Huldrych Zwingli (Ulrich Zwingli ose Ulrico Zwingli) lindi, në Wildhaus të Sant Gallen, në Luginën e bukur të Toggenburgut, më 1 janar 1484 dhe vdiq më 11 tetor 1531. Ai ishte prijës i Reformimit në Zvicër. Ardhur në jetë në periudhën e lindjes së patriotizmit zviceran dhe rritjes së kritikave ndaj sistemit mercenar zviceran, ai u shkollua në Universitetin e Vjenës dhe në Universitetin e Bazelit, një qendër dijesh dhe e humanizmit. Ai i vazhdoi studimet e tij edhe kur vazhdonte të shërbente si pastor në Glarus dhe më vonë në Einsiedeln, ku do të binte nën ndikimet e Erasmus. Më 1519 Zwingli u bë pastor i Grossmünster në Zyrih ku filloi të predikojë idetë e reformimit të kishës. Në kundërthënien e tij të parë publike më 1522, sulmoi zakonin e agjërimit (ngjinimit) gjatë Kreshmëve. Në botimet e tij ai theksoi korrupsionin në hierarkinë kishtare dhe propagandoi martesën klerikale, si dhe sulmoi përdorimin e pamjeve në vendet e lutjeve. Më 1525 Zwingli filloi një liturgji të re kungimi në vend të meshës. Zwingli gjithashtu u përplas me krahun radikal të Reformimit të përhapur në anë të tjera të Konfederatës Zvicerane, por disa kantone rezistuan, duke parapëlqyer të mbeten katolikë. Zwingli formoi një aleancë të Kantoneve të Reformuara, çka e ndau Konfederatën në vija religjioze. Më 1529 një luftë midis dy anëve u parandalua në çastet e fundit. Ndërkohë idetë e Zwinglit tërhoqën vemendjen e Martin Luterit (Martin Luther) dhe të reformatorëve të tjerë. Ata u takuan në Konferencën e Marburgut dhe, ndonëse u pajtuan në shumë pika të doktrinës, nuk arritën një marrëveshje për praninë e Krishtit në Kungatë. Më 1531 aleanca e Zwnglit ndërmori një bllokadë të pasuksesshme ushqimi ndaj kantoneve katolike. Kantonet iu përgjigjen me një sulm në një moment kur Zyrihu ishte i papëgatitur. Zwingli u vra në betejë në moshën 47 vjeçe. Trashëgimia tij jeton në rrëfimet, liturgji dhe në tjera procese të Kishës së Reformuar sot.
Konfederata Zvicerane në kohën e Huldrych Zwinglit përbëhej nga trembëdhjetë shtete (kantone) si dhe nga shtete të shoqëruara e pronarë të zakonshëm tokash. Ndryshe nga shteti aktual modern i Zvicrës, i cili vepron nën qeverinë federale, trembëdhjetë shtetet ishin pothuaj të pavarura, duke udhëhequr secili punët e veta të brendshme dhe ato të jashtme. Çdo shtet formonte aleancat e veta brenda e jashtë pa pyetur Konfederatën. Kjo lloj pavarësie shërbente si bazë për konflikte gjatë kohës së Reformimit, kur shtetete të ndryshme ishin të ndara në vija fetare. Synimet ushtarake morën nxitje të reja në garën për të fituar territore dhe burime të reja, siç ishte për shembull Lufta e Vjetër e Zyrihut.
Mjedisi politik në Europë gjatë shekujve të 15-të dhe 16-të ishte po ashtu shpërthyes. Për shekuj politikat e jashtme të Konfederatës ishin përcaktuar nga marrëdhëniet me fqinjen e stërfuqishme, Francën. Formalisht Konfederata ishte nën kontrollin e një fuqie tjetër të madhe, Familjes së Habsurgëve dhe Perandorisë së Shenjtë Romake. Megjithatë përgjatë vijimit të luftërave të kulmuara në Luftën Swabiane, Konfederata ishte bërë de fakto e pavarur. Teksa dy fuqitë e mëdha dhe shtete më të vogla si Dukati i Milanit, Dukati i Savojës dhe Shtetet Papnore garonin dhe ndesheshin kundër njëri-tjetrit, ato nuk kishin pasoja politike, ekonomike dhe sociale për Konfederatën. Bash në këtë kohë sistemi mercenar i pensioneve u bë objekt mospajtimesh. Fraksionet religjioze të kohës së Zwinglit u përballën me debate të egra për sa i përket dërgimit të të rinjve zviceranë për të luftuar në luftërat e huaja për pasurimin e autoriteteve kantonale. Këta faktorë të brendshëm dhe të jashtëm bënë që të rritet ndërgjegja kombëtare e Konfederatës, ku shprehja Atdhe filloi të shtrijë kuptimin jashtë kantoneve. Në të njëjtën kohë humanizmi i Rilindjes, me vlerat e tij universale dhe theksimin e diturisë (aq të trumbetuar nga Erazmusi, princi i humanizmit) kishin zënë rrënjë në ketë vend. Pikërisht në një mjedis të tillë, të shkrirjes midis patriotizmit dhe humnaizmit zviceran, do të lindte dhe do të formohej Zwingli.
Huldrych Zwingli i përkiste një familjeje bujqësh. Ishte i treti mes nëntë vëllezërve dhe motrave. Babai i tij, Ulrich, luajti rol prijës në administratën e komunës (Amtmann apo shef i gjykatës lokale). Shkollimin fillor Zwinglit ia bëri xhaxhai Bartholomew, klerik në Wessen. Kur ishte 10 vjeç u dërgua në Bazel për shkollimin sekondar, ku ai mësoi latinisht nga mësimdhënësi Gregory Bünzli. Pas tri vitesh në Bazel, ai qëndroi pak në Bernë me humanistin Henry Wölfflin. Domikinanët në Bernë u përpoqën ta bindin Zwinglin të përfshihej në urdhërin e tyre. Por babai dhe xhaxhai nuk pranuan dhe ai u largua nga Berna për t’i plotësuar dijenitë në latinisht. U regjistrua në Universitetin e Vjenës në dimrin e vitit
1498, por u përjashtua. U regjistrua sërish në verën e vitit 1500. Veprimtaria e tij në këtë ndërkohë është e panjohur. Zwingli i vazhdoi studimet në Vjenë deri mël 1502, prej kur ai u transferua në Universitetin e Bazelit ku ai u diplomua si Mjeshtër Arti më 1506.
Si shumë bashkëkohës, Zwingli filloi të punojë kishë duke pasë studiuar pak teologji. Ai dha meshën e parë në fshatin e lindjes, Wildhaus, më 29 shtator 1506. Vendi i tij i parë pastoral ishte Glarusi, ku ai qëndroi dhjetë vjet. Pikërisht Glarusit i përdoreshin ushtarët si mercenarë në Europë, çka e nxitit Zwinglin të përfshihej në politikë. Konfederata Zvicerane ishte ngatërruar në fushata të ndryshme ushtarake të fqinjëve: Francës, Habsburgëve dhe Shteteve Papnore. Zwingli morin anën romake. Në shkëmbim Papa Julius II e shpërbleu Zwinglin duke ia dhënë një pension vjetor. Ai mori rolin e kapelanit në disa fushata në Itali, përfshirë betejën e Navaros më 1513. Gjithsesi, mundja e zviceranëve në Betejën e Marinjanos shkaktuan një ndryshim në Glarus në favor të Francës më shumë se në favor të Papës. Zwingli, partizan papnor, e gjeti veten në një pozitë të vështirë dhe vendosi të tërhiqet në Einsedelen, kantonin Shvyc (Schwyz). Ndërkohë ai ishte bindur se shërbimi mercenar ishte imoral dhe se bashkimi i Zvicrës ishte i pashmangshëm në çastin më të parë të të ardhmes. Disa nga punimet e tij të hershme me shkrim, si Der Ochse (Kau) dhe Das Labirynth (Labirinti), sulmonin sistemin mercenar, duke përdorur alegorinë dhe satirën. Bashkëvendësit e tij përshkruheshin si njerëz virtuoz brenda një trëkëndëshi francez, perandorak dhe papnor. Zwingli qëndroi në Einsiedeln dy vjet gjatë të cilave ai iu tërhoq plotësisht nga politika në favor të veprimtarive të tij kishtare dhe studimeve personale.
Periudha e Zwinglit si pastor në Glarus dhe Einsiedeln karakterizohet nga rritja dhe nga zhvillimi i tij i brendshëm. Ai e përkreu greqishten e tij dhe studioi hebraishten. Bibilioteka e tij kishte më shumë treqind vëllime nga letërsia klasike, shkencore e tjerë. Ai shkëmbente pikëpamje shkencore me një qark humanistësh zviceranë dhe filloi t’i studiojë shkrimet e Eraszmusit. Zwingli shfrytëzoi rastin ta takonte Erazmusin kur ai ishte në Bazel midis gushtit 1514 dhe majit 1516. Animi i Zwinglit drejt pacifizmit dhe përqëndrimi në predikimet mund të jetë nga ndikimi i Erazmusit. Në fund të 1518, vendi i Leutpriestertum (priftit të popullit) në Grossmünster të Zyrihut ishte bosh. Drejtuesit e fondacionit që administronte kishën e Grossmünsterit ia njohën Zwinglit namin si prift dhe shkrimtar i mrekullueshëm. Lidhja e tij me humanistët ishte një faktor vendimtar ndërkohë që disa prej tyre ishin simpatizues të reformës Erazmiane. Edhe kundërshtimi i tij ndaj francezëve dhe shërbimeve mercenare ishin të mirseardhur nga politikanët e Zyrihut.
Më 1 janar 1519, Zwingli dha predikimin e tij të parë në Zyrih. Duke u shmangur nga praktika e deriatëhershme e bazimit të predikimit në mësimet Gospel të një të diele të veçantë, ai fillloi të lexojë Ungjillin e Mateut duke dhënë interpretimet e tij ose komentet e tij gjatë predikimit. Ai vazhdoi ta lexonte dhe interpretonte librin në të dielat e tjera derisa arriti fundin dhe pastaj veproi në të njëjtën mënyrë me Aktet e Apostujve, me letrat e Testamentit të Ri dhe, më në fund, me Testmanetin e Vjetër. Nuk është e qartë pse e bëri këtë, por në predikimet e tij ai përdorte thirrje për përmirësime kishëtare të cilat ishin qëllime të krahasueshme me reformën Erazmiane. Diku nga viti 1520, modeli teologjik i Zwinglit filloi të marrë një formë të veçantë të tijën, që nuk ishte as Erazmiane, as Luterane. Studiuesit nuk pajtohen për procesin si ai e zhvilloi modelin e tij unik. Një pikëpamje është se Zwingli ishte formuar si një humanist Erazmian dhe Martin Luther luajti një rol vendimtar në ndërrimin e ideologjisë së tij. Një tjetër pikëpamje thotë se Zwingli nuk i kushtoi aq vemendje teologjisë së Lutherit dhe në fakt ai e konsideronte atë si pjesë të lëvizjes për reformë humaniste. Një pikëpamje e tretë është se
Zwingli nuk ishte një vazhdues komplet i Erazmusit, por u largua prej tij qysh prej vitit 1516 dhe e zhvilloi në mënyrë të pavarur ideologjinë e tij.
Qëndrimi teologjik i Zwinglit është shpalosur shkalë-shkallë nëpërmjet predikimeve të tij. Ai sulmonte korrupsionin moral dhe përmendte emrat e përveçëm të atyre që ishin objekt i denoncimeve të tij. Murgjit akuzoheshin prej tij për përtaci dhe rehati. Më 1519, Zwingli haptas nuk pranoi nderimin e shenjtorëve dhe thirri për nevojën e dallimit midis së vërtetës së tyre dhe trillimeve rreth tyre. Ai shpalli dyshime për flakët e ferrit, tha se fëmijët jo të pagëzuar nuk ishin të mallkuar dhe vuri në pikëpyetje pushtetin e përjashtimit nga kisha (shkishërimit, ekskomunikimit). Sulmi i tij ndaj mëtimit se dhënia e të dhjetave për kishën është një institucion hyjnor, sidoqoftë pati ndikimin më të madh teologjik dhe social. Kjo iu kundërvihej direkt interesave të fondacionit. Një nga anëtarët më të vjetër të ekipit drejtues të fondacionit, i cili kishte përkrahur zgjedhjen e Zwinglit, Konrad Hofmann, u ankua ndaj predikimeve të tij në një letër. Disa e mbështetën Hofmann, por kundërshtimi i tij nuk fitoi përkrahje të madhe asnjëherë. Zwingli këmbënguli se ai nuk po bënte shpikje, por thjeshtë po iu përmbahej shkrimeve të shenjta.
Në dioqezën e Konstancës, Bernhardin Sanson po lëshonte një falje të veçantë mëkatesh për ata që do të jepnin ndihmesë për ndërtimin e bazilikës së Shën Pjetrit në Romë. Kur Sanson arriti në rrethinë të Zyrihut në janar 1519, famulltarët e mbuluan Zwinglin me pyetje. Ai iu përgjigj i pakënaqur se njerëzit nuk ishin të mirinformuar me kushtet e faljeve të mëkateve dhe po iu merren paratë me mëtime të rrëme. Kjo ndodhte një vit pasu Martin Luther publikoi Nëntëdhjetë e Pesë Tezat (Tetor 1517). Këshilli i Zyrihut nuk lejoi që Sanson të hyjë në qytet. Teksa autoritetet në Romë ishin në ankth përballë zjarrit të filluar nga Martin Luther, ipeshkvi i Konstancës ia mohoi çdo përkrahje Sansonit dhe ai u thirr të rikthehej. Më 1519 Zyrihu u godit nga një epidemi e murtajës, gjatë së cilës një në çdo katër veta vdiqën. Kush mundi u largua nga qyteti, por Zwingli qëndroi dhe vazhdoi të kryejë detyrat e tij priftnore. Në shtator ai kishte pasur një grip dhe gati kishte vdekur. Ai i përshkruante përgatitjet e tij për vdekjen në një poemë. Peslied (Kënga e Murtajës) e Zwinglit përbëhej nga katër pjesë: përshkrimi I sëmundjes, afrimi i vdekjes, gëzimi i shërimit. Ndërsa në pjesa e katërt dhe përfundimtare thoshte: Thuo, wie du wilt;/ mich nüt befilt./ Din haf ich./ Mach gantz ald brich;/ dann nimpst mich hin/ deri gesite min von dieser Erd,/ thoust du’s, dass er nit böser wird,/ ald anderen nit/ fefleck ir läben fromm und sit.“ (Qëllimi yt u përmbush:/ asgjë më e rëndë për mua nuk mund të jetë./ Unë jam ena jote, / për ty jam e tërë ose e bërë copë e grimë./ Gjersa je ti ai që e merr/ shpirtin tim nga kjo tokë,/ bëje këtë gjë që ai të mos ndotet,/ dhe ai nuk do t’i trazojë/ jetët e dlira të të tjerëve.“
Në vitet pas shërimit, kundërshtarët e Zwinglit mbetën në pakicë. Kur një vend bosh mbeti në kreun e fondacionit të Grossmünsterit, Zwingli u zgjodh në vendin e mbetur bosh më 29 prill 1521. Duke zënë këtë vend, ai bëhej qytear i plotë i Zyrihut. Ai e mbajtu edhe vendin e tij si prift i popullit i Grossmünsterit. Përplasja e parë publike rreth predikimit të Zwinglit ndodhi në periudhën e Kreshmëve më 1522. Në të dielën e parë të agjërimit, 9 mars, Zwingli dhe nja dymbëdhjetë agjërues të tjerë vetëdijshëm i shkelën rregullat e agjërimit duke marrë dhe shpërndarë suxhukë të tymosur. Zwingli e mbrojti këtë akt në një predikim që u publikua më 16 prill, nën titullin Von Erkiesen und Freiheit der Speisen (Lidhur me Përzgjedhjen dhe Lirinë e Ushqimeve). Ai theksoi se nuk ka një rregull të përcaktuar në Bibël për ushqimin dhe se shkelja e agjërimit nuk është mëkat, prandaj as e dënueshme nga Kisha. Ende pa u bëri publikimi i këtij trakti, dioqeza e Konstancëse reagoi duke dërguar një delegacion në Zyrih. Këshilli i qytetit e dënoi shkeljen e agjërimit, por mori përgjegjësinë për çështjet kishëtare dhe iu kërkoi autoriteteve kishëtare ta sqaronin rastin. Ipeshki iu përgjigj më 24 maj duke dënuar Grossmünsterin e qytetin dhe duke përsëritur qëndrimin tradicional.
Në vijim Zwingli dhe miq të tjerë humanistë bënë një peticion drejtuar ipeshkvit më 2 korrik për të shfuqizuar beqarinë e klerikëve. Dy javë më vonë peticioni u publikua në gjermanisht me titullin Eine freundliche Bitte und Ermahnung an die Eidgenossen (Një peticion miqësor dhe paralajmërim Konfederatës). Çështja nuk ishte një problem abstrakt për Zwinglin, i cili fshtas ishte martuar me një vejushë, Anna Reinhard, më herët atë vit. Bashkëjetesa e tyre ishte e njohur gjerësisht dhe martesa e tyre publike u bë më 2 prill 1524, tre muaj para lindjes së fëmijës së tyre të parë. Ata do të kishin katër fëmijë: Regula, William, Huldrych, dhe Anna. Ndonëse peticioni iu ishte drejtuar autoriteteve laike, ipeshkvi u përgjigj duke ia kujtuar qeverisë së Zyrihut se duhej t’i përmbahej rregullit kishëtar. Të tjerë klerikë zviceranë iu bashkuan Zwinglit dhe e trimëruan atë të bënte deklaratën e tij të parë të madhe të besimit, me titull, Apolgeticus Archeteles (Fjala e parë dhe e fundit). Ai e mbrojti veten ndaj akuzave se po nxiste rrëmujë dhe herezi. Ai e mohoi hierarkinë kishëtare dhe të drejtën e saj për të gjykuar ndaj çështjeve të kishës, për shkak të gjendjes së korruptuar të kësaj hierarkie.
Ngjarjet e vitit 1522 çuan në sqarimin e çështjeve. Tensionet midis Zyrihut dhe ipeshkvit vijuan, por ato u shtuan edhe midis partnerëve të Zyrihut në Konfederatë. Më 22 dhjetor Kuvendi Kishëtar i Zvicrës ua ndaloi anëtarëve mësimet e reja, çka ishte një tregues i rëndë kundër Zyrihut. Këshilli i qytetit u detyrua të mbante qëndrim. Më 3 janar 1523 ftoi klerin e qytetit të shprehte pikëpamjet e tij. Ipeshkvi u ftua të vinte vetë ose të dërgonte një përfaqësues. Pastaj këshilli do të dilte me një vendim. Takimi i parë u bë më 29 janar 1523.
Morën pejsë nga gjashtëqind vetë. Ipeshkvi dërgoi një delegacion të kryesuar nga zëvendësi i tij, Johannes Fabri. Zwingli e përcaktoi qëndrimin e tij në Schlussreden (Fjalimi përmbyllës). Fabri këmbënguli në domosdoshmërinë e autoritetit kishëtar, por nuk mori pjesë në debat. Vendimi i Këshillit të Qytetit ishte që Zwingli të lejohej të bënte predikimet e tij dhe të gjithë priftërinjtë e tjerë të jepnin mësim vetëm në pajtim me Shkrimet e Shenjta.
Në shtator 1523, Leo Jud, miku më i ngushtë i Zwingli dhe koleg e pastor në Sant Peterkirsche, publikisht kërkoi të hiqen shtatoret e shenjtorëve dhe ikonat e tjera. Kjo çoi në demonstrime dhe në veprimtari ikonathyese. Këshilli i qytetit vendosi ta trajtojë çështjen në një debat të dytë. Thelbi i meshës dhe karakteri i saj flijimtar ishin pjesë e debatit. Përkrahësit e meshës thanë se Kungata ishte një sakrificë e vërtetë, ndërsa Zwingli tha se ishte një ngrënie përkujtimore. Ishin të ftuar dioqeza e Konstancës, Këshilli i qytetit të Zyrihut, dioqezat e Bazelit dhe të Kurit (Chur), Universiteti i Bazelit dhe dymbëdhjetë anëtarët e Konfederatës. Morën pjesë nëntëqind veta në takim, por as ipeshkvi dhe as Konfederata nuk çuan përfaqësues. Debati filloi më 26 tetor 1523.
Zwingli udhëhoqi debatin prapë. Kundërshtari i tij ishte Konrad Hofmann. Ishin edhe një grup të rinjsh të cilët kërkuan që pagëzimi fëminor të zëvendësohet me pagëzimin e e të rriturve. Ky grup drejtohej nga Conrad Grebel. Debatet çuan në kundërthënien se kush duhej të vendoste, Këshilli i qytetit apo autoritetet kishëtare. Konrad Schmid, një prift nga Aargau dhe pasues i Zwingli, dha një zgjidhje praktike. Ai tha se heqja e shenjtorëve duhej bërë në mënyrë vullnetare. Në nëntor Këshilli i qytetit e pranoi zgjidhjen. Zwingli shkroi një libërth mbi detyrat ungjillore, Kurze, christliche Einleitung (Hyrje e shkurtër e krishtere), dhe Këshilli i qytetit ua shpërndau priftërinjve dhe anëtarëve të Konfederatës. Në hyrje të kishës së Grossmünster u shkrua “Në këtë shtëpi të Zotit, Reforma e Huldrych Zwingli pati pikënisjen.” Në dhjetor 1523 Këshilli lëshoi një udhëzim për Rrëshajat e vitit 1524 për heqjen e meshës dhe të ikonave e shtatoreve. Zwingli publikoi një opinion zyrtar me titull Vorschlag wegen der Bilder und der Messe (Propozim lidhur me pamjet dhe meshën). Ai nuk kërkoi shfuqizimin e menjëhershëm. Këshilli vendosi të hiqen shtatoret dhe ikonat brenda qytetit, por ua la të drejtën zonave fshatare të vendosin vetë. Vendimi për meshën u shty. Rezultatet e Reformës u panë në fillim të vitit 1524. Edhe pse Këshilli kishte nguruar të shfuqizonte meshën priftërinjtë në mënyrë jozyrtare e bënë këtë. Zwingli lëshoi me këtë rast një liturgji në gjermanisht me titullin Aktion oder Brauch des Nachtmahls (Akti ose zakoni i darkës). Filla pas Pashkëbe, Zwingli dhe pasuesit e tij kërkuan nga Këshilli të shfuqizojë meshën dhe të paraqesin një mënyrë të re të lutjes. Në prill 1525, Zwingli praktikoi liturgjinë e tij të re. Predikimi ishte pjesa thelbësore e liturgjisë. Nuk kishte muzikë as këngë. Rëndësia e predikimit në lutje ishte theksuar nga përcaktimi i Zwinglit për t’i reduktuar kremtimet e kungimit në katër herë në vit. Zwingli kërkoi që manastiret të shndërrohen në spitale dhe institute të mirëqenies dhe të integroheshin në një fond mirëqenieje. Kjo u realizua nëpërmjet bashkimit të fondacioneve të Grossmünsterit dhe Fraumènsterit dhe duke i nxjerrë në pension murgjit dhe murgeshat. Këshilli i laicizoi pronat e kishes dhe themeloi programe të reja të mirëqenies për të varfërit. Zwingli kërkoi leje të themelonte një shkollë në latinisht, Prophezei (Profecia), në Grossmünster. Këshilli pranoi dhe shkolla u hap më 19 qershor 1525, ku Zwingli dhe Jud ishin mësimdhënës. Kjo shërbeu për formimin e klerit të ri. Përkhtimi i Biblës i Zyrihut, bërë nga Zwingli e botuar nga Christoph Froschauer, mban gjurmët e ekipit mësimdhënës të shkollës Prophecy. Në një debat tjetër në Zyrih shumë nga krahu radikal i Reformës thanë se Zwingli po i bënte shumë lëshime Këshillit të qytetit. Ata nuk pranuan rolin e qeverisë civile dhe kërkuan krijimin e një këshilli të besimtarëve. Conrad Grebel, kryesuesi i radikalëve, foli mënjanë me Zwinglin. Më 15 gusht 1524 Këshilli i qytetit këmbënguli për pagëzimin e të sapolidurve. Zwingli fshehtas ia rrëfeu grupit të Grebel dhe në fund të 1524, Këshilli kërkoi një debat tjetër. Zwingli publikoi Wer Ursache gebe zu Aufruhr (Kush shkakton çrregullim), duke sqaruar pozicionin e tij. Më 17 janar 1525 u mbajt debati publik dhe Këshilli mori anën e Zwinglit. Kush nuk pranonte pagëzimin e fëmijëve duhej të largohej nga qyteti. Rdikalët e shpërfillën vendimin. Ata filluan praktikimin e pagëzimit të të rriturve. Këshilli kundërveproi me masa të rrepta. Zwingli dhe Jud ndërhynë dhe u bënë tjera debate. Ndërkohë mësimet e reja po përhapeshin në Konfederatë.
Më 6–8 nëntor u mbajt debati i fundit për pagëzimin në Grossmünster. Grebel, Manz dhe Blaurock mbrojtën qëndrimin e tyre përballë Zwingli, Jud dhe refomratorëve të tjerë. Nuk u gjet kompromis. Në prilll 1524, pesë kantone, Lucerna, Uri, Schwyz, Unterwalden dhe Zug formuan në aleancë, die fünf Orte (pesë shtetet) për t’u mbrojtur nga Reforma e Zwinglit. Ata u takuan me kundërshtarë të Martin Luther si John Eck që kishte debatuar Lutherin në Takimin e Laipcigut më 1519. Eck kërkoi ballafaqim me Zwinglin e ky pranoi. Por nuk u pajtuan kush do të gjykonte, ku do të bëhej ballafaqimi. Dhe përdorën Kuvendin Kishëtar të Zvicrës si juri. Për arsye të mospjatimeve, Zwingli vendosi ta bojkotojë debatin. Më 19 maj 1526, të gjitha kantonet dërguan delegatë në Baden. Edhe pse përfaqësuesit e Zyrihut ishin të pranishëm, ata nuk morën pjesë në sesionet. Eck printe palën katolike dhe reformatorëve iu printe Johannes Oecolampadius i Bazelit, një teolog nga Württemberg që kishte letërkëmbim miqësor me Zwinglin. Teksa debati vazhdonte, Zwingli informohej dhe publikonte pamflete. Por Kuvendi Kishëtar vendosi të ndalohen shkrimet e Zwinglit. Nga trembëdhjetë kantonet e Konfederatës, pesë shteteve iu shtuan edhe Glarusi, Solothurni, Fribourgu dhe Appenzelli duke votuar kundër Zwinglit. Ndërsa Berna, Bazeli, Schaffhausen dhe Zyrihu e përkrahën Zwinglin.
Ky debat demonstroi çarje në Konfederatë për religjionin. Reformimi nuk përparonte në shtetet e tjera. Qyteti i Sant Gallenit, si shtet i shoqëruar me Konfederatën, prihej nga kryebashkiaku Joachim Vaden. Qyteti e shfuqizoi meshëm më 1527, dy vjet pas Zyrihut. Në Bazel, edhe pse Zwingli kishte marrëdhënie të mira me Oecolampadius, qeveria nuk e përkrahu reformën zyrtarisht deri më 1 prill 1529, kur mesha u ndalua në Schaffhausen. Në Bernë, Berchtold Haller, prift në Sant Vincent Münster, dhe Niklaus Manuel, poet, piktor dhe politikanë kishin bërë fushatë për reformën. Por vetëm pas një debati tjetër Berna vendosi si kanton Reformimin. Katërqind e pesëdhjetë veta morën pjesë në debat, ku përfshiheshin edhe klerikë të huaj. Eck dhe Fabri nuk pranuan të vinin dhe kantonet katolike nuk dërguan përfaaqësues. Takimi filloi më 6 janar 1528 dhe zgjati tri javë. Zwingli mori rolin kryesor në mbrojtje të Reformës dhe mbajtu dy predikime në Münster. Më 7 shkurt 1528 zyrtarisht Reforma u zbatua në Bernë. Pesë shtetet (Lucerna, Uri, Schwyz, Unterwalden dhe Zug) duke u ndjerë të izoluara filluan të kërkon aleatë jashtë. Ata formuan die Christliche Vereinigung (Aleancën e Krishterë) me Ferdinandin e Austrisë më 22 prill 1529. Fill pas nënshkrimit të aleancës, një prift reformator, Jacob Kaiser, u kap në Uznach dhe u ekzekutua në Schwyz. Kjo ngjalli reaksion të fortë nga Zwingli, dhe ai shkroi Ratschlag über den Krieg (Këshilla për Luftën) drejtuar qeverisë. Ai theksoi se ishte i udhës një sulm kundër shteteve katolike dhe të merreshin masa të tjera. U kërkua zgjidhja paqësore. Por lufta u shpall më 8 qershor 1529. Zyrihu grumbulloi 30000 veta. Pesë shtetet u braktisën nga Austria. Zwingli u detyrua të gjente pikat e armëpushimit. Ajo u arrit më 24 qershor.
Zwingli personalisht negocioi me përfaqësuesit e Francës për arritjen e pajtimit me pesë shtetet. Megjithë përpjekjet e pareshtura, hendeku vetëm sa u thellua dhe pesë shtetet i deklaruan luftë Zyrihut më 9 tetor 1531. Shumë priftërinj, përfshirë Zwinglin, ishin mes ushtarëve. Ai e konsideronte veten, së pari, ushtar të Krishtit, së dyti, mbrojtës të Konfederatës, së treti, mbrojtës të Zyrihut ku kishte jetuar 12 vitet e fundit. Për ironi, ai vdiq 47 vjeç, jo për Krishtin as për Konfederatën por për Zyrihun.
Në dhjetor 1531 Këshilli i Zyrihut e zgjodhi Heinrich Bullingerin si pasues të tij. Ai menjëherë hodhi poshtë çdo dyshim për besnikërinë e Zwinglit ndaj kishës dhe e shpalli atë një profet dhe një martir. Nën Bullingerin u arrit pajtimi i besimeve në Konfederatë.
Zwingli ndërmori reforma themelore, ndërsa Bullinger i konsolidoi ato. Ashtu si nuk pati pajtime me bashkëkohës si Lutheri, doktrina e Zwinglit nuk gjeti pajtime as me reformatorë të mëvonshëm si John Calvin e të tjerë. Megjithatë ai është konsideruar krahas Marthin Lutherit dhe John Calvinit “Njeriu i tretë i Reformimit”./
Elida BUÇPAPAJ
Komentet