Me mikun tim të vjetër Andon Dede jam njohur në mesin e viteve ’60, gjatë kohës që isha student në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Asokohe Andoni ishte student në degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Që gjatë viteve studentore, Andoni ishte i dhënë pas gazetarisë. Në mbyllje të vitit akademik 1964-1965, dy grupe studentësh të degës së gjuhës shqipe dhe të degës së gjuhës ruse, u dërguan në aksionet e rinisë për hapjen e rrugëve pyjore në Kërrabë të Pukës. Andonit, bashkë me Ramadan Pasmaçiun, u qe ngarkuar detyra për të shkuar me shërbim në sektorët e aksioneve të rinisë universitare në zona të ndryshme të vendit, për të përgatitur reportazhe për shtypin e kohës. Ata erdhën edhe në sektorin e Kërrabës.
Pas përfundimit të fakultetit në vitin 1968, Andoni u emërua gazetar në Televizionin Shqiptar, ku punoi 15 vjet. Mandej e transferuan në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste dhe më pas në Institutin e Studimeve Pedagogjike. Në vitin 1991 mbrojti doktoratën me temë “Koha e lirë dhe raporti i saj me mjetet komunikimit masiv”, një studim ky që kryhej për herë të parë në vendin tonë. Andoni u bë i njohur me botimin e mjaft artikujve në shtypin e vendit dhe të huaj. Në vitin 1997 ai emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje ka punuar në Akademinë “Xhejms Satteruajt” të Administratës së Shërbimit për fëmijë për Bashkinë e qytetit të Nju Jorkut, derisa doli në pension.
Në bibliotekën e familjes sime në Tiranë kam dy libra-dhuratë të Andonit me artikuj mjaft tërheqës, në të cilët del në pah bota e tij shpirtërore, si një publicist mjaft i talentuar. Librat titullohen:
“Dialogje me të tjerët dhe me veten” (254 faqe) dhe “Pa iluzione dhe paragjykime” (178 faqe). Librat kanë dalë nga shtypi në vitin 2010 dhe i ka hedhur në qarkullim Shtëpia Botuese “Globus R”.
Në publicistikën a Andonit bie në sy çiltërsia e shpirtit të tij qelibar, vendosmëria e publicistit mendjehollë, pjekuria shembullore e intelektualit të paanshëm, i cili ka për yll karvani vetëm të vërtetën, kthjelltësia e gjykimit gjakftohtë dhe mjeshtëria analitike e trajtimit sa më objektiv të temave të ndryshme nga realitetet shqiptare pas vendosjes së pluralizmit.
Çiltërsia e tij të bëfason në një analizë me titull “Ne, ish-komunistët”. Paragrafi i mëposhtëm e dëshmon më së miri pastërtinë e shpirtit të tij:
“Edhe në kushtet e tmerrshme të diktaturës, në atë pak hapësirë që na kishte lënë ajo, ne e kishim mundësinë të tregonim sadopak vlerat apo antivlerat tona. Tjetër punë që kemi duruar shumë, kemi heshtur apo jemi konformuar për kafshatën e bukës, duke ia lehtësuar e shtuar jetën diktaturës. Përjashtim bëjnë ish-të burgosurit politikë” (Nga libri “Dialogje me të tjerët dhe me veten”, f. 36).
Në këtë analizë, duke shtegtuar drejt viteve të diktaturës komuniste, ai parashtron edhe fakte se si një palë kuadrosh nga qendrori i partisë, shumë të paktë këta në numër, të cilët, kur shkonin me shërbim poshtë në bazë në periudhën ogurzezë të tufëzimit, flisnin me sinqeritet, madje edhe me revoltë për atë gjendje të mjerueshme ekonomike të fshatarësisë kooperativiste, çka ngjallte zemërimin e autoriteteve të pranishme. Kurse të tjerë kuadro, më të shumtë këta në numër, me paturpësi dhe përmes një demagogjie të sofistikuar, mundoheshin t’u mbushnin mendjen të pranishmëve se gjoja askush nga fshatarët-kooperativistë nuk ankohej për mjerimin e gjendjes ekonomike. Tipik ishte Fatos Nano, i cili, për t’iu servilosur Nexhmije Hoxhës, s’e kishte për gjë të mashtronte pa iu skuqur faqja, duke thënë se “gjithë fshatarët qenë të shqetësuar se si po shkon mekanizmi i ri ekonomik dhe asnjë nuk na u ankua për mungesa e vështirësi…”, ç’ka ishte krejt e kundërta e asaj që deklaronte Vangjel Moisiu, asokohe sekretar shkencor i institutit të Nexhmijes. “Ai, – shkruan Andoni, – foli me pasion, duke na përmendur disa të vërteta tronditëse për gjendjen e rëndë në fshat. U skuq në fytyrë, si ai që detyrohet të pranojë diçka kundër dëshirës së vet. Na tregoi, p.sh., për radhët e gjata qindrametërshe për të marrë vajguri apo, ngaqë nuk kishin dru për t’u ngrohur, futeshin në rroba herët. Për të ndezur zjarr sa për të gatuar, – tha ai, – përdornin kallamishtet e misrit…” (f. 249).
Vetëm me një analizë të thjeshtë për fatin e një vajze mjaft të talentuar, me emrin Kozeta, e cila shkollën e mesme e kishte mbaruar me rezultate të shkëlqyera dhe e drejta e studimit i kishte dalë për mjekësi, siç edhe pati ëndërruar, Andoni zbulon natyrën egërane të luftës së klasave, e cila qe një fatkeqësi e rëndë për mbarë popullin tonë gjatë sundimit diktatorial të kriminelit Enver Hoxha. Për pasojë, Kozetës aq të talentuar ia patën hequr të drejtën e studimit, pasi babai i saj, Ilia Naska, kishte qenë oficer në periudhën e mbretërisë, paçka se nuk kishte kryer kurrfarë shkeljeje në dëm të atdheut. Për këtë “arsye”, Kozetën e shkretë e dërguan të punonte në një serrë domatesh.
Me domethënie të thellë është artikulli “Zhgënjimi i dhimbshëm”. Gjatë një vizite që Andoni ka bërë në Çeki, në qytetin Brno qe njohur me disa ish-komunistë grekë, të cilët kishin ardhur aty si emigrantë pas përfundimit të luftës civile në Greqi. Megjithëse kishin mbetur të zhgënjyer nga premtimet e qeverisë së koalicionit, e cila nuk e kishte mbajtur fjalën për bashkëpunim me komunistët, ata ish-emigrantë, tashmë pas gati një gjysmë shekulli, kishin arritur në një përfundim tepër domethënës:
Çfarë do të kishte ndodhur në Greqi sikur pushtetin ta kishin marrë komunistët dhe të largonin aleatët perëndimorë? Sigurisht që edhe Greqinë do ta kishte pllakosur po ai mjerim ekonomik që pati goditur të gjitha vendet Evropës Lindore.
Pena e Andonit vjen e bëhet e pamëshirshme kur ndalet në krimet e diktaturës komuniste, të cilat i radhit në analizën që i ka bërë qëndrimit të Ramiz Alisë gjatë procesit gjyqësor. Në artikullin “Qetësia e një ndërgjegjeje të tjetërsuar”, Andoni citon fjalët e Ramiz Alisë para trupit gjykues:
“Si çdo njeri, edhe unë kam pasur të meta e gabime në punë… Ky është borxhi im ndaj popullit. Por asnjëherë, asnjë veprim imi nuk ka shkuar në dëm të punonjësve, asnjëherë nuk kam rënë ndesh me interesat e tyre” (f. 57).
Pas këtyre fjalëve të kriminelit Ramiz Alia, vrasësit të poetit Havzi Nela, Andoni shpërthen:
“Një pohim i tillë kapërcen edhe caqet e logjikës më elementare. Pra, sipas tij, të ngresh dorën e të miratosh vendime për të pushkatuar të pafajshmit, për t’i mbyllur gojën popullit e për ta trajtuar atë më keq se skllavin, duke mos e lejuar të flasë, të besojë, të lëvizë e të ketë një pronë sado të vogël; ta katandisësh atë sa të mos ngopë as barkun me bukë, në një kohë që për vete jeton si princ a si sheik; ta izolosh nga bota e ta lësh në një prapambetje të tillë të dhimbshme, gati të pabesueshme për tërë ata që po na njohin; t’i presësh njerëzit në besë, duke iu thënë se kalimi i kufirit nuk përbën më krim e pastaj t’i vrasësh pas shpine e t’i tërheqësh zvarrë… e plot e plot mynxyra të tjera si këto, sipas tij, nuk e realizojnë figurën e krimit, por janë thjesht të meta e gabime (?!)” (po aty).
Në këtë artikull, Andoni ka nxjerrë nga pena një aforizëm me vlera jashtëzakonisht domethënëse për fatet e një populli:
“Është fatkeqësi për një popull, kur, jo për faj të tij, udhëheqësit e vet nuk përfundojnë në panteonin e lavdisë, por në bankën e të akuzuarve” (po aty, f. 55).
Më shumë se 100 faqe të librit “Dialogje me të tjerët dhe me veten”, Andoni ia ka kushtuar ecurisë së jetës së vendit pas vendosjes së sistemit pluralist. Këtë pjesë të librit ai e ka titulluar “Ky tranzicion i vështirë”.
Andoni, si një intelektual me një brumosje të shkëlqyer atdhetarizmi, shpreh shqetësimet e veta për zhvillimin e ngjarjeve pas dhjetorit të vitit 1990. Të gjitha analizat e tij në këtë pjesë të librit i përshkon si një fill i kuq dëshira e tij e zjarrtë për të dalë nga ky tranzicion, të cilit ende nuk i duket fundi. Një vëmendje e veçantë u kushtohet këtu ngjarjeve tragjike të vitit 1997. Në këndvështrimin e Andonit, firmat piramidale nuk ishin arsyeja kryesore e shpërthimit të asaj tragjedie shqiptare. Ato firma vetëm sa shërbyen si “shkrepse” apo si “kapsula” për ndezjen e pasioneve çmendurake të opozitës neokomuniste për marrjen e pushtetit me dhunë. Sepse dihet që opozita e asaj kohe ishte pasuese e drejtpërdrejtë e Partisë së Punës, e cila, në kongresin e saj të 10-të të qershorit të vitit 1991, thjesht ndërroi “modelin e kostumit”, duke mbajtur të njëjtin “stof komunist”. Sepse, siç shkruan Andoni me shumë të drejtë, “e tillë qe e ashtuquajtura “opozitë” te ne! Duke u bashkuar me rebelët e armatosur të Jugut, për marrjen e pushtetit, siç edhe e morën, ajo vetë vulosi përfundimisht identitetin e saj si një grupim kundërshtar që s’ka asgjë të përbashkët me pluralizmin e demokracinë. Këtë e pohoi fare troç edhe Skënder Gjinushi në një miting parazgjedhor, kur e krahasoi 29 qershorin e këtij viti (është fjala për ditën e zgjedhjeve parlamentare më 29 qershor 1997 – E.Y.) me 29 nëntorin e 44-ës, kur dihet edhe nga nxënësit e fillores se atëherë as që bëhej fjalë për demokraci” (po aty, f. 131).
Andoni, me objektivitetin e një analisti shembullor, hedh një vështrim psikosocial mbi skenën e politikës shqiptare të fundit të viteve ’90, duke e flakur tutje vellon e mashtrimit të qeverisjes socialiste. Dhe për të qenë sa më i paanshëm në vlerësimet e veta, ai citon fjalët e ministrit të mbrojtjes të asaj kohe, Perikli Teta:
“Neve duhet të na vijë turp për atë që kemi bërë gjatë këtyre viteve. E gjithë e shkuara e këtij koalicioni qeveritar është një njollë turpi në historinë e politikës së këtij vendi. Ministria e Rendit, në gjithë sistemin e saj, është e mbushur me një numër mafiozësh, kriminelësh e kontrabandistësh” (po aty, f. 143).
Këto fjalë të ministrit Perikli Teta, të cilat Andoni i ka qëmtuar me shumë kujdes nga mjetet e informimit masiv, janë të një rëndësie të jashtëzakonshme, sepse ato kanë një tingëllim mjaft aktual për mënyrën e qeverisjes së vendit pas rikthimit në pushtet në vitin 2013 të neokomunistëve socialistë. Kjo për arsye se Partia e Punës, në kongresin e saj të 10-të, nuk dha llogari dhe nuk kërkoi ndjesë absolutisht për traumat e rënda që i pati shkaktuar popullit shqiptar përmes luftës së egër të klasave dhe varfërimit të tij shkallë-shkallë, i cili, në vitet ’80 pati arritur deri në përmasa katastrofike. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe, sepse Partia Socialiste, e cila ndërroi vetëm emrin, por jo psikologjinë kriminale-varfëruese të Partisë së Punës, nuk mund të qeveriste në një tjetër mënyrë. Pra, edhe Partia Socialiste nuk do të lëviste nga hullia e Partisë së Punës, e cila, në politikën e vet udhëhiqej nga mendësia e bolshevizmit rus, i cili kishte në themel zhdukjen e peronalitetit të njeriut përmes varfërimit të tij të shkallëshklallshëm.
Në vitin 1992, Edi Rama pati deklaruar:
“Për sa kohë PS nuk ka bërë denoncimin e plotë të origjinës dhe historisë së saj, ajo s’ mund ta ketë të drejtën për të qenë një parti e ligjshme”. (Edi Rama dhe Ardian Klosi, “Refleksione“, Shtëpia botuese “Albania”, Tiranë 1992, f. 184).
Kjo ishte një deklaratë shumë e goditur dhe pikërisht në kohën e duhur. Por me ardhjen në krye të Partisë Socialiste në vitin 2005, Rama harroi çfarë kishte deklaruar 13 vjet më parë, harroi që u bë kryetar i një “partie të paligjshme”, pra, e ktheu pllakën, nuk ia bëri “rezonancën magnetike” Partisë Socialiste dhe, me marrjen e postit të kryeministrit në vitin 2013, vazhdoi traditën enverhoxhiste në qeverisjen e vendit përmes varfërimit të pandërprerë të popullit, për të qenë sa më jetëgjatë në pushtet. Dëshmia më e qartë e kësaj mënyre të ushtrimit të pushtetit, është braktisja e atdheut nga disa qindra mijë shqiptarë gjatë gjashtë vjetëve të qeverisjes socialiste të Edi Ramës. Duke pasur parasysh një mënyrë të tillë qeverisjeje socialiste varfëruese, publicisti atdhetar Andon Dede shkruan me dëshpërim:
“Ndaj dhe populli ynë ushtar, me sa duket, do të paguajë haraç të madh; ka për të vuajtur edhe shumë kohë, derisa të largohen nga skena bijtë e nipërit e babë Enverit e gjithë enveristët e tjerë” (po aty, f. 154).
Libri përmban edhe analiza të tjera që u kushtohen problemeve të tranzicionit. Ai mbyllet me një autointervistë me titull “Shpresa, iluzione dhe zhgënjime…” dhe me një intervistë që i ka marrë Andonit zotëria Vehbi Bajrami për gazetën “Iliria”. Në atë intervstë, Andoni ka nxjerr në pah përsëri natyrën mashtruese të Fatos Nanos, i cili, si karrierist dhe servil i lindur që ishte, gjatë një mbledhjeje, kërkonte t’u mbushte mendjen punonjësve të institutit dhe vetë Nexhmijes, sikur gjoja “veprat” e përkthyera të Enverit “kërkoheshin” nga të huajt dhe nuk i gjenin, çka atij, si anëtar i një delegacioni rinie, “i kishte rënë në sy” gjatë një vizite që delegacioni në fjalë kishte bërë në Burkina Faso. Ja si reagon Andoni në atë intervistë ndaj mashtrimeve të Fatos Nanos:
“Kjo qe një gënjeshtër me bisht… Ajo që më habiti mua qe se si e hëngri Nexhmija. Ajo e dinte mirë se si qe e vërteta për veprat e të shoqit. Sa e sa herë qe bërë problem që ambasadat nuk po punonin si duhet për shpërndarjen dhe propagandimin e tyre, ngaqë nuk ua merrte njeri. Edhe kur ua dhuronin të ftuarve, të nesërmen i kishin gjetur në koshin e plehrave” (po aty, f. 250).
Jo më pak tërheqës është libri “Pa iluzione e paragjykime”, i cili përmban shënime nga Amerika. Aty lexuesi njihet me mjaft analiza prekëse, në të cilat ndihet malli i Andonit për atdheun e largët. Të ngjall mallëngjim artikulli me titull “Burime të krenarisë kombëtare”, në të cilin Andoni ndalet në të tilla figura të shquara të Diaporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si Noli, biznesmeni i famshëm Anthoni Athanas, bamirësi i njohur Idriz Lamaj – poet, gazetar, hulumtues, historian, aktivist, veprimtar dhe atdhetar i shquar ndaj çështjes kombëtare, autor i shumë veprave, mes të cilave Andoni përmend përmbledhjen poetike me titull “Rrugëve të mërgimit”, e cila doli nga shypi në vitin 1973. Këtë vepër e patën vlerësuar lart Martin Camaj dhe Ernest Koliqi.
Bamirësia e Idriz Lamajt u shfaq veçanërisht me ndihmën që dha për botimin e një romani të Adem Demaçit gjatë kohës që ky ndodhej në burg. Romani titullohet “Gjarpërinjtë e gjakut”, për të cilin Andoni thotë se Idriz Lamaj gjeti çastin e duhur për botimin e tij, çka i shërbente më së miri Çështjes së Kosovës.
Mbresëlënëse janë vlerësimet e Andonit për Komitetin “Shqipëria e Lirë”, nëpërmjet te cilit Idriz Lamaj qe njohur me personalitete të Diaporës, si Arshi Pipa, Faik Konica, Gjon Sinishta, Kostë Çekrezi, Kristo Dako, Nelo Drizari, Petro Kolonjari, Qerim Panariti, Rexhep Krasniqi, Stavri Skëndi, Vasil Alarupi, Xhafer Deva, etj. Nga ky libër i Andonit mësova për herë të parë se “Komiteti “Shqipëria e Lirë” paska qenë “i vetmi institucion politik shqiptar në SHBA që është mbështetur politikisht dhe materialisht nga qeveria amerikane” (f. 32). Kryetar i parë i atij Komiteti, siç dihet, ka qenë Mit’hat Frashëri dhe pas vdekjes së tij – Hasan Dosti dhe profesor Rexhep Krasniqi. Andoni ndalet edhe në vdekjen enigmatike të Mit’hat Frashërit, kufoma e të cilit u gjet në një dhomë të një hoteli të Nju Jorkut. Ka pasur mendime të ndryshe për vdekjen e tij, aq më tepër që nuk i qe gjetur asnjë dokument identiteti me vete. Në Shqipëri kanë pasë qarkulluar mendime se në vdekjen e Mit’hat Frashërit ka pasur dorë Sigurimi i Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin sekret sovjetik, i cili i pati injektuar gaz helmues përmes brimës së çelësit.
Përmes rrëfimeve të Idriz Lamajt, Andoni e njeh lexuesin edhe me një tjetër personalitet të shquar të Diasporës shqiptare – Xhafer Devën. Në përfytyrimin e çdo shqiptari të Shqipërisë Londineze, Xhafer Deva paraqitet si një kriminel, si armik i Shqipërisë, sepse të tillë e pati përshkruar historiografia komuniste. Ndërsa, në të vërtetë, Xhafer Deva, si bir i një pasaniku nga Kosova, tërë pasurinë e trashëguar dhe atë që pati vënë vetë, e pati shpenzuar për çështjen kombëtare.
Ja portretizimi që Andoni i bën figurës së Xhafer Devës përmes rrëfimeve të Idriz Lamajt.
“Xhaferi kishte mbaruar dy universitete, për ekonomi, kontabilitet e shërbime bankarë, në Pragë dhe në një shkollë amerikane në Aleksandri të Egjiptit. Ndaj dhe anglishten, edhe para se të vinte në Amerikë, e zotëronte në nivelin më të lartë. Veç anglishtes, ai zotëronte gjithashtu në mënyrë të përsosur gjermanishten, frëngjishten, italishten, turqishten, arabishten dhe gati të gjitha gjuhët sllave. Në universitetin e Stanfordit, në qytetin Palo Alto të Kalifornisë, të thuash në pleqëri, mësoi deri në perfeksion kompjuterin… Në këtë universitet, ku ai punoi për disa vjet, jepte herë pas here leksione. Ligjërata ai ka mbajtur edhe në disa akademi ushtarake” (f. 39-40).
Kur lexuesi e krahason formimin intelektual të Xhafer Devës me Enver Hoxhën, ai bindet plotësisht për vërtetësinë e fjalëve të Mustafa Kaçaçit, i cili, në Konferencën e parë të Vendit në Labinot në mars të vitit 1943, deklaroi publikisht:
“Ti Enver ke qenë një hiç…” (Vasfi Baruti. “Enver Hoxha, ana tjetër e Hënës”. Botim i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit. Tiranë 2018, f. 326).
Me këtë rast, Andoni citon fjalët e Idriz Lamajt për Xhafer Devën:
“Nuk është qëllimi im që ta mbroj atë e këdo tjetër e të bëhem avokat i tyre. Janë veprat ato që flasin më mirë e më bindshëm. Jo rastësisht ai është sulmuar egërsisht si nga regjimi i Tiranës edhe nga ai i Beogradit; komunistët nuk mund t’ia falnin atij nacionalizmin e antikomunizmin. I kam këtu nja pesë-gjashtë artikujt mjaft interesantë, të botuar në “Borba” dhe në “Zëri i Popullit”” (po aty, f. 40).
Në këtë libër të Andonit, intelektuali i mirënjohur Idriz Lamaj del para lexuesit si një thesar i vërtetë i të dhënave dhe i fakteve konkrete për përfaqësues me emër të Diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe si modeli i një atdhetari të shquar me brumosje nacionaliste.
Tepër prekës në këtë libër është rrëfimi me titull “Një histori e jashtëzakonshme”, i cili të ngjall emocione të fuqishme me nëntitullin “Tre shokë nga Shqipëri, Spanja dhe Rusia takohen pas 50 vjetësh në Madrid”. Në qendër të këtij rrëfimi janë tre “personazhe” interesante: miku i çmuar i Andonit, kirurgu i shquar Perikli Sheti dhe dy miqtë e tij – Kosta Ribakovi nga Rusia dhe Manuel Arse nga Spanja, që të tre studentë të mjekësisë në Universitetin “Seçenov” të Moskës, ku i patën filluar studimet në vitet ’50. Mes këtyre tre studentëve, Perikliu ishte më i shkëlqyeri në mësime. Edhe diplomën e pati mbrojtur “shkëlqyeshëm”. Prandaj, që në vitin e gjashtë të studimeve i patën propozuan të vazhdonte aspiranturën, të cilën nuk e patën fituar dot as Kosta, as Manueli. Pas tre vjet studimesh, Perikliu arriti që edhe aspiranturën ta mbronte “shkëlqyeshëm”.
Andoni, me aftësinë e një publicisti mendjemprehtë, ndjek me kujdes odisenë e jetës së kirurgut të talentuar Perikli Sheti, i cili kthehet në atdhe në vitin 1960, kur marrëdhëniet e Moskës me Tiranën kishin marrë rrokullimën. Kirurgu fillon punë në Spitalin e Tiranës dhe vëren se aty mugonin gjërat më elementare. Përveç përballjes me sëmundjet e pacientëve, atë e trondiste varfëria e tyre. Andoni zbulon botën e brendshme të doktor Perikliut, i cili ndiente dhembje në shpirt për njerëzit e thjeshtë që nuk e meritonin atë varfëri. Megjithatë, përmes penës në Andonit, lexuesi mëson se kirurgu i talentuar bënte të pamundurën për ushtrimin e profesionit të vet, qoftë në klinikën e spitalit, qoftë si pedagog në auditoret e uniuversitetit. Por, siç dihet, në mjediset shqiptare dikujt nuk i pëlqejnë arritjet e tjetrit.
“Suksesi, – thekson Andoni, – përherë ngjall reaksion te mediokrët, të paaftët e të paformuarit që nuk mungojnë në çdo vend e mjedis” (f. 58-59).
Prandaj edhe kirurg Perikliun, nën vjegën e qarkullimit, e patën transfertuar në spitalin e Elbasanit, pra, thjesht për ta hequr qafe. Atje doktori krijon familje me Kozarën, bijën e një të përjashtuari nga partia, i cili, në Konferencën e Partisë së Tiranës të vitit 1956, paskej bërë një pyetje “me spec”. Retë e zeza që u grumbulluan rreth doktor Perikliut “e derdhën rrebeshin” e tyre mbi kokën e tij dhe më 12 gusht 1982 ai përfundoi në burg.
Jo me pak emocione e përcjell Andoni edhe odisenë e doktor Emanuelit, i cili, pas një bisede telefonike me doktor Perikliun, bashkë me të shoqen Sofia, një ditë të bukur, vendosi të vinte në Shqipëri për t’u takuar me mikun e tij të vjetër, pasi kishin kaluar më shumë se njëzet vjet. Ajo bisedë telefonike qe bërë pak ditë para 12 gushtit të vitit 1982. Andoni shkruan:
“Shqipëria e befasoi. Nuk e kishin menduar se do të kishte në Evropë një vend kaq të varfër e të prapambetur, duke filluar që nga aeroporti, rrugët, ndërtesat, gjithçka. Emanuelit po i vinte keq për mikun e tij të dashur që i duhej të jetonte në një varfëri të tillë” (f. 56).
Me nota mjaft prekëse e përshkruan Andoni këmbënguljen e doktor Emanuelit për t’u lidhur me doktor Perikliun. Në anën tjetër të telefonit nuk i përgjigjej kush. Shoqëruesi-përkthyes nuk dinte ç’përgjigje t’i jepte. Kaluan disa ditë dhe Emanuelin po e brente dyshimi:
“Mos vallë miku i tij i vjetër ka përfunduar keq… Jo, e pamundur. Ai ishte jo vetëm kirurg i zoti e punëtor, por edhe njeri i nderuar…”, – ngushëllonte veten Emanueli.
Arsyen e vërtetë se pse qe e pamundur të takohej me doktor Perikliun, Emanueli do ta mësonte pas disa vjetësh, kur në vendin tonë u vendos sistemi pluralist.
Edhe kur doli nga burgu, doktor Perikliun nuk e lejuan të punonte në Elbasan, por e transferuan në Peqin, larg familjes. Andoni ndjek me emocion ecurinë e jetës së këtij kirurgu të shquar dhe të familjes së tij. Djali i kirurgut, Ralfi, nuk shikonte asnjë perspektivë në jetën e tij se dyert për të qenë mbyllur. Prandaj, pa miratimin e familjes, në korrik të vitit 1990, iu drejtua kangjellave të ambasadës italiane. Prindërit, bashkë me vajzën e tyre, Evën, e përjetuan me ankth situatën e krijuar në familje. Më në fund, edhe ata i dhanë karar të mos ndaheshin nga Ralfi dhe, familjarisht, hyn në ambasadën italiane dhe përfunduan matanë Adriatikut. Pikësynimi i tyre ishte “toka e premtuar”. Më në fund, ëndrra e tyre u realizua. Megjithëse në një moshë rreth të gjashtëdhjetave, doktor Perikliu arriti të hyjë në indin e jetës amerikane si një mjek i talentuar.
Ëndrra për një takim të të tre miqve të vjetër nuk qe shuar për asnjë çast në zemrën e tyre. Pasi doli në pension, doktor Perikliu e pa të udhës se takimi duhej bërë. Dhe ai takim i shumëpritur, pasi kishte kaluar një gjysmë shekulli, u bë në Madrid. Aty doktor Perikliu me Kozarën dhe doktor Kosta Ribakovi me Nadjen, panë me sytë e tyre se si doktor Emanueli dhe Sofia kishin krijuar “një mirëqenie që mund t’i kishte zili shumëkush… Një apartament komod në kryeqytet e një vilë në një vend turistik malor… Kjo nuk i habiste dy miqtë e tij: ata e kishin tashmë të qartë se ç’do të thoshte të kishe klinikën tënde, biznesin tënd në një vend të zhvilluar si Spanja” (f. 53).
Takimi i tre miqve të vjetër ishte një ngjarje e shënuar në jetën e tyre. Përjetimet qenë të jashtëzakonshme kur sillnin në kujtesë vitet e largëta të rinisë studentore. Por, pas disa ditësh çlodhjeje dhe çmallimi mallëngjyes, “ia behu” dita e ndarjes “shpirtlënduese”, e cila u shoqërua me lot të nxehtë dhe me “ngashërime të thella që s’i kishin provuar prej kohësh”.
Me ngrohtësinë ndjenjave të një publicisti të talentuar, Andoni ka hyrë mjeshtërisht në botën e tre miqve kirurgë, të lidhur ngushtë me fijet e një miqësie aq të admirueshme, të cilën nuk e zbehu dot për asnjë çast ndarja gjysmëshekullore për faj të asaj politike që njerëzve ua plagos shpirtin rëndë.
Në këtë libër gjejnë pasqyrim përshkrime mjaft tërheqëse nga jeta e bashkatdhetarëve tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët, në kushtet e një shteti ligjor dhe me demokraci të konsoliduar, dinë se si ta shpëthejnë talentin e tyre në shumë fusha të dijes, çka për shumë syresh një gjë e tillë është e pamundur në atdheun amë, për shkak të demokracisë anarshiste apo ‘demoshëmtisë” që mbretëron në vendin tonë, ku nuk mund të bëhet fjalë absolutisht as për një shtet ligjor dhe, për pasojë, as për një demokraci të standardeve perëndimore. Neokomunistët, trashëgimtarë të partisë kriminale të Enver Hoxhës, njerëzit e talentuar dhe me personalitet i kanë si “gjakun në këmishë”. Një nga përshkrimet e lartpërmendura e gjejmë në artikullin me titull “Kërcimet pindarike të shqiptarëve”.
Edhe pas botimit të këtyre dy librave gati dhjetë vjet më parë, Andoni asnjëherë nuk është ndarë nga publicistika e tij mbresëlënëse.
Mes shumë analizave të shumta që Andoni ka botuar pas daljes nga shtypi të dy librave të larpërmendur, pështypje të veçantë i bën lexuesit njëra prej tyre, e cila i kushtohet problemit kaq shumë diskutueshëm deri tani, siç është “Reforma në Drejtësi”. Në atë analizë Andoni zbulon komedinë që po luhet më shumë se tre vjet në sytë e popullit shqiptar:
“Po atëherë, pse gjithë kjo zhurmë, tërë këto përpjekje për të miratuar një reformë që s’ka për të vendosur drejtësi, gjë që e dinë edhe më mirë se unë ata që po lëvizin çdo gur, gjoja për ta miratuar atë se, në të vërtetë, janë pikërisht ata që po e pengojnë miratimin e saj. Të krijohet përshtypja sikur tek ne gjithë fajin për këtë gjendje korruptive na e paska vetëm sistemi i drejtësiësë, se të qe për ata, si “burra të ndershëm” që janë, situata do të qe krejt tjetër. A ka ndonjë budalla që mund ta hajë këtë? Që Sistemi i Drejtësië ka përegjegjësinë kryesore, kjo është e vërtetë, por jo e tëra. Po kaq përgjegjësi kanë dhe vetë të korruptuarit”.
Kjo analizë, me titull “Reforma në drejtësi – farsa e radhës e politikës shqiptare”, është botuar në disa faqe interneti më 18 korrik 2016.
Në disa biseda telefonike që kam pasur me Andonin, kam këmbëngulur që analizat e botuara në shtypin e shkruar apo në faqe të ndryshme të internetit pas vitit 2010, t’i përmblidhte për t’i botuar si libra me vete, sepse ato janë dhe do të mbeten thesare të vërteta në artin e publicistikës shqiptare. Dhe këmbëngulja ime mbështetej në vlerësime plotësisht të merituara që i kanë bërë publicistikës së Andonit mjaft përsonalitete të njohura, si Teodor Laço (Andon Dede është një fenomen, një gazetar dhe analist i zoti), Mehmet Elezi (Ka qenë fillimi i viteve nëntëdhjetë kur zbulova një Andon të ri. Në të vërtetë, Andonin “tjetër” nuk po e zbuloja unë. Po e zbulonte Liria), Mitro Çela (Edhe para pluralizmit, tek Andon Dede kam vlerësuar përherë sensin kritik dhe njëfarë antikonformizmi, për aq sa lejonin hapësirat e kohës. Por ai bëri emër sidomos pas ’90-ës, me shkrimet e tij politiko-filozofike), Qemal Sakajeva (Shkrimet e Andon Dedes pulsojnë si të jenë shkruar dje, pasi autori zuri anën e duhur… Publicistika e tij përfshin problematikë të rëndësishme, është e mprehtë e kurajoze, mbështetet mbi fakte, ka analizë, shpërfaq njohje, gjithçka e thotë me gjuhë e stil të bukur), Fuat Memeli (Gazetari i shquar, por edhe “rebel”, Andon Dede, ka qenë model i gazetarit të aftë e kurajoz, jo vetëm për vitet që punuam bashkë në Televizion, por edhe më vonë, madje edhe sot).
Analizat e Andonit janë shkrime të shkëlqyera publicistike, jo vetëm për problemet që trajtohen në to, por sidomos për mënyrën e të shkruarit, natyrshmërinë e rrëfimit, befasinë e kthesave në rrëfim e sipër, sintaksën mahnitëse dhe stilin elegant. Prandaj emri i Andonit ka zënë një vend nderi në historinë e publicistikës shqiptare pas vendosjes së pluralizmit në vendin tonë.
Tiranë, 03 shtator 2019
Komentet