VOAL

VOAL

Mbledhja e VV – Kurti: Kosova do të aplikojë për anëtarësim në NATO dhe BE

May 29, 2022

Komentet

Dorëzimi i Radoiçiqit dhe dialogu Kosovë-Serbi, ndër temat e diskutimit mes O’Brienit dhe Kurtit

Pamje nga takimi mes ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, më 21 tetor në Prishtinë.

 

Raportet e Kosovës me Serbinë, përparimi në dialogun mes dy vendeve, dhe nevoja për dorëzim të Millan Radoçiqit në Kosovë, kanë qenë disa prej çështjeve që kanë diskutuar ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të hënën në Prishtinë, sipas Qeverisë së Kosovës.

Në një komunikatë të lëshuar për media, Qeveria e ka përmendur nevojën e nënshkrimit të Marrëveshjes Bazë, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë një vit më parë, në mënyrë që ajo të respektohet dhe zbatohet.

Marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh është arritur mes dy vendeve në shkurt të 2023-ës në Bruksel, dhe më pas palët janë pajtuar për një aneks në Ohër të Maqedonisë së Veriut, por nuk është bërë drejtim drejt zbatimit.

Sa i përket ekstradimit të Radoiçiqit, Qeveria ka vlerësuar se dorëzimi i tij i shërben ligjshmërisë, drejtësisë, paqes dhe sigurisë.

Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për organizim dhe kryerje të sulmit në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar, në të cilin është vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Kosova e fajëson shtetin serb për organizim të sulmit, por Beogradi zyrtar mohon gjithçka.

Autoritetet drejtësisë kanë ngritur aktakuzë për këtë rast kundër Radoiçiqit dhe dhjetëra personave tjerë, tre prej të cilëve janë të arrestuar në Kosovë.

Radoiçiq dhe të tjerët besohet se janë të lirë në Serbi.

O’Brien: Zbatimi i Marrëveshjes Bazë është rruga përpara

O’Brien ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të zhvillojë më shumë diskutime para se të marrë një vendim dhe se për këtë arsye lindin, me raste, mospajtimet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Në një intervistë për televizionin lokal, Kanal 10, O’Brien ka thënë se Kosova duhet të shfrytëzojë tregun e përbashkët rajonal, dhe mundësitë tjera që ka përpara, për t’u zhvilluar sa më shumë në të mirë të qytetarëve.

Sipas tij, rruga përpara për Kosovën dhe Serbinë, drejt integrimeve evropiane, është vetëm duke zbatuar Marrëveshjen Bazë, të arritur mes vendeve vitin e kaluar.

I pyetur nëse vendet do të sanksionohen nga SHBA-ja për moszbatim të Marrëveshjes, ai ka thënë se sanksioni kryesor për to është që humbin mundësi të mëdha për qytetarët e tyre nga moszbatimi.

Në linjë me zbatim të Marrëveshjes Bazë, O’Brien ka thënë se është edhe çështja e dërgimit të draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Zyrtari amerikan ka thënë se qytetarëve duhet t’iu sqarohet se Asociacioni është vetëm një platformë që komunat të shkëmbejnë përvoja, që në Evropë ekzistojnë rreth 400 asociacione të tilla, dhe që në rastin e Kosovës nuk nënkupton një nivel të ri të qeverisjes.

Që nga viti 2013, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për themelimin e Asociacionit. Më 2015, është arritur edhe Marrëveshja mbi parimet për themelimin e këtij asociacioni. Por, marrëveshjet nuk janë zbatuar kurrë. Kosova ka shprehur drojën se një asociacion i tillë njëetnik mund të ndikojë në funksionimin e shtetit.

Lidhur me sulmin në Banjskë, O’Brien ka thënë pret që Radoiçiq të ndihet penalisht, dhe që SHBA-ja vëren se Serbia ka ndërmarre veprime për të parandaluar akte të dhunës, në periudhën pas sulmit.

Një ditë më parë, në Beograd O’Brien është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Pas këtij takimi, lideri serb ka thënë se takimi me zyrtarin amerikan është fokusuar në “zgjidhjen politike në rajon, në situatën aktuale në Kosovë dhe forcimin e bashkëpunimit në shumë fusha”. REL

Kurti publikon marrëveshjet e nënshkruara: Kosova anëtare proaktive në Procesin e Berlinit

Kryeministri Albin Kurti, ka publikuar pesë marrëveshjet e nënshkruara në samitin e dhjetë të Procesit të Berlinit, i cili u mbajt të hënën e kaluar.

Në një postim në rrjetin social X, Kurti ka shkruar se Procesi i Berlinit, për një dekadë e ka afruar rajonin me Bashkimin Evropian dhe e ka çuar përpara në rrugën drejt integrimit.

“Kosova ka qenë dhe do të jetë një anëtare proaktive dhe prijëse në Procesin e Berlinit, duke avokuar për përparim më të madh me rregullat dhe vlerat e Bashkimit Evropian në thelb të tij”, ka shkruar Kurti.

Marrëveshja për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor, Deklarata e gjashtë liderëve të Ballkanit Perëndimor për tregun e përbashkët rajonal 2025-2028, Deklarata për rikonfirmimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, Deklarata mbi standardet rajonale të ekzaminimit të IHD-ve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Deklarata mbi aksesin dhe bashkëpunimin në infrastrukturën e kërkimit dhe inovacionit, janë marrëveshjet që i ka listuar Kurti. sn

Shukri Buja thotë se është ftuar “pa dëshirën” e tij nga Specialja në Hagë

Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, njoftoi të dielën se ka udhëtuar për në Holandë për t’u paraqitur “pa dëshirën” e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Me ftesë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, sot pa dëshirën time, me ftesë të detyruar të paraqitjes, udhëtova për në Hagë”, shkroi Buja në Facebook.

Buja, ish-pjesëtar i Ushtrisë së atëhershme Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nuk tregoi se në çfarë cilësie u thirr nga Gjykata Speciale.

“UÇK ishte e shenjtë, ishte kundër pushtuesit, falë luftës së saj të armatosur dhe falë përkrahjes së aleateve në veçanti nga SHBA-të ne e gëzojmë lirinë sot. Lufta çlirimtare solli lirinë dhe pavarësinë që shumë po e gëzojnë sot, ndërsa bijtë më të mirë të këtij vendi u akuzuan dhe po mbahen padrejtësisht në burg”, shkroi ai.

Kjo nuk është hera e parë që Buja thirret për t’u paraqitur para Gjykatës Speciale në Hagë – e cila funksionon sipas ligjeve të Kosovës – pasi në korrik të vitit 2019 ai ishte intervistuar si i dyshuar.

Shukri Buja përmendet në aktakuzën e ndryshuar më 2022 të Dhomave të Specializuara të Kosovës në rastin kundër katër ish-krerëve të UÇK-së, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, të dyshuar për krime lufte gjatë viteve 1998-200.

Aktakuza pretendon se Shukri Buja ka qenë pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” sikurse “Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Latif Gashi dhe udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së”.

Në aktakuzë thuhet se Buja, ish-komandant i UÇK-së për zonën e Nerodimës, “mori pjesë së bashku me Fatmir Limajn dhe me shumë pjesëtarë të UÇK-së në arrestimin dhe mbajtjen e njerëzve në Llapushnik” mes prillit dhe korrikut të vitit 1998.

Ndërkohë, në Dhomat e Specializuara është duke u zhvilluar rasti gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm.

Deri tani Dhomat e Specializuara kanë shqiptuar dënim për pengim të drejtësisë ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, të cilët vitin e kaluar u liruan me kusht.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. REL

Osmani: Nuk do të ndalet lufta për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është zotuar se nuk do të ndalet lufta për drejtësi, për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Numri i saktë i grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë nuk dihet, por përgjatë viteve të pasluftës organizata të ndryshme vendëse e ndërkombëtare kanë thënë se numri mund të arrijë deri në 20 mijë.

Osmani ka thënë të mërkurën se dhunuesit menduan që përmes dhunës seksuale mund ta çnderojnë Kosovën, por “në fakt asnjëherë nuk kanë arritur dhe nuk do të arrijnë të bëjnë një gjë të tillë”.

“Ju jeni heroinat, ju jeni krenaria dhe ju jeni vetë nderi i Kosovës”, ka thënë Osmani, duke iu drejtuar viktimave.

Ajo i ka bërë këto deklarata në konferencën ndërkombëtare mbi dhunën seksuale në konflikt, të organizuar për 25-vjetorin e Qendrës Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Presidentja Osmani e ka falënderuar Qendrën për punën e bërë, dhe ka thënë se ajo ka shërbyer ndër vite si shtëpi e sigurt dhe vendstrehim për viktima të panumërta, që kanë gjetur mbështetjen dhe janë siguruar që mund të flasin para popullit të Kosovës dhe para botës, për atë që u ka ndodhur.

“Duhet të luftojmë që historia mos të përsëritet. Padrejtësitë asnjëherë nuk duhet të kalojnë në heshtje, dhe drejtësia, e dimë të gjithë, nuk arrihet, pa i mbajtur autorët përgjegjës për krimet e bëra. Fokusi ynë i përbashkët duhet të jetë të lufta për drejtësi”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka vlerësuar lart viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, duke thënë se përkundur traumave të pashlyeshme, “të mbijetuarat kanë treguar forcë të jashtëzakonshme për të nisur jetë të re”.

Feride Rushiti, udhëheqëse e Qendrës, e ka përmendur periudhën e pas luftës dhe vështirësitë e mëdha.

“Periudha pas luftës ka qenë shumë e vështirë. Stigma që përjetonin gratë e mbijetuara të dhunës seksuale, heshtja, turpi në familje, ishte shume e vështirë për t’u ballafaquar”, ka thënë ajo.

Vasfije Krasniqi – Goodman, gruaja e parë që ka treguar publikisht se ka qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka thënë se duhet bërë më shumë për të mbijetuarat dhe ka kritikuar autoritetet e Kosovës për procedurat që kanë hartuar për të konfirmuar statusin e një viktime.

Ajo ka thënë se është e vështirë për viktimat që të dëshmojnë diçka që ka ndodhur 25 vjet më parë.

“Dikush të të thotë në fytyrë që ‘nuk je e mbijetuar’, edhe ai është një lloj përdhunimi, kur të mohohet”, ka thënë Krasniqi, e dërguar e posaçme e presidentes Osmani për të adresuar çështjet e dhunës seksuale gjatë luftës.

Pjesë e konferencës ka qenë edhe, Denis Mukwege, laureat i Çmimit Nobel për Paqe.

Edhe ai ka thënë se duhet të ndalet mospranimi dhe përjashtimi i viktimave të dhunës seksuale prej shoqërisë, pasi diçka e tillë ritraumatizon viktimat.

“Viktimat nuk janë kurrë fajtore për krimet që kanë përjetuar” ka thënë Mukwege.

Ai i ka bërë thirrje shtetit të Kosovës që të përkujdeset për këtë kategori të personave, t’iu ofrojë mbrojtjen që dikur nuk ka mundur t’ua ofrojë, dhe që aty të përfshihet e drejta për drejtësi, për të vërtetën, dëmshpërblimet dhe garancitë për mospërsëritje të rasteve.

Marrja e statusit u siguron përfituesve një pension prej 230 eurosh në muaj dhe disa përfitime, si: lirimi nga tatimi në pronë, përparësi në punësim, shërbime shëndetësore, etj.

Në shenjë mbështetjeje për të mbijetuarit, Kosova ka shpallur 14 prillin si Ditë kombëtare të të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës.

Por, sipas të dhënave nga nëntori i vitit të kaluar, vetëm gati 2.000 persona kanë aplikuar për ta marrë statusin e personit të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Prej tyre, statusi u është aprovuar rreth 1.600 personave.

Verifikimi i dëshmive të personave që duan ta marrin këtë status – gjatë periudhës nga 27 shkurti i vitit 1998 e deri më 20 qershor të vitit 1999 – bëhet nga Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë.

Fillimisht, aplikuesve u kërkohet ta plotësojnë një formular dhe të grumbullojnë disa dokumente: raport mjekësor, raport psikologjik, raport juridik, deklaratë e dëshmitarit, fotografi që dëshmojnë lëndimet trupore, artikuj të gazetave…

Në rast se Komisioni dëshiron sqarime shtesë për aprovimin e kërkesës, atëherë aplikuesit i kërkohet të paraqitet personalisht para Komisionit.REL

Kurti: Republika Serbe është shndërruar në një Bjellorusi të vogël në Ballkan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas përfundimit të Samitit të Procesit të Berlinit në një deklaratë për media ka folur për çështjet e arritura në këtë samit, teksa ka folur sërish rreth pamundësisë së lëvizjes së lirë ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe Bosnjë Hercegovinës.

Ai ka thënë se shteti boshnjak, për shkak të Republikës Serbe, është shndërruar në Bjellorusi të vogël në Ballkan.

“Ne e kemi liberalizimin e vizave në Kosovë nga 1 janari dhe ndodhemi në një situatë paradoksale që nëse unë me pasaportë diplomatike të Kosovës nëse dua të shkoj në Sarajevë më duhet të shkoj në Shkup të marr vizë disaditore dhe kjo është një absurditet i mundimshëm.Andaj në kushtet kur ne e kemi ratifikuar të parët marrëveshjen për lëvizje të lirë me karta identiteti dhe kur kjo gjë nuk është bërë në Parlamentin e Bosnjë dhe Hercegovinës unë kam ofruar që nga 1 janari qytetarët e Bosnjës të vijnë në Kosovë me karta identiteti ndonëse ata nuk do të mund të bëjnë të njëjtën gjë për shkak të Republikës Serbe atje, e cila është shndërruar në Bjellorusi të vogël në Ballkanin tonë Perëndimor”, u shpreh Kurti.

Kryeministri shtoi se ndërsa kroatët e Bosnjës kanë pasaporta kroate, serbët kanë ato të Serbisë, boshnjakët janë ata që ndëshkohen më së shumti dhe nuk është në rregull që edhe më tutje Prishtina e Sarajeva të mos mund të udhëtojnë lirshëm.

“Nëse ndërkohë nuk bëhen ratifikimi në Parlamentin e Bosnjë dhe Hercegovinës qytetarët e Bosnjës me karta identiteti do të kujdesimi që me vendim të Republikës së Kosovës të mund të vijnë lirshëm”, tha ai. sn

Kurti pret dinamikë të re nga Komisioni i ri Evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova pret që Komisioni i ri Evropian të nisë me një dinamikë të re sa i përket dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas samitit të Procesit të Berlinit, Kurti u pyet për kërkesat e tij sa i përket dialogut, pasi kancelari gjerman, Olaf Scholz, kërkoi dinamikë të re në këtë proces që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

“Ne po presim Komisionin e ri Evropian që të fillojë me dinamikë të re dhe për këtë arsye jemi optimist. Edhe më tej insistojmë që të dorëzohet kryekrimineli Millan Radoiçiq, që ne vrau rreshterin Afrim Bunjaku, por edhe grupi i tij paralimitar i terroristëve që ndodhen në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit të Kosovës. Kërkojmë që letra e [ish-kryeministres serbe, Ana] Bërnabiqit të tërhiqet, meqë me atë letër ajo është tërhequr nga Marrëveshja [për rrugën drejt normalizimit të raporteve]. Njëkohësisht ajo që jemi marrë vesh, Marrëveshja Bazë dhe Aneksi për zbatim të nënshkruhen sepse nënshkrimi është garanci ligjore”, tha Kurti për gazetarët.

Vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën dhe për Aneksin e zbatimit të saj. Por, nëpërmjet një letre dërguar në Bruksel në dhjetorin e vitit 2023 nga kryeministrja e atëhershme serbe, Ana Bërnabiq, Beogradi shprehu rezerva për këtë marrëveshje.

Në letër, Bërnabiq ka thënë se Marrëveshja është e pranueshme për Serbinë vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës. Aty, po ashtu, thuhet se Beogradi nuk pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara apo në mekanizma dhe në agjenci që ekzistojnë në kuadër të OKB-së.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Marrëveshja nuk është nënshkruar, por BE-ja ka thënë se ajo është ligjërisht e obligueshme për palët, teksa blloku evropian vazhdimisht u kërkon palëve që të nisin zbatimin e saj.

Gjatë deklarimit për gazetarë, Kurti po ashtu tha se në takimet që ka zhvilluar në Berlin ka kërkuar që BE-ja të heqë masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës vitin e kaluar për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, por edhe t’i jepet statusi i vendit kandidat.

Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk e ka statusin e vendit kandidat, teksa vendi ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. REL

Sulmohet ish-kryetari i ‘Listës Serbe’, Goran Rakiç përfundon në spital

Ish-kryetari i ‘Listës Serbe’, tashmë deputet në Parlamentin e Serbisë, Goran Rakiç, është rrahur mbrëmë brutalisht nga disa persona që dyshohet të jenë të ‘Civilna Zastita-s’.

Sipas burimeve të KosovaPress-it, ngjarja ka ndodhur mbrëmë pas mesnatës para hyrjes së banesës së tij në veri të Mitrovicës, ku dyshohet se personat kanë qenë duke e pritur.

“Njëri prej këtyre sulmuesve është Goran Vuceniq, vëllau i Vlladan Vuçeniq, të cilët njihen si pjesëtarë të Civilna Zastita-s, ndërsa ky i fundit akuzohet edhe për pjesëmarrje në grupin terrorist të Banjskës”, kanë thënë burimet, duke shtuar se gjithçka ndërlidhet me një mosmarrëveshje rreth parave në mes të Millan Radojçiçit dhe Rakiçit.

Burimet më tej vazhdojnë se Rakiç menjëherë pas incidentit është dërguar në spital ku ka marrë trajtimin e nevojshëm dhe tani është liruar dhe ndodhet në banesën e tij.

“Rasti nuk është raportuar në polici dhe po tentohet të mbahet në fshehtësi”, kanë thënë këto burime, duke shtuar se pas interesimit të hetuesve nga Policia e Kosovës për rastin, personeli i spitalit është detyruar megjithatë ta protokollojë rastin dhe ai tashmë figuron në librin spitalor.

KosovaPress-i ka kontaktuar me zëvendësdrejtorin e policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, për të kuptuar më shumë rreth kësaj ngjarje të mbrëmshme, mirëpo ai tha se policia nuk ka informacion për këtë rast. sn

Kasanof: Duhet partneritet më efektiv me Kosovën

VOA/Leonat Shehu

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof tha të premten se veprimet e pabashkërenduara që janë ndërmarrë nga qeveria në Prishtinë, ndërlikojnë mundësitë e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur në mënyrë të suksesshme Kosovën.

Ai i bëri këto komente në një bisedë me një grup gazetarësh në Prishtinë, në ditën e dytë të vizitës së tij Kosovës, gjatë së cilës u takua me udhëheqës të institucioneve dhe partive politike.

“Në takimet e mia me presidenten dhe kryeministrin, ritheksova dëshirën tonë për një partneritet më efektiv. Gjithashtu, u shpreha se jemi të kënaqur për rifillimin e hyrjes së mallrave (nga Serbia) dhe që Kosova ka mundur të zërë vendin e saj në CEFTA dhe në procesin e Berlinit”, tha zoti Kasanof.

Thanks to DAS Kasanof for his visit to Kosovo. Important discussions with leaders and partners in government, media, civil society, and business on how to enhance constructive cooperation and advance Kosovo’s European trajectory, prosperity and security. pic.twitter.com/ewrEVcQgL5

— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) October 11, 2024

Zoti Kasanof tha se është duke punuar ngushtë dhe në bashkërendim me të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak dhe vendet e Kuint-it për të çuar përpara procesin e bisedimeve.

“Shtetet e Bashkuara presin që Serbia dhe Kosova të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre përkatëse të marra në dialog dhe sipas marrëveshjes në Bruksel dhe aneksit të zbatimit të Ohrit. Dhe kjo nënkupton për Kosovën, natyrisht, dërgimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj sovranitetit dhe demokracisë shumetnike në Kosovë.

“Ne vazhdojmë të mbështesim edhe integrimin euroatlantik të Kosovës dhe integrimin në strukturat evropiane, veçanërisht në këtë kohë, kur shohim kaq shumë ndryshime në Evropë. Mendojmë se ky vazhdon të jetë vendi i merituar për Kosovën dhe është diçka që duam ta çojmë përpara”, tha zoti Kasanof.

Në pyetjen nëse rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të ndikojë në qasjen ndaj Ballkanit dhe dialogut Kosovë-Serbi, zoti Kasanof tha se nuk mund të flas për hipoteza.

“Megjithatë, ajo që mund të them është se politika jonë e jashtme bazohet në interesat tona kombëtare dhe nuk ka gjasa që interesat tona kombëtare të ndryshojnë në një shkallë të tillë që të ndikojë në një mënyrë dramatike politikën kur vjen puna për Kosovën”, tha ai.

Kjo është vizita e parë e zotit Kasanof në Kosovë që nga emërimi i tij në këtë post. Të premten ai u takua me udhëheqës të partive politike opozitare në Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate tha se kryetari i saj Lumir Abdixhiku ka theksuar shqetësimin e tij për siç thuhet marrëdhëniet e dëmtuara të qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara.

“Kryetari Abdixhiku e siguroi z. Kasanof se, me formimin e qeverisë së re, të drejtuar nga LDK-ja, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, riparimi i këtyre raporteve do të jetë çështje e prioritetit më të lartë”, thuhet në komunikatë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi shkroi në rrjetet sociale pas takimit se ka theksuar “nevojën e shtetit të Kosovës për bashkërendim të qëndrimeve me aleatët tanë strategjikë, e veçanërisht me SHBA-në. Kosova, si një storie suksesi është rezultat i bashkëpunimit të mirë dhe partneritetit të besueshëm me miqtë e saj”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha se mbështetja e fuqishme e Shteteve të Bashkuara ndaj popullit të Kosovës vazhdon përkundër vështirësive të panevojshme që i ka shkaktuar qeveria. “E vetmja rrugë për të arritur synimet tona si shtet, është bashkëpunimi dhe partneriteti me SHBA-të, si aleati ynë strategjik dhe i përjetshëm”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Zoti Kasanof i cili në fillim të javës ishte në Bosnje e Hercegovinë, në Kosovë arriti nga Serbia ku është takuar me udhëheqësit serbë.

Komandanti i NATO-s: Ura e Ibrit të mos hapet tani. Të bëhet pjesë e dialogut! Është çështje politike, jo ushtarake

Komandanti i NATO-s në Napoli, admirali Stuart B. Munsch, ka deklaruar se Aleanca ushtarake po kërkon që Ura e Ibrit të mos hapet në këtë moment dhe kjo çështje të jetë pjesë e dialogut.

Në një konferencë për media ai u shpreh se çështja e urës është politike dhe jo ushtarake dhe se mund të shkaktojë dëme në aspektin e sigurisë.

“Politika e NATO-s është që të mos hapet në këtë moment. Ajo do të jetë subjekt i dialogut. Është çështje politike, jo ushtarake. Kjo është për shkak të mundësisë që unë mund të shkaktoj dëm, të objekteve të pasigurta. KFOR-i mban linja të hapura Komunikimi me të gjitha forcat e sigurisë në zonë nuk kemi asnjë shqetësim për transparencën.

Siç e kam përmendur edhe më herët, KFOR-i mban një komunikim të hapur dhe transparent me organizatat e sigurisë në rajon dhe me këtë kuptojmë aktivitetet të cilat janë dhe nuk kemi asnjë shqetësim. Ne kemi disa grupe kriminale që veprojnë në këtë rajon, por kjo është jashtë realizmit të operacioneve dhe sigurisht kjo i takon edhe ligjzbatuesve”, tha ai, në konferencën e mbajtur pas ndërrimit të komandës së KFOR-it. bw

Enrico Barduani, komandant i ri i KFOR-it

Ushtarët italianë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

 

Gjeneralmajori i ushtrisë italiane, Enrico Barduani, e ka marrë edhe zyrtarisht detyrën e shefit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Barduani është përshkruar si njohës i mirë i rajonit të Ballkanit.

Këtë pozitë për një vit e ka pasur gjeneralmajor i ushtrisë turke, Ozkan Ulutash.

Ulutash e ka përmendur që KFOR-i përkrah plotësisht dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si platformën e vetme për zgjidhje të të gjitha mospajtimeve mes dy palëve.

Ai është nderuar me medalje për përkushtimin e tij në këtë, dhe misionet tjera të NATO-s.

Krerët më të lartë të shtetit kanë marrë pjesë në këtë ceremoni, përfshirë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.

Osmani ka thënë se populli dhe institucionet e Kosovës do të punojnë ngushtë me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë për të garantuar sigurinë për qytetarët e vet.

“Fëmijët tanë janë gjenerata e parë në historinë e kombit tonë, që nuk e njohin luftën. Duke punuar së bashku, le të sigurohemi që do të vazhdojë të jetë ashtu”.

Ajo ka folur për sfidat e ndryshme të sigurisë, të cilat i ka përjetuar Kosova në 25 vjetët e fundit, duke veçuar sulmin e vitit të kaluar në Banjskë, në veri të Kosovës.

Në atë sulm të kryer nga një grup serb, që Kosova e konsideron terrorist dhe fajëson shtetin e Serbisë, është vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.

Në këmbim e sipër të zjarrit, më pas, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Autoritetet e Kosovës kanë ngritur aktakuzë ndaj tij dhe dhjetëra personave tjerë, që besohet se janë të lirë në Serbi. Tre prej tyre janë të arrestuar në Kosovë.

Aktualisht KFOR-i ka mbi 4.400 trupa ushtarake në Kosovë.

NATO-ja e ka shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe. REL

Kosova do të përfaqësohet në CEFTA me emrin e saj

VOA/Leonat Shehu

Autoritetet në Prishtinë thanë të mërkurën se Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e saj në Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore e njohur si CEFTA dhe jo më nga misioni i UNMIK-ut, siç ka ndodhur deri më tani.

“Përfundimisht pjesëmarrja e UNMIK është larguar nga CEFTA dhe kjo vjen si rezultat i përpjekjeve të shumta, konsistencës dhe përkushtimit të Kosovës për të rregulluar pozicionin e saj në këtë mekanizëm dhe nga sot në takimet e Komiteteve të përbashkëta Kosova do të përfaqësohet nga institucionet e saj dhe pa prezencën e UNMIK-ut”, tha ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës Jeton Zulfaj tha se vendi do të përfaqësohet me fusnotë.

“Përfaqësimi rajonal ende është me asterisk, kjo është nga viti 2012 dhe siç e dini në vitin e kaluar me marrëveshjen e re që kemi, marrëveshjen bazike ajo adreson pastaj në nivel horizontal çështjen e asteriskut”, tha ai.

Ndryshimet në Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore pasuan vendimin e qeverisë së Kosovës që të heq masën e ndalimit të importeve të mallrave nga Serbia, mes shqetësimeve se refuzimi mund ta linte atë jashtë proceseve të rëndësishme siç është Procesi i Berlinit.

Autoritetet në Kosovë hapën të martën vendkalimin kryesor kufitar në Merdarë për hyrjen e mallrave nga Serbia, më shumë se një vit pasi ndaluan importet si një masë sigurie, pas situatës së krijuar me arrestimin e tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe, të cilët më pas u lanë të lirë nën trysninë perëndimore. Qeveria tha se masat nuk kanë qenë asnjëherë tregtare.

Zyrtarët gjermanë që kanë qenë të përfshirë në arritjen e marrëveshjes thanë se organet e CEFTA-s vendosën ndryshimin e rregullores së punës dhe miratimin e disa vendime të rëndësishme.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se vendet e Ballkanit Perëndimor po afrohen më shumë me njëri tjetrin. “Në Procesin e Berlinit ne arritëm të zgjidhim nyjën në marrëveshjen e tregtisë së lirë CEFTA së bashku. Duke bërë këtë, ne po hapim rrugën për përmirësime konkrete për njerëzit në terren”, shkroi ai.

Më 14 tetor pritet të mbahet takimi i radhës së Procesit të Berlinit, që këtë vit shënon dhjetëvjetorin e themelimit. Procesi është një nismë e hedhur nga ish kancelarja gjermane Angela Merkel, me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.

Kurti: Qeveria synon ndërtimin e një materniteti në Leposaviq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se të mërkurën ka vizituar Leposaviqin bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për të shqyrtuar mundësinë e kthimit të një objekti në maternitet.

Ai ka thënë gjatë mbledhjes së Qeverisë se ky maternitet do t’i plotësonte kërkesat e grave nga Leposaviqi dhe të mos kenë nevojë të kalojnë kufirin në Novi Pazar për trajtim shëndetësor.

“Pamë nga afër edhe një ndërtesë për ta vlerësuar mundësinë e kthimit të saj në maternitet që i plotëson nevojat e grave nga Leposaviqi, në mënyrë që mos të kanë nevojë ta kalojnë kufirin e të bëjnë dhjetëra kilometra deri te Novi Pazari e më pas foshnjat po regjistrohen si banore të Serbisë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se në Leposaviq ishin edhe për ndërgjegjësim ndaj kancerit të gjirit derisa në këtë komunë ishte mamografia.

Kryeministri bëri të ditur se mamografia përgjatë këtij muaji do të lëvizë nëpër komuna të ndryshme. sn


Send this to a friend