Giovanni Boccaccio (sqt. Xhovani Bokaço) (1313– 21 dhjetor 1375) qe një shkrimtar dhe poet italian, mik i Petrarkës, dhe eksponent i rëndësishëm i humanizmit dhe Rilindjes. Shkroi një numër të rëndësishëm veprash, ku përfshihet Dekameronin dhe De mulieribus claris. Shkroi në italishten popullore dhe veçohet për dialogjet realiste të cilat ndryshonin nga ata të shkrimtarëve mesjetar, të cilët zakonisht ndiqnin modele skematike për karakteret dhe subjektin.
I njohur si il Certaldese, Giovanni Boccaccio qe një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të XIV: i cili me Dekameronin e tij, që u përkthye menjëherë në shumë gjuhë, u bë i njohur dhe vlerësuar në nivel europian (dhe botëror më pas)[4], aq sa, për shembull, ndikoi edhe letërsinë angleze, me Geoffrey Chaucer-in.
Disa studiues (mes të cilëve Vittore Branca) e konsiderojnë si prozatorin më të madh europian që ka pasur një rol dominues në panoramën letrare të shekullit të XIV. Shkrimtar poliedrik dhe i zhdërvjellët, zotërues i një eksperimentalizmi të aftë të përfshinte tendenca dhe gjini të ndryshme letrare, duke i ngjizur në vepra origjinale, si dhe një nga pararendësit e humanizmit të nisur nga mësuesi dhe miku i tij, Françesko Petrarka, duke i vendosur bazat në Firence.
Së bashku me Petrarkën dhe Danten, bën pjesë në të ashtuquajturat «tre kurora» dhe, në shekullin e XVI, Pietro Bembo e konsideroi Boccaccio-n si modelin e përsosur të prozatorit[6]. Boccaccio qe një promotor i rëndësishëm i figurës dhe veprës së Dantes, duke kopjuar dorëshkrime të Komedisë Hyjnore, pikërisht nga ai të emërtuar hyjnore duke nisur kritikën dhe filologjinë danteske. Në shekullin e XX Boccaccio qe objek studimi kritiko-filologjik nga Vittore Branca dhe Giuseppe Billanovich dhe Dekameroni i tij, u kthye në film nga regjizori dhe shkrimtari Pier Paolo Pasolini.
Biografia
Fëmijëria fiorentine (1313-1327)
Giovanni Boccaccio lindi midis qershorit dhe korrikut të vitit 1313 nga një marrëdhënie jashtëmartesore e Boccaccino di Chellino-s, tregëtar fiorentin, me një grua të shtresës së ulët. Nuk dihet me siguri se cili ishte vendi i saktë i lindjes, midis Firences dhe Certaldo-s: Vittore Branca pohon se, kur Boccaccio firmos si Johannes de Certaldo, kjo tregon se Certaldo është vendlindja e familjes, por jo vendi fizik i lindjes. Fakti se ishte një fëmijë ilegjitim duhet të peshonte mjaft në psikën e Boccaccio-s, përderisa në veprat vulgare (dmth. në gjuhën italiane) ndërtoi një biografi mitike, të idealizuar, duke bërë të besohej se ishte i biri i një gruaje nga familja Capetingi, duke mar në këtë mënyrë spunto nga udhëtimet tregëtare që i ati bënte në Paris. I njohur që në moshë të vogël nga i ati, Giovanni u mirëprit, afër vitit 1320, në shtëpinë atërore që gjendej në lagjen e San Piero Maggiore-s. Falë gjendjes së mirë të të atit, mori mësimet e para pranë shkollës së Giovanni Mazzuoli da Strada, babai i Zanobi da Strada-s. Përgjatë rinisë, Boccaccio mësoi kështu bazat e gjuhës latine dhe artet liberale, përveç mësimit të Komedisë Hyjnore të Dante Alighierit, përderisa i ati ishte martuar me aristokraten Margherita de’ Mardoli, e afërme me familjen Portinari.
Adoleshenca napoletane (1327-1340)
Një mjedis kozmopolitan: formimi autodidakt
Por Boccaccino dëshironte që i biri të futej në profesionin e tregëtisë, sipas traditës familjare. Pasi i bëri një instruksion të vogël në Firence, në 1327 Boccaccino vendosi ta merte me vete në Napoli, qytet ku Boccaccino ishte agjent shkëmbimi i familjes Bardi. Boccaccio mbërriti kështu, katërmbëdhjetë vjeç, në një realitet tërësisht të ndryshëm nga ai i Firences: nëse Firence ishte një qytet komunal fortësisht provincial, nga ana tjetër Napoli ishte selia e një oborri mbretëror dhe kozmopolit, si ai i Anzhuinëve.
Mbreti Robert Anzhuin (1277-1343) qe thellësisht fetar si dhe jashtëzakonisht i kulturuar, madje i apasionuar pas kulturës aq sa të krijonte një bibliotekë mjaft të madhe, të drejtuar nga eruditi Paolo da Perugia. Bashkë me të shoqen Sancha d’Aragona (1285-1345), ai mbajti një oborr shkëlqyes, i fundit shkëlqim i madh i Napolit anzhuin para luftërave civile nën Giovanna-n e I.
I ati, Boccaccino e pa shpejt, me keqardhje, se i biri nuk ndihej rehat në zyrat e shkëmbimit monetar, dhe se preferonte ti kushtohej studimit të letërsisë. Për më tepër, pasi u përpoq ta shkëpuste nga këto prirje, tërësisht të huaja për tregëtinë, Boccaccino e regjistroi të birin për jurisprudencë në Universitetin e Napolit “Federico II”. Boccaccio ndoqi për dy vite (1330-1331) leksionet e poetit dhe juristit Cino da Pistoia, por në vend që të studionte me të të drejtën kishtare, parapëlqeu të ndiqte leksionet poetike që pistojezi jepte jashtë mjedisit akademik. Falë Cino-s, në fakt, Boccaccio u thellua në traditën stilnoviste të gjuhës vulgare, pasi vetë Cino qe në marrdhënie miqësore me të adhuruarin Dante. Për më tepër, Giovanni nisi të frekuentonte Oborrin Anzhuin (ku njohu, veç Paolo da Perugia-s, edhe Andalò del Negro-n) dhe të merrej me letërsi: shkruante si në latinisht ashtu dhe në italisht, duke hartuar vepra si Teseida, Filocolo, Filostrato dhe Caccia di Diana.
Një tjetër element i përdorur në arsimimin tipik të kohës isthte mësimi i disa nocioneve gramatikore dhe leksikale të gjuhës greke nëpërmjet murgut dhe teologut bizantin Barlaam di Seminara, i ardhur në Italinë e Jugut si ambasador për llogari të perandorit bizantin[22]. Rinia napoletane nuk u mjaftua vetëm te frekuentimi i mjediseve akademike dhe oborrtare: përrallat dhe aventurat e tregëtarëve që Boccaccio dëgjonte ndërsa punonte në bankën tregëtare do të ishin themelore për panoramën narrative që do të merrte jetë me Dekameronin.
Fiammetta
Në këtë pikë poeti, i bërë një autodidakt i ditur dhe entuziast, krijon mitin e tij letrar, sipas përvojës së traditës stilnoviste: Fiammetta, ndoshta Maria d’Aquino, bija ilegjitime e Robert Anzhuinit. Periudha napoletane përmbyllet papritur në vitin 1340 kur i ati e thërret në Firence për arsye të rrënimit ekonomik nga falimentimi i disa bankave ku kishte bërë investime të shumta[25].
Fillimi i periudhës së dytë fiorentine (1340-1350)
Rikthimi melankolik në Firence
Horizonti i Boccaccio-s, me rikthimin në Firence në fillim të viteve 1340, ndryshoi tërësisht nga këndvështrimi ekonomik dhe shoqëror. Duke e vuajtur jetën tepër të ngushtë dhe provinciale të Firences, do të kërkonte gjatë gjihtë jetës të kthehej në Napolin e dashur. Duke nisur që nga viti 1341 me realizimin e Epistola V adresuar mikut të vjetër Niccolò Acciaioli, tashmë komandant i përgjithshëm i Mbretërisë së Napolit. Megjithë këtë vuajtje emotive për braktisjen e qytetit të qeshur partenopeas, Boccaccio diti ndërkohë të perceptonte ngrohtësinë “mëmësore” të qytetit të tij të lindjes, tipik i kulturës mesjetare, duke kërkuar të fitonte zemrën e bashkëqytetarëve të tij nëpërmjet realizimit të Kommedisë së Nimfave fiorentine dhe Ninfale fiesolano. Megjithë sukseset letrare, gjendja ekonomike e Boccaccio-s nuk dha shenja përmirësimi, duke e detyruar letrarin e ri të largohej nga Firencia në përpjekje për të mar një pozicion në ndonjë oborr emilian.
Qëndrimi ravenas dhe forlez (1347-1348)
Midis viteve 1345 dhe 1346 Boccaccio qëndroi në Ravena, pranë oborrit të Ostasio-s së I da Polenta, ku u përpoq të merte ndonjë detyrë fitimprurëse dhe ku përfundoi vulgarizimin (dmth. përkthimin në gjuhën vulgare italiane) të dekës së tretë dhe të katërt të Ab Urbe Condita të Tit Livit, duke ja kushtuar zotërisë ravenas. Me të dështuar ky synim, në 1347 Boccaccio u trasferua në Forlì në oborrin e Francesco II Ordelaffi. Këtu frekuentoi poetët Nereo Morandi dhe Francesco Miletto de Rossi, i quajtur Checco, me të cilin mbajti pastaj korrespondenca si në latinisht ashtu edhe në gjuhën vulgare. Midis teksteve të kësaj periudhe, duhet përmendur egloga Faunus, ku Boccaccio-ja rievokon kalimin në Forlì të Luigjit I të Hungarisë (Titiro, në eglogë), të cilës i bashkohet edhe Francesco Ordelaffi (pikërisht Fauni), i drejtuar për në Napoli. Kompozimi pastaj përfshihet nga Boccaccio në përmbledhjen Buccolicum Carmen (1349-1367).
Murtaja dhe përfundimi i Dekameronit
Megjithë këto trasferime, Boccaccio-ja nuk arriti të fitonte pozicionin e dëshiruar dhe midis fundit të 1347 dhe fillimit të 1348, qe i detyruar të rikthehej në Firence. Por rikthimi i çertaldezit, koinçidoi me murtajën e tmerrshme që preku shumicën e popullsisë, duke shkaktuar vdekjen e shumë prej miqve dhe të afërmve të tij, midis të cilëve i ati dhe njerka. Por qe pikërisht gjatë epidemisë së tmerrshme që Boccaccio përpunoi atë që do të ishte baza narrative e novelistikës perëndimore, dmth. Dekameroni, që me gjasa e përfundoi në vitin 1351. Kjo epidemi i shërbeu Boccaccio-s si prolog moral i kryeveprës së tij letrare, duke përshkruar mjerimin moral dhe vdekjen që mbretëronin në shoqërinë njerëzore.
Vitet 1340 dhe admirimi për Petrarkën
Petrarka qe një figurë themelore për evolucionin intelektual të Boccaccio-s, duke e drejtuar atë drejt kuptimit të programit të tij revolucionar kulturor. Ai dëgjoi të flitej për Petrarkën që gjatë qëndrimit napoletan: falë të atit Dionigi da Borgo Sansepolcro (i ardhur në Napoli në 1338) dhe, ndoshta, nga Cino da Pistoia, Boccaccio mund të ketë patur dijeni rreth këtij të riu të talentuar që rrinte në Avinjon. I rikthyer në Firence, njohja me Sennuccio del Bene dhe admirues të tjerë fiorentinë (Lapo da Castiglionchio, Francesco Nelli, Bruno Casini, Zanobi da Strada dhe Mainardo Accursio) kontribuan në shpirtin e çertaldezit të forcohej ajo që në fillim ishte një vëmendje kureshtare, por që u shndërrua në një pasion të brendshëm për këtë njeri që, i drojtur, serioz dhe një poet i madh, do ta largonte Boccaccio-n nga gjendja e tij dekadente.
Në këtë dhjetëvjeçar Boccaccio realizoi disa kompozime që lartësonin figurën e Petrarkës: Mavortis Milex i vitit 1339, elozhe ndaj personit të Petrarkës, i aftë për ta shkëputur nga degradimi i tij moral; Notamentumi, i shkruar pas vitit 1341 me qëllim që të lartësonte Petrarkën si poetin e parë të kurorëzuar në Romë pas Publio Papinio Stazio-s, si Publio Virgjil Maroni i rimishëruar, si filozof moral njëlloj si Mark Tul Ciceroni dhe Lucio Anneo Seneca; dhe në fund De vita et moribus domini Francischi Petracchi, e shkruar para vitit 1350 dhe në gjurmët lartësuese të Notamentum-it, në një tentativë të mirëfilltë për «shenjtërimin» e aretinasit.Falë takimeve të tyre, Boccaccio mundi ti përmblidhte në “antologjinë petrarkeske” vargjet që Petrarka shkëmbente me dishepujt e tij, duke u përpjekur kështu të përvetësonte atë kulturë që çertaldezi e admironte aq shumë.
Takimi me Petrarkën më 1350
Takimi “fizik” me poetin e kurorëzuar mundi të ndodhte kur në rastin e Jubileut universal të Kishës Katolike të vitit 1350, u përpoq të linte Valchiusa-n, ku ishte strehuar për shkak të epidemisë së rëndë, për të shkuar në Romë. Përgjatë rrugëtimit, Petrarka, në një mendje me rrethin e miqve fiorentinë, vendosi të ndalonte për tre ditë në Firence për të lexuar dhe shpjeguar veprat e tij. Qe një moment me intensitet të jashtëzakonshëm: Lapo da Castiglionchio i dha Petrarkës Institutio oratoria të Marco Fabio Quintiliano-s, ndërsa Petrarka në vazhdim do tu dërgonte atyre Pro Archia poeta, e zbuluar disa vite më parë në Bibliotekën capitolare të Katedrales së Liezhit.
Konvertimi në humanizëm (1350-1355)
Nga viti 1350 dhe më tej lindi një raport i thellë mes Boccaccio-s dhe Petrarkës, që do të konkretizohej në takimet e viteve pasues, gjatë të cilëve ndodhi gradualisht, sipas një termi të sajuar nga filologu spanjoll Francisco Rico, “konvertimi” i Boccaccio-s në humanezmin në lindje e sipër. Boccaccio, që nga rinia e hershme në Napoli, kishte hyrë në kontakte me biblioteka të pasura, midis të cilave spikaste me siguri ajo e manastirit të Montecassino-s, ku ishin ruajtur dorëshkrime të shumta autorësh pothuaj të panjohur për pjesën tjetër të Evropës perëndimore: midis këtyre, Apuleio, Publio Ovidio Nasone, Mark Valer Marciali dhe Mark Terenc Varroni.
Por deri në takimin me Petrarkën, Boccaccio vazhdoi ti shikonte klasikët në optikën e shpëtimit kristian, të deformuar në raport me mesazhin e tyre origjinal dhe të tëhuajsuar nga konteksti në të cilin u kompozuan. Takimet e ndryshme me poetin, të realizuara në mënyrë konstante nëpërmjet një letërkëmbimi të dendur dhe frekuentimi ngulmues i para-humanistëve të tjerë, i lejuan Boccaccio-s ta tejkalonte mentalitetin mesjetar dhe të përqafonte mentalitetin humanist në lindje e sipër.
Në harkun e një pesëvjeçari Boccaccio mundi ti afrohej mentalitetit të atij që do të bëhej praeceptor-i i tij, duke konstatuar indiferencën që ata ushqenin për Danten dhe shpirti ngulmues prej kozmopolitani e shtyn poetin aretinas të refuzonte ftesën e Republikës fiorentine për të marr rolin e docentit në Universitetin e sapolindur Studium (Universita degli Studi di Firence) të Firences, por në vitin 1353, të pranonte ftesën e Giovanni II Visconti, armikut kryesor të fiorentinëve.
Me tu tejkaluar kriza e marrdhënieve për reflektimin e Petrarkës, Boccaccio i rinisi përsëri marrdhëniet kulturore me rrethin e miqve fiorentinë, duke arritur në pjekurinë e mentalitetit humanist kur “çertaldezi”, në 1355, i dha mikut dy dorëshkrime të çmuara: një nga Enarrationes in Psalmos të Shën Agustinit, të cilës i pasoi ajo e De Lingua Latina e eruditit roman Mark Terenc Varroni dhe gjithë Pro Cluentio e Mark Tul Ciceroni.
Vitet e angazhimit (1350-1365)
Midis detyrave publike dhe problemeve private
Ndërsa Boccaccio konsolidonte miqësinë me Petrarkën, nisi të angazhohej në përfaqësime diplomatike nga Signoria, e ndërgjegjshme për cilësitë retorike të “çertaldezit”. Që midis gushtit dhe shtatorit të vitit 1350, për shembull, Boccaccio u dërgua në Ravenë për ti sjellë Antonia Alighierit, të bijës së Dantes, 10 fiorinë të artë në emër të kapitenëve të kishës së Orsanmichele-s, gjatë të cilës me gjasa do të ketë mbledhur informacione rreth poetit të dashur dhe do të ketë njohur mikun e Petrarkës, rektorin Donato Albanzani. Më 1351, Signoria e ngarkoi përsëri Boccaccio-n për një mision të trefishtë: të bindëte Petrarkën, që ndërkohë gjendej në Padova, të vendosej në Firence për të dhënë mësim në të porsalindurin Studium (takimet mes të dyve u zhvilluan në mars); të firmoste me Ludvikun V të Bavarisë, markez i Brandeburgut, një aleancë kundër synimeve ekspansioniste të Giovanni Visconti-t (dhjetor 1351 – janar 1352); dhe në fund, pasi u emërua një nga thesar-mbajtësit e Republikës (Camerlenghi della Repubblica), ajo që të bindëte Giovanna-n I të Napolit të linte Prato-n nën juridiksionin fiorentin.
Megjithë dështimin e tratativave me Petrarkën, Signoria i rinovoi Boccaccio-s besimin e saj, duke e dërguar në Avinjon pranë Inoçentit të VI (maj-qershor 1354) dhe, në 1359, në Milano pranë zotërisë së ri të Milanos, Bernabò Visconti, qytet në të cilin Boccaccio ndaloi për të vizituar Petrarkën, shtëpia e të cilit gjendej pranë në Bazilikës së Sant’Ambrogio-s.
Kjo dekadë me aktivitet të dendur politik u karakterizua edhe nga disa çështje të dhimbshme personale: në 1355 i vdiq vajza biologjike, Violante (Boccaccio, në një datë të pa saktësuar, bëri betimin për tu bërë klerik, siç dëshmohet në një bamirësi të vitit 1360); në të njëjtin vit, shkrimtari provoi hidhërimin dhe inatin që nuk u ndihmua nga miku i fuqishëm Niccolò Acciaiuoli në marjen e një posti në oborrin e Giovanna-s I të Napolit. Por në vitin 1355 pa edhe një sukses të vogël financiar nga ana e çertaldezit, pasi disa tregëti të ndërmarra nga ai me qytetin e Alghero-s i sollën ato burime për të cilat do të tregonte se i dispononte në vitet pasuese, të karakterizuara nga vështirësi të ndryshme ekonomike.
Rënia e përkohshme në fatkeqësi
Viti 1360 shënoi një kthesë në jetën shoqërore të Boccaccio-s. Në atë vit, në fakt, gjatë zgjedhjeve të priorëve të Signorisë u zbulua një komplot në të cilin morën pjesë persona të afërt me vetë Boccaccio-n. Megjithëse qe i pa përfshirë në tentativën për grusht shteti, Boccaccio u pa me sy të keq nga ana e autoriteteve politike fiorentine, aq sa deri në 1365 nuk mori pjesë në misionet diplomatike apo detyra politike.
Në mesin e viteve pesëdhjetë, ndërsa përparonte në njohjen e metodologjisë së re humaniste, Boccaccio nisi të shkruant pesë vepra në gjuhën latine, fryt i studimit të vazhdueshëm mbi dorëshkrimet e klasikëve. Tre nga të cilët kanë një karakter erudit (Genealogie deorum gentilium, De Canaria dhe De montibus), ndërsa pjesa tjetër (De casibus virorum illustrium dhe De mulieribus claris) kanë një shije më të thjeshtë. Një nga meritat më të mëdha të Boccaccio-s për përhapjen e kulturës humaniste qe interesi i treguar përkundrejt murgut kalabrez Leonzio Pilato, njohës erudit i greqishtes antike për të cilën Petrarka i foli mikut fiorentin. Pasi mori nga Signoria fiorentine që Pilato të pritej në Studium (Università degli Studi di Firenze) si mësues i greqishtes antike, Boccaccio e priti murgun me shpenzimet e tija midis gushtit 1360 dhe vjeshtës së vitit 1362.
Bashkëjetesa me të nuk duhet të ketë qenë shumë e lehtë për shkak të karakterit të keq të Pilato-s[66], por në të njëjtën kohë doli i leverdisshëm për mësimin e greqishtes antike nga ana e çertaldezit. Në Firence Pilato përktheu pesë librat e parë të Iliadës dhe Odisenë (veç komentimit të Aristotelit dhe Euripidit[64]) dhe, me tu realizuar dy dorëshkrimet e të dy veprave, Boccaccio ia dërgoi Petrarkës (1365).
Periudha fiorentino-çertaldeze (1363-1375)
Periudha që shkon nga viti 1363 në vitin e vdekjes (1375) [68][69][70] quhet «periudha fiorentino-çertaldeze»: në fakt, autori i Dekameronit do të fillonte gjithmonë e më shumë të qëndronte në Certaldo, megjithëse autoritetet fiorentine kishin vendosur ta ri-integronin në zyrat publike, duke e dërguar si në të shkuarën në misione diplomatike[71].
Duke filluar nga viti 1363, në fakt, Boccaccio qëndroi për më shumë se dhjetë muaj në qytezën toskane, nga e cila lëvizi gjithmonë e më rrallë edhe për shkak të shëndetit të përkeqësuar (në vitet e fundit u prek nga cërma, nga zgjebia dhe nga hidropizia[72]). Udhëtimet e vetme që do të përmbushte do të ishin ata për të takuar Petrarkën, disa misione diplomatike për llogari të Firences, apo për të ri provuar fatin pranë Napolit të dashur. Veç rënies fizike, iu shtua edhe një gjendje ezaurimi psikologjik: në 1362 murgu çertozin (dhe më pas i lumturuar) Pietro Petroni[73] e kritikoi atë dhe Petrarkën se i dedikoheshin kënaqësive mondane si letërsia, kritika që e prekën thellësisht shpirtin e Boccaccio-s, sa ky mendoi edhe ti digjte librat e tij[74] dhe, pastaj, të hiqte dorë nga studimet duke ia shitur Petrarkës bibliotekën e tij.
Rehabilitimi publik
Në 1365, në fakt, Boccaccio u vendos në krye të një misioni diplomatik pranë oborrit papnor të Avinjonit. Në atë qytet çertaldezi duhej të tregonte besnikërinë e fiorentinëve ndaj papa Urbanit të V kundër ndërhyrjeve të perandorit Karli i IV i Bohemisë. Më 1367 Boccaccio shkoi në Romë për të uruar mirëseardhjen e papës në selinë e dioqezës së tij.
Rrethi i Santo Spirito-s dhe autoriteti i Boccaccio-s
Në vitet pasuese u pa gjithmonë e më shumë ngadalësia e udhëtimeve të Boccaccio-s: në 1368 takoi për herë të fundit mikun Petrarka, tashmë i stabilizuar në Arquà; midis vitit 1370 dhe vitit 1371 qe në Napoli, qyteti ku vendosi befasisht të mos kthehej më për shkak të moshës së thyer dhe shëndetit të keq.
Në vitet e fundit Kisha e Santo Spirito-s, me aneksin e manastirit agustinian qe vendi i takimit midis intelektualëve të ndryshëm të afërt me ndjeshmërinë humaniste. Strehoi edhe të ashtuquajturën «Parva libreria», dmth. tërësinë e librave që Boccaccio-ja i dhuroi Martino da Signa-s, në bazë të vullnetit të tij testamentar. Qëllimi kryesor i çertaldezit, në vitet e fundit të jetës, qe ai i përfundimit të veprave të tija latine dhe të forconte primatin e kulturës humaniste në Firence. Qe pikërisht në këta vite që Boccaccio, tashmë i admiruar nga elita kulturore italiane, mundi të krijonte një rreth besnikësh në Firence pranë konventit agustinian të Bazilikës së Santo Spirito-s[81]. Midis tyre përmenden Martino da Signa, Benvenuto da Imola dhe, mbi të gjitha, noteri dhe kancelari i ardhshëm i Republikës, Coluccio Salutati.
Vitet e fundit
Pllaka përkujtimore e varrit, realizuar mes fundit të shek. të XIX dhe fillimit të atij të XX, në nder të Boccaccio-s, në qendër të navatës së kishës së shënjtëve Jacopo dhe Filippo në Certaldo.
Përkrahë prodhimtarisë humaniste, Boccaccio vazhdoi të kultivonte dashurinë e tij për poezinë vulgare, veçanërisht për Danten. Nga ai, në fakt, redaktoi botimin e kritikës së veprave, duke bërë parathënien e Trattatello in Laude di Dante, i realizuar në dy versione në vitet pesëdhjetë dhe gjashtëdhjetë. Në 1370, për më tepër, traskriptoi një dorëshkrim të Dekameronit, të famshmin Hamilton 90 të zbuluar nga Vittore Branca. Megjithë sëmundjet gjithmonë e më të rënda, Boccacciò pranoi një detyrë të fundit nga Komuna e Firences, duke nisur një lexim publik të Komedisë Hyjnore danteske në Abacinë Fiorentine, të ndërprerë te Ferri – Kënga e XVII për shkak të një dobësie fizike.
Vdekja dhe varrimi
Muajt e fundit kaluan midis dhimbjeve fizike dhe dhimbjes për humbjen e Petrarkës, të vdekur midis 18 dhe korrikut të vitit 1374. Si dëshmi të kësaj dhimbjeje kemi Epistola XXIV adresuar dhëndërrit të Francescuolo da Brossano-s, të vdekur, ku poeti pohon miqësinë me poetin, ndjenjë që do të shtrihej edhe përtej vdekjes. Në fund, më 21 dhjetor 1375 Boccaccio dha frymën e fundit në shtëpinë e tij në Certaldo. U vajtua sinqerisht nga bashkëkohësit dhe dishepujt e tij (Franco Sacchetti, Coluccio Salutati) dhe nga miqtë e tij (Donato degli Albanzani, Francescuolo da Brossano, dhëndërr i Petrarkës), Boccaccio u varros me të gjitha nderimet në kishën e shenjtëve Jacopo dhe Filippo në Certaldo.
Në prodhimtarine e Boccaccio-s mund të dallohen veprat e rinisë, të pjekurisë dhe pleqërisë. Vepra e tij më e njohur është Dekameroni.
Dekameroni (1348-1353)
Kryevepra e Boccaccio-s ëshë Dekameroni, nëntitulli i të cilit është princi Galeotto (për të treguar funksionin që libri do të kishte si ndërmjetës midis të dashuruarve) dhe titulli i të cilit ësthë mar nga traktati Exameron i sant’Ambrogio-s[108]. Libri rrëfen për një grup të rinjësh (shtatë vajza dhe tre djem) që, gjatë epidemisë së murtajës së vitit 1348, të sapo takuar në Bazilikën e Santa Maria Novella-s, vendosin të strehohen në kodrat pranë Firences. Për dy javë «brigata e ndershme» ja kalon qetësisht me lojëra të ndryshme, në veçanti duke treguar me radhë novelat, të mbledhura në një kornizë narrative ku alternohen plane të ndryshme narrative: kjo i lejon Boccaccio-s të ndërhyjë qortueshëm në tematika të ndryshme të lidhura me disa novela që qarkullonin lirisht.
Emrat e dhjetë të rinjve protagonistë janë Fiammetta, Filomena, Emilia, Elissa, Lauretta, Neifile, Pampinea, Dioneo, Filostrato dhe Panfilo. Çdo ditë ka një mbret ose një mbretëreshë që vendos temën e novelave; por dy ditë, e para dhe e nënta, janë me temë të lirë. Rendi me të cilin tregohen novelat gjatë harkut të ditës nga secili prej të rinjve është plotësisht i rastësishëm, me përjashtim të Dioneo-s (emri i të cilit rrjedh nga Dione, nëna e Venusit), që zakonisht tregon i fundit dhe jo domosdoshmërisht mbi temën e zgjedhur nga mbreti apo mbretëresha e ditës, duke rezultuar kështu si një nga përjashtimet që Boccaccio fut në projektin e tij të përpiktë. Përkundrazi, vepra paraqet një larmi temash, mjedisesh, personazhesh dhe tonesh; mund të dallohen si qendrore temat e fatit, të gjenialitetit, të oborrtarisë dhe dashrisë.
Dekameroni është, sipas fjalëve të babait të historiografisë letrare italiane, Francesco De Sanctis, «Komedia tokësore»: në të Boccaccio tregon se dinte të pikturonte mjeshtërisht gjithë kodin etik të qenies humane, i detyruar të përballonte situata ku kërkohet gjenialitet për të tejkaluar vështirësitë e vendosura nga Fati. Te Boccaccio-ja, tashë është shkëputur plotësisht nga forcat mbinatyrore (si në rastin e Dantes, që reflekton mbi Fatin te Ferri – Kënga e VII), duke e lënë zhvillimin në dorë të protagonistit. Tregimi me tematik erotike ose sakrilegjale (si për shembull ato të lidhura me novelën e Ferondo-s në Purgator, ose të Masetto-s nga Lamporecchio) nuk janë gjykuar moralisht nga autori, që përkundrazi, vështron me shikim neutral sa mund të jetë e pasur dhe larmishme jeta njerëzore. Gjykimi akoma më i kuptueshëm në dritën e vlerave “laike” të sjella në rrëfim nga një eksponent i klasës tregëtare dhe borgjeze e ‘300-ës, për më tepër biri biologjik i njërit nga ata tregëtar që popullojnë këtë komedi njerëzore. (Wikipedia)