VOAL – GAZIMESTAN – Qytetarët serbë të Kosovës, por edhe serbë nga Serbia po mblidhen në Gazimestan për të përkujtuar Vidovdanin, ose atë që njihet ndryshe si Beteja e Kosovës.
Shtatë autobusë, tre kombibusë dhe dhjetëra automjete private janë nisur rreth orës shtatë të mëngjesit edhe nga fshati Rudar i Zveçanit.
Ata kanë qenë në përcjellje të njësive speciale të policisë së Kosovës të stacioneve veri dhe jug.
Shefi i operativës në policinë e Kosovës për rajonin e veriut, Zhelko Bojiq, ka thënë për KosovaPress se gjithçka deri më tani është duke shkuar sipas planit operativ dhe nuk ka ndonjë problem.
Në orën 08:00 do të bëhet liturgjia në Graçanicë ndërsa rreth orës 12:00 pritet të fillojë edhe ceremonia e përvitshme në Gazimestan.
Beteja e Fushë-Kosovës është zhvilluar në vitin 1389 mes një koalicioni të përbashkët ballkanas të përbërë nga rumunë, shqiptarë e serbë kundër fuqisë gjithnjë e në rritje të Perandorisë Osmane.
Beteja përfundoi me fitoren e Perandorisë Osmane dhe i hapi rrugë pushtimeve të reja të Sulltan Bajazitit I.
Serbët e përkujtojnë çdo vit këtë betejë më 28 qershor me ceremoni që zhvillohen në Gazimestan dhe Graçanicë.
Pikërisht në një ceremoni të tillë përkujtimore, më 28 qershor të 1989 Sllobodan Millosheviq do të mbante fjalimin e tij urryes ndaj popujve të tjerë të ish-Jugosllavisë, një fjalim i cilësuar si paralajmërimi që solli luftërat e njëpasnjëshme në Ballkan dhe shembjen e ish-Jugosllavisë.
Komentet