur. Për këtë arsye dua të vazhdoj të punoj.”[2]
Rolet:
- Ne kerkim te kujt (2012) serial
- Familjet (2009) serial
- Filumena Marturano (2009) Teatër
- Ne dhe Lenini (2008)
- Mira – (2008)
- Kosova: Desperate Search – Etjet e Kosovës (2006)
- Dasma e Sakos – (1998)
- Nata – (1998)
- Zëmra e nënës – (1994)
- Vdekja e kalit – (1992)
- Unë e dua Erën – (1991) – Doktoreshe Keti
- Balada e Kurbinit – (1990) – Nëna e Dardit
- Edhe ashtu edhe kështu – (1989) – Tezja e Almes
- Flutura në kabinën time – (1988)
- Telefoni i një mëngjesi – (1987)- Nena e Neritanit
- Në emër të lirisë – (1987)
- Hije që mbeten pas – (1985) – Nena e Agronit
- Besa e kuqe – (1982) – Dila
- Qortimet e vjeshtës – (1982) Nena e Kujtimit
- Si gjithë të tjerët – (1981) – Drejtoresha e shtepise se femijes
- Mëngjeze të reja – (1980)
- Nusja – (1980)
- Gjeneral gramafoni – (1978)- Nena e Halit Beratit
- Vajzat me kordele të kuqe – (1978)
- Emblema e dikurëshme – (1976)
- Çifti i lumtur – (1975)
- Lumë drite – (1975)
- Në fillim të verës – (1975)….Nena e Veres
- Operacioni Zjarri – (1973)
- Yjet e neteve te gjata – (1972) Pashako
- Guximtarët – (1970)
- Tana – (1958)
Tinka Kurti: Nën një pemë i dhashë puthjen Naim Frashërit
TIRANE – Nderi i Kombit Tinka Kurti mbush 84 vjeç. Aktorja e madhe i kalon festat zakonisht tek i biri në Kanada, ndërsa Voal po përcjell emocionet e Aktores të madhe nga një intervistë që ka dhënë me rastin e 80 vjetorit të lindjes tek Shqiptarja. “Unë jam aktore e Shkodrës. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia”. Kaluam një natë bashkë në shtëpinë e aktores së madhe Tinka Kurti dhe mëngjesi do të na gjente mes bisedave të pafund, kujtimesh e emocionesh, ku shpalosej jeta, karriera, pasionet, krenaria dhe brengat e njërës prej yjeve të artit shqiptar. Ishte prag ditëlindjeje dhe aktorja e famshme do të udhëtonte drejt Kanadasë, për të festuar me të birin dhe nipërit 80-vjetorin e lindjes. Nga biseda jonë e gjatë, shkëputëm vetëm disa momente, duke ia përcjellë lexuesit si urim artistes së madhe, duke përkujtuar ditën e 80 të lindjes së saj.
MË 17 DHJETOR LINDI TINKA KURTI
Aktorja e madhe shqiptare Nderi i Kombit, Tinka Kurti, më 17 dhjetor ka ditën e lindjes.
Lindi në Sarajevë, më 17 dhjetor të vitit 1932, ndërsa në skenë do të ngjitej për herë të parë në moshën 14 vjeçe. Që nga vitit 1949 ajo është aktore e Teatrit “Migjeni” në Shkodër, ku interpretoi mbi 120 role. Aktorja shkëlqen në role protoganiste si tek “Gjaku i Arbërit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë”, “Fisheku në pajë”, “Fejesa e Cehovit” etj. Tinka Kurti ka interpretuar mbi 35 role edhe në kinema, duke startuar me filmin e parë me metrazh të gjatë shqiptar”Tana”, në vitin 1958. Rruga e saj artistike fiksoi në historinë e kinematografisë shqiptare rolet e spikatur si Nënë Pashako tek filmi “Yjet e netëve të gjata” në vitin 1972, Nëna tek filmi “Çifti i lumtur”në vitin 1975, Sinjorina Mançini tek “Vajzat me kordele të kuqe” (1978), Gjyshja tek “Zemra e nënës” etj. Gjatë karrierës së saj ka marrë një varg çmimesh. Është bërë Artiste e Popullit në një moshë fare të re, ndërsa mori titullin e lartë “Nderi i Kombit” në prag të 80-vjetorit të lindjes, akorduar nga ish Presidenti i Republikës prof. Bamir Topi. Tinka Kurti është edhe një veprimtare e shquar shoqërore, e cila përgjatë 10 vjetëve ka dhënë kontribute të shquara në Fondacionin Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”
Cila është fëmijëria e Tinkës?
Kam kujtime pafund, si çdo njeri që vjen në këtë shifër të jetës së tij. Rri e mendoj dhe kujtoj parkun, rrugicën me kalldrëm dhe ndjej në çdo çast shtrëngimin e dorës së nënës sime të shtrenjtë. Mbushem me emocione të mëdha, kur kujtoj çastet e dhimbshme, portën e shtëpisë, nga e cila dola kur isha vetëm 5 vjeç dhe u riktheva kur mbusha 65 vjeç. Shkova në dhomën për të cilën më kishte folur nëna, hungarezja Elisabetë, e cila pas lindjes kishte dalluar mes yjesh një germë T, dhe për këtë shkak vendosi ta quante vajzën Tinka.
Mendoni se kjo gërma kishte lidhje me të ardhmen tënde, që do të ishe një nga yjet e artit shqiptar?
Faleminderit për cilësimin që më bëni, por mund të jetë një koincidencë. Teksa numëroj vitet, them shpesh që ndjehem e privilegjuar që për mua është bërë një dokumentar, i arrirë do të thosha nga regjisori Esat Teliti, që ma dhuroi me rastin e ditëlindjes. Jam prekur kur u shfaq në kinema “Milenium”, kur për 90 minuta kaloi jeta ime e bukur dhe e vështirë.
Si u bë aktore Tinka Kurti?
Kam përfunduar rastësisht në Lice, pasi mësimet i nisa në Politeknikumin e Tiranës, por edhe ëndrra për aktore u ndërpre në mes, pasi vetëm pas tre muajsh do të më përjashtonin nga Liceu me pretendimin se manifestoja shfaqje liberale dhe kurrë nuk e mora diplomën e aktrimit .Ishte talenti, dhuntia që më jepte natyra, që unë të bëhesha aktore. Unë jam dhe mbeten aktore e Shkodrës. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia. Atje hodhi hapat karriera, që nisi me “Dasmën shkodrane”, kur isha vetëm 16 vjeçe. Më parë kisha kënduar në kor, por regjisori kuptoi se kish të bënte me një aktore dhe nuk gaboi. Hapi i parë do të hidhej me filmin “Tana” dhe pas kësaj, jeta ime do t’i kushtohej skenës dhe filmit.
Sa role keni interpretuar gjatë gjithë jetës?
Ju vini shpesh në shtëpinë time dhe e dini arkivin, që vazhdon të pasurohet, sepse sikurse e dini mua nuk më lënë të qetë regjisorët, më marrin edhe tani. Kam interpretuar rreth 330 role, shumica janë në dramë, por edhe në filma. Janë sëpaku 60 vite të jetës sime, që ia kam kushtuar skenës, pra e gjithë jeta. Kemi bërë një punë të madhe.
I kujtoni rolet që keni interpretuar?
Kurrsesi nuk mund të radhiten të gjitha, sidoqë unë i kam të shtrenjta njësoj. Kujtoj rolet në dramën “Fejesa e Çehovit”, pasuar me rolin e Files në “Fisheku në pajë”, më pas të Lokes tek “Toka Jonë”. Pasioni dhe dashuria për skenën më detyronte që brenda vitit të mund të realizoja 4 role. Lëvizja nga Shkodra në Vig ku xhiroheshin “5 heronjtë”, nga skena në xhirim. Sfilitesha, por ndjehesha edhe e lumtur.
Cilat do të konsideronit role më të spikatura, role “të mëdhenj”?
Unë kam pasur fatin të kem tërë kohën role parësorë në skenë dhe filma, por veçoj rolin e Lokes tek “Toka Jonë”, nënë Pashakoja tek “Yjet e netëve të gjata”, rolin e nënës tek “Gjaku i Arbrit” dhe kështu do të përmendja një varg rolesh deri tek ky i fundit, tek “Streha e të Harruarve” shkruar nga Rruzhdi Pulaha, që u xhirua edhe film para pak muajsh.
Tinka Kurti ju jeni artistja e parë që realizuat puthjen në film, madje në filmin e parë shqiptar. Si e keni përjetuar?
Kjo më bën krenare. Nuk pata asnjë hezitim kur tek filmi “Tana”, nën një pemë i dhashë puthjen partnerit tim, aktorit të madh Naim Frashëri. Është puthja e parë në historinë e filmit shqiptar dhe kjo më bën të ndjehem vërtetë mirë. Ishte koha e tillë, mentaliteti që të pengonte për të realizuar skena të tilla. Megjithatë, edhe pse isha shumë e re, pasioni e bën aktorin të interpretojë edhe skena të tilla, që tashmë janë të zakonshme. Sigurisht që nuk ishte e lehtë. Madje ju them se për të bërë atë puthje, na u desh të realizonim 29 dubla dhe fatkeqësisht skenën e hoqën më pas. Zemërohem me vete dhe them: “Mirë atëherë që nuk lejonte koha dhe regjimi, po sot, përse nuk jepet puthja ime me Naim Frashërin?” Për mua është një nga momentet më të bukura të karrierës sime si aktore, jo vetëm se kam partner një aktor të madh, porse isha një aktore e vërtetë, që shkela çdo besëtytni për të realizuar rolin. Dhe këtë nuk e bënte çdo femër aktore.
Çfarë do të vlerësonit si ngjarje të veçanta në jetën tuaj?
Nuk kanë të numëruar, është e pamundur të rreshtoj disa prej tyre, por po kujtoj fjala vjen vënia e emrit tim në kinemanë verore në Plazhin e Durrësit. U mbusha me emocione, pse jo vetëm ndjehesh e vlerësuar, por edhe për faktin se kur ceremoni të tilla bëhen kur je gjallë, gjë që nuk është traditë në vendin tonë, emocionet janë të shumëfishta. Emrin tim e mban edhe shkolla e mesme e Lekbibajt, ku nuk mungoj të shkoj. Ndjehem krenare, jo vetëm se ndodhet në trevën ku unë jam rritur dhe kam dhënë kontributin tim si artiste, por më tepër sepse shkolla e këtij fshati është çelur nga Luigj Gurakuqi. Ajo ditë ishte e paharruar për mua. Tingujt e lahutës më kumbojnë në vesh tërë kohën. Pas ceremonisë u bë një koncert i vogël. Një lahutar ia nisi këngës duke e shoqëruar me instrumentin që e përdorte mjeshtërisht e duke kënduar me zë të lartë. Kujtoj rreshtin e parë…”Tinka Kurti, nderi jonë, Tinka jonë sa malet të rrojë..
Duke u ndalur në këtë pikë dua të them se i madhi Kadri Roshi iku dhe nuk e përjetoi një emocion të tillë. Unë nuk ndiej privilegj pse më bëhet për së gjalli, por vlerësoj dhe u jam mirënjohës të gjithë atyre që vlerësojnë karrierën time si artiste. Çast i paharruar do të mbetet për mua, kur bashkë dhe me kolege të tjera, që jemi në përbërje të Fondacionit “Nermin Vlora”, ishim të pranishme në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ishte një ditë e acartë, por që na ngrohu shpirtin, ishte një ditë e shumëpritur. Kam fiksuar në foto çastin kur një shqiptar i ardhur nga Australia më vendosi një qylaf në kokë dhe më mbështolli me flamurin e Kombit. E kam të shtrenjtë atë foto. Dua të përmend edhe diçka tjetër të bukur, emocionuese, që teksa udhëtoja me avion në lartësinë 8000 metra, kur shkonim në Stamboll në kuvendin e 7-të të gruas së shquar që organizonte Fondacioni Nermin Vlora”, festa përfshiu edhe 75-vjetorin e lindjes sime.
60 vite në skenë dhe sheshet e xhirimit. Si i ruani kujtimet?
Janë aq shumë, sa kur i përmend dikush do të shprehej: “Ç’ja fut rrenës kjo Tinka” (qesh). Në të vërtetë gjysmat i kam mbyllur nëpër valixhe. Kur i shfletoj ndonjëherë, më kujtohet e ndjera nëna ime, që i thoshte sime motre, Pinës (mjeshtre sporti): Martohu Pina, se me vete do të marrësh një valixhe me medalje e kupa”. Kjo është pasuria më e çmuar për njeriun. Edhe për mua do të duhej një kalë për të transportuar këtë “barrë” medaljesh dhe vlerësimesh që janë bërë në kohë të ndryshme.
Si e kaloni kohën e vetme?
Djali im jeton larg, por unë e kaloj ditën mes artdashësve, vargu i të cilëve nis sapo hedh shkallët e pallatit tim. Telefonata të pafundme më urojnë dhe më pyesin për shëndetin. Me kolegët dhe shoqet e skenës kalojmë një kohë të rëndësishme bashkë. Sigurisht, të ngrysesh dhe gdhihesh vetëm nuk është e lehtë, por ja që emigrimi ma mori djalin e vetëm. Sikurse e shihni, unë kam një shtëpi të thjeshtë, pa komoditetin e kohës, por zonja e saj është një artiste që ka sakrifikuar për të lënë si pasuri 110 vite punë. 60 vjet në teatër dhe 50 vjet në kinematografi. Ndaj them që kjo shtëpizë e varfër, të mbetet një muze i pasur. Është, e vetmja pasuri që kam në këto 110 vite punë e sakrificë. Ia kam lënë amanet tim biri që kjo banesë të jetë derëçelur përjetësisht. Aty do të evidentohet “pasuria” ime, vlerësimet, fotot, kasetat e CD me filmat e mi, veshje të roleve
Komentet