Reuters
Mbrojtjet raketore të Izraelit u aktivizuan më 1 tetor, për të penguar një breshëri raketash balistike iraniane, të lëshuara në hakmarrje për fushatën e Izraelit kundër aleatëve të Teheranit në Liban.
Sulmi raketor iranian përshkallëzoi edhe më tej tensionet rajonale, disa orë pasi Izraeli njoftoi për nisjen e një ofensive tokësore në Liban kundër Hezbollahut, grup militant dhe parti politike që kontrollon shumicën e Libanit jugor dhe që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.
I hedhim një vështrim detajeve të mbrojtjeve shumështresore ajrore që Izraeli i përdor që kur u përball me raketat Scud të Irakut, në luftën e Gjirit më 1991.
Shigjetat
Sistemet e mbrojtjes me raketa me rreze të gjatë, Shigjeta-2 dhe Shigjeta-3, të zhvilluara nga Izraeli për t’i bërë ballë një kërcënimi raketor iranian, janë të krijuara për t’i luftuar kërcënimet brenda dhe jashtë atmosferës.
Ato operojnë në një lartësi që mundëson shkatërrimin e sigurt të çfarëdo koke bërthamore jokovencionale.
Kompania në pronësi të shtetit, Industritë Aerohapësinore të Izraelit, është kontraktuesja kryesore e projektit, ndërsa Boeing Company është e përfshirë në prodhimin e kundërajrorëve.
Më 31 tetor 2023, ushtria e Izraelit tha se përdori sistemin e mbrojtjes ajrore Shigjeta për herë të parë që nga shpërthimi i luftës në Gazë më 7 tetor kundër Hamasit – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian – për t’i penguar raketat tokë-tokë të lëshuara nga zona e Detit të Kuq drejt territorit të tij.
Në shtatorin e kaluar, Gjermania nënshkroi një letër zotimi me Izraelin për të blerë sistemin Shigjeta-3 për rreth 4 miliardë euro.
Hobeja e Davidit
Sistemi me rreze të mesme, Hobeja e Davidit, është i krijuar për të rrëzuar raketat balistike që lëshohen nga një largësi prej 100 deri në 200 kilometra.
I zhvilluar dhe prodhuar bashkërisht nga Sistemet e Avancuara të Mbrojtjes Rafael, në pronësi të shtetit të Izraelit, dhe nga konglomerati amerikan RTX Corporation, i njohur më parë si Raytheon, Hobeja e Davidit është e aftë, po ashtu, të pengojë aeroplanët luftarakë, dronët dhe raketat lundruese.
Kupola e Hekurt
Sistemi i mbrojtje ajrore me raketa me rreze të shkurtër, Kupola e Hekurt, është ndërtuar për të penguar llojin e raketave që u lëshuan nga Hamasi në Gazë.
I zhvilluar nga Sistemet e Avancuara të Mbrojtjes Rafael, me mbështetjen e SHBA-së, sistemi hyri në përdorim më 2011. Secila njësi e ngarkuar në kamion lëshon raketa të drejtuara nga radarët për të shkatërruar në qiell kërcënimet me rreze të mesme, si raketat, mortajat dhe dronët.
Rafael thotë se ia ka dorëzuar ushtrisë së SHBA-së dy bateri të Kupolës së Hekurt më 2020. Ukraina, po ashtu, po kërkon të furnizohet me këtë sistem për luftën e saj kundër Rusisë, ndonëse Izraeli deri më tani i ka ofruar Kievit vetëm mbështetje humanitare dhe mbrojtje civile.
Një version detar i Kupolës së Hekurt, për mbrojtjen e anijeve dhe të aseteve me bazë në det, është dislokuar më 2017.
Sistemi përcakton nëse një raketë është rrugës për ta goditur një zonë të banuar; nëse jo, raketa shpërfillet dhe lejohet të bie në tokë pa shkaktuar dëme.
Kupola e Hekurt fillimisht ishte prezantuar si sistem që do të ofronte mbulim për një qytet kundër raketave me rreze ndërmjet 4 dhe 70 kilometra, por ekspertët thonë se fushëveprimi i saj është zgjeruar.
Sistemi me laser
Sistemet kundërajrore të Izraelit kushtojnë ndërmjet dhjetëra mijëra dhe miliona dollarë për të rrëzuar kërcënimet në ardhje. Izraeli po zhvillon një sistem me laser për të neutralizuar raketat dhe dronët e armikut, me një kosto të llogaritur prej vetëm 2 dollarësh për çdo rrëzim.
Radio Evropa e Lirë