VOAL – Poet i vëllazërisë dhe mirësisë, Edmondo De Amicis u lind më 21 tetor 1846, në Oneglia (Imperia), qyteti i një atdhetari dhe iluministi tjetër të rëndësishëm, Giovan Pietro Vieusseux (1779-1863).
Ai përfundon studimet e tij të para në Piemonte, së pari në Cuneo dhe pastaj në Torino. Ai hyn në Akademinë Ushtarake të Modenës dhe mbaron për toger më 1865. Vitin e ardhshëm ai lufton në Custoza. Duke vazhduar karrierën ushtarake, përpiqet të mos ndahet nga pasioni për të shkruar: në Firence drejton revistën “Italia ushtarake” dhe publikon, ndërkohë, veprën “Jeta ushtarake” (1868), suksesi i cili mundëson të përkushtohet ekskluzivisht tek pasioni i shkrimit.
Në vitin 1870, në rolin e korrespondentit të “La Nazione”, ai mori pjesë në ekspeditën e Romës, duke hyrë në Porta Pia. Tani i lirë nga angazhimi ushtarak fillon një seri udhëtimesh – madje edhe në emër të “La Nazione” – për të cilën ai lë dëshmi me botimin e reportazheve autentike.
Kështu u lind libri “Spanja” në vitin 1873; “Hollanda” dhe “Kujtimet e Londrës”, në vitin 1874; “Marok”, në vitin 1876; Konstandinopoja, në vitin 1878; “Në portat e Italisë”, në vitin 1884, kushtuar qytetit të Pinerolit dhe rrethinës së tij, deri në udhëtimin e tij në Amerikë, ditari i të cilit, i titulluar “Mbi Oqean”, u dedikohet emigrantëve italianë.
Mbyll sezonin e udhëtimeve, Edmondo De Amicis kthehet në Itali dhe filloi t’i përkushtohet letërsisë arsimore që e bën atë jo vetëm një shkrimtar të talentuar, po gjithashtu një mësues: pikërisht në këtë fushë ai do të shkëlqejë, më 1886, botohet kryevepra e tij, “Cuore” (Zemra) e cila, pavarësisht nga mungesa e përmbajtjes fetare katolike, ka një sukses të jashtëzakonshëm dhe është përkthyer në shumë gjuhë.
Gjithashtu publikon, ndër të tjera, “Romani i një mjeshtri”, në vitin 1890; “Mes shkollës dhe shtëpisë” në vitin 1892; “Mësuesja e vogël e punëtorëve”, në vitin 1895; “Transporti i të gjithëve”, në vitin 1899; “Në mbretërinë e Matterhorn”, në vitin 1904; “L’idioma gentile” në 1905. Ai bashkëpunon në botime të ndryshme të frymëzuara nga socialistët.
Dekada e fundit e jetës së tij është shënuar nga vdekja e nënës, nga dështimi i martesës së tij me Tereza Boassi dhe vetëvrasja e djalit të tij Furio, çka lidhet pikërisht me kushtet e papranueshme të krijuara në familje nga mosmarrëveshjet e tërbuara dhe të vazhdueshme prindërore.
Edmondo De Amicis vdiq në Bordighera (Imperia) më 11 mars 1908, në moshën 62 vjeçare.
De Amicis fut në veprat e tij pedagogjike rreptësinë morale që vjen nga arsimi i tij ushtarak. Gjithashtu duke qenë një patriot i pasionuar dhe iluminist, si dhe një autor i fuqishëm, ai mbetet i lidhur me kohën e tij: libri “Zemra”, që shndërrohet në bazë të fortë për edukatën shkollore në fillim të shekullit të 20-të, u kritikua dhe u ridimensionua për shkak të ndryshimeve në kohërat e reja. Dhe kjo gjithashtu shkon në dëm të vlerës së saj letrare që do të meritonte të çmohej bashkë me gjithë veprën e De Amicis.
Veprat e tjera të Edmondo De Amicis: “Skica të jetës ushtarake” (1868); “Novelle” (1872); “Kujtimet e 1870-71” (1872); Kujtimet e Parisit (1879); “Të dy miqtë” (1883); “Dashuria dhe gjimnastika” (1892); “Çështja Sociale” (1894); “Tri kryeqytetet: Torino-Firence-Romë” (1898); “Tundimi i biçikletës” (1906); “Kinema cerebrale” (1907); “Kompania” (1907); “Kujtimet e një udhëtimi në Sicili” (1908); “Portrete të reja letrare dhe artistike” (1908).