Atje në Agorá të Bashës ka mbërritur një kumt. Zelli dhe inspirimi aq i këndellur nga Prokuroria i shkonte kësaj Agorá-je, ku na shfaqet një përndritje e shtirë e Republikës së Re. Firmëtari i Paktit Detar me Greqinë, Lulzim Basha, është çliruar nga përfytyrimi i prangave dhe akuzës për tradhti kombëtare për mungesë të veprës penale. Kjo është dëshmia më e qartë e antishtetit dhe drejtësisë së rrënuar. Kush mund ta bënte këtë, veçse gjymtyra e Prokurorisë së Shtetit pa drejtësi, e cila ka më se gjashtë muaj që e ka kaluar në arkivin e dosjeve në Pallatin e Ëndrrave.
Prandaj është përndritur edhe Lulzim Basha, që i duhej kjo grisje, çmpirje, kjo çelje për groteskun e vetvetes. Sa tragjikomike! Sa fatale! Shqiptarët fryjnë sytë dhe lloisen se ku ndodhen. Politikanët grinden në skaj të urrejtjes dhe janë gati që ta çojnë këtë gërmadhë të shqyer në kaos, askush nuk i afrohet Shqipërisë së vuajtur, që me firmën tuaj e keni lënë kryeulur.
Ideatori i Republikës së çadrës, ky firmë- tari i paktit të tradhtisë, me atë firmë që do të ngelet në analet e historisë së këtij vendi, si përfaqësues i brezit të ri të politikanëve e sheh kurorëzimin e synimit e tij pushtetar në dorëzimin e gjeohapësirës detare, shtetit fqinj, në cenim të integritetit territorial të Shqipërisë. Fjalët që më dalin janë të dëshpëruara, po edhe më të rënda se kaq, dhe këtë e bën ajo që mund të habisë këdo në rajon dhe më gjerë, papërgjegjshmërinë e shtetarëve që në shekullin XXI e kanë nxjerrë në pazar gjeohapësirën shqiptare, e në themel e në rrënjë kërkojnë për të themeluar Republikën e Turpit. Nuk mund të ketë tallje dhe grotesk më të spikatur sesa ky. Deti në Jon, ende ndodhet në prangat e asaj firme. Sepse s’e lëshon aq kollaj Greqia atë firmë të Lulzim Bashës!
Ndërkaq, në ndihmë të Greqisë dhe ekipit firmëtar vjen Prokuroria e guximit antikombëtar, që në fundin e saj çon në Agorá- Çadër porosinë e ideatorit të Republikës së Re. Tani Basha është në USA dhe kërkon lobing për ideimin e tij të mashtrimit. Kurse aty rrotull janë studiues që shqyejnë sytë dhe ndjellin përvojën e hulumtimin e tyre kur shohin se si Shqipëria e Agorá-së së fundit e ka çuar vetveten në këtë derexhe.
Ata tregojnë dhe klikojnë, me dhimbje, sikur të ishin pjesë e një i ekipi shqiptar për të të kujtuar se “nuk i është afruar Protokollit të Firences së vitit 1926”, “se si ky Protokoll është zhbërë duke prodhuar efekte të zhdrejta në dëm të Shqipërisë”.
Aty rrotull shkoni dhe trokisni te “Dewey & LeBoeuf LLP” (Dewey & LeBoeuf LLP ka qenë një kompani ligjore, në New York City. Kjo firmë pati përgatitur një “Memorandum” për Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë në vitin 2011, e kërkuar nga kjo e fundit, kur Kryeministër ishte Sali Berisha), për t’u njohur me Memorandumin që e keni porositur vetë, e ata do të thonë se “zor se ndonjë vendim i drejtësisë ndërkombëtare mund të ishte më i keq për Shqipërinë se sa vija e baraslarguar strikte e marrëveshjes së vitit 2009”.
Ju do të tmerroheshit nga kjo deklaratë e dhimbshme, por s’e hiqni shpresën te Agorá-ja e Çadrës suaj. Eksperti i huaj, sikur të ishte pjesë e njerëzve të detit të Shqipërisë, do t’iu fliste me hollësi për efektet e ishujve që u kanë hedhur hi syve vijës kontinentale të Shqipërisë. Eksperti i “Dewey & LeBoeuf LLP”, me një kujdes trishtues të kujton “ca ishuj, ca cekina shkëmbore si Barketa”, që ti i ke përshirë në firmosjen tënde, ato të jenë bazë nisëse për të matur ngushtesën e Korfuzit në Ksamil, të cilën ti nuk denjon ta kujtosh. Ndaj në udhën e ndihmës për në Republikën e Re hedh përsipër pelerinën e mashtrimit të madh gjer te Çadra jote e turpit (që ti e quan Çadër e Lirisë).
Sado Prokurorë të kesh, atë firmë nuk e shuan dot… ajo do të jetë njolla e turpit, që përkrahësit demokratë të vërtetë duhet ta dinë, ta qartësojnë… mbasi Ju, fatkeqësisht, jeni lider i tyre. Ju jeni në kthim sërish nga SHBA-të apo Brukseli. Mos kujto se ajo është përndritur, siç e thashë atypari! Bëni mirë të kumtoni një fjalim të ri për t’ua ligjëruar ndjekëse të pafajshëm demokratë, me një Katharsis… se jeni shumë i ri… kjo do t’ju ndihmojë dhe do lehtësojë vetëdijen tuaj poshtë shtresave dhe koracës, ku fshihet. Vepra që sapo bëri Prokuroria “për mungesë të elementeve të veprës penale” është komplot i ri, verbëri e qëllimshme, ndërthurje e mekanizmit antikombëtar. Ju nuk ju ndahet përfytyrimi i pushtetit dhe i Kryeministrit tuaj Malinj (Sali Berishës), që ka pasur Shqipëria ndonjëherë, që ashtu siç mati detin me kompasin e tradhtisë, kërkon t’i vërë zjarrin Shqipërisë.
Komentet