- Nuk janë shum shkrimtarët t´onë, emni i të cilvet të njifet aq mirë në shtresat letrare shqipe sá ai i Koliqit; të pakët janë atá, prodhimet e të cilvet të kenë marrë aq hapt në çdo kând të Shqipnís, sá ato qi emnin e tij në çfaqje kulturore gjithëfarësh, në botime nëpër fletore e revista të ndryshme, disá prej të cilavet themelue dhe mbajt prej tij vetë, në botime veprash qi janë të pacaktueme të zánë nji vend të dukshëm, dashtas e padashtas, në historín e letrave t´ona.[1]
Ernest Koliqi (Shkodër, 20 maj 1903 – Romë, 15 janar 1975) ishte mësues, poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, madje dhe dramaturg, ministër arsimi në qeverinë Vërlaci, botues dhe pedagog. Cilësohet bashkë me Mitrush Kutelin, si bashkëthemelues i tregimit modern shqiptar sa i përket krijimtarisë[2][3], ndërsa në punët politike e arsimore ka meritë për dërgimin e 200 arsimtarëve në trojet e Shqipërisë së Lirueme[4].
Jeta
Leu në Shkodër, i biri i Shan Koliqit dhe i Ages së Cuk Simonit, nga lisi i tamblit ishte nip Parrucejsh[5], familje reshpere shkodrane fort e kamur. Ndërsa lisi i gjakut i tij kishte origjinën prej Lotajve të Shalës së Dukagjinit, e rënë në krahinën e Anamalit rreth 1700ës së pari e mbasandej në Shirokë. Prej një të pari iu mbeti llagapi Kolaj, që iu mbrapavendos shtesa –iqi prej tregtisë të vazhdueshme me Malin e Zi[6]. Ishte i dyti ndër fëmijët, mbas Mikelit – që do të bëhej i pari kardinal shqiptar – dhe mbas tij vinin Leci, Guljelmi, Margerita, Viktori dhe Terezina[7].
Pas mësimeve të para të nxëna në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, i ati e dërgoi për të studiuar në Itali më 1918[2]. Së pari në kolegjin jezuit “Cesare Arici” në Breshia dhe mbasandej në Bergamo. Bashkë me nxënës të tjerë hap gazetën “Noi giovani” (“Ne të rinjtë”), ku boton poezitë e para në italisht. Kthehet në Shqipëri pasi që gjendja futet në hulli pas Kongresit të Lushnjës, nxë shqipen dhe falë njohtësisë me L. Gurakuqin njihet me rininë premtuese: K. Thaçi, L. Ashiku, Sh. e K. Gurakuqi, Dom L. Shantoja, K. e L. Kamsi. Më 1921 mbahet një konkurs për himnin kombëtar, ku Ernesti merr pjesë me një poezi e cila fitoi çmimin e parë të dhënë nga juria e përbërë prej P. Gj. Fishtës, F. Nolit, M. Frashërit, L. Gurakuqit[2].
Në mars-prill merr pjesë si përfaqësues i shoqërisë kulturore “Rozafa” në një mbledhje me Z. Harapin nga shoqëria “Bogdani” dhe P. A. Harapin në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve” nën dorën e Imzot L. Mjedjës[8]. Mbas Lëvizjes së qershorit, L. Gurakuqi e thërret në Tiranë si sekretar personal. Aderon në shoqërinë “Bashkimi” të themeluar prej të shuarit A. Rustemi, e drejtohej tashmë nga Ll. Fundo. Kalon më pas si sekretar në min. e Mbrendshme, ku ministër ishte kol. Rexhep Shala[9].
Me Triumfin e Legalitetit shtrëngohet të dalë në mërgim, doli në veri drejt Mbretërisë SKS, ku studion gjuhën dhe kundron letërsinë serbo-kroate. Qëndron për dy vjet në Tuzla të Bosnjës me shumë nga krerët e maleve[1][10]. Më 1928 gjendet në Bari të Italisë mes B. Omarit, S. Pecit, Sheh Karbunarës dhe Kostë Paftalit. Në Zara të Dalmacisë botoi edhe përmbledhjen e parë me novela më 1929 ku ishte edhe miku i tij në ideale e në punë gjuhe, Mustafa Kruja[9]. Kthehet në atdhe dhe nis punë si mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë dhe mandej në Gjimnazin e Shkodrës (1930-’33)[11], ku mes të tjerëve do t’iu jepte mësim P. Markos[12] dhe L. Radit gjegjësisht nëpër qytetet e përmendura. Nis të verojë ndër bjeshkët e Dukagjinit ata vite ku përpos ndodhive shënonte edhe kangët e buta – siç i thonë në Dukagjin këngëve erotike – kujtime të cilat do t’i shkruante mbas ’70 me pseudonimin “Hilushi”. Ndërkohë miku i tij M. Kruja i kërkon me mbledhë librat e bibliotekës së tij të cilat qenë shpërndarë ndër françeskanë e jezuitë mbas lëshuan Shqipërinë në dhjetorin e 1924[13].
Më 1933 jep dorëheqjen nga mësimdhënia për të nisur studimet universitare në Padova. Gjatë periudhës 1934-’36 ishte pjesëtar i grupit botues të të përkohshmes “Illyria” të I. Totos[14] ku do të botonte poemthin në prozë Quattuor. Në po të njëjtën të përkohshme më 1935 do të zbulohej Migjeni me vjershën “Të lindet Njeriu” me nxitje të Koliqit[15]. Më 1936 e emërojnë Lektor të Shqipes në katedrën e Albanologjisë të drejtuar nga gjuhëtari C. Tagliavini. Më 1937 doktoron po në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqipe”) falë mbledhjeve që kishte bërë P. B. Palaj, tezë doktorate e cila u vlerësua nga shumë albanologë si N. Jokli, M. Lambertz etj[2]. Transferohet nga Padova në Romë tetorin e 1937 si lektor i shqipes[15].
Më 1939 hapet në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, ku Koliqi emërohet ordinar dhe qëndron i tillë derisa doli në pension. Ndërprerja e vetme disi e gjatë qe kur u emërua ministër Arsimi në vjetët 1939-’41.
Ministër Arsimi në qeverinë Vërlaci nën pushtimin italian
Pavarësisht rrethanave, Koliqi shfrytëzoi deri në skaj mundësitë që i jepte zyra e tij. Panë dritën e botimit tekste shkollore shqipe e libra më shumë se ç’qenë botuar prej vitit 1912 e deri atëherë: botimi i historisë së letërsisë në dyvëllimshin “Shkrimtarët shqiptarë” më, nën kujdesin e N. Resulit e K. Gurakuqit; vijoi botimi i përmbledhjeve të folklorit “Visaret e kombit” me v. IV prej H. Reçit, S. Çomorës e A. Palucës dhe shumë arsimtarëve të tjerë, duke e çuar deri në XIV vëllime – punim i patëdytë në aq pak kohë dhe me rëndësi për themelin e studimit të folklorit. Tok me M. Krujë dhe P. Zef Valentinin thirri në Tiranë Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare në vitin 1940 prej ku lindi Institutin i Studimeve Shqiptare me qendër në Tiranë, pararendës i Akademisë së Shkencave. Themeloi e drejtoi të përkohshmen “Shkëndija” në korrik të 1940, e cila qe palestër e mendimtarëve dhe shkrimtarëve të kohës. Në shtatorin e vitit 1941 nis mbi 200 arsimtarë normalistë drejt Kosovës.[16] Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare Ernest Koliqi konsullit shqiptar Nikollë Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar N. Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Përpjekje kjo, si shumë të tjera për ta shpëtuar studiuesin e shumëçmuar, që nuk dha rezultat[17][18].
Kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare
Ministria e Arsimit në qeverinë pasardhëse Kruja pati si pasues Xh. Kortshën. Duke dhënë dorëheqjen, Koliqi kësodore i përkushtohet drejtimit të Institutit, prej ku filloi botimi i vëllimeve “Studime e tekste”. Martohet me arsimtaren Vangjelije Vuçani dhe patën dy fëmijë: Markun dhe Elizabetën. Në zgrip e kapitullimit të Italisë fashiste, më 1942 zëvendëson Terenc Toçin në krye të Këshillit t’epërm korporativ fashist deri më 1943, gjë që do t’i kushtonte edhe më tepër në syzet e regjimit që do të vinte[19]. Në vjeshtën e 1943 prej portit të Tivarit shkon në Itali me familjen dhe të afërmit e tij[20].
Mërgimi i mbramë, BKI dhe “Shêjzat”
Më 1943 vajti në Romë të vazhdonte punën si ordinar në universitet dhe u emërua ambasador në Vatikan, i fundit para regjimit që do të vinte. Nga një telefonatë merr vesh për kapjen e P. Markos nga ana e gjermanëve, të cilit i shpëton jetën.[12] Më 6 nëntor 1946 krijohet partia Blloku Kombëtar Indipendent me bërthamën krijuese e drejtuese të përbërë nga vetë Koliqi, dr. Ismail Vërlaci, Gjon Marka Gjoni dhe Ndue Gjon Marku – duke i ndenjtur veprës së Mark Gjon Markut. Në mars të 1947 themelon dhe kujdeset të botojë të përkohshmen “L’Albanie Libre” që ndali më 1959, e më pas “Lajmëtari i të Mërguemit”[21].
Me dekret të Presidentit të Republikës së Italisë, më 2 shtator 1957, për njohje të prestigjit, Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Universitetit të Romës, nderohet duke u bërë Institut i Studimeve Shqiptare dhe Koliqi u emëruar presidenti.
Themelon të përkohshmen “Shêjzat” (it. “Le Pleiadi”) që e drejtoi për 18 vjet, e përkohshmja kryesore letraro-kulturore e asokohe. Vijimësi e traditës publicistike që la n’atdhe me “Shkëndijat”, penat e hershme dhe ato të reja gjetën të satin log ku të kultivonin kulturën shqiptare në mërgim të pandotur nga ideologjia me të cilën përlyhej në atdhe. Ndihmon talente të shumë fushave të ikur nga ish-Jugosllavia duke iu dhënë hapsirë ndër faqet e revistës, ndër ta piktori L. Delija, shkrimtarët M. Camaj e F. Karakaçi dhe etnologu V. Malaj[20].
- “Shêjzat shërbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruen në kroniken e tyne edhe ngjarje shoqnore që në të ardhmen do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kultural për nji periudhë rreth njizet vjeçare”. Martin Camaj
Më 4 maj të 1969 i vdes bashkëshortja Vangjelija. Zhdukja e saj i shkaktoi një mungesë të pazëvëndësueshme e ndoshta shpejtoi edhe humbjen e tij. 1975 – Vdes në shtëpinë e tij në Romë më 15 janar 1975 dhe u varros në qytetin e amshuar me datën 18, i nderuar nga i gjithë komuniteti shqiptar në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij. Në ceremoninë e asaj dite kishin ardhur personalitete të ndryshëm, kolegë, shqiptarë, arbëreshë, miq të ardhur nga vende të ndryshme[2].
Vepra
Siç u përmend, qasjen e parë që pati me letrat e përshfaqi në revistën që hapën gjatë nxënjeve të para në Itali, të cilat i bëri në gjuhë italishte. Mbasi fitoi konkursin për himn kombëtar, Koliqi nxitet nga Gurakuqi të shkruaj atë që do të bëhej poemthi i tij i parë dramatik, “Kushtrimi i Skanderbegut” botuar në shtypshkronjën “Nikaj”, Tiranë më 1924 – e cila mbarështohej nga vëllau i Dom N. Nikajt.
Gjatë mërgimit të parë ndërsa bluante ndjesitë e përftuara nga kurbeti dhe malli për vatrën familjare dhe klimën morale që e rrethonte shkruan me pseudonimin Borizani në të përkohshmen e Omer Nishanit. Nxjerr përmbledhjen e dymbëdhjetë novelave “Hija e Maleve”, botuar në Zara më 1929. Përmbledhja pasqyron suazën mjaftueshëm harmonike të mjedisit me taban patriarkal, mesdhetar e oriental ku kishte kaluar fëmininë – trung ky që përshkohej nga një shije e hollë perëndimizimi. Fryma qytetare gjithnjë në dialog me atë malësore dëshmon tharmin e formësimit të autorit përmes prozës psikologjike të stilizuar me ëndje, e selitur me themelet dokësore të shpirtit shqiptar.
Boton më 1932 vëllimin e parë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie të Fishtës, një antologji me 280 faqe që u përdor menjëherë si tekst letërsie në gjimnazin klerik të Shkodrës dhe përmban katër poetët më të mëdhenj të Italisë: Danten, Petrarkën, Arioston, Tason. Vjershat e veta i përmbledh në vëllimin “Gjurmat e stinve” më 1933, ku paraqiten me një frymë krejt të re skenat e jetës shkodrane. Ndërsa, autodafeja e vendosur në krye të këtij libri vlerësohet si një ndër aktet më të rëndësishme në fushë të mendimit estetik shqiptar. 1935, Itali – Pas suksesit të vëllimit të parë me tregime, boton një libër me 16 novela me titull “Tregtar flamujsh” me lëndë të nxjerrë nga mënyra e jetesës së popullit tonë, sidomos të atij të qytetit të Shkodrës. Ngjarjet dhe problematikat sociale që prekin veprën gjithnjë i nënshtrohen një analize të thellë psikologjike. Boton vëllimin e dytë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie nga Tagliavini. Ky vëllim përfshin vjersha të përkthyera të katër italianëve të tjerë: Parini, Monti, Foskolo, Manxoni. Personalisht çmonte Giosuè Carducci, Giovanni Pascoli, dhe Gabriele D’Annunzio-n. Edhe vëllimi i tretë ishte i përgatitur por nuk u botua. Tregtar flamujsh (1935) dhe Pasqyrat e Narçizit (1936), Koliqi sjell një botë krejt unike shpirtërore shqiptare, ndërsa gjuha e tij dhe stili i japin frymëmarrje të re letrave shqipe.
Bashkëpunoi me revistat “Hylli i Dritës” e françeskanëve, “Leka” e jezuitëve, “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit , “Minerva”, “Besa” etj. Poezitë më të mira të këtij vëllimi janë ato të shkruara në formë të tingëllimit (sonetit).
Nis të botojë nga viti 1954 deri më 1961, studimin krahasues “Dy shkollat letrare shkodrane – e Etënve jezuitë dhe e Etënve françeskanë”. Në këtë studim të tij vërehet përpjekja për të hartuar një histori të mirëfilltë të letërsisë shqiptare, jashtë ngjyrimeve ideologjike. Në Firenze boton vëllimin “Poesia popolare albanese”(“Poezia popullore shqiptare”) ku spikat si studiues i merituar i traditave artistike dhe folkloristike të atdheut të tij. 1959 – Boton vëllimin “Kangjelet e Rilindjes” (“I canti della Rinascita”) me përkthimin në italisht, kushtuar arbëreshëve të Italisë, ku i nxit ata të ruajnë gjuhën e zakonet e të kenë besim në pavdekësinë e fisit. 1960 – Boton romanin “Shija e bukës së mbrûme” për të cilin Koliqi vetë shprehet: “Ky tregim parashtron edhe përpiqet imtësisht të hulumtojë dramin shpirtnuer të nji të riut shqiptar flakrue jashta atdheut nga pasojat e së dytës luftë botnore.” (Paraqitje në “Shija e bukës së mbrûme”, Shkodër, 1996) Boton studimin “Gabriele D’Annunzio e gli Albanesi” (“Gabriel D’Anuncio dhe Shqiptarët”). 1963 – Boton “Antologia della lirica albanese” (“Antologjia e lirikës shqiptare”) ku për herë të parë paraqiten në një gjuhë evropiane përkthimet e lirikat më të mira të autorëve shqiptarë të vjetër e të rinj ku theksohen autorët kosovarë me qëllim që të njihen më mirë. Riboton “Shtatë Pasqyrat e Narçizit” (që e kishte botuar së pari në fletoren Gazeta Shqiptare të Bari-t më 1936) ku paraqiten shtatë copa proze poetike që përshkruajnë gjendjen shpirtërore të shkrimtarit. 1965 – Del në dritë “Albania”, një monografi italisht, botuar në “Enciclopedia dei popoli d’Europa”, Milano ku paraqet një pasqyrë të gjërë mbi Shqipërinë si në pikëpamjen gjeografike, ashtu edhe letrare e historike. 1970 – Riboton poemthin “Simfonia e Shqipeve” (që e kishte botuar për herë të parë në fletoren “Gazeta Shqiptare” të Bari-t më 1936), që është si një testament poetik që nënvizon trashëgiminë kombëtare, lashtësinë dhe traditat e popullit. Kjo vepër ka për argument lartësimin e kohës së kaluar të fisit tonë. 1972 – Botohet vëllimi “Saggi di Letteratura Albanese”, Firenze. Një përmbledhje e mirë shkrimesh e konferencash përpunuar gjatë disa vjetëve. 1973 – Vazhdon të përkthejë në italisht pjesë nga Lahuta e Malcís, këngët II-III-IV-V (punë kjo e nisur që në vitin 1961 kur përktheu këngën XXVI; më 1971 këngët XII-XIII-XIV dhe XV). Më 1983 historia e letërsisë shqipe i referohet pasivisht si “Koliqi tradhëtari”.
Pasardhës të Koliqit, sidomos në këmbënguljen e gjetjes së veçantive vendore në gjuhë e në jetë, në letërsinë shqipe bashkëkohore para së gjithash konsiderohet Anton Pashku.
Mirënjohje
- Medalje arit e Shoqnís “Dante Aligheri”.
- Ylli i artë për Meritë të Shkollës.
- Akademik ordinar i Akademisë Tiberiane.
- Akademik Nderi i Akademisë Teatine të Kietit për Shkencat.
- Antar i Akademisë së Abrucit për Shkencat dhe Artet.
- Antar efektiv i Akademisë së Mesdheut.
- Antar Nderi i Qendrës Ndërkombëtare për Studimet shqiptare.
- Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit Kosovë
Burime
- ^ a b Gurakuqi K., Ernest Koliqi, “Shêjzat”, VII, 1963, nr. 5-8, fq 163-172.
- ^ a b c d e Vuçani P., Jeta dhe veprat e Koliqit, “Shêjzat” – Numër përkujtimuer kushtue prof. Ernest Koliqit, 1975. Fq. 14-18.
- ^ Hamiti S., Letërsia Moderne Shqipe, Tiranë: UET Press, 2009.
- ^ Krasniqi R., Ernest Koliqi dhe zhvillimi letrar në Kosovë, “Shêjzat” – Numër përkujtimuer kushtue prof. Ernest Koliqit, 1975. fq. 36-42.
- ^ Camaj M., Fjala qet fjalën – Në rasën e gjashtëdhetëvjetorit të lindjes së Ernest Koliqit, “Shêjzat”,
- ^ Bushati H., “Shkodra dhe motet: (traditë, ngjarje, njerëz…)”, Shkodër: Idromeno, 1999.
- ^ Demo E., Viktor Koliqi i fshehti dhe i ndjeshmi vëlla shkrimtar: “Hylli i Dritës” rizbulon pas gjysmë shekulli vëllain shkrimtar të Ernest Koliqit, Tiranë: Shekulli. – Nr. 2529, 22 janar, 2009, f. 20 – 21.
- ^ Çefa K., Grupi “Ora e Maleve” dhe publicistika e tij, Tiranë: “Gjergj Fishta”, 2013. ISBN 978-9-92816-121-5
- ^ a b Oroshi J., Një pishtar i letërsisë e i kulturës shqiptare fiket, “Shêjzat” – Numër përkujtimuer kushtue prof. Ernest Koliqit, 1975. fq. 57-65.
- ^ Hilushi, Kuleta e vjetër me guraleca të ngjyershëm, Romë: “Shêjzat” vj. XVI, nr. 01-04, fq. 89.
- ^ Koliqi E., Dante e ne shqiptarët (1950), Tiranë: Tirana observer. – Nr. 21, 27 janar, 2008, f. 9.
- ^ a b Marko P, “Intervistë me vetveten”, Tiranë: sh.b. “Omsca”, 2000.
- ^ Koliqi E., Mustafa Kruja si njeri kulture e si gjuhëtar, Romë: “Shêjzat” – botim përkujtimor për Mustafa Krujën, 1973.
- ^ Logoreci A., Ernest Koliqi, “Shêjzat” – Numër përkujtimuer kushtue prof. Ernest Koliqit, 1975. fq. 142-144.
- ^ a b Koliqi E., Migjeni dhe unë, Romë: “Shêjzat”, v. XVIII nr. 1-10, 1974. fq
- ^ Letër nga Ernest Koliqi dërguar Karl Gurakuqit, Romë, 16–3–1951.
- ^ Maksuti I., Norbert Jokl – Figurë e shquar e albanologjisë, Illyria. – V. 12 Nr. 1150, 21-24 qershor, 2002, f. 30.
- ^ Ndreca A., Norbert Jokl dhe fati i një biblioteke që i përkiste Shqipnisë, Tiranë: Mapo. – Nr. 527, 8 mars, 2012, f. 10.
- ^ Muner P., Ku e lamë Koliqin?, Tiranë: Revista Klan, 24 qershor 2013.
- ^ a b Ndreca A., Në përvjetor të Ernest Koliqit, mapo.al, 18 maj 2013.
- ^ Gurakuqi R., Ernest Koliqi dhe Blloku Kombëtar Indipendent, Shkodër, 2004.
Komentet