Këndonte egër ajo grua
Në kafenenë bosh gjer natën vonë,
Këndonte egër, por trishtueshëm –
Dhe rreth e qark çdo gjë sikur përmbysej…
Në tingujt e çuditshëm të cimbalit
Këndonte egër ajo grua.
Këndonte egër ajo grua
Dhe ishim ne një çetë e trishtuar,
Mes tymit të cigareve, si re,
Mendonim botën që nga ishim zhdukur…
Dhe mes jehonash satanike
Këndonte egër ajo grua.
Këndonte egër ajo grua
Dhe rreth e qark çdo gjë sikur përmbysej…
S’u kthyem fare në shtëpi,
Qava me ballin përmbi tavolinë,
Ndërsa mbi ne, në sallën zbrazur
Këndonte egër ajo grua…
(Përktheu Dionis Bubani)
*Gheorghe Bakovia (emri i vërtetë: Gheorghe Vasiliu) ka lindur në Bakëu. Vëllimin e parë, Plumb, e botoi më 1916 dhe mori çimet më të larta të kohës. Regjimi komunist e përjashtoi nga jeta letrare. U lejua të botonte vetëm pas vitit 1956, pa kohë para se të vdiste.
Komentet