Kujtimet e kolonel Hysen Selmanit
Pjesa e trembëdhjetë
Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu I, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Vijim
Pogradec 9 Prill – ora 06.00 pasdite
Vendimin për t’u larguar nga Shqipëria, që i paraqiti Mbretit Zog I-rë, Asambleja Kombëtare, në lidhje me ngjarjet e ditës të shënuara dhe me qëndrimin negativ të shteteve fqinje, Jugosllavisë e Greqisë, më tepër ishte për mos t’i dhënë shkak lajmeve të pavend, që përhapte me qëllim fashizmi. Kjo, se gjoja në Shqipëri, ka shpërthyer një kryengritje e madhe dhe forcat fashiste, janë duke zbarkuar për të shuar këtë revolucion. Gjithashtu, në këtë ditë, Qeveria Greke, tepër e presionuar dhe e frikësuar prej Musolinit dhe aleatët Anglo-Francezë që këshillonin, të rrinin urtë e mos t’i jepnin shkak zemërimit, se asnjë garanci nuk kishin, e kjo për t’u shpëtuar këtyre rreziqeve, lajmërojnë kryeministrin tonë Kottën, se ishin të detyruar për ta mbyllur kufirin, “e ju bëjmë të ditur se, në 12 të natës të kësaj date, kufiri do të jetë i mbyllur”.
Të gjitha këto ngjarje, si edhe duke mos pasur asnjë mundësi për të zbatuar planin e vendosur për mbrojtjen e Atdheut dhe jashtë dëshirës Tuaj personale, si edhe në bazë të “Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare”, u vendos që të pranohej vendimi i Asamblesë Kombëtare, për të dale nga toka shqiptare.
Mbreti Zog I-rë, në të njëjtën kohë, urdhëroi komandantin e Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral Xhemal Aranitasin, si edhe komandantin e Përgjithshëm të Xhandarmërisë, kolonel Shefki Shatkun, që edhe ato pak forca që kishin mbetur në vija të ndryshme, duke rezistuar kundër armikut, të tërhiqen në male. Brenda atyre zonave që ishin caktuar, e provizorisht e në formë çetash, mundësisht mos të ndalojnë luftën kundër okupatorit, deri në momentin që lufta e përgjithshme evropiane, të fillojë. Duke qenë se Mbreti Zog, kishte bindjen e plotë se pa u mbushur viti, do të plaste Lufta e Dytë Botërore, e cila dëshirohej që në atë kohë të ndodhë dhe sado të pakta disa trupa tonat, pa e ndërprerë rezistencën.
Pas kësaj, Mbreti Zog I-rë, mblodhi Qeverinë së bashku me Parlamentin nën kryesinë e Tij dhe ju shpjegoi në hollësi gjendjen botërore, se si qëndron dhe mbi veprimet e shpejta të diktatorëve, Hitler e Musolin. “Në herën e parë, ka thënë Mbreti – i gjithë Ballkani do të okupohet prej forcave fashiste. Po ashtu Polonia, Rumania, Bullgaria dhe Hungaria, ku me forcë, ku me miqësi, po do të okupohen nga forcat gjermane, që janë të përgatitura aq rëndë, sa nuk ta merr mendja. Por, në okupimin e Polonisë, as Britania e Madhe as Franca, nuk kanë për te mbetur të paanshëm. Menjëherë, ato do të jenë në luftë kundër Gjermanisë dhe kundër Italisë, se këto shtetet e mëdhaja, e kanë kuptuar mire, gjithë sa u dëshirohet nazi-fashizmit, si edhe në vendimet e marra të tyre.
Dhe, me plot siguri, po ju them se: Nazi-fashizmi luftën, qind për qind, e kanë të humbur. Se rezervat e tyre, janë po këto që na tregojnë sot. Kur do t’u mbarohen këto, nuk do të jenë më në gjendje, për t’i bërë ballë materialit të madh e të pashterur, të anglo-sanksioneve e francezëve, që rezervat e tyre, vijnë dita ditës duke u zmadhuar. Kurse të këtyre, vijnë çdo ditë duke u mbaruar, e kjo është krejtësisht e sigurt. Por ne, sot për sot, po shkojmë viktimë, nga pamëshira e burrëria e këtyre diktatorëve”.
“Ky ka qenë vendimi, ka thënë Mbreti – që ishte paraparë për të rezistuar të paktën gjashtë muaj në rrethet e maleve të Shqipërisë dhe me pak forca dhe pak armë. Vetëm që rezistenca, mos të pres, duke pritur kohën e volitshme që të hapë zjarr, në të gjithë Ballkanin dhe Europën. Që kështu, t’u ndodhemi brenda, ku atëhere Fqinjët tanë, që sot po bëjnë sehir e indirekt aleatë të fashizmit, do të na lutnin me qenë aleatë, kundër armikut të përbashkët, e kjo është e sigurt.
Se sikur mos të na kishte penguar Jugosllavia, nuk do të ndryshonim planin e parë. Dhe, meqenëse sot do të ishim të grumbulluar, si Parlamenti dhe Qeveria, e gjithë funksionimet e tjera në Mat. Ku aty, do të ishim krejtësisht në gjendje të zhvillonim, të gjitha tentativat luftarake dhe diplomatike. Po ashtu edhe përsa i përket ushqimeve, do të kishim përkrahjen e popullit Mat-Dibër-Mirditë e Kosovë, e sigurisht edhe të vendeve të tjera, gjithandej të Shqipërisë. Këto, që ju shpjegova, lidhen me emigrimin tone, brenda atyre shteteve, që do të kemi përkrahjet dhe relatat miqësore, se sot për sot, Greqia nuk ka për të lejuar të qëndrojmë në tokën e saj, por për herë të pare, do instalohemi në Turqi, se ajo as që e përfill fashizmin”.
Pogradec 9 prill 1939 – ora 2 pasdite
Mbreti Zog I-rë, në këtë orë 2 pasdite, kujton adjutanti- bashkë me Qeverinë dhe Parlamentin dhe një shumicë e madhe, oficerësh e nëpunësa, u nis nga Pogradeci e shkoi në Zemblakë. Aty qëndroi një kohë mjaft të gjatë. Me pas, dërgoi prapë në Korçë kryeministrin Kotta, ministrin e Punëve të Brendshme, Musa Jukën, komandantin e Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral Xhemal Aranitasin, kolonel Hysen Selmanin, komandantin e Xhandarmërisë, kolonel Shefki Shatkun, si edhe Prefektin e Korçës, Veli Vasjarin. Këta ishin urdhëruar për të bërë çmos, për të hyrë në kontakt me forcat e, sidomos të Bejlikut të Elbasanit, dhe të Beratit, si edhe këta të Ali Rizasë.
Ndërkohë, po tërhiqeshin këto forca në Vithkuq, Skrapar, Ternove e Mokër, që eventualisht, kjo fuqi kishte 3 batalione ushtarë dhe 2 batari mali 65/17, e dy stacione Radio R.3. Ky batalion xhandarësh, ai i major Mahmut Golemit dhe i major Xhafer Shkambit, po të ketë mundësi, për t’u lidhur me këto forca, të urdhërohen me shpejtësi, për t’u tërhequr në këto vija, se përsa i përket kolonel Ali Riza Topallit, ai është i gatshëm, me dy batalionet e Rojës së Kufirit.
“E, në qoftë se, keni për të pasur këtë mundësi, – ka thënë Mbreti – për t’u siguruar me këto reparte, e të bini dakord për t’u tërhequr në këto vende, unë nuk kam për t’u ngutur për të lënë sot tokën shqiptare. Se po të siguroj këto vende, këtu mundemi për të formuar një vijë qëndrese, se me anën e këtushme, jemi në gjendje të bëjmë rezistenca edhe në vende te tjera, si p.sh., në Mat, Dibër. Kështu, dërgojmë kolonel Husein Selmanin, kolonel Fiqri Dinen, me një shumicë të oficerëve dhe kreshnikët, megjithëqë një pjesë e madhe, kanë kaluar në Jugosllavi, po kjo nuk na ndalon.
Njëkohësisht, Kryeministri Kotta, të fliste edhe një herë me kryeministrin grek, Metaksain, mbi këtë plan rezistimi, i cili është edhe tepër në favorin grek, e po të rregullohen këto tentativa, ne hë për hë, mbetemi këtu. Ministri i Brendshëm, mundësisht të marrë kontakt me Prefekturat, që ende funksionojnë”.
Në orën 4 pasdite, po të kësaj date, u kthye kryeministri Kotta, me të gjithë të tjerët nga Korça, pa asnjë rezultat. Ata nuk kanë mundur të hyjnë në kontakt, me asnjë repart, gjithashtu edhe kryeministri grek, Metaksai, tepër i shqetësuar, i lajmëronte se: “Siç ju kemi bërë te ditur, sot, në orën 12 të natës, mbyllet kufiri. Dhe sa për këtë radhë, nuk mundemi në asnjë mënyrë t’u vijmë në ndihmë, as morale”.
Pas kësaj, në një bisedë të gjatë me Asamblenë Kombëtare, vendosën hë për hë, te linin tokën shqiptare dhe u nisën për në Kapshticë, Mbreti Zog, Qeveria, Parlamenti, një shumicë oficerësh, si edhe një shumicë nëpunësash.
Kapshticë 9 prill 1939, ora 19 e mbrëmjes
Kur mbërrijnë në postën e Kapshticës, Lartmadhëria e Tij, Mbreti Zog I-rë, u ngrit në këmbë dhe i lëshoi sytë me plot mallëngjim, drejt tokës shqiptare. Ai urdhëroi me nderime, për të ulur Flamurin Kombëtar dhe e puthi, e mori me vete, e në këtë kohë, kaloi kufirin shqiptar.
Follorinë, 10 prill 1939 – ora 2 e mëngjesit
“Kur hymë në kufirin grek, aty pritnin një kolonel dhe një major grek, me një kompani ushtarësh në nderim. Ata menjëherë i prinë automobilit të Mbretit Zog, me automobila e motoçikleta, për Follorinë. Por, rruga ishte e mbushur me borë, megjithëqë e kishin zbuluar mjaft me punëtorë. Aty mezi marshonin automobilat, jo më tepër se 20 kilometra në orë, kur arritën në Follorinë, ishte ora 1 pas mesnate. Kur arritëm në Follorinë, megjithëqë ishte vonë, dhe shumë ftohtë, por N/prefekti Follorinës, me gjithë autoritetet civile e ushtarake, të Follorinës, si edhe një pjesë e madhe e popullit, e pritnin aty ku fillonte hyrja e qytetit, Lartmadhërinë e Tij, Zog I-rë, Mbretin e Shqiptarëve. Menjëherë sa erdhi Mbreti, kujton adjutant – populli thirri: “Rroftë Mbreti Zog”, e “Poshtë Italia fashiste”, etj. Dhe N/Prefekti, u paraqit tek Mbreti e, ju vu në dispozicion. Mbreti, pati zbritur nga automobili e po ecte në këmbë, duke falënderuar popullin, i shoqëruar nga N/Prefekti, koloneli që ishte dhe ne. Dhe qeveria e Parlamenti, pothuajse i gjithë personeli, bëhej me mbi 2000 vetë. Ata shkuan në sallonin e hotelit, ku kishte rënë Mbretëresha.
Natyrisht, ishte një hotel i vogël dhe Mbreti hyri në sallonin e hotelit, bashkë me Qeverinë dhe një pjesë e deputetëve dhe N/Prefekti Follorinës, pasi e falënderoi N/Prefektin. Ky i fundit, i tha kryeministrit Kotta, që të bisedonte me të, që të angazhojë një tren për Selanik, që menjëherë të niseshim, brenda orës 10 të asaj dite. Pasi N/Prefekti, bashkë me Prefektin e Korçës, Veli Vasjarin, ikën për të rezervuar një tren, për Selanik, që të ishte gati në orën 10, të ditës 10 Prill 1939, Mbreti la kryeministrin në sallon dhe hipi pak për të parë Mbretëreshën dhe Princin. Po Mbretëresha, ishte mjaft e lodhur.
Ajo nuk qëndroi as 20 minuta dhe erdhi në sallon. Ndërkohë populli thërriste: “Poshtë Italia fashiste”. Në këtë kohë, policia i ndaloi për të përmendur Italinë. Mbreti Zog, urdhëroi kryeministrin Koço Kottën, të hynte në kontakt me kryeministrin grek Metaksain, duke i lajmëruar se, Mbreti dëshiron të niset menjëherë për Selanik, si edhe për ta falënderuar për të gjitha pritjet miqësore, të N/prefektit dhe autoriteteve e popullit të Follorinës dhe i tha: “Haptazi i thuaj se, që tani, nëse e lejon situata greke, dëshironi të qëndrojmë në Greqi, lirisht me të drejtat diplomatike, apo do të shkojmë në ndonjë shtet tjetër”?
Kozan, 10 prill 1939, ora 14 e kësaj date
Në orën 14 të kësaj dite, iu përgjigj kryeministri i Greqisë, Metaksai, kryeministrit të Shqipërisë, Koço Kottës, me këto fjalë: “Ju lutem, i jepni nderimet e mia më të prekshme, Madhërisë së tij, Mbretit Zog. E shikoni gjendjen në të cilën jemi, por sipas dëshirës së Madhërisë Suaj, do të ndaloheni në Larisa, me gjithë personelin që keni me vete. Jeni miq e të lirë siç dëshironi. Dhe, mos u trazoni, për një gabim që u bë pa dijeninë e Qeverisë. Njëkohësisht, kemi urdhëruar Prefektin e Kozanit, që t’i bëhen të gjitha nderimet Mbretit Zog I-rë”.
Kryeministri Kotta, bashkë me ministrin e Jashtëm, Ekrem Libohovën, erdhën dhe u paraqitën tek Mbreti Zog. Pa mbaruar mirë fjalët kryeministri, erdhi Guvernatori i Larisës dhe kërkoi të paraqitet tek Mbreti Zog. Mbreti, menjëherë e pranoi, duke pasur pranë edhe kryeministrin Kotta, e ministrin e Jashtëm Libohovën. Guvernatori, i parashtroi Mbretit, nderimet e Qeverisë Helene dhe ju lut, se në tokën greke, jeni si në Atdheun e dytë tuajin. “Urdhëroni në Larisa”, – natyrisht në Larisa, kishin rregulluar gjithë hotelet.
Kështu, së bashku me Guvernatorin, u nisëm për Larisa. Kur mbërritëm në Larisa, aty në stacion, kishin sjellë një batalion ushtarësh, për nderime, si edhe të gjitha autoritetet, civile e ushtarake të Larisës, gjithashtu njerëz të ndryshëm pritnin Mbretin Zog. Kur treni u ndal, Mbreti me Mbretëreshën, të shoqëruar prej Guvernatorit, zbritën nga treni dhe i përshëndetën të gjithë autoritetet. Ai kaloi revistën ushtarake dhe ju kthye popullit, duke falenderuar. Ata kanë thirrur: “Rroftë Mbreti Zog e, Rroftë Shqipëria me popullin e saj trim”!
Prej stacionit, u drejtuam për në hotel, ku ishte caktuar për Mbretin e familjen Mbretërore. I prirë nga Guvernatori, Mbreti, hyri në sallonin e hotelit, bashkë me kryeministrin Kotta e, me Qeverinë. Aty Mbreti, bisedoi pak me Guvernatorin dhe e ngarkoi për të falenderuar Qeverinë Helene, fqinje e mike. Për sa i përket Mbretit, George dhe Kryeministrit Metaksai, ai ju dërgoi nga një telegram. Në hotel, u sistemuan të gjithë me rregull: Qeveria, Parlamenti, Këshilli i Shtetit, gjithë oficerët, nëpunësit dhe ushtarët. Të gjithë ishin krejtësisht të lirë. Vetëm një gjë e keqe ishte atje, sepse monedha shqiptare letër, nuk njihej, vetëm ajo prej ari njihej, prandaj u detyrua Qeveria për të rregulluar personelin.
Larisa 12 prill 1939
Qeveria Mbretërore Shqiptare, nën kryesinë e kryeministrit Kotta, të tërhequr prej luftës me Italinë në Larisa, u mblodh për të diskutuar gjendjen e personelit, që ndodhen në Greqi dhe Jugosllavi, të tërhequr nga lufta. Kjo për t’ju bërë një ndihmë për ushqim dhe banim, nga të hollat e tërhequra prej arkës së shtetit, më 7 prill 1939, derisa të gjendej ndonjë mënyrë për rregullimin e tyre. Ministri i Financës Mbretërore Shqiptare, Kolë Thaçi, i paraqiti Këshillit Ministror, pasqyrën e shumës së tërhequr më 7 prill 1939, nga arka e Shtetit, si edhe të prishurat, rreth tërheqjes siç shënohen:
Shuma e tërhequr nga arka e shtetit: në datën 7 prill 1939
- Napolona ar. (023.000)
- Napolona letër (040.000)
Të harxhuara në Tiranë, 7 prill 1939:
- Napolona ar. (000.000)
- Napolona letër.(001.000)
Të harxhuara në Kapshticë, 10 prill 1939:
- Napolona ar. (000.000)
- Napolona letër (008.000)
Mbetën në arkë:
- Napolona ar. (023.000)
- Napolona letër (031.000)
Kjo ishte shuma, që ministri i Financës, Kol Thaçi, kishte tërhequr më 7 prill 1939, nga arka e Shtetit, me urdhrin e Këshillit Ministror.
Kjo pasqyrë u paraqit në Larisa, më datë 13 Prill 1939, Ministri i Financës Kol Thaçi
Këshilli Ministror, pasi studio pasqyrën e paraqitur nga ministri i Financës, Kol Thaçi, vendosi të formohet një komision, për të përpiluar listat e personelit, si edhe caktimin e ndihmës, që të mund t’i bëjë ballë gjendjes me ushqim e banim. Kjo, për sa kohë, deri sa të kemi mundësi t’ju rregullohet jetesa, aty ku kanë për të qëndruar.
Komisioni për të rregulluar pagesat
- Kryetar: Ministri i Financës, Kol Thaçi
- Anëtar: Kryetari i Parlamentit, Hiqmet Delvina
- Anëtar: Ministri i Arsimit, Abdurrahman Dibra
- Anëtar: Kolonel për Ushtrinë, Hysen Selmani
- Anëtar: Kryetari i Këshillit të Shtetit, Mirash Ivanaj
- Sekretar i Këshillit Ministror, Stavri Stavro
Komisioni, sipas vendimit të Këshillit Ministror, menjëherë përpiloi listat e personelit në Greqi dhe në Jugosllavi. Kjo me sa dihej, që personeli shtohet ditë më ditë, e më tepër në Jugosllavi. U përpilua caktimi i shumës që lipsej t’ju jepej. E pastaj, ja paraqiti Këshillit Ministror, për aprovim:
Shuma që përmbante lista e komisionit:
Personeli në Larisa
- Napolona ar. (009.000)
- Napolona letër (000.000)
Personeli në Follorinë
- Napolona ar. (002.000)
- Napolona letër (000.000)
Personeli në Jugosllavi
- Napolona ar. (003.000)
- Napolona letër (000.000)
Shuma për t’u shpërndarë:
- Napolona ar. (014.000)
- Napolona letër (000.000)
Larisa, më 14 prill 1939
Këshilli Ministror, pasi studio me vërejtje listat e personelit, bashkë me shumën e caktuar paraqitur nga komisioni, megjithëse iu dukën të tepërta, e sidomos në ar, ku parashikonte dhe me pagesat për 6 muaj, Legatat Mbretërore në Paris, Turqi, Egjipt dhe eventualisht dhe të tjera, por pasi nuk gjeti asnjë mënyrë kursimi, e pranoi dhe vërtetoi pagesën.
- Kryeministri Koço Kotta
- Kryetari i Parlamentit Hiqmet Delvina
- Ministri i Drejtësisë Faik Shatku
- Ministri i Jashtëm Ekrem Libohova
- Ministri i Financës Kol Thaçi
- Ministri i Brendshëm Musa Juka
- Ministri i Bujqësisë Rrok Gera
- Ministri i Arsimit Abdurrahman Dibra
- Kryetari i Këshillit të Shtetit, Mirash Javaneu
- Sekretari i Këshillit Ministror, Stavro Stavri
Këshilli Ministror, duke marrë brenda dhe Kryetarin e Parlamentit si edhe Kryetarin e Këshillin të Shtetit, vërtetoi që; të bëhet pagesa e paraqitur prej komisionit, prej shumës napolona ari, 0014.000 (katërmbëdhjetë mijë) napolona ari, të tërhequr në datën 7 prill 1939, prej arkës së shtetit. Memorie.al
Larisa 14 prill 1939
Sekretari i Këshillit ministror
Stavri Stavri d.v
Vijon