(1 Korrik 2021 – Rrëzohet statuja e Mbretëreshës Victoria në Winnipeg, Manitoba)
Sot, Dita Kombëtare e Kanadasë është përkujtuar në një mënyrë krejt të veçantë, si asnjëherë tjetër gjatë 15 viteve prej kur kam ardhur këtu. Zbulimi vetëm gjatë muajit të fundit, i mbi 1000 varreve anonimë fëmijësh autoktonë, të marrë forcërisht dhe mbajtur në shkollat rezidenciale për t’u asimiluar, e ka tronditur thellësisht opinionin publik kanadez, por jo vetëm.
Është hapur një debat, që unë besoj se është i shëndetshëm dhe do t’i bëjë mirë shoqërisë kanadeze, e përbërë nga shumë komunitete etnike dhe kulturore. Sigurisht, në debat dëgjohen nota ekstreme, por ekstremet unë mendoj se nuk janë dominantë në Kanada dhe ajo që mbizotëron është logjika.
Sot, ajo që ra më shumë në sy në qytetet e mëdha ishin manifestimet paqësore në solidarizim me popujt autoktonë, me ndonjë përjashtim. Edhe politika duket se u bashkua në idenë që sot edhe duhej festuar, për ato çka Kanadaja me të vërtetë është model pozitiv dhe në pararojë të kombeve të tjera, por edhe duhej reflektuar për ato që me të vërtetë mund të konsiderohen si tragjedi të së kaluarës, ndër të cilat, gjenocidi kulturor i ushtruar mbi popujt autoktonë, veçanërisht nëpërmjet sistemit të shkollave rezidenciale, që ekzistuan për më shumë se një shekull, mbetet një pjesë e turpshme dhe e errët e historisë kanadeze, që ende ka nevojë të ndriçohet.
Sot, në Ditën Kombëtare të Kanadasë, në Winnipeg të Manitoba-s, protestuesit kanë rrëzuar statujën e Mbretëreshës Victoria, të vendosur atje prej vitit 1904. Pra, kujtoj që deri në vitin 1901, Victoria, ishte kryetarja e shtetit kanadez, në kohën e lulëzimit të shkollave rezidenciale, kohë kur për linjën zyrtare kanadeze, autoktonët konsideroheshin egërsira, dhe fëmijët duheshin shkëputur nga prindërit egërsira për t’u ”qytetëruar” nga të bardhët.
E kam shumë të vështirë të shprehem kundër asaj që ndodhi sot, sepse do të revoltohesha nëse ndonjë kanadez do më pyeste pse e rrëzuat statujën e Enver Hoxhës?
Për mendimin tim, Victoria mbretëreshë për autoktonët, është njëlloj si Enver Hoxha për shqiptarët. Madje jo vetëm ajo, por edhe të tjerë, por sot, në këtë shënim nuk ka hapësirë për emra të tjerë, apo për të bërë krahasime dhe me serbët, që edhe ne shqiptarët na konsideronin egërsira e ende sot synojnë dominimin e territoreve tona.
Për ta mbyllur reflektimin e sotëm, po kujtoj që ditëve të fundit, në mënyrë të përsëritur i është bërë thirrje me të drejtë Papa Françeskut, kreut të Kishës Katolike (që ka administruar gati 80 përqind të shkollave rezidenciale në Kanada) të kërkojë falje publike. Të shohim nëse do ta bëjë kur të takohet me liderë autoktonë në fund të këtij viti në Vatikan.
Por mua personalisht më ka tërhequr vëmendjen një fakt tjetër, i papërmendur. Heshtja totale e Mbretëreshës Elizabeth, që ligjërisht është kreu i shtetit kanadez dhe që përfiton edhe nga taksat e kanadezëve sëbashku me gjithë familjen mbretërore. Po të bësh një kërkim në Google me fjalët ”mbretëresha shpreh trishtimin e saj” do dalë menjëherë një referencë për trishtimin e saj lidhur me llastimet e Princit Harry… asnjë fjalë për fëmijët autoktonë që sot nuk kanë as edhe një copë pllakë varri identifikuese mbi tokën ku janë varrosur pa i qarë askush… Pak të thuash ironi e hidhur!/Flasshqip.ca