Se kujt i ka shkrepur më tru, pas një heshtje të gjatë tridhjetëvjeçare, të vlerësojë poetin laureat të vitit.
Madje për këtë aktivitet kanë sjellë ndërmend dhe 25 letrarë nga të cilët poetë të mirëfilltë mund të jenë vetëm katër- pesë vetë.
Mirë kjo, se njeri prej tyre dhe mund të laurohet, por, së pari, me çfarë kritere do të vlerëhohet? Së dyti, pse nuk janë kujtuar të fusin në këtë listë dhe nja 20 poetë të tjerë, tepër të afirmuar, në vite? Së treti: Kush e zgjodhi këtë juri poezie e cila nuk ka asnjë lidhje me poezinë?
Pashë komisionin e vlerësimit dhe u pataksa. Mirë Besnik Mustafaj që është dhe vet poet dhe mund të gjykojë, edhe pse nuk do ta paragjykoj për subjektivitietin e vet, por tjerët që janë futur në këtë juri nuk di të kenë ndonjë lidhje me poezinë. Të parën që pashë në listë ishte. Arlinda Dudaj. Çfarë lidhje ka kjo zonjë me poezinë? E kemi parë nëpër televizione të ndryshme herë si analiste e herë si moderatore, por asnjëherë nuk e kemi dëgjuar të flasë për poezinë…
Ka mbaruar degën e frëngjishtes, fati e ka dashur të hapë një shtëpi botuese.O.K. Po me poezinë çfarë e lidh dhe nuk e di në mund të gjykojë kjo zonjë dhe zonja tjetër Viola Isufaj për vlerat e poezisë sonë në këto tridhetë vjet?
Ndaj ju lutem, mbylleni këtë nisiativë sa më pare.
Në qoftë se dikush dëshiron të dijë për vlerat poetike të poetëve shqiptarë, së pari duhet të ketë lexuar nja 30 poetë… Dhe kjo nuk mjafton. Poetët janë të ndryshëm. Nuk ngjajnë me njeritjetrin. Vetvetiu lind pyetja: Mbi çfarë kriteresh do të përzgjidhet poeti më i mirë? Dikur kriteret ishin të qarta dhe ne që bënim pjesë në juritë e dikurshme i kishim të qarta kërkesat. Po tani çfarë kërkesa keni ju zotërinj dhe zonja të jurisë? Pse iksi është më i mirë se Ypsiloni?
Së pari vihen kërkesat e, së dyti, zgjidhen poetë me eksperiencë dhe të shquar për të vlerësuar poetët. Disa nga emrat e vënë në këtë listë ishin për të qeshur.
Në atë liste ka pak poetë. Një ndër ta është Skënder Buçpapaj, i përmasave europjane, që pak kush e njeh poezinë e tij në Shqipëri, me që ai jeton dhe punon në Zvicër.
A mund te më thotë ndonjë nga anëtarët e jurisë pse poeti i përzgjedhur është më i mire dhe ku dallon nga të tjerët…?
Kriteri i vlerësimit duhet të jetë përmbajtja, problematika shoqërore, thellësisht shqiptare dhe qytetare, dhe ajo e veçantë artistike, novatore ose tradicionalisht shqiptare, që e dallon këtë poezi nga poezitë e vendeve të tjera.
Po kujt t’ia themi këto? Viola Isufajt? Çfarë lidhje ka kjo profesoreshë me poezinë? A e di ajo që ka ca poetë si Agim Shehu, Hiqmet Mecaj, Faslli Haliti, Moikom Zeqo, Xhevahir Spahiu, Ndoc Paplekaj, Roland Gjoza, Petraq Risto, Agim Bajrami, etj, (duhet te kem harruar dhe disa te tjere) të cilët nuk kanë nevojë për t’i lauruar ajo juri pasi i ka lauruar koha dhe lexuesi shqiptar.
Në qoftëse do të donit të ishit sa më të drejtë në dhënien e një çmimi të tillë, së pari duhet të kishit nisur një diskutim paraprak në gazeta letrare apo Facebook e të grumbullonit mendimin e lexuesit të poezisë.
Por dhe kjo nuk mjafton, pasi poetët janë të ndryshëm.
Poezite e poetëve nuk janë si domatet, fiqtë dhe mollët, ku mund të zgjedhësh në treg atë që të pëlqen. Poezitë nuk janë shalqinj e as qershi, mollë e dardhë.
Miqësisht do t’ju sugjeroja ta ndalni këtë lloj çmimi pasi do të jetë formal dhe do të nxisë debatin si një çmim i dhënë nga persona jo kompetentë.
Komentet