Të martën 12 korrik në orën 19:00 tek Instituti i Zbardhjes së Krimeve të Komunizmit,
çelet ekspozita fotografike për dy poetët e pushkatuar nga regjimi komunist,
Vilson Blloshmi e Genc Leka.
Keni rast ta vizitoni këtë ekspozitë të dy poetëve që i vranë për vargjet e tyre.
Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit me rastin e përkujtimit të 45 vjetorit të ekzekutimit të dy poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, organizon ekspozitën “45 vite nga ekzekutimi i poetëve Vilson Blloshmi (1948-1977) dhe Genc Leka (1941-1977)”.
Në bashkëpunim me familjen, të vëllain, z. Bedri Blloshmi, ekspozita, sjell përpara publikut të gjerë fotografi dhe dokumente mbi jetën dhe veprimtarinë e këtyre poetëve.
Ekzekutimi i tyre simbolizon krimin sistematik të diktaturës komuniste mbi fjalën, mendimin dhe artin.
Procesi ndaj dy poetëve nisi në maj të vitit 1975 dhe në të u përfshinë 39 persona.
Pas përfundimit të procesit intelektualët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u dënuan me ekzekutim në vitin 1977. Gjykata e Lartë nuk e hodhi poshtë këtë vendim dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor nuk e pranoi kërkesën për faljen e jetës së poetëve.
Pas kërkimeve disa vjeçare, vendi i ekzekutimit të tyre u zbulua nga z. Bedri Blloshmi në pranverën e vitit 1994. Në prill 1994 eshtrat e tyre u varrosën me të gjitha nderimet në varrezat e qytetit të Librazhdit.
Komentet