E lexova sapo e mora në duar librin. Jo vetëm një roman i ngjeshur më pak se dyqind faqe, i shkruar bukur, me figura letrare dhe ekspresivitetin që e karakterizon stilin e shkrimtarit. Fraza dhe dialogje të shkurtra. Përmbajtja kurioze, me një titull interesant, të cilin si fillim e mendova një libër tragjik, ku, heroina kishte fluturuar në parajse, “nga dashuria e djaj të tjerë”-thotë Marquez… Jo rrallë, autori Istref Haxhillari, shkruan dhimbshëm për prindërit apo të afërmit e larguar.
Mbylla kapakun e fundit pa e hasur gjëkundi Zogun e Parajsës, as këngën e tij.
Nuk lexoj kurrë përciptazi… me shumë kujdes, mbaj shënim faqet, dhe u rikthehem…nuk pash zog, as këngë e as parajsë.
I telefonoj dikujt që ma huazoi librin, shkrimtar dhe ai, – hej mik, mos e pe gjëkundi zogun e parajsës, apo mos e dëgjove diku këngën e tij?
-Eshtë metaforë-u përgjigj ai.
-Që është metaforë e marr me mend, ka shumë të tilla në librat e tij, po këngën e …zogut, desha?
Kur mbylla telefonin, qesha me vete, ashtu si edhe gjatë leximit. E humb fillin nganjëherë njeriu dhe kërkon kot atë që e ka aty, e sheh po nuk duket. Më erdhi me vërtik mendimi, shkrimtari filozof Umberto Eko. Ai shkroi një libër të madh mbi 600 faqe me titullin “Emri i Trëndafilit”, dhe s’çeli gjëkundi trëndafil, veçse lufta brenda llojit, ku digjet biblioteka dhe një manistir i tërë prej vrasjeve, preversiteteve e rriteve makabre në emër të Zotit. Në fund të tij, U. Eko tregon, ç’farë thotë tituli i një romani.
Se vetë Isidor Sofi, ishte Zogu i Parajsës dhe kënga ishte brenda tij.
Ndër faqe shoh përjetimet e Dorit, nga takimet dhe dashuria, zënkat dhe xhelozitë me zonjën, Ledi Smiana, me ndjesitë, emocionet dhe perceptimet e saj në jetën e dyzuar, mes familjes dhe dashurisë. E shkruar nga po ai vetë. Inteligjenca e një fizikanti, e njeh mirë metafizikën, arsyeja ka mësues vetëm vetveten. Ai, njeh mirë dhe psikologjinë e fëmrës që dashuron. Ndaj di të sillet bukur, ta bëjë për vete, ta ç’tensionojë dhe zbusë me gjetjet e çdo fjale.
Dashuria është stuhi e frikëshme. Po çështë mali pa stuhitë? Ashtu dhe zemra pa dashuri! Të jesh njeri, do të thotë të vuash nga një dytësi (ambigitet) të pamëshirshëm, të priresh ndaj të mirës dhe të keqes tënde. Ne, do të kemi gjetur paqe kur të kemi vrarë egoizmin brenda nesh. Ky është dyzimi që rrebelon shpesh Ledi Smianën.
Shkrimtari shkruan atë që dëshëron, pa u brengosur për botën, as kompesimin dhe famën. Ai do të sfidojë veten dhe shoqërinë. Ndërsa ballafaqimi me të vërtetën është thjesht çështje e metodës së tij krijuese. Të dish të dallosh të vërtetën nga sferat e fantazisë krijuese. Është kufiri i hollë, midis qënësisë dhe iluzionit. Një ide ose një imazh, nga magjia e fjalës apo nënkuptimeve, ta gjejmë të bukurën dhe të vërtetën midis faqeve të librit.
………“-Dua të martohemi në të fshehtën tonë,- u hap së fundi. Sido që ende se kishte gëlltitur, nuk nguroi të betohej.
-Gjersa vdekja të na ndajë!
-Të dukem e çmendur?
Deshi të përgjigjej, ajo i doli para, si të zinte shteg bosh.
-Thuaj të vërtetën!
-Nuk ke qënë kurrë kaq normale.
-E ke hasur gjëkund? E ke lexuar? E ke shkruar në librat e tu?
-As nëpër filma.
Rëzëlleu nga kënaqësia.
-E di si më erdhi?
Anoi kokën të zgjidhte fjalët.
-Ndihesha qiellore kur më thërrisje nuse, doja të bëhesha gruaja jote…
– Ja ku u martruam.
-Oh, i dashur, je i imi…imi pra!”
Në fakt ajo që ne shohim si lëndë është dukja e saj. Shkrimtari fillon të hyjë në jetën e të tjerëve sepse ka perceptime të reja për miqësinë, dashurinë dhe mardhëniet sociale. Në jetë, nuk ndodh shpesh të udhëhiqesh nga arsyeja. Është ndjenja që e bën atë më të dobët për të arsyetuar, duke e tërhequr qenien nga çastet. Sikurse e verteta mund të zbulohet prej arsyes më së shumti, se sa me rrugën njohjes së ndjenjave, ndaj shpesh dashuria na duket si derë e parajsës dhe e ferrit.
Duke medituar mbi librin, vwrejta se është e rezikshme të përkulesh në zbrazdësinë e tjetrit, me dëshirën e mirë për të parë pasqyrimin tënd, si në fundin e një pusi, është e kotë, sepse fytyra jote në fund të pusit bëhët e deformuar, e paqartë e frikëshme, të bën të tërhiqesh nga gryka e tij, prej frikës se mos biesh brenda. Nuk thonë kot: “ka njëmijë e një lloj dhashuri, më e bukura është ajo e imja”.
“Tërbimi im për të dashuruar, vështron nga vdekja, si një dritare që sheh në oborr.” -Thotë Georges Bataille, filozof frances, antropolog dhe historian arti.
Ndërsa Flober, këshillon: “Guxo të gabosh dhe të ëndërrosh.”
“Më 5 qershor 2018, moti nuk i la gjë mangut ditëve të pranverës. Aroma e luleve, përmbyti qytetin, gjethnajat e blirëve shushurinin, era e freskët përkëdhelte kalimtarët. Dori filmoi rrugën nga kisha ortodokse te hyrja, ia dërgoi, hapi derën e selisë, ku rrallë shkelte. Ndezi dritën elektrike, mbylli perdet, rregulloi sa mundi orenditë, renditi mbi tavolinë, shishen e verës, gotat plastike frutat. Ktheu dy gllënjka, ndezi cigaren, doli në korridor, u mbështet pas derës gjysmë të hapur. Digjej nga dëshira ta merrte në krahë.”
Nëse nuk keni parë se si Zogu i Parajsës josh femrën e tij, asgjë s’keni parë. Një zog mahnitës në formë dhe kombinim ngjyrash, blu me të verdhë apo portokalli, blu, e bardhë e kaltër, e mrekulli të tjera. Sesi ai e pastron me sqep vendin ku do të bëjnë dashuri. Për ta bërë për vete femrën e tij, ai vallëzon çuditshëm, duke hapur krahët me ngjyrat mahnitëse, rrotullohet si një fugë apo balerin klasi. E gjitha kjo, nën melodinë e bukur të këngës së vet. Pastaj hidhet e rrëmben atë të mahniturën pas tij, që rri mbi një dëgë me lule Marsi, e përqafon marrëzisht mbi lëndinën e paqtë a thua se po e mbyt. Ç’far mekullie! Zogun mbretëror me pupla mbi kokë e kërkoni në internet dhe do shihni një spektakël që nuk e keni parë ndonjëherë.
Është edhe një lule fort e ngjashme në ngjyra dhe formë me emrin, Zogu i Parajsës. Simbolizon lirinë dhe gëzimin. Sa shumë dashuri jep natyra! Shkrimtari ynë Isidor Sofi, sinonimi i vetë autorit edhe në shkrime të tjera, di ta përjetësoj bukur këtë dashuri.
“S’pandehu të donte kaq shumë një femër, përvojat nuk e ndihmonin të rrokte horizonte e reja, çelur si zbulime lundërtarësh. Ndërsa bota përkundej qetësisht në shtratin e vet, çdo luhatje e humorit të saj kthehej këmbanë alarmi. Duheshin aq, sa mund të luanin mendsh.”
Dashuria s’është vetëm një këngë e bukuuur. Ajo shpesh është melodi e pikëlluar, si seranatat, fadot e baladat. Mbush kupat e gëzimit tonë, me helmin e saj tinzar. Një vision pak i çuditshëm.
Nga këndvështrimi i hapsirës. Provinca dhe koha të habit.
Brenda këtij pusi hapsinor, më erdhi pak çuditshëm. Një qytet i vogël me një liqen të madh, ku të mbyt hapsira ujore nëse ti rrekesh të kesh një dashuri të madhe, të gjallë, po jo shumë të thellë, si vetë ujrat e tij. Një dashuri e lindur nga boshllëku i shpirtit. Më pas fillon dhe kafshon gjarpëri i xhelozisë. Edhe në rastin e këtij libri, ujrat nuk e mbushin dot zbrazdësinë e shpirtit, vetëm joshin për këngë dhe dashuri dhe fundi është destinacion i hidhur…
Përcaktimi kohor, sipas shkrimtarit është fiks pesë vite nga ikja e poetit të madh, që nënkuptojmë “Fluturimin e shtërgut të fundit”. Njarjet ndodhin në vitet e para të lirisë demokratike. Nuk do ta imagjinoja dot ndryshe, në sistemin para këtyre viteve, ku vuajti dhe mbijetoi poeti. Ne binim në dashuri duke lexuar dhe shkëmbyer poezitë e tij në fshehtësi. Nëse takoheshin të dashuruarit, ashtu dendur si Dori me Ledin, sot nuk do egzistonin më. Dashuri kjo, e ndaluar, që zgjati deri në kohët e Covid 19. Ku dashuria është gjithmonë me simptomat e kolerës. Koha e saj është e përcaktuar e tillë, nga shkrimtarë e dashunor të mëdhenj. Është një hapsirë kohore që flet për një dashuri të madhe e destinuar të rrënohet.
Thonë, se njeriu si qendra e egzistencës, nuk nuk e ka arritur të krijojë një sistem të barazpeshuar shpirtëror, ja hedh fajin mosharmonisë shekullore të botës apo marrëzisë së publikut.
E shkuara vlen të kujtohet sepse nxjerr mësime prej saj. Kur krijon je një vetmitar, jeton me personazhet. Në këtë libër, autori është i rrëthuar me shumë dashuri. Bukuria gjendet në sytë e atij që e sheh. Dhe shkrimtari Istref Haxhillari, di ta shquaj dhe ta bëj të tijën të bukurën si pjesë universal të jetës. Ndodh shpesh që komuniukojmë me shenja dhe lëvizje, jo me fjalë. Dhe libri ka shumë shenja, simbole dhe figura letrare të qëndisura bukur, secila në vendin e duhur.
Mendimi është i lidhur me gjuhën edhe shprehja e lirisë dhe shprehja e dashurisë po me gjuhën dhe një matematikan e zotëron drejt atë. Liria e mendimit të çon në lirinë e veprimit. Duke menduar të pamundurën.
Në fund të fundit, lumturia qëndron tek pasionet tona, për të arritur atë, duhet të duam veten, cilido qoftë fati ynë. Sa herë i themi lamtumirë pasionit, cilido qoftë ai, vdesim nga pak, bashkë me të djelat e lumtura.
“Dashuria krijoi mundësinë të shihja brenda vetes përmes një dritareje të veshur me shkëlqim, më dha kurrajë të përballoj çastin më të hidhur të jetës, më shëndroi në grua të fortë. Brishtësia i përket tjetër kohe.”- thotë në fund të librit Ledi Smiana, shkruar me dorën e Isidor Sofit.
Të vetmes që duhet ti friksohemi është vrasja e ndërgjegjes, kur tundohemi të gabojmë. Vrasja e ndërgjegjes është helmi i jetës. Ledi nuk tundohet, ajo është e vendosur ta përballojë sfidën e dashurisë. Shkrimtari i’a kushton asaj këtë libër.
“Artistët janë të obliguar të kuptojnë jo të gjykojnë”,-qartëson Kamy.
Në fillim shkrimtarët flasin me letrën e bardhë që hesht, pastaj e ndajnë me botën që flet.
Dhe unë fola, për një libër të mirë, që duhet lexuar! Suksese mik!
Nadire BUZO